Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I lumtur është populli që ka Perëndi Jehovain

I lumtur është populli që ka Perëndi Jehovain

Jetëshkrim

I lumtur është populli që ka Perëndi Jehovain

TREGUAR NGA TOM DIDËRI

Tashmë ishte marrë me qira salla publike. Pritej të vinin rreth 300 veta për asamblenë në qytetin e Porkupin-Pleinsit, në Saskaçevan të Kanadasë. Të mërkurën zuri të binte borë dhe aty nga e premtja pati një stuhi bore që nuk të linte të shihje asgjë. Temperatura ra në -40 gradë Celsius. Ishin njëzet e tetë të pranishëm, përfshirë edhe disa fëmijë. Për mua ishte asambleja e parë si mbikëqyrës qarkor dhe isha një 25-vjeçar në ankth. Para se t’ju tregoj ç’ndodhi në këtë rast, më lini t’ju rrëfej si arrita të kem këtë privilegj të veçantë shërbimi.

JAM i shtati ndër tetë fëmijët, të gjithë djem. Më i madhi ishte Billi, pas tij vinin Metroja, Xhoni, Fredi, Majku dhe Aleksi. Unë linda në vitin 1925. Më i vogli është Uolli. Jetonim pranë qytetit të Jukreinës, në Manitobë. Atje prindërit e mi, Majkëll dhe Ana Didëri, kishin një fermë të vogël. Babi punonte në mirëmbajtjen e hekurudhës. Meqë një kabinë-shtëpi buzë ndonjë hekurudhe të veçuar nuk ishte vendi i përshtatshëm për të rritur një familje të madhe, ne rrinim në fermë. Babi nuk ishte në shtëpi shumicën e kohës, prandaj nënës i binte si detyrë të na rriste. Herë pas here, ajo largohej për një javë ose më shumë që të rrinte me babin, por nuk ikte pa na mësuar të përgatitnim ushqim ose të gatuanim e të bënim punët e shtëpisë. Përveç kësaj, ngaqë ishim anëtarë të Kishës Katolike Greke, stërvitja fillestare nga ana e nënës përfshinte edhe të mësonim përmendësh disa lutje dhe të merrnim pjesë në rite të tjera.

Njihem me të vërtetën biblike

Dëshira ime e zjarrë për të kuptuar Biblën u ndez që në rininë time. Një fqinj, një Dëshmitar i Jehovait, vizitonte vazhdimisht familjen tonë për të na lexuar fragmente nga Bibla. Këto fragmente lidheshin me Mbretërinë e Perëndisë, me Harmagedonin dhe me bekimet e botës së re. Nëna nuk kishte aspak interes për ato që thoshte ai, por mesazhi u pëlqeu Majkut e Aleksit. Në të vërtetë, gjërat që mësuan i shtynë që gjatë Luftës së Dytë Botërore të mos pranonin të kryenin shërbimin ushtarak si kundërshtarë për arsye të ndërgjegjes. Si pasojë, Majku mori një dënim afatshkurtër me burgim, kurse Aleksi u dërgua në një kamp pune në Ontario. Me kalimin e kohës, edhe Fredi me Uollin pranuan të vërtetën. Prapëseprapë, tre vëllezërit e mi më të mëdhenj nuk e pranuan atë. Për shumë vjet edhe nëna iu kundërvu së vërtetës, por më vonë na çuditi të gjithëve kur mori anën e Jehovait. U pagëzua në moshën 83-vjeçare. Ishte 96 vjeçe kur vdiq. Edhe babi kishte një mendim të mirë për të vërtetën para se të vdiste.

Në moshën 17-vjeçare udhëtova drejt Vinipegut për të kërkuar punë dhe për t’u shoqëruar me ata që mund të më ndihmonin të studioja Biblën. Në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait ishin të ndaluar, por mbledhjet mbaheshin rregullisht. Mbledhja e parë që ndoqa u bë në një shtëpi private. Ngaqë isha rritur sipas besimit të katolikëve grekë, m’u duk e çuditshme çka dëgjova në fillim. Gjithsesi, pak nga pak kuptova pse dallimi midis klerit dhe laikëve nuk bazohej në Shkrime. Kuptova edhe përse Perëndia nuk e miratonte klerin kur ky bekonte përpjekjet për luftë. (Isaia 2:4; Mateu 23:8-10; Romakëve 12:17, 18) Të jetoje në Parajsë në tokë dukej një gjë tepër më konkrete dhe shumë më e arsyeshme se të shkoje në një vend tejet të largët në përjetësi.

