Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Jehovai e lejoi poligaminë mes shërbëtorëve të tij të lashtë, izraelitëve, kurse tani nuk e lejon. A është e ndryshueshme norma e tij?

Jehovai nuk e ka ndryshuar pikëpamjen ndaj poligamisë. (Psalmi 19:7; Malakia 3:6) Ajo nuk bënte pjesë që në fillim në qëllimin e tij për njerëzimin dhe nuk bën pjesë as tani. Kur e krijoi Evën si grua për Adamin, Jehovai shpalli se norma hyjnore ishte një grua për një burrë. «Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm.»​—Zanafilla 2:24.

Kur Jezu Krishti ishte në tokë, ai e përsëriti këtë normë për t’iu përgjigjur atyre që e pyetën rreth divorcit dhe rimartesës. Ai tha: «A nuk keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër dhe tha: ‘Për këtë arsye, burri do ta lërë babanë dhe nënën e tij e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një mish i vetëm?’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm.» Jezui shtoi më tej: «Kushdo që divorcon gruan, përveçse mbi bazën e kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mateu 19:4-6, 9) Nga kjo është e qartë se të marrësh më shumë se një grua, përbën po ashtu kurorëshkelje.

Atëherë, pse u lejua poligamia në kohët e lashta? Të mbajmë ndër mend se ky zakon nuk e ka burimin nga Jehovai. Njeriu i parë, i përmendur në Bibël, i cili kishte më shumë se një grua ishte Lameku, një pasardhës i Kainit. (Zanafilla 4:19-24) Kur Jehovai solli Përmbytjen e ditëve të Noes, Noeja dhe tri djemtë e tij kishin secili vetëm nga një grua. Të gjithë ata që kishin më shumë se një grua u shkatërruan gjatë Përmbytjes.

Shekuj më vonë, kur Jehovai zgjodhi izraelitët si popullin e tij, poligamia tashmë ekzistonte mes tyre, ndonëse me sa duket ishte shumë më e zakonshme që burrat të kishin vetëm një grua. Perëndia nuk kërkoi që të ndaheshin familjet në rastet kur burri kishte më shumë se një grua. Përkundrazi Ai vuri rregulla të përpikta për këtë zakon.​—Eksodi [Dalja] 21:10, 11; Ligji i përtërirë 21:15-17.

Tolerimi i poligamisë ishte vetëm i përkohshëm. Në të vërtetë kjo mund të shihet jo vetëm nga ajo që tha Jezui për normën që kishte caktuar në fillim Jehovai për martesën, por edhe nga ajo që shkroi apostulli Pavël nën frymëzimin e frymës së shenjtë të Perëndisë. Pavli tha: «Çdo burrë le të ketë gruan e tij dhe çdo grua të ketë burrin e saj.» (1 Korintasve 7:2) Gjithashtu Pavli u frymëzua të shkruante se çdo burrë i martuar, i emëruar si mbikëqyrës ose si shërbëtor ndihmës në kongregacionin e krishterë, duhet të jetë «burrë i një gruaje të vetme».​—1 Timoteut 3:2, 12; Titit 1:6.

Pra, tolerimi i poligamisë nga ana e Jehovait mori fund me formimin e kongregacionit të krishterë rreth 2.000 vjet më parë. Në atë kohë për martesën u rivendos norma që kishte qenë në fillim të krijimit kur Jehovait krijoi burrin dhe gruan. Kjo normë ishte: një burrë për një grua. Kjo është edhe sot norma mes popullit të Perëndisë anembanë botës.​—Marku 10:11, 12; 1 Korintasve 6:9, 10.