Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kemi takt: Si ta mësojmë këtë art?

Të kemi takt: Si ta mësojmë këtë art?

Të kemi takt: Si ta mësojmë këtë art?

PEGI vuri re se i biri po i fliste ashpër vëllait të tij të vogël. «A mendon se kjo ishte mënyra më e mirë për t’i folur vëllait?​—e pyeti ajo.​—Shih sa i mërzitur është!» Pse e tha këtë? Po përpiqej t’i mësonte të birit artin që të sillej me takt dhe të kishte parasysh ndjenjat e të tjerëve.

Apostulli Pavël e inkurajoi shokun e tij të ri në moshë, Timoteun, që të ishte «zemërbutë [ose të sillej ‘me takt’] me të gjithë». Ndërsa vepronte kështu, Timoteu nuk duhej t’ua lëndonte ndjenjat të tjerëve. (2 Timoteut 2:24) Çfarë është takti? Si të përmirësosh në këtë drejtim? Po ashtu, si mund të ndihmosh të tjerët që ta zhvillojnë këtë art?

Çfarë është takti?

Takti është aftësia për të dalluar se kur një rrethanë është delikate dhe për të bërë ose për të thënë gjënë më dashamirëse ose më të përshtatshme. Një njeri me takt mund t’i kuptojë ndjenjat e të tjerëve dhe mund të dallojë se si ndikojnë tek ata fjalët ose veprimet e tij. Por të veprosh kështu nuk është vetëm një aftësi; kjo gjë përfshin një dëshirë të sinqertë për të mos i lënduar të tjerët.

Në tregimin biblik të shërbëtorit të Elias, Gehazit, gjejmë shembullin e një individi pa takt. Një grua shunamite, së cilës sapo i kishte vdekur i biri në krahët e saj, erdhi të takonte Eliseun për të kërkuar ngushëllim. Kur Gehazi e pyeti nëse çdo gjë shkonte mirë, ajo u përgjigj: «Çdo gjë mirë.» (BR) Por, kur ajo erdhi pranë profetit, «Gehazi u afrua për ta larguar [për ta shtyrë tutje, BR]». Kurse Eliseu tha: «Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar.»​—2 Mbretërve 4:17-20, 25-27.

Si vallë Gehazi veproi në një mënyrë kaq të pamenduar e pa takt? Është e vërtetë se gruaja nuk i shprehu ndjenjat e saj kur e pyeti Gehazi. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk ia shfaqin ndjenjat e tyre kujtdo. Sidoqoftë shqetësimi i saj duhej të kishte qenë i dukshëm në ndonjë mënyrë. Me sa duket Eliseu i vuri re, kurse Gehazi nuk i vuri re ose i shpërfilli ato. Kjo ilustron mirë se cili është shkaku i zakonshëm i sjelljes pa takt. Kur dikush shqetësohet së tepërmi për punën e tij, që e quan shumë të rëndësishme, ndoshta është e lehtë që të mos arrijë t’i vërë re ose të mos interesohet për nevojat e të tjerëve me të cilët ka lidhje pune. Ai është shumë i ngjashëm me një shofer autobusi, i cili ishte kaq i shqetësuar për të arritur në orar, saqë nuk ndaloi të merrte pasagjerët.

Për të mos qenë pa takt si Gehazi, duhet të përpiqemi të jemi dashamirës me njerëzit, sepse ne nuk e dimë si ndihen ata në të vërtetë. Duhet të jemi gjithnjë syçelë ndaj shenjave që zbulojnë ndjenjat e një individi dhe të përgjigjemi me një fjalë ose me një veprim dashamirës. Si t’i përmirësosh aftësitë e tua në këtë drejtim?