I bindur që kjo ishte e vërteta, iu kushtova Jehovait dhe u pagëzova në vitin 1942 në Vinipeg. Në vitin 1943 u hoq ndalimi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada dhe vepra e predikimit mori vrull. Gjithashtu, e vërteta biblike po linte mbresa më të thella në zemrën time. Kisha privilegjin të shërbeja si plak në kongregacion, si edhe të merrja pjesë në fushatat për mbledhje publike dhe të predikoja në territor të pacaktuar. Ndoqa kongrese të mëdha në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo ndihmoi pa masë për përparimin tim frymor.

Zgjeroj shërbimin ndaj Jehovait

Në vitin 1950 u regjistrova për të shërbyer si pionier dhe në dhjetor të po atij viti më ftuan të shërbeja si mbikëqyrës qarkor. Pata privilegjin që të stërvitesha në një qark afër Torontos nga Çarli Hepuorthi, një vëlla besnik e me përvojë. Gjithashtu pata kënaqësinë të kaloja javën e fundit të stërvitjes me tim vëlla, Aleksin, që tashmë ishte në veprën qarkore në Vinipeg.

Asamblenë e parë qarkore, siç e përshkrova në hyrje, e kam të skalitur në kujtesë. Me të drejtë isha në ankth se si do të dilte. E pra, mbikëqyrësi krahinor, vëlla Xhek Nejthëni, bënte të mundur që të gjithë të ishim të zënë me punë dhe të gëzuar. Bëmë një përmbledhje të programit të asamblesë me ata pjesëmarrës që ishin të pranishëm. Me radhë treguam përvoja, bëmë prezantime për shërbimin nga shtëpia në shtëpi, treguam si të bënim rivizita dhe demonstruam si të drejtonim studime biblike. Kënduam këngë Mbretërie. Kishte ushqim me bollëk. Kishim kafe dhe pasta thuajse çdo dy orë. Disa fjetën në stola dhe në platformë, kurse të tjerë fjetën në dysheme. Të dielën stuhia u qetësua pak, kështu që kishim 96 të pranishëm për fjalimin publik. Kjo përvojë më mësoi të përballoj rrethanat e vështira.

Caktimi tjetër në veprën qarkore më çoi në provincën e Albertës Veriore, në Kolumbinë Britanike dhe në territorin e Jukonit, vendi i diellit të mesnatës. Të udhëtoje nëpër Rrugën Kryesore të Alaskës, që ishte gropa-gropa, nga Doson-Kriku i Kolumbisë Britanike drejt Uajt-Horsit të Jukonit (1.477 kilometra largësi) dhe të dëshmoje gjatë rrugës kërkonte qëndrueshmëri e kujdes. Orteqet e borës, shpatet e rrëshqitshme të maleve dhe pamja e mjegullt që krijohej nga bora që e lëvizte era, sillnin mjaft vështirësi.

U mahnita kur pashë si depërtoi e vërteta në Veriun e Largët. Në një rast, unë dhe Uollter Ljukoviçi bëmë një vizitë në një barakë të thjeshtë pranë fshatit Louer-Post të Kolumbisë Britanike, përgjatë Rrugës Kryesore të Alaskës, afër kufirit të territorit të Jukonit. E kuptuam që dikush banonte në barakë, sepse mundëm të shquanim një regëtimë drite përmes një dritareje të vogël. Ishte gati ora nëntë e mbrëmjes. Trokitëm në derë. Një zë i fortë burri na ftoi të hynim, ndaj u futëm brenda. Sa u habitëm kur pamë një burrë të moshuar, të shtrirë në shtratin e vet prej marinari, duke lexuar revistën Kulla e Rojës! Dhe kishte një numër më të fundit se ai që po i jepnim ne. Na shpjegoi që i merrte me postë ajrore. Meqë kishim qenë larg kongregacionit për më se tetë ditë, ne ende nuk i kishim marrë revistat e fundit fare. Burri u prezantua si Fred Bergu dhe, ndonëse për shumë vjet kishte qenë i pajtuar në revistat tona, kjo ishte hera e parë që e vizitonin Dëshmitarët e Jehovait. Fredi na mbajti atje atë natë. Patëm mundësi t’i flitnim për shumë të vërteta biblike dhe u morëm vesh me të që ta vizitonin Dëshmitarë të tjerë që kalonin vazhdimisht nga ato anë.

Për ca vjet shërbeva në tri qarqe të vogla. Ato shtriheshin nga qyteti Grand-Preiri i Albertës në lindje, deri në Kodiak të Alaskës në perëndim, një largësi prej më se 3.500 kilometrash.

