Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mendoni me kthjelltësi, veproni me mençuri

Mendoni me kthjelltësi, veproni me mençuri

Mendoni me kthjelltësi, veproni me mençuri

PËRFYTYRONI këtë skenë: Jezu Krishti po shpjegon se armiqtë e tij fetarë në Jerusalem do t’i shkaktojnë shumë dhembje dhe pastaj do ta vrasin. Shoku i tij i ngushtë, apostulli Pjetër, nuk e beson dot këtë. Madje e merr mënjanë Jezuin dhe e qorton. S’ka asnjë dyshim që Pjetri është i sinqertë dhe po tregon interes të vërtetë. Por, si i gjykon Jezui mendimet e Pjetrit? «Dil prapa meje, Satana!​—thotë Jezui.​—Ti je një gur pengese për mua, sepse nuk mendon mendimet e Perëndisë, por ato të njerëzve.»​—Mateu 16:21-23.

Sa tronditëse duhet të ketë qenë për Pjetrin kjo! Në vend që ta ndihmonte e ta mbështeste Jezuin, në këtë rast ai ishte «gur pengese» për Zotërinë e tij të dashur! Si ishte e mundur? Pjetri mund të ketë rënë pre e një të mete të zakonshme që ekziston në mendimet e njerëzve, domethënë të besonte vetëm atë që donte të besonte.

Të mos jemi tepër të sigurt te vetja

Një kërcënim ndaj aftësisë sonë për të menduar me kthjelltësi është prirja për të qenë tepër të sigurt te vetja. Apostulli Pavël i paralajmëroi të bashkëkrishterët në Korintin e lashtë: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» (1 Korintasve 10:12) Pse e tha Pavli këtë? Me sa duket sepse e dinte sa e lehtë është që mendimet njerëzore të shtrembërohen, madje edhe mendjet e të krishterëve të «korruptohen në ndonjë mënyrë, duke u larguar nga sinqeriteti dhe dëlirësia që i takojnë Krishtit».​—2 Korintasve 11:3.

Kjo gjë u kishte ndodhur një brezi të tërë paraardhësish të Pavlit. Në atë kohë Jehovai u tha: «Mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia.» (Isaia 55:8) Ata ishin bërë «të mençur në sytë e tyre» dhe pasojat qenë shkatërrimtare. (Isaia 5:21, BR) Sigurisht pra që është e arsyeshme të shqyrtojmë se si mund t’i mbajmë të kthjellëta mendimet tona dhe të shmangim një katastrofë të ngjashme.

Kujdes nga mendimet mishore

Disa në Korint ishin ndikuar shumë nga mendimet mishore. (1 Korintasve 3:1-3) Ata u kushtonin më shumë rëndësi filozofive njerëzore, sesa Fjalës së Perëndisë. Pa dyshim, mendimtarët grekë të asaj kohe ishin njerëz shumë inteligjentë. Megjithatë, në sytë e Perëndisë ishin të pamend. Pavli tha: «Sepse është shkruar: ‘Do të bëj që të marrë fund mençuria e të mençurve dhe do ta flak tej zgjuarsinë e intelektualëve.’ Ku është njeriu i mençur? Ku është skribi? Ku është debatuesi i këtij sistemi? A nuk e bëri Perëndia të marrë mençurinë e botës?» (1 Korintasve 1:19, 20) Këta intelektualë udhëhiqeshin nga ‘fryma e botës’, jo nga fryma e Perëndisë. (1 Korintasve 2:12) Filozofitë dhe idetë e tyre nuk ishin në harmoni me mendimet e Jehovait.

Burimi i vërtetë i këtyre mendimeve mishore është Satana Djalli, i cili përdori gjarprin për të joshur Evën. (Zanafilla 3:1-6; 2 Korintasve 11:3) A përbën ai ende një rrezik për ne? Po! Sipas Fjalës së Perëndisë, Satanai «ua ka verbuar mendjen» njerëzve në një masë të tillë, saqë tani po «mashtron gjithë tokën e banuar». (2 Korintasve 4:4; Zbulesa 12:9) Sa e rëndësishme është që të jemi syçelë ndaj intrigave të tij!​—2 Korintasve 2:11.