Të kuptojmë ndjenjat e të tjerëve

Jezui ishte një person i jashtëzakonshëm për të kuptuar ndjenjat e të tjerëve dhe për të dalluar se si t’i trajtonte ata me sa më shumë dashamirësi. Një herë ai po hante darkë në shtëpinë e Simonit, një fariseu, ndërkohë që iu afrua një grua «që në qytet njihej si mëkatare». Ashtu si në rastin e gruas shunamite, edhe kjo grua nuk tha asnjë fjalë, por veprimet zbuluan shumë gjëra për ndjenjat e saj. Ajo «solli një enë alabastri me vaj të parfumuar, dhe duke zënë vend prapa, te këmbët [e Jezuit], qau dhe nisi t’ia lagte këmbët me lot dhe t’ia fshinte me flokët e kokës së saj. Gjithashtu, ia puthi këmbët me butësi dhe ia leu me vajin e parfumuar». Jezui e kuptoi se çfarë donte të thoshte e gjithë kjo. Ndonëse Simoni nuk tha asgjë, Jezui arriti të kuptonte se ai po thoshte me vete: «Nëse ky njeri do të ishte profet, do ta dinte se kush dhe se ç’lloj gruaje është kjo që po e prek, se është një mëkatare.»​—Luka 7:37-39.

A e përfytyron dot se çfarë dëmi mund të ishte shkaktuar sikur Jezui ta kishte shtyrë tutje gruan ose nëse do t’i kishte thënë Simonit: «O i paditur! A nuk e sheh se ajo është e penduar?» Përkundrazi, Jezui i tregoi me takt Simonit një ilustrim për një njeri që i fali një individi një borxh të madh dhe një tjetri një borxh shumë më të vogël. «Cili prej tyre, pra, do ta dojë atë më shumë?»​—pyeti Jezui. Pra, në vend që të dukej sikur po e dënonte Simonin, Jezui mundi ta lavdëronte atë për përgjigjen e drejtë që dha. Pastaj me dashamirësi e ndihmoi Simonin që të dallonte shenjat e shumta që tregonin ndjenjat e vërteta të gruas dhe shprehjet e saj të pendimit. Jezui iu drejtua gruas dhe me dashamirësi i tregoi se i kuptonte ndjenjat e saj. I tregoi se i ishin falur mëkatet dhe më pas i tha: «Besimi yt të ka shpëtuar; shko në paqe.» Sa shumë duhet ta kenë forcuar këto fjalë me takt vendosmërinë e saj për të bërë gjënë e drejtë! (Luka 7:40-50) Jezui arriti të shfaqte takt, sepse vërente si ndiheshin njerëzit dhe u përgjigjej me dhembshuri.

Ashtu si Jezui e ndihmoi Simonin, edhe ne mund të mësojmë vetë, e pastaj t’i ndihmojmë të tjerët që të kuptojnë gjuhën e heshtur të ndjenjave. Shërbëtorët me përvojë disa herë mund t’ua mësojnë këtë art më të rinjve në shërbimin e krishterë. Kur flasin për lajmin e mirë, pasi bëjnë një vizitë, ata mund të analizojnë shenjat që tregojnë ndjenjat e atyre që takuan. A ishte individi i ndrojtur, skeptik, i mërzitur ose i zënë me punë? Cila do të ishte mënyra më dashamirëse për ta ndihmuar? Edhe pleqtë mund të ndihmojnë vëllezërit dhe motrat që pa takt mund të kenë fyer njëri-tjetrin. Ndihmojeni secilin që të kuptojë ndjenjat e tjetrit. A ndihet individi i fyer, i shpërfillur ose sikur e kanë keqkuptuar? Si mund ta ndihmojë dashamirësia që të ndihet më mirë?

Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët që të kultivojnë dhembshurinë, meqë kjo do t’i nxitë ata të veprojnë me takt. Djali i Pegit, i përmendur në fillim, vuri re se i vëllai ishte i skuqur në fytyrë, kishte varur buzët dhe ishte me sytë e përlotur, dhe ai e kuptoi dhembjen e të vëllait. Ai, ashtu siç shpresonte e ëma, ndjeu keqardhje dhe vendosi të ndryshonte. Që të dy djemtë e Pegit i përdorën mirë këto aftësi që mësuan në fëmijëri dhe vite më pas ishin të frytshëm për të bërë dishepuj, si dhe u bënë barinj në kongregacionin e krishterë.

