Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë pret Jehovai nga ne?

Çfarë pret Jehovai nga ne?

Çfarë pret Jehovai nga ne?

«Çfarë kërkon në këmbim Jehovai prej teje, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»​—MIKEA 6:8, BR.

1, 2. Pse mund të shkurajohen disa shërbëtorë të Jehovait, por çfarë duhet t’u japë zemër?

VERA është një e krishterë besimplotë rreth 75 vjeçe me probleme shëndetësore. «Nganjëherë,​—thotë ajo,​—shoh nga dritarja vëllezër dhe motra që predikojnë nga shtëpia në shtëpi. Më mbushen sytë me lot, sepse dua të jem atje bashkë me ta, por sëmundja më kufizon në shërbimin që mund t’i bëj Jehovait.»

2 A jeni ndier ndonjëherë kështu? Sigurisht, të gjithë ne që e duam Jehovain dëshirojmë të ecim në emrin e tij dhe të plotësojmë kërkesat e tij. Por, ç’të themi nëse shëndeti po na keqësohet, nëse jemi të moshuar ose nëse kemi përgjegjësi familjare? Mund të shkurajohemi disi, meqë këto rrethana ndoshta na pengojnë e s’bëjmë dot gjithçka që me zemër dëshirojmë të bëjmë në shërbim të Perëndisë. Po qe se jemi në një gjendje të tillë, me siguri do të na japë zemër shqyrtimi i kapitullit të gjashtë e të shtatë të Mikeas 6 dhe 7. Këta kapituj tregojnë se kërkesat e Jehovait janë edhe të arsyeshme, edhe të arritshme.

Si e trajton Perëndia popullin e tij?

3. Si i trajton Jehovai izraelitët rebelë?

3 Së pari, le të shqyrtojmë Mikean 6:3-5 dhe të vërejmë se si e trajton Jehovai popullin e tij. Mos harroni se në kohën e Mikeas izraelitët janë rebelë. Edhe pse janë të tillë, Jehovai me dhembshuri u drejtohet me fjalët: «O populli im.» Ai u bën thirrje: «O populli im, mbaj mend [të lutem, BR].» Në vend që t’i akuzojë me ashpërsi, ai përpiqet t’u prekë zemrën duke i pyetur: «Çfarë të kam bërë?» Madje i nxit ‘të dëshmojnë kundër’ tij.

4. Çfarë ndikimi duhet të ketë te ne shembulli që dha Perëndia duke treguar dhembshuri?

4 Çfarë shembulli që jep Perëndia për të gjithë ne! Me dhembshuri, ai quajti «populli im» edhe popullin rebel të Izraelit e të Judës në kohën e Mikeas dhe iu drejtua me fjalën «të lutem». Është e qartë pra, se ne duhet të shfaqim dhembshuri e mirëdashje në marrëdhëniet me ata që janë pjesë e kongregacionit. Vërtet, me disa mund të mos jetë e lehtë të shkojmë mirë ose disa mund të jenë të dobët frymësisht. Gjithsesi, po qe se ata e duan Jehovain, ne duam t’i ndihmojmë dhe t’u tregojmë dhembshuri.

5. Cilën pikë themelore thekson Mikea 6:6, 7?

5 Tani le të kalojmë te Mikea 6:6, 7. Mikea bën një seri pyetjesh: «Me se do të vij përpara Zotit dhe do të përkulem përpara Perëndisë së lartë? Do të vij para tij me olokauste, me viça motakë? Do të pëlqejë Zoti mijëra desh ose mori rrëkesh vaji? Do të jap të parëlindurin tim për shkeljen time, frytin e barkut tim për mëkatin e shpirtit tim?» Jo, nuk është e mundur ta kënaqim Jehovain me «mijëra desh ose mori rrëkesh vaji». Por ka diçka që do ta kënaqë. Çfarë është kjo?

Duhet të tregojmë drejtësi

6. Cilat janë tri kërkesat hyjnore që tregohen te Mikea 6:8?

6 Te Mikea 6:8 mësojmë se çfarë pret Jehovai nga ne. Mikea pyet: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai prej teje, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?» (BR) Këto tri kërkesa përfshijnë ndjenjat, mendimet dhe veprimet tona. Duhet të ndiejmë dëshirën për t’i treguar këto cilësi, të mendojmë se si t’i shfaqim ato dhe të veprojmë për t’i shfaqur. Le t’i shqyrtojmë një nga një këto tri kërkesa.

