Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai, Perëndia i së vërtetës

Jehovai, Perëndia i së vërtetës

Jehovai, Perëndia i së vërtetës

«Ti më ke shpenguar, o Jehova, Perëndi i së vërtetës.»​—PSALMI 31:5, BR.

1. Cilat ishin kushtet në qiell dhe në tokë në kohën kur nuk ekzistonte asnjë lloj pavërtetësie?

ISHTE një kohë kur nuk ekzistonte asnjë lloj pavërtetësie. Në qiejt e padukshëm banonin krijesa frymore të përsosura, të cilat i shërbenin Krijuesit të tyre, ‘Perëndisë të së vërtetës’. (Psalmi 31:5) Nuk kishte as gënjeshtra, as mashtrime. Jehovai u përcillte bijve të tij frymorë gjithçka që ishte e vërtetë. Vepronte kështu sepse i donte dhe ishte shumë i interesuar për mirëqenien e tyre. Gjendja në tokë ishte njësoj. Jehovai krijoi burrin dhe gruan e parë dhe nëpërmjet kanalit të caktuar prej tij ai komunikonte gjithnjë me ta në mënyrë të qartë, të drejtpërdrejtë dhe me vërtetësi. Sa e mrekullueshme që duhet të ketë qenë kjo gjë!

2. Kush nisi të përdorte gënjeshtrën dhe pse?

2 Por, me kalimin e kohës një bir frymor i Perëndisë në mënyrë të paturpshme filloi ta ngrinte veten si një perëndi rival, në kundërshtim me Jehovain. Kjo krijesë frymore, e cila u bë e njohur si Satana Djalli, donte që të tjerët ta adhuronin. Për t’ia arritur qëllimit, ai nisi të përdorte gënjeshtrën si mjet për t’i vënë të tjerët nën kontrollin e tij. Duke vepruar kështu u bë «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës».​—Gjoni 8:44.

3. Si reaguan Adami dhe Eva ndaj gënjeshtrave të Satanait dhe cilat qenë pasojat?

3 Nëpërmjet një gjarpri Satanai i tha gruas së parë, Evës, që nëse do ta shpërfillte urdhrin e Perëndisë dhe do ta hante frytin e ndaluar, ajo nuk do të vdiste. Kjo ishte një gënjeshtër. Më tej ai i tha se po ta hante atë fryt do të bëhej si Perëndia, duke njohur të mirën dhe të keqen. Edhe kjo ishte një gënjeshtër. Ndonëse Eva nuk kishte qenë e gënjyer kurrë më parë, duhet ta ketë kuptuar se ajo që dëgjoi t’i thoshte gjarpri nuk ishte në harmoni me çfarë i kishte thënë Perëndia burrit të saj, Adamit. Prapëseprapë vendosi t’i besonte Satanait, jo Jehovait. Krejtësisht e mashtruar, mori frytin dhe e hëngri. Më vonë edhe Adami e hëngri frytin. (Zanafilla 3:1-6) Ashtu si Eva, edhe Adami nuk kishte dëgjuar kurrë më parë një gënjeshtër, por në këtë rast ai nuk u mashtrua. (1 Timoteut 2:14) Me veprimet e tij tregoi se e hodhi poshtë Bërësin e vet. Pasojat për njerëzimin qenë shkatërrimtare. Për shkak të mosbindjes së Adamit, mëkati dhe vdekja​—bashkë me korruptimin dhe mjerimin e paparë​—u përhapën te të gjithë pasardhësit e tij.​—Romakëve 5:12.

4. (a) Çfarë gënjeshtrash u thanë në Eden? (b) Çfarë duhet të bëjmë për të mos u mashtruar nga Satanai?