Trego se e kupton

Takti është sidomos i rëndësishëm kur ke një ankesë ndaj dikujt. Mund ta dëmtosh lehtë dinjitetin e tij. Në fillim është gjithnjë e përshtatshme një lavdërim specifik. Në vend që ta kritikosh, përqendrohu te problemi. Shpjego si ndikojnë te ty veprimet e tij dhe se çfarë do të doje saktësisht që të ndryshonte. Pastaj përgatitu të dëgjosh. Ndoshta e ke keqkuptuar.

Njerëzve u pëlqen të mendojnë se e kupton pikëpamjen e tyre, edhe pse nuk je i një mendjeje me ta. Jezui foli me takt, duke treguar se e kuptonte shqetësimin e Martës. Ai tha: «Marta, Marta, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra.» (Luka 10:41) Po kështu, kur dikush flet për ndonjë problem, në vend që të tregosh një zgjidhje përpara se ta kesh dëgjuar krejt çështjen, një mënyrë për të treguar me takt se e kupton, është që ta përsëritësh problemin ose ankesën me fjalët e tua. Kjo është një mënyrë dashamirëse për të treguar se e kupton atë.

Kupto se çfarë nuk duhet të thuash

Kur mbretëresha Ester donte t’i kërkonte të shoqit që të prishte komplotin e Hamanit për të shkatërruar judenjtë, me takt i rregulloi gjërat në mënyrë që burri i saj të ishte në humor të mirë. Vetëm më pas e hapi këtë argument delikat. Por gjithashtu mund të mësojmë po të vërejmë edhe se çfarë nuk tha ajo. Me takt nuk e përmendi se edhe burri i saj ishte përgjegjës për planin e lig.​—Estera 5:1-8; 7:1, 2; 8:5.

Po kështu, kur viziton burrin jobesimtar të një motre të krishterë, në vend që t’i tregosh menjëherë Biblën, përse të mos fillosh duke e pyetur me takt për gjërat që i interesojnë? Kur një i panjohur vjen në Sallën e Mbretërisë, i veshur me rroba jo të përshtatshme për rastin ose kur dikush kthehet pas një mungese të gjatë, jepi një mirëseardhje të ngrohtë në vend që të bësh komente për veshjen e tij ose për mungesën e tij. Po ashtu, kur vëren se një i sapointeresuar ka një pikëpamje të gabuar, ndoshta do të jetë më mirë të mos e korrigjosh menjëherë. (Gjoni 16:12) Takti përfshin që me dashamirësi të kuptojmë se çfarë të mos themi.

Të folurit që shëron

Të mësosh artin e të folurit me takt do të të ndihmojë të kesh marrëdhënie të mira me të tjerët, edhe kur dikush i ka keqkuptuar motivet e tua dhe është i hidhëruar e i lënduar. Për shembull, kur burrat e Efraimit «tërë zjarr . . . kërkuan sherr» me Gideonin, ai u përgjigj me takt duke shpjeguar qartë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe duke i lavdëruar me çiltërsi ata për atë që kishin bërë. Kjo përgjigje ishte me takt, sepse ai e kuptoi përse ishin të shqetësuar dhe modestia e tij i bëri të ndiheshin më mirë.​—Gjyqtarët 8:1-3, BR; Fjalët e urta 16:24.

Përpiqu gjithnjë të mendosh se si do të ndikojnë te të tjerët fjalët e tua. Po të përpiqesh të shfaqësh takt, kjo do të të ndihmojë që të përjetosh gëzimin e përshkruar te Fjalët e urta 15:23, ku thuhet: «Një njeri ndien gëzim kur mund të japë një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!»

[Figura në faqen 31]

Prindërit mund t’i mësojnë fëmijët që të kenë empati për të tjerët

[Figura në faqen 31]

Shërbëtorët e krishterë me përvojë mund t’i mësojnë më të rinjtë si të kenë takt