7, 8. (a) Çfarë do të thotë «të tregosh drejtësi»? (b) Cilat padrejtësi mbizotërojnë në kohën e Mikeas?

7 «Të tregosh drejtësi» do të thotë të bësh atë që është e drejtë. Norma për drejtësinë është mënyra se si i bën Perëndia gjërat. Megjithatë, bashkëkohësit e Mikeas nuk veprojnë me drejtësi, por me padrejtësi. Në cilat mënyra? Le të shohim Mikean 6:10. Në fund të këtij vargu përshkruhen tregtarët që përdorin «efa të mangëta», domethënë një masë peshe tepër të vogël. Mi 6 Vargu 11 shton se ata përdorin «pesha të rreme». E sipas Mi 6 vargut 12, ‘gjuha e tyre është mashtruese’. Pra, masat e peshës të mangëta, peshat e rreme dhe të folurit mashtrues sundojnë në botën tregtare të ditëve të Mikeas.

8 Praktika të padrejta nuk bëhen vetëm në sheshin e pazarit. Ato janë të zakonshme edhe nëpër gjykata. Mikea 7:3 tregon që ‘princi pretendon dhe gjyqtari kërkon shpërblime’. Gjykatësve u jepen ryshfete me qëllim që të dënojnë padrejtësisht njerëzit e pafajshëm. I njëjti varg shton se «i madhi» ose shtetasi me pushtet merr pjesë në krime. Në të vërtetë, Mikea thotë se princi, gjykatësi dhe i madhi i bëjnë «bashkarisht» veprat e tyre të liga.

9. Si ndikohen Juda dhe Izraeli nga padrejtësitë që bëjnë të ligjtë?

9 Padrejtësitë që bëjnë udhëheqësit e ligj ndikojnë në gjithë Judën dhe Izraelin. Mikea 7:5 tregon se mungesa e drejtësisë ka çuar në një mungesë besimi midis shokëve, miqve të besuar e madje edhe bashkëshortëve. Mi 7 Vargu 6 thotë se kjo ka çuar në një gjendje ku të afërmit e ngushtë të një gjaku, si bijtë dhe etërit, bijat dhe nënat, përçmojnë njëri-tjetrin.

10. Si sillen të krishterët, pavarësisht nga padrejtësia që mbizotëron sot?

10 Po sot? A nuk shohim kushte të ngjashme? Ashtu si Mikea, jemi të rrethuar nga mungesa e drejtësisë, nga një atmosferë mosbesimi dhe nga prishja e jetës shoqërore dhe familjare. Por, si shërbëtorë të Perëndisë në mes të kësaj bote të padrejtë, ne nuk lejojmë që fryma e sjelljes së padrejtë të kësaj bote të depërtojë në kongregacionin e krishterë. Në vend të kësaj, përpiqemi me zell të mbështetim parimet e ndershmërisë dhe të besnikërisë, duke i pasqyruar në jetën tonë të përditshme. Po, «sillemi me ndershmëri në çdo gjë». (Hebrenjve 13:18) A nuk jeni të një mendimi se, duke treguar drejtësi, gëzojmë bekime të pasura që vijnë si pasojë e një vëllazërie që shfaq mirëbesim të vërtetë?

Si e dëgjojnë njerëzit «zërin e Jehovait»?

11. Si po përmbushet Mikea 7:12?

11 Mikea profetizon se pavarësisht nga kushtet e padrejta, drejtësia do të arrijë te të gjithë llojet e njerëzve. Profeti parathotë se njerëzit do të mblidhen «nga deti në det dhe nga mali në mal» për t’u bërë adhurues të Jehovait. (Mikea 7:12) Sot, në përmbushjen përfundimtare të kësaj profecie, nga drejtësia e paanshme e Perëndisë po nxjerr dobi të vërtetë jo vetëm një komb i veçantë, por individë nga të gjitha kombet. (Isaia 42:1) Në ç’mënyrë?

