Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të varfërit bëhen edhe më të varfër

Të varfërit bëhen edhe më të varfër

Të varfërit bëhen edhe më të varfër

«Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e begatshme dhe e lumtur, nëse pjesa dërrmuese e pjesëtarëve të saj është e varfër dhe e mjerë.»

KËTË pohim e bëri ekonomisti Adam Smith në shekullin e 18-të. Shumë veta janë të bindur se kjo që tha ai është më se e vërtetë sot. Kontrasti midis të pasurve dhe të varfërve është bërë edhe më i dukshëm. Në Filipine një e treta e popullsisë mbahet gjallë me më pak se 1 euro në ditë, shumë e cila shpesh në vendet më të pasura fitohet për disa minuta punë. Në një raport të Kombeve të Bashkuara, Human Development Report 2002, thuhet se «shtresa më e pasur e cila përbën 5% të popullsisë së botës ka një sasi të ardhurash që është 114 herë më e madhe sesa të ardhurat e shtresës më të varfër që përbën 5% të popullsisë».

Ndërkohë që disa njerëz jetojnë në njëfarë rehatie, miliona të tjerë jetojnë si banorë të paligjshëm, duke ngritur baraka ku të munden. Të tjerëve nuk u ecën kaq mirë; ata jetojnë në rrugë, ndoshta duke u shtrirë vetëm mbi një copë kartoni ose plastmase. Shumë prej tyre e nxjerrin bukën e gojës në çfarëdo mënyre që të munden, si: duke rrëmuar nëpër plehra, duke tërhequr zvarrë ngarkesa të rënda ose duke mbledhur me karroca materiale të riciklueshme.

Nuk ka vetëm në kombet në zhvillim pabarazi mes të pasurve e të varfërve, por siç pohon Banka Botërore «zonat me varfëri janë të zakonshme në të gjitha vendet». Që nga Bangladeshi e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se sa të kamur mund të jenë disa, ekzistojnë ata që luftojnë për të ngrënë ose për të pasur një strehë. Gazeta The New York Times citoi një raport të Zyrës Amerikane të Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2001. Raporti tregonte se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës hendeku mes të pasurve dhe të varfërve vazhdon të thellohet. Në të thuhej: «Shtresa më e pasur e popullsisë, një e pesta e saj, vitin e kaluar shtiu në dorë gjysmën e të gjitha të ardhurave të zakonshme të vendit . . . Një e pesta tjetër më e varfër, mori vetëm 3,5 për qind të të ardhurave.» Gjendja është e njëjtë ose më e keqe në shumë vende të tjera. Një raport i Bankës Botërore tregoi se rreth 57 për qind e popullsisë botërore mbahet gjallë me më pak se 2 euro në ditë.

Për ta keqësuar gjendjen, në vitin 2002, miliona njerëz u shqetësuan nga raportet lidhur me disa drejtues firmash që u bënë të pasur në rrethana të dyshimta. Ndonëse haptazi nuk ishte bërë asgjë e paligjshme, shumë veta menduan se këta drejtues firmash, siç u tha në revistën Fortune, «po bëheshin jashtëzakonisht dhe paturpësisht tejet të pasur». Duke marrë parasysh atë që po ndodh në botë, disa çuditen se si mund të fitohen këto shuma të mëdha parash. Në fakt disa individë kanë qindra milionë dollarë, ndërkohë që kaq shumë veta jetojnë në varfëri.

A do të ekzistojë gjithmonë varfëria?

Nuk duam të themi se askush nuk po përpiqet të bëjë diçka për gjendjen e mjerë të të varfërve. Patjetër që qeveritarë me qëllime të mira dhe organizata ndihmash kanë propozuar ndryshime. Megjithatë faktet mbeten shkurajuese. Në raportin Human Development Report 2002, thuhet se «shumë vende janë më të varfra sesa ishin 10, 20 dhe në disa raste 30 vjet më parë», me gjithë përpjekjet fisnike për të bërë përmirësime.

A do të thotë kjo se nuk ka shpresë për të varfërit? Ju ftojmë të lexoni artikullin vijues për të shqyrtuar disa këshilla të mençura e praktike që mund t’ju ndihmojnë që tani, si dhe disa zgjidhje që ndoshta nuk i kishit menduar.