4 U përhapën gjithashtu edhe gënjeshtrat. Duhet të kuptojmë se gënjeshtrat e thëna në kopshtin e Edenit ishin sulme kundër faktit që Jehovai është Perëndi i së vërtetës. Satanai pohoi se Perëndia duke i mashtruar po i mbante çiftit të parë njerëzor diçka të mirë. Patjetër që nuk ishte kështu. Adami dhe Eva nuk nxorën dobi nga mosbindja e tyre. Ata vdiqën pikërisht ashtu siç kishte thënë Jehovai. Megjithatë sulmi shpifës i Satanait kundër Jehovait vazhdoi, aq sa shekuj më vonë apostulli Gjon u frymëzua të shkruante se Satanai «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Për të mos u mashtruar nga Satana Djalli duhet të kemi siguri të plotë që Jehovai është Perëndi i së vërtetës dhe të kemi siguri në vërtetësinë e Fjalës së tij. Si mund ta zhvillosh e ta bësh më të fortë besimin te Jehovai dhe ta përgatitësh më mirë veten kundër mashtrimeve dhe gënjeshtrave që përhapen prej Kundërshtarit të tij?

Jehovai e njeh të vërtetën

5, 6. (a) Çfarë njohurie zotëron Jehovai? (b) Si krahasohet njohuria njerëzore me atë të Jehovait?

5 Bibla në mënyrë të vazhdueshme e identifikon Jehovain si ai që «krijoi të gjitha gjërat». (Efesianëve 3:9) Jehovai është ‘Ai që bëri qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat në to’. (Veprat 4:24) Meqë Jehovai është Krijuesi ai e njeh mirë të vërtetën rreth gjithçkaje. Le të marrim një shembull: të mendojmë një njeri që projekton dhe më pas ndërton shtëpinë e vet, duke vënë vetë çdo tra e duke ngulur çdo gozhdë. Ai duhet ta njohë me rrënjë e me degë shtëpinë dhe duhet të dijë rreth saj më shumë se kushdo tjetër. Njerëzit i njohin mirë gjërat që projektojnë dhe bëjnë. Ngjashëm Krijuesi njeh mirë gjithçka që ka krijuar.

6 Profeti Isaia e shprehu bukur madhështinë e njohurisë së Jehovait. Ai tha: «Kush i ka matur ujërat në gropën e dorës? Kush ua ka marrë përmasat qiejve me pëllëmbë? Kush e ka futur në një masë pluhurin e tokës? Kush i ka peshuar malet me kandar, dhe kodrat me peshore? Kush i ka marrë përmasat e frymës së Jehovait dhe kush, si këshilltar i tij, mund ta bëjë të njohë ndonjë gjë? Me kë u këshillua që ai ta bënte të kuptonte? Kush e mëson në shtegun e drejtësisë? Kush i mëson njohurinë ose i bën të ditur udhën e kuptueshmërisë së vërtetë?» (Isaia 40:12-14, BR) Vërtet Jehovai është «Perëndi i njohurisë» dhe është «i përsosur në njohuri». (1 Samuelit 2:3, BR; Jobi 36:4; 37:16, BR) Sa pak që dimë në krahasim me Të! Me gjithë njohurinë mbresëlënëse që ka grumbulluar njerëzimi, kuptueshmëria jonë për krijimin fizik nuk arrin as te «thekët e udhëve [të Perëndisë]». Ajo është si ‘një pëshpëritje’ e krahasuar me ‘një gjëmim të fuqishëm’.​—Jobi 26:14, BR.

7. Për çfarë ishte i vetëdijshëm Davidi në lidhje me njohurinë e Jehovait dhe çfarë duhet të pranojmë?

7 Duke qenë se Jehovai na ka krijuar, kuptohet që ai na njeh mirë. Mbreti David ishte i vetëdijshëm për këtë. Ai shkroi: «Ti më ke hetuar, o Zot [Jehova, BR] dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.» (Psalmi 139:1-4) Sigurisht që Davidi e dinte se njerëzit ushtrojnë vullnet të lirë, pra, që Perëndia na ka dhënë aftësinë për t’iu bindur ose për të mos iu bindur atij. (Ligji i përtërirë 30:19, 20; Jozueu [Josiu] 24:15) Megjithatë Jehovai na njeh shumë më mirë sesa e njohim ne veten. Ai do më të mirën për ne dhe është në gjendje të drejtojë udhët tona. (Jeremia 10:23) Vërtet, nuk ka asnjë mësues, asnjë ekspert, asnjë këshilltar më të pajisur për të na mësuar të vërtetën dhe për të na bërë të mençur e të lumtur.