12. Si po dëgjohet sot «zëri i Jehovait»?

12 Për të marrë përgjigjen, le të shqyrtojmë fjalët që ka thënë më parë Mikea. Te Mikea 6:9 thuhet: «Zëri i Jehovait i thërret qytetit dhe njerëzit me mençuri praktike do t’i frikësohen emrit tënd.» (BR) Si e dëgjojnë njerëz nga të gjitha kombet ‘zërin e Jehovait’ dhe si lidhet kjo me drejtësinë që duhet të tregojmë? Sigurisht, njerëzit sot nuk e dëgjojnë në mënyrë të mirëfilltë zërin e Perëndisë. Megjithatë, nëpërmjet veprës sonë mbarëbotërore të predikimit, zërin e Jehovait po e dëgjojnë individë të të gjitha racave dhe shtresave të shoqërisë. Si pasojë, ata që dëgjojnë ‘i frikësohen emrit të Perëndisë’, pra zhvillojnë respekt të thellë për të. Patjetër që duke shërbyer si lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë, po veprojmë në një mënyrë të drejtë e të dashur. ‘Tregojmë drejtësi’ duke ia bërë të njohur emrin e Perëndisë çdo njeriu me paanshmëri.

Duhet ta duam mirëdashjen

13. Cili është dallimi ndërmjet dashamirësisë dhe dashurisë?

13 Tani le të shqyrtojmë kërkesën e dytë të përmendur te Mikea 6:8. Jehovai pret nga ne që ‘të duam mirëdashjen’. Fjala hebraike e përkthyer ‘mirëdashje’ përkthehet edhe «dashamirësi» ose «dashuri besnike». Dashamirësia është interesim aktiv për të tjerët, kujdes i dhembshur për ta. Dashamirësia ndryshon nga cilësia e dashurisë. Në ç’mënyrë? Dashuria është një term më i përgjithshëm, ajo mund të tregohet edhe për gjëra e për koncepte. Për shembull Shkrimet flasin për ata që ‘duan verën dhe vajin’, si dhe për ata që ‘duan diturinë’. (Fjalët e urta [Proverbat] 21:17; 29:3) Kurse dashamirësia gjithmonë ka të bëjë me njerëzit, e në veçanti me ata që i shërbejnë Perëndisë. Kështu, Mikea 7:20, BR, flet për ‘dashamirësinë që iu dha Abrahamit’, një njeriu që i shërbeu Perëndisë Jehova.

14, 15. Si tregohet dashamirësia dhe cila dëshmi e saj përmendet në këta paragrafë?

14 Sipas Mikeas 7:18, BR, profeti thotë se Perëndisë ‘i pëlqen dashamirësia’. Te Mikea 6:8 na thuhet që jo vetëm të tregojmë dashamirësi, por edhe ta duam këtë cilësi. Çfarë mësojmë nga këto shkrime? Dashamirësinë e shfaqim me dëshirë dhe bujarisht, sepse duam ta shfaqim. Ashtu si Jehovai, ne gjejmë kënaqësi ose na pëlqen kur u shfaqim dashamirësi atyre që janë në nevojë.

15 Sot, kjo dashamirësi është shenjë dalluese e popullit të Perëndisë. Le të shqyrtojmë vetëm një shembull. Në qershor të vitit 2001 një stuhi tropikale shkaktoi përmbytje të mëdha në Teksas, SHBA, duke dëmtuar mijëra shtëpi, përfshirë këtu edhe qindra shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Për të ndihmuar vëllezërit e krishterë në nevojë, rreth 10.000 Dëshmitarë me gatishmëri dhe me bujari ofruan kohën dhe energjitë e tyre. Për më shumë se gjysmë viti, vullnetarët punuan pa u lodhur duke përdorur ditët, netët dhe fundjavët për të rindërtuar 8 Salla Mbretërie dhe më shumë se 700 shtëpi të vëllezërve të tyre të krishterë. Ata që nuk mund të bënin një punë të tillë dhuruan ushqime, pajisje dhe para. Përse gjithë këta mijëra Dëshmitarë u erdhën në ndihmë vëllezërve të tyre? Sepse ‘e duan mirëdashjen’. Sa na e ngroh zemrën dijenia se vepra të tilla të dashamirësisë bëhen nga vëllezërit tanë në mbarë botën! Po, përmbushja e kërkesës për të ‘dashur mirëdashjen’ nuk është një barrë, por gëzim.