Hapni sytë prej «dredhisë së njerëzve»

Apostulli Pavël paralajmëroi edhe për ‘dredhinë e njerëzve’. (Efesianëve 4:14) Ai hasi «punëtorë mashtrues», të cilët pretendonin se paraqitnin të vërtetën, por në realitet e shtrembëronin atë. (2 Korintasve 11:12-15) Për t’i arritur pikësynimet e tyre, njerëz të tillë mund të zgjedhin të përdorin vetëm dëshmitë që duan ata, një gjuhë që u drejtohet më shumë ndjenjave, gjysmë të vërteta ngatërruese, aluzione mashtruese e madje edhe gënjeshtra të thëna haptazi.

Propagandistët shpesh përdorin fjalë të tilla si «sekt» për t’i njollosur të tjerët. Në një rekomandim drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u sugjerua që zyrtarët të cilët hetojnë grupet e reja fetare «më mirë të mos e përdorin këtë term». Përse? Mendimi ishte se fjala «kult» ka ngjyrim tepër negativ. Gjithashtu, u tha: «Në mendjen e njerëzve sot, një sekt është jashtëzakonisht i lig ose i rrezikshëm.» Në mënyrë të ngjashme, edhe intelektualët grekë e akuzuan padrejtësisht apostullin Pavël se ishte «llomotar» ose fjalë për fjalë «mbledhës farërash». Kjo nënkuptonte se ai s’ishte gjë tjetër veçse një llomotar i ngeshëm, i cili mblidhte dhe përsëriste vetëm copëza njohurie. Por në të vërtetë Pavli «shpallte lajmin e mirë të Jezuit dhe ringjalljen».​—Veprat 17:18.

A kanë efekt metodat e propagandistëve? Po. Ato kanë qenë një faktor kryesor për ngjalljen e urrejtjeve etnike dhe fetare, duke ua shtrembëruar njerëzve mënyrën si i shohin kombet ose fetë e tjera. Shumë i kanë përdorur këto metoda për të denigruar pakicat që s’kishin popullaritet. Adolf Hitleri i përdori këto metoda në mënyrë të efektshme kur i paraqiti hebrenjtë dhe të tjerët si «të degjeneruar», «të ligj» dhe «një kërcënim» për shtetin. Mos lejoni kurrë që këto lloj dredhish t’ju helmojnë mendimet.​—Veprat 28:19-22.

Mos mashtroni veten

Gjithashtu, është e lehtë që ne të mashtrojmë veten. Në të vërtetë, mund të jetë e vështirë për njerëzit të heqin dorë ose edhe t’i vënë në dyshim disa ide që i vlerësojnë shumë. Përse? Sepse ne në përgjithësi lidhemi emocionalisht pas pikëpamjeve tona. Pastaj mund të mashtrojmë veten duke u justifikuar, pra duke shpikur arsye për të përligjur bindje që në të vërtetë janë të gabuara dhe mashtruese.

Kjo u ndodhi disa të krishterëve në shekullin e parë. Ata e njihnin Fjalën e Perëndisë, por nuk lejuan që ajo t’u udhëhiqte mendimet. Përfunduan «duke gënjyer veten me arsyetime të rreme». (Jakovit 1:22, 26) Një shenjë që tregon se mund të kemi rënë pre ndaj kësaj forme të mashtrimit të vetvetes është nëse shohim që zemërohemi kur na vihen në dyshim bindjet që kemi. Në vend që të zemërohemi, është e mençur të kemi mendje të hapur dhe të dëgjojmë me kujdes se çfarë do të na thonë të tjerët, edhe atëherë kur ndihemi të sigurt se mendimi ynë është i drejtë.​—Fjalët e urta 18:17.