Jehovai është Perëndi i së vërtetës

8. Si e dimë se Jehovai është Perëndi i së vërtetës?

8 Është një gjë të njohësh të vërtetën, por është krejt tjetër gjë të thuash gjithnjë të vërtetën, të ndjekësh udhën e së vërtetës. Djalli, për shembull, vendosi që të mos ‘qëndronte i vendosur në të vërtetën’. (Gjoni 8:44) Krejt ndryshe nga kjo, Jehovai është «plot . . . të vërtetë». (Dalja [Eksodi] 34:6, BR). Shkrimet vazhdimisht dëshmojnë se Jehovai është Perëndi i së vërtetës. Apostulli Pavël tha se «është e pamundur që Perëndia të gënjejë» dhe se Perëndia «nuk mund të gënjejë». (Hebrenjve 6:18; Titit 1:2) Jehovai është Perëndi i së vërtetës dhe kjo është pjesë e rëndësishme e personalitetit të tij. Mund të mbështetemi te Jehovai dhe të kemi besim tek ai, sepse është Perëndi i së vërtetës; kurrë nuk i mashtron besnikët e tij.

9. Si lidhet emri i Jehovait me të vërtetën?

9 Vetë emri i Jehovait dëshmon se ai është Perëndi i së vërtetës. Emri hyjnor do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Ky emër e identifikon Jehovain si ai që bëhet hap pas hapi Përmbushësi i gjithçkaje që premton. Askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë. Jehovai është Tejet i Larti, prandaj askush nuk mund të pengojë realizimin e qëllimeve të tij. Jehovai jo vetëm që është Perëndi i së vërtetës, por vetëm ai ka fuqinë dhe mençurinë të bëjë që gjithçka thotë të dalë e vërtetë.

10. (a) Në ç’mënyrë Josiu qe dëshmitar i faktit se Jehovai është Perëndi i së vërtetës? (b) Çfarë premtimesh të Jehovait ke parë që të përmbushen?

10 Josiu ishte një prej shumë atyre të cilët qenë dëshmitarë të ngjarjeve të jashtëzakonshme që treguan se Jehovai është Perëndi i së vërtetës. Josiu ishte në Egjipt kur Jehovai solli dhjetë plagët ndaj atij kombi, duke e njoftuar përpara kohe secilën prej tyre. Midis të tjerave, Josiu përjetoi përmbushjen e premtimeve të Jehovait për të çliruar izraelitët nga Egjipti dhe për t’i çuar në Tokën e Premtuar, duke i mundur ushtritë e fuqishme kananite që iu kundërvunë atyre. Nga fundi i jetës së tij, Josiu u tha pleqve të kombit të Izraelit: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk ka mbetur pa plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju ka thënë Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha kanë dalë të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa plotësuar.» (Josiu 23:14, BR) Edhe pse nuk ke qenë dëshmitar i mrekullive të Jehovait ashtu si Josiu, a ke përjetuar në jetën tënde vërtetësinë e premtimeve të Jehovait?

Jehovai bën të njohur të vërtetën

11. Çfarë tregon se Jehovai do që t’ia përcjellë të vërtetën njerëzimit?