Të jemi modestë në ecjen me Perëndinë

16. Cili ilustrim ndihmon për të theksuar nevojën që të jemi modestë në ecjen me Perëndinë?

16 Kërkesa e tretë që gjendet te Mikea 6:8, BR, është «të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd». Kjo do të thotë të pranojmë kufizimet tona dhe të varemi nga Perëndia. Ta ilustrojmë: përfytyroni për një çast një vajzë të vogël që shtrëngon fort dorën e të atit ndërsa ecin përmes një stuhie. Vajza e di mirë se s’ka shumë fuqi vetë, por ama ka besim te babai. Edhe ne duhet t’i dimë kufizimet tona dhe të kemi besim tek Ati ynë qiellor. Si mund ta ruajmë këtë besim? Pikësëpari, duke mbajtur parasysh përse është e mençur të qëndrojmë afër Perëndisë. Mikea na kujton tri arsye: Jehovai është Çliruesi, Udhëheqësi dhe Mbrojtësi ynë.

17. Si e çliroi, e udhëhoqi dhe e mbrojti Jehovai popullin e tij në kohët e lashta?

17 Sipas Mikeas 6:4, 5, Perëndia thotë: «Unë të nxora nga vendi i Egjiptit.» Po, Jehovai ishte Çliruesi i Izraelit. Më tej Jehovai thotë: «Kam dërguar para teje Moisiun, Aaronin dhe Miriamin.» Moisiu dhe Aaroni u përdorën për të udhëhequr kombin dhe Miriami udhëhoqi gratë e Izraelit në një vallëzim fitoreje. (Dalja 7:1, 2; 15:1, 19-21; Ligji i përtërirë 34:10) Jehovai siguroi udhëheqje me anë të shërbëtorëve të tij. Në Mi 6 vargun 5 Jehovai i kujton kombit të Izraelit se ai e mbrojti kundër Balakut e Balaamit, dhe se u siguroi mbrojtje izraelitëve gjatë fazës së fundit të udhëtimit të tyre nga Shitimi që është në Moab deri në Gilgal në Tokën e Premtuar.

18. Si vepron Perëndia sot si Çliruesi, Udhëheqësi dhe Mbrojtësi ynë?

18 Ndërsa ecim me Perëndinë ai na çliron nga bota e Satanait, na udhëheq me anë të Fjalës e të organizatës së Tij dhe si grup na mbron kur na sulmojnë kundërshtarët. Prandaj kemi arsye të shumta që të shtrëngojmë fort dorën e Atit tonë qiellor ndërsa ecim me të gjatë fazës së fundit të stuhishme të udhëtimit tonë, për të arritur diçka shumë më të madhe se Toka e Premtuar në lashtësi, domethënë botën e re të drejtë të Perëndisë.

19. Në ç’mënyrë lidhet modestia me kufizimet tona?

19 Të jemi modestë në ecjen me Perëndinë na ndihmon edhe të kemi një pikëpamje realiste për rrethanat tona. Kjo sepse shfaqja e modestisë përfshin të jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi. Mosha e shkuar ose keqësimi i shëndetit mund të vënë disa kufizime ndaj asaj që mund të bëjmë në shërbim të Jehovait. Por, në vend që ta lejojmë këtë të na shkurajojë, është mirë të mbajmë mend se Perëndia i pranon përpjekjet dhe sakrificat tona ‘sipas asaj që kemi dhe jo sipas asaj që nuk kemi’. (2 Korintasve 8:12) Po, Jehovai pret nga ne që t’i shërbejmë me gjithë shpirt, duke bërë atë që na lejojnë rrethanat. (Kolosianëve 3:23) Kur me ngulm e me zell bëjmë gjithçka mundemi në shërbim të tij, Perëndia na bekon vërtet shumë.​—Fjalët e urta 10:22.

Qëndrimi pritës sjell bekime

20. Njohuria për cilën gjë duhet të na ndihmojë të shfaqim një qëndrim pritës si Mikea?

20 Duke provuar bekimet nga Perëndia nxitemi të imitojmë frymën e Mikeas. Ai thotë: «Do të tregoj një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit tim.» (Mikea 7:7, BR) Si lidhen këto fjalë me ecjen tonë me modesti me Perëndinë? Qëndrimi pritës ose durimi na ndihmon që të mos ndihemi të zhgënjyer ngaqë dita e Jehovait nuk ka ardhur ende. (Fjalët e urta 13:12) Sinqerisht, të gjithë ne dëshirojmë shumë që të vijë fundi i kësaj bote të ligë. Megjithatë, çdo javë mijëra veta sa po fillojnë të ecin me Perëndinë. Kjo përbën një arsye për të treguar një qëndrim pritës. Një vëlla që ka qenë Dëshmitar prej shumë kohësh tha lidhur me këtë: «Duke menduar për më shumë se 55 vjet që kam kaluar në veprën e predikimit, jam i bindur se nuk kam humbur asgjë duke pritur Jehovain. Përkundrazi, i kam kursyer vetes shumë dhembje.» A keni pasur një përvojë të ngjashme?