Isha i kënaqur kur shihja që në vendet e thella, ashtu si kudo tjetër, dashamirësia e pamerituar e Jehovait u jepej të gjithë njerëzve dhe që fryma e Perëndisë u jepte një motiv në zemër dhe në mendje atyre që ishin të prirur siç duhej për jetën e përjetshme. Një njeri i tillë ishte Henri Lepini nga Dauson-Siti i Jukonit, që tani quhet Dauson. Henri jetonte në një zonë të veçuar. Në të vërtetë, për më shumë se 60 vjet ai nuk kishte dalë nga kjo zonë me miniera ari. Gjithsesi, fryma e Jehovait e shtyu këtë burrë 84-vjeçar të udhëtonte më shumë se 1.600 kilometra vetëm vajtje drejt Ankorixhit për një asamble qarkore, ndonëse kurrë nuk kishte ndjekur ndonjë mbledhje në kongregacion. Ai u mallëngjye nga programi dhe u ngazëllua nga shoqëria. Pasi u kthye në Dauson-Siti, mbeti besnik derisa vdiq. Shumë veta që e njihnin Henrin vritnin mendjen se çfarë e nxiti këtë burrë të vjetër të ndërmerrte një udhëtim kaq të gjatë. Kjo kureshtje bëri që shumë të moshuar të tjerë të pranonin të vërtetën. Pra, tërthorazi Henri mundi të jepte një dëshmi të shkëlqyer.

Përjetoj dashamirësinë e pamerituar të Jehovait

Në vitin 1955 u gëzova jashtë mase kur mora një ftesë për të ndjekur klasën e 26-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Kjo stërvitje forcoi besimin tim dhe më ndihmoi të afrohesha më tepër me Jehovain. Pas diplomimit u caktova të vazhdoja në veprën qarkore në Kanada.

Për gati një vit shërbeva në provincën e Ontarios. Pastaj u caktova prapë në Veriun magjepsës. Ende arrij të sjell ndër mend rrugë kryesore piktoreske që ravijëzohen qartë, liqene vezulluese dhe vargmale që lartohen madhërishëm me majat e mbuluara me dëborë. Në verë, luginat dhe lëndinat janë një qilim lulesh të egra shumëngjyrëshe, që të lë gojëhapur. Ajri është i freskët dhe uji i pastër. Arinjtë, ujqërit, drerët brilopatë, kaributë dhe kafshë të tjera të egra vërtiten në vendbanimin e tyre natyror pa i trazuar kurrkush.

Megjithatë Alaska paraqet disa vështirësi. Nuk është vetëm moti i paqëndrueshëm, por edhe largësitë tejet të mëdha. Qarku im shtrihej 3.200 kilometra nga lindja në perëndim. Në atë kohë, nuk kishte ndonjë masë që mbikëqyrësit qarkorë të kishin makinë. Vëllezërit vendës vullnetarisht më çonin me makinë nga njëri kongregacion në tjetrin. Gjithsesi, nganjëherë duhej të bëja autostop për të udhëtuar me shoferë kamioni ose me turistë.

Kështu rastisi një herë përgjatë një pjese të Rrugës Kryesore të Alaskës ndërmjet kryqëzimit në Tok të Alaskës dhe pikës së ashtuquajtur Milje 1202 ose zonës së Skati-Krikut. Zyrat e doganës në këto dy pika ishin afro 160 kilometra larg nga njëra-tjetra. Kalova zyrën e doganave të Shteteve të Bashkuara në Tok dhe udhëtova me makinë për rreth 50 kilometra. Pas kësaj, nuk kaloi asnjë makinë dhe eca gati dhjetë orë e përshkova mbi 40 kilometra. Vetëm më vonë mora vesh se pak kohë pasi kisha kaluar pikën e doganës, i gjithë trafiku ishte ndalur përgjatë kësaj pjese të rrugës nga një ortek bore pak më tutje pikës doganore të kalimit. Aty nga mesnata temperatura ra në rreth -23 gradë Celsius dhe isha ende gati 80 kilometra larg nga streha më e afërt. Kisha tmerrësisht nevojë të gjeja një strehë ku të çlodhesha.

Teksa ecja çalë-çalë, më zunë sytë një makinë të braktisur, të nxjerrë nga rruga, pjesërisht të mbuluar me borë. Mendova se po t’ia dilja të hyja brenda dhe të flija në sedilje, do të mbijetoja gjatë natës së ftohtë. Arrita të pastroja aq borë sa të hapja derën, por e gjeta nga brenda krejt të zhveshur, vetëm me skeletin e metaltë. Shyqyr që, jo shumë larg, poshtë rrugës gjeta një barakë të zbrazët. Pasi u mundova ca për të hyrë brenda dhe për të ndezur zjarrin, munda të pushoja për pak orë. Në mëngjes munda të shkoja me një makinë deri te një strehë tjetër, ku mora edhe ca ushqim që më nevojitej e u kujdesa për gishtat e plagosur.