Të gërmojmë për «vetë njohurinë e Perëndisë»

Çfarë mund të bëjmë që të vazhdojmë të mendojmë me kthjelltësi? Kemi shumë ndihmë, por duhet të jemi të gatshëm të punojmë për ta marrë atë. Mbreti i mençur Solomon tha: «Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin [njohurinë, BR] e Perëndisë.» (Fjalët e urta 2:1-5) Po, nëse personalisht bëjmë përpjekje për ta mbushur mendjen dhe zemrën me të vërtetat e Fjalës së Perëndisë, do të fitojmë mençuri të vërtetë, gjykim të thellë dhe aftësi dalluese. Në të vërtetë do të jemi duke gërmuar për gjëra që kanë vlerë shumë më të madhe se argjendi a ndonjë thesar tjetër material.​—Fjalët e urta 3:13-15.

Patjetër që mençuria dhe njohuria janë faktorë thelbësorë për të menduar me kthjelltësi. «Kur dituria [mençuria, BR] të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,​—thotë Fjala e Perëndisë,​—të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë, për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija, nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ.»​—Fjalët e urta 2:10-13.

Është veçanërisht e rëndësishme që në kohë stresi ose rreziku të lejojmë që mendimet e Perëndisë të udhëheqin mendimet tona. Ndjenjat e forta si zemërimi ose frika mund të na e bëjnë të vështirë të mendojmë me kthjelltësi. «Shtypja e bën të pamend njeriun e urtë»,​—thotë Solomoni. (Predikuesi 7:7) Madje ka mundësi edhe që ‘të pezmatohemi kundër Zotit’. (Fjalët e urta 19:3) Si? Duke ia vënë fajin Perëndisë për problemet tona dhe duke i përdorur këto probleme si justifikim për të bërë gjëra që nuk janë në harmoni me ligjet dhe parimet e tij. Në vend që të mendojmë se gjithnjë e dimë ç’është më e mira, le të dëgjojmë me përulësi këshilluesit e mençur që përpiqen të na ndihmojnë duke përdorur Shkrimet. E nëse është e nevojshme, le të jemi të përgatitur të heqim dorë edhe nga pikëpamje që i kemi pasur shumë për zemër, kur bëhet e dukshme se janë të gabuara.​—Fjalët e urta 1:1-5; 15:22.

‘Të vazhdojmë t’i kërkojmë Perëndisë’

Jetojmë në kohë pështjelluese dhe të rrezikshme. Lutjet e rregullta për të pasur drejtim nga Jehovai janë thelbësore nëse duam të ushtrojmë gjykim të shëndoshë dhe të veprojmë me mençuri. «Mos jini në ankth për asgjë,​—shkruan Pavli,​—por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Nëse na mungon mençuria për të zgjidhur probleme ngatërruese ose sprova, duhet ‘të vazhdojmë t’ia kërkojmë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i poshtëruar’.​—Jakovit 1:5-8.

Duke qenë i vetëdijshëm se të bashkëkrishterët duhej të ushtronin mençuri, apostulli Pjetër u përpoq ‘të zgjonte me përkujtesë aftësitë e tyre për të menduar në mënyrë të kthjellët’. Ai donte që ata ‘të kujtonin fjalët e thëna që më përpara nga profetët e shenjtë, si dhe urdhërimin e Zotërisë e të Shpëtimtarit’, Jezu Krishtit. (2 Pjetrit 3:1, 2) Nëse veprojmë kështu dhe i mbajmë mendimet tona në përputhje me Fjalën e Jehovait, do të mendojmë me kthjelltësi dhe do të veprojmë me mençuri.

[Figurat në faqen 21]

Të krishterët e hershëm lanë që mendimet e tyre të modeloheshin nga mençuria hyjnore, jo nga arsyetimet filozofike

[Burimet]

Filozofë, nga e majta në të djathtë: Epikuri: Fotografi e bërë me mirësjelljen e Muzeut Britanik; Ciceroni: Riprodhim nga The Lives of the Twelve Caesars; Platoni: Roma, Musei Capitolini

[Figurat në faqen 23]

Lutja dhe studimi i Fjalës së Perëndisë janë thelbësore