21, 22. Si po përmbushet në ditët tona Mikea 7:14?

21 Patjetër që është në dobinë tonë të ecim me Jehovain. Siç lexojmë te Mikea 7:14, BR, ai e krahason popullin e Perëndisë me dele që banojnë të sigurta me bariun e tyre. Sot, në një përmbushje më të madhe të kësaj profecie, mbetja e Izraelit frymor, si dhe ‘delet e tjera’ gjejnë siguri të vërtetë te Bariu i tyre i besueshëm, Jehovai. Ata banojnë ‘vetëm në pyll, në mes të një pemishteje’, të ndarë frymësisht nga kjo botë gjithnjë e më shumë e trazuar dhe e rrezikshme.​—Gjoni 10:16; Ligji i përtërirë 33:28; Jeremia 49:31; Galatasve 6:16.

22 Populli i Jehovait gëzon begati, siç paratha gjithashtu Mikea 7:14. Duke folur për delet ose popullin e Perëndisë, Mikea thotë: «Le të kullosin në Bashan dhe në Galaad.» Ashtu si delet në Bashan dhe Galaad kullotnin në kullota pjellore dhe kishin begati, edhe populli i Perëndisë sot gëzon begati frymore, një bekim tjetër për ata që ecin me modesti me Perëndinë.​—Numrat 32:1; Ligji i përtërirë 32:14.

23. Çfarë mësimi mund të nxjerrim duke shqyrtuar Mikean 7:18, 19?

23 Te Mikea 7:18, 19, profeti thekson dëshirën e Jehovait për të falur ata që pendohen. Mi 7 Vargu 18 thotë se Jehovai «fal paudhësinë» dhe «kapërcen shkeljen». Sipas Mi 7 vargut 19, ai ‘do të hedhë në fund të detit tërë mëkatet e tyre’. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga kjo? Mund të pyesim veten nëse po e imitojmë Jehovain në këtë drejtim. A i falim gabimet që të tjerët mund të bëjnë ndaj nesh? Kur këta pendohen dhe kërkojnë të bëjnë paqe, patjetër që duam të pasqyrojmë gatishmërinë e Jehovait për të falur plotësisht dhe një herë e mirë.

24. Si keni nxjerrë dobi nga profecia e Mikeas?

24 Si kemi nxjerrë dobi nga ky shqyrtim i profecisë së Mikeas? Na ka kujtuar se Jehovai siguron shpresë të vërtetë për ata që i afrohen atij. (Mikea 2:1-13) Na ka dhënë zemër të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të përkrahur adhurimin e vërtetë, me qëllim që të ecim në emrin e Perëndisë përgjithmonë. (Mikea 4:1-4) Dhe na ka siguruar se cilatdo qofshin rrethanat tona, kemi mundësi t’i plotësojmë kërkesat e Jehovait. Po, profecia e Mikeas na jep vërtet forcë që të ecim në emrin e Jehovait.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë kërkon Jehovai nga ne, sipas Mikeas 6:8?

• Çfarë nevojitet në qoftë se duam të ‘tregojmë drejtësi’?

• Si mund ta tregojmë se ‘e duam mirëdashjen’?

• Çfarë përfshin ‘të jemi modestë në ecjen me Perëndinë’?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 21]

Mikea jetoi në përputhje me kërkesat e Jehovait, pavarësisht nga ligësia që mbizotëronte në kohën e tij. Edhe ju mund ta bëni këtë

[Figura në faqen 23]

Tregoni drejtësi duke u dhënë dëshmi njerëzve të çdo shtrese shoqërore

[Figurat në faqen 23]

Tregoni që e doni mirëdashjen duke u plotësuar nevojat të tjerëve

[Figura në faqen 23]

Bëni gjithçka që keni mundësi, ndërkohë që me modesti pranoni kufizimet tuaja