11 Përfytyro një prind që ka shumë njohuri, por që flet rrallë me fëmijët. A nuk je mirënjohës që Jehovai nuk është kështu? Me dashuri Jehovai komunikon me njerëzimin dhe e bën bujarisht këtë. Shkrimet e quajnë atë ‘Mësuesi i Madh’. (Isaia 30:20, BR) Me dashamirësi ai u flet madje edhe atyre që nuk priren për ta dëgjuar. Për shembull, Ezekieli u caktua që t’u predikonte atyre që Jehovai e dinte se do të ishin të pandjeshëm ndaj mesazhit. Jehovai tha: «O bir njeriu, nisu, shko në shtëpinë e Izraelit, u trego atyre fjalët e mia.» Pastaj e paralajmëroi: «Shtëpia e Izraelit nuk do të dojë të të dëgjojë, sepse nuk duan të më dëgjojnë mua. Në fakt tërë shtëpia e Izraelit e ka ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe.» Ky qe një caktim i vështirë, por Ezekieli e përmbushi me besnikëri, duke pasqyruar kështu dhembshurinë e Jehovait. Nëse ke një caktim të vështirë predikimi, por mbështetesh te Jehovai, mund të jesh i sigurt se ai do të të forcojë ashtu siç forcoi profetin Ezekiel.​—Ezekieli 3:4, 7-9.

12, 13. Në cilat mënyra ka komunikuar Perëndia me njerëzit?

12 Jehovai dëshiron që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:4) Ai ka folur nëpërmjet profetëve, nëpërmjet engjëjve e madje edhe nëpërmjet Birit të tij të dashur, Jezu Krishtit. (Hebrenjve 1:1, 2; 2:2) Jezui i tha Pilatit: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën. Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.» Pilati kishte një rast të paçmuar për të mësuar të vërtetën rreth masës së Jehovait për shpëtim, nga vetë Biri i Perëndisë. Por Pilati nuk e përkrahte të vërtetën dhe nuk donte të mësonte prej Jezuit. Përkundrazi ai u përgjigj me cinizëm: «Ç’është e vërteta?» (Gjoni 18:37, 38) Sa gjë e trishtueshme për të! Sidoqoftë shumë veta e dëgjuan të vërtetën që shpalli Jezui. Ai u tha dishepujve: «Lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë!»​—Mateu 13:16.

13 Jehovai e ka ruajtur të vërtetën nëpërmjet Biblës dhe e ka vënë atë në dispozicion të njerëzve kudo që të ndodhen. Bibla i zbulon gjërat ashtu siç janë në të vërtetë. Ajo përshkruan cilësitë, qëllimet dhe urdhërimet e Jehovait, si edhe gjendjen e vërtetë të njerëzimit. Jezui i tha në lutje Jehovait: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Për këtë arsye Bibla është një libër i pashoq. Vetëm ajo u shkrua nën frymëzimin e Perëndisë, i cili i di të gjitha gjërat. (2 Timoteut 3:16) Ajo është një dhuratë e çmuar për njerëzimin, diçka e cila është një thesar për shërbëtorët e Perëndisë. Jemi të mençur po ta lexojmë atë çdo ditë.

Të mbahemi fort pas së vërtetës

14. Cilat janë disa gjëra që Jehovai thotë se do t’i bëjë dhe pse duhet t’i besojmë atij?

14 Duhet ta marrim seriozisht atë që na thotë Jehovai në Fjalën e tij. Ai është pikërisht siç thotë dhe do të bëjë pikërisht atë që thotë. Kemi çdo arsye për t’i besuar Perëndisë. Mund të besojmë kur Jehovai thotë se do të sjellë «hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu». (2 Selanikasve 1:8) Gjithashtu mund t’i besojmë Jehovait kur thotë se ai do ata që ndjekin drejtësinë, kur thotë se do t’u japë jetë të përhershme atyre që ushtrojnë besim dhe kur thotë se do të zhdukë dhembjen, klithmën e madje vdekjen. Jehovai theksoi se ky premtim i fundit është i sigurt kur i dha këtë urdhër apostullit Gjon: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.»​—Zbulesa 21:4, 5; Fjalët e urta [Proverbat] 15:9; Gjoni 3:36.