Jehovai bën të ketë rritje në Veri

Vizita ime e parë në Ferbenks më inkurajoi shumë. Patëm mjaft sukses në shërbim dhe ishin rreth 50 të pranishëm në fjalimin publik atë të diel. U mblodhëm në shtëpinë e vogël misionare ku banonin Vërner dhe Loren Devisi. Njerëzit zgjatnin kokat nga kuzhina, dhoma e gjumit dhe nga korridori për të dëgjuar fjalimin. Nga ky rezultat pozitiv kuptuam se një Sallë Mbretërie do ta bënte të qëndrueshme veprën e predikimit në Ferbenks. Prandaj, me ndihmën e Jehovait, blemë një ndërtesë mjaft të madhe, që kishte qenë një sallë vallëzimi e që mund të lëvizej dhe e çuam në një copë trualli të përshtatshëm. Atje u hap një pus dhe u instaluan banja, si dhe një pajisje për ngrohje. Brenda një viti në Ferbenks kishte një Sallë Mbretërie gati për t’u përdorur. Pasi u shtua edhe një kuzhinë, salla u përdor për një kongres krahinor në vitin 1958, ku kishte 330 të pranishëm.

Në verën e 1960-s, bëra një udhëtim të gjatë me makinë për në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork për të marrë pjesë në një seminar për të gjithë mbikëqyrësit udhëtues të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë. Ndërsa isha atje, vëlla Neithën Nori dhe vëllezër të tjerë përgjegjës më pyetën për mundësinë për të hapur një zyrë dege në Alaskë. Pas pak muajsh u gëzuam kur dëgjuam se në 1 shtator të vitit 1961 Alaska do të kishte një zyrë dege të vetën. Vëlla Endrju K. Vagneri u caktua që të kujdesej për detyrat e degës. Ai dhe e shoqja, Vera, kishin shërbyer 20 vjet në Bruklin dhe kishin përvojë edhe në veprën udhëtuese. Hapja e zyrës së degës në Alaskë ishte një masë që u mirëprit, sepse pakësoi udhëtimet e mbikëqyrësit qarkor. Gjithashtu i krijoi atij mundësinë për t’u përqendruar më tepër te nevojat e veçanta të kongregacioneve dhe të territoreve të veçuara.

Vera e vitit 1962 ishte një kohë e lumtur për Veriun. U kushtua dega e Alaskës dhe pati një kongres krahinor në Juniau të Alaskës. U ndërtuan Salla Mbretërie të reja në Juniau dhe në Uajt-Hors të Jukonit. U formuan edhe disa grupe të reja të veçuara.

Përsëri në Kanada

Për shumë vjet kisha pasur korrespondencë me Margareta Petrasin nga Kanadaja. Reta, siç e kishin thirrur gjithnjë, nisi shërbimin e pionierit në vitin 1947. U diplomua në Galaad në 1955-n dhe po shërbente si pioniere në Kanadanë Lindore. I propozova të martoheshim, dhe ajo pranoi. U martuam në Uajt-Hors në shkurt 1963. Në vjeshtën e po atij viti u caktova në veprën qarkore në Kanadanë Perëndimore dhe patëm kënaqësinë të shërbenim atje për 25 vitet e ardhshme.

Në vitin 1988 për arsye shëndetësore u caktuam në veprën si pionierë specialë në Vinipeg të Manitobës. Kjo përfshinte edhe të kujdesesha për një Sallë Asamblesh për afro pesë vjet. Për aq sa mundemi, ende marrim pjesë në veprën për të bërë dishepuj, që na ngazëllon. Në veprën qarkore, fillonim shumë studime biblike, që t’i drejtonin të tjerët. Tani, me anë të dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, ne fillojmë studime dhe kemi edhe më shumë gëzim teksa shohim përparimin e studentëve deri në kushtim e pagëzim.

Jam i bindur se t’i shërbesh Jehovait është mënyra më e mirë për të jetuar. Është e qëllimshme dhe e kënaqshme dhe e thellon çdo ditë dashurinë tonë për Jehovain. Pikërisht nga kjo vjen lumturia e vërtetë. Çfarëdolloj caktimi teokratik që të kemi ose në çdo vend që të ndodhemi, jemi në një mendje me psalmistin që tha: «I lumtur është populli që ka Perëndi Jehovain.»—Psalmi 144:15, BR.

[Figura në faqet 24, 25]

Në veprën qarkore

[Figura në faqen 25]

Vizitoj Henri Lepingun në Doson-Siti. Unë jam në të majtë

[Figura në faqen 26]

Salla e parë e Mbretërisë në Ankorixh

[Figura në faqen 26]

Reta dhe unë, 1998