Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

Në ç’aspekte ishte Rutha një shembull i shkëlqyer?

Ajo ishte një shembull për sa i përket dashurisë për Jehovain, dashurisë besnike ndaj Naomit dhe shfaqjes së cilësive të papërtueshmërisë e të përulësisë. Me arsye të vlefshme, njerëzit e shihnin si ‘një grua të shkëlqyer’. (Rutha 3:11, BR)​—15/4, faqet 23-26.

Si e dimë që Jehovai interesohet për njerëzit e thjeshtë?

Ai u tha izraelitëve, të cilët ishin trajtuar mizorisht në Egjipt, që të mos i keqtrajtonin nevojtarët. (Eksodi 22:21-24) Jezui, i cili imitoi Atin e tij, tregoi interes të sinqertë për njerëzit e thjeshtë dhe zgjodhi si apostuj njerëz që ishin «të pashkolluar e të thjeshtë». (Veprat 4:13; Mateu 9:36) Mund ta imitojmë Perëndinë duke treguar interes për të tjerët, si për shembull për të rinjtë.​—15/4, faqet 28-31.

• Çfarë arsyeje kemi për të besuar se Jehovai e vëren atë që bëjmë?

Tregimet biblike na thonë se Jehovai i vëren gjërat që bëjnë njerëzit. Ai e vuri re flijimin që bëri Abeli, dhe i vëren ‘sakrificat tona të lëvdimit, domethënë, frytin e buzëve’. (Hebrenjve 13:15) Jehovai ishte në dijeni se Enoku përpiqej t’i pëlqente atij duke bërë një jetë të pastër dhe të moralshme. Gjithashtu Perëndia e vuri re se si një vejushë joizraelite nga Zarefati ndau me profetin Elija atë pak ushqim që kishte. Po ashtu Jehovai i vëren veprat tona të besimit.​—1/5, faqet 28-31.

Pse mund të thuhet që pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., judenjtë që bëheshin të krishterë duhej të bënin një kushtim personal ndaj Perëndisë?

Në vitin 1513 p.e.s., izraelitët e lashtë hynë në një marrëdhënie të kushtuar me Jehovain. (Eksodi 19:3-8) Pas kësaj, judenjtë lindnin në një komb të kushtuar nën besëlidhjen e Ligjit. Por Jehovai e shfuqizoi besëlidhjen e Ligjit me anë të vdekjes së Krishtit në vitin 33 të e.s. (Kolosianëve 2:14) Pas kësaj, judenjtë që donin t’i shërbenin në mënyrë të pranueshme Perëndisë duhej të bënin një kushtim ndaj tij dhe të pagëzoheshin në emër të Jezu Krishtit.​—15/5, faqet 30-31.

A ka vend në adhurimin e vërtetë sot djegia e temjanit?

Përdorimi i temjanit ishte pjesë e adhurimit të vërtetë në Izraelin e lashtë. (Eksodi 30:37, 38; Levitiku 16:12, 13) Por besëlidhja e Ligjit, ku përfshihej edhe përdorimi i temjanit, mori fund me vdekjen e Krishtit. Të krishterët mund të vendosin vetë nëse do të përdorin temjan për qëllime jofetare, por ama ai nuk është pjesë e adhurimit të vërtetë sot. Gjithashtu, duhen marrë parasysh edhe ndjenjat e të tjerëve, për të mos i penguar ata.​—1/6, faqet 28-30.

Cili zbulim i ri i kohëve të fundit i ka shtyrë shumë veta ta marrin më seriozisht faktin që Jezui ka jetuar vërtet në tokë?

I është bërë shumë bujë një kutie, një eshtërore, të gjetur në Izrael. Duket se ajo e ka origjinën nga shekulli i parë, dhe mbi të gjendet një mbishkrim: «Jakovi, bir i Jozefit, vëlla i Jezuit.» Disa mendojnë se kjo është «dëshmia më e vjetër arkeologjike jashtë Biblës» që tregon për ekzistencën e Jezuit.​—15/6, faqet 3-4.

Si mësojnë njerëzit që të duan?

Njerëzit fillimisht mësojnë që të duan me anë të shembullit dhe stërvitjes së prindërve të tyre. Kur burri dhe gruaja tregojnë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, fëmijët mund të mësojnë të duan. (Efesianëve 5:28; Titit 2:4) Edhe në qoftë se një njeri nuk vjen nga një familje e dashur, mund të mësojë të dojë duke pranuar udhëheqjen atërore të Jehovait, duke marrë ndihmën e frymës së shenjtë dhe duke nxjerrë dobi nga mbështetja e përzemërt e vëllazërisë së krishterë.​—1/7, faqet 4-7.

Kush ishte Eusebi, dhe çfarë mësimi mund të nxjerrim nga jeta e tij?

Eusebi ishte një historian i hershëm i cili, në vitin 324 të e.s., mbaroi veprën me dhjetë vëllime, të titulluar Historia e kishës së krishterë. Ndonëse besonte se Ati ekzistonte para Birit, në këshillin e Nicesë Eusebi pranoi pikëpamjen e kundërt. Me sa duket ai e shpërfilli kërkesën e Jezuit që ithtarët e Tij ‘të mos ishin pjesë e botës’. (Gjoni 17:16)​—15/7, faqet 29-31.

A e ka ndryshuar Jehovai pikëpamjen e tij për poligaminë?

Jo, Jehovai nuk e ka ndryshuar pikëpamjen e tij për poligaminë. (Malakia 3:6) Rregulli i Perëndisë për burrin e parë ishte që ai ‘të bashkohej me gruan e tij’ dhe të bëhej një mish i vetëm me të. (Zanafilla 2:24) Jezui tha se nëse një njeri divorcohej për ndonjë arsye tjetër përveç kurvërisë, dhe martohej përsëri, bëhej kurorëshkelës. (Mateu 19:4-6, 9) Tolerimi i poligamisë nga ana e Jehovait mori fund me formimin e kongregacionit të krishterë.​—1/8, faqja 28.