15. Cilat janë disa gënjeshtra që përhap Satanai?

15 Satanai është krejt i kundërt me Jehovain. Në vend që t’u japë kuptueshmëri frymore njerëzve, ai i mashtron ata. Për të arritur qëllimin e tij që të largojë njerëzit nga adhurimi i pastër, Satanai përhap shumë gënjeshtra. Për shembull, Satanai do që të besojmë se Perëndia është indiferent dhe i pandjeshëm ndaj vuajtjeve që ekzistojnë në tokë. Por Bibla tregon se Jehovai interesohet shumë për krijesat e tij dhe nuk pajtohet me të keqen dhe vuajtjet. (Veprat 17:24-30) Po ashtu Satanai do që njerëzit të besojnë se synimet frymore janë një humbje kohe. Në të kundërt Shkrimet na sigurojnë se «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij». Për më tepër, ato pohojnë qartë se Ai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm».​—Hebrenjve 6:10; 11:6.

16. Pse të krishterët duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të mbahen fort pas së vërtetës?

16 Apostulli Pavël thotë për Satanain: «Perëndia i këtij sistemi ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve, me qëllim që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë.» (2 Korintasve 4:4) Ashtu si Eva, disa janë krejtësisht të mashtruar nga Satana Djalli. Të tjerë ndjekin udhën e Adamit, i cili nuk u mashtrua, por me dashje zgjodhi shtegun e mosbindjes. (Judës 5, 11) Prandaj është thelbësore që të krishterët të qëndrojnë vigjilentë dhe të mbahen fort pas të vërtetës.

Jehovai kërkon ‘besim pa hipokrizi’

17. Çfarë duhet të bëjmë për të pasur favorin e Jehovait?

17 Duke qenë se në çdo gjë Jehovai është Perëndi i së vërtetës, ai pret që edhe ata që e adhurojnë të ndjekin udhën e së vërtetës. Psalmisti shkroi: «O Jehova, kush do të jetë mysafir në tendën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë? Ai që ecën pa të metë, që praktikon drejtësinë dhe që thotë të vërtetën në zemrën e tij.» (Psalmi 15:1, 2, BR) Judenjve që këndonin këto fjalë, përmendja e malit të shenjtë të Jehovait padyshim u sillte në mendje malin Sion, ku mbreti David solli arkën e besëlidhjes në tendën që kishte ngritur atje. (2 Samuelit 6:12, 17) Mali dhe tenda sillnin ndër mend vendin ku në mënyrë simbolike banonte Jehovai. Aty njerëzit mund t’i afroheshin Perëndisë për t’iu lutur për favorin e tij.

18. (a) Çfarë kërkon miqësia me Perëndinë? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

18 Kushdo që do miqësinë me Jehovain duhet të thotë të vërtetën «në zemrën e tij» dhe jo vetëm sa ta shprehë atë me fjalë. Miqtë e vërtetë të Perëndisë duhet të jenë të çiltër në zemër dhe duhet të japin dëshmi të një «besimi pa hipokrizi», sepse veprat e së vërtetës vijnë nga zemra. (1 Timoteut 1:5; Mateu 12:34, 35) Një mik i Perëndisë nuk është dredharak ose mashtrues, sepse «Zoti urren njerëzit . . . mashtrues». (Psalmi 5:6) Dëshmitarët e Jehovait në mbarë tokën përpiqen fort që të ndjekin udhën e së vërtetës duke imituar kështu Perëndinë e tyre. Artikulli vijues do të trajtojë këtë temë.

Si do të përgjigjeshe?

• Pse Jehovai e njeh mirë të vërtetën rreth gjithçkaje?

• Çfarë tregon se Jehovai është Perëndi i së vërtetës?

• Si e ka bërë të njohur Jehovai të vërtetën?

• Çfarë kërkohet nga ne për sa i përket së vërtetës?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Perëndia i së vërtetës njeh mirë gjithçka që ka krijuar

[Figurat në faqet 12, 13]

Premtimet e Jehovait do të dalin të vërteta