Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i çmoni bashkëbesimtarët e moshuar?

A i çmoni bashkëbesimtarët e moshuar?

A i çmoni bashkëbesimtarët e moshuar?

KUR pjesëtarët e popullit të Izraelit të lashtë ishin në një marrëdhënie besëlidhjeje me Perëndinë, ata u urdhëruan: «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun dhe ki frikë nga Perëndia yt.» (Levitiku 19:32) Pra, respekti për të moshuarit ishte një detyrë e shenjtë, e lidhur ngushtë me nënshtrimin ndaj Perëndisë. Ndonëse të krishterët sot nuk janë më nën Ligjin e Moisiut, ky ligj na kujton se Jehovai i sheh shërbëtorët e tij të moshuar si të vlefshëm e të çmuar. (Fjalët e urta 16:31; Hebrenjve 7:18) A e pasqyrojmë këtë pikëpamje të Jehovait? A i çmojmë motrat dhe vëllezërit e krishterë të moshuar?

Ai e çmonte mikun e tij më të moshuar

Një tregim biblik që thekson shfaqjen e respektit ndaj më të moshuarve gjendet në librin e dytë të Mbretërve. Ai përmban një përshkrim se si profeti Elija u pasua nga profeti më i ri, Eliseu. Le të shqyrtojmë se çfarë ndodhi ditën e fundit të Elijas si profet në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit.

Atë ditë, Jehovai e urdhëroi profetin e moshuar që të udhëtonte nga Gilgali në Bethel, nga Betheli në Jeriko dhe nga Jerikoja në lumin Jordan. (2 Mbretërve 2:1, 2, 4, 6) Gjatë atij udhëtimi prej rreth 50 kilometrash Elija iu lut tri herë Eliseut që të mos e ndiqte më. Por ashtu si e reja Ruthë shekuj më parë me vendosmëri nuk kishte pranuar ta linte Naomin, po kështu Eliseu nuk pranoi ta linte profetin më të moshuar. (Rutha 1:16, 17) Eliseu tha tri herë: «Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti vetë rron, unë nuk do të të lë.» (2 Mbretërve 2:2, 4, 6) Në atë kohë Eliseu kishte qenë ndihmës i Elijas për gjashtë vjet. Megjithatë ai dëshironte të shërbente me Elijan sa më shumë të mundej. Në të vërtetë, në tregim thuhet më tej: «Ndërsa ecnin duke folur . . . Elia u ngjit.» (Vargu 11) Elija dhe Eliseu po bisedonin deri në çastin e fundit të shërbimit të Elijas në Izrael. Me sa duket profeti më i ri ishte i etur të merrte sa më shumë udhëzime dhe inkurajim nga profeti më i moshuar e më me përvojë. Është e qartë se ai e çmonte mikun e tij më të moshuar.

‘Si etër dhe nëna’

Nuk është e vështirë të kuptosh përse Eliseu e donte profetin e moshuar si një mik, madje si një atë frymor. (2 Mbretërve 2:12) Pikërisht përpara se të përfundonte caktimi i Elijas në Izrael, ai i tha Eliseut: «Kërko çfarë do që unë të bëj, për ty, para se të më largojnë prej teje.» (Vargu 9) Pra, deri në fund Elija u interesua për mirëqenien frymore të pasuesit të tij dhe për vazhdimin e veprës së Perëndisë.

Sot është inkurajuese të vëmë re nga ana e motrave dhe e vëllezërve të krishterë më të moshuar të njëjtin interesim si të nënave e të etërve ndërsa u mësojnë njohurinë dhe mençurinë e tyre më të rinjve. Për shembull, vullnetarët që shërbejnë prej një kohe të gjatë në zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait ndihmojnë me gatishmëri pjesëtarët e rinj të familjes Bethel, që të fitojnë aftësitë që iu duhen për të kryer shërbimin. Po kështu mbikëqyrësit udhëtues bashkë me gratë e tyre, të cilët kanë vizituar prej shumë vjetësh kongregacionet, u japin nga përvoja e tyre e pasur atyre që po stërviten për të shërbyer si mbikëqyrës udhëtues. Për më tepër, në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës ka vëllezër e motra që i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait prej dhjetëvjeçarësh dhe të cilët u mësojnë me gëzim mençurinë praktike dhe përvojën e tyre pjesëtarëve më të rinj të kongregacionit.​—Fjalët e urta 2:7; Filipianëve 3:17; Titit 2:3-5.

Interesimi i përzemërt që tregojnë këta të krishterë të dashur më të moshuar bën që të jetë vërtet një kënaqësi t’u shfaqim respekt atyre. Prandaj duam të imitojmë shembullin e Eliseut për t’i çmuar thellë bashkëbesimtarët e moshuar. Siç na kujton apostulli Pavël, le të vazhdojmë ta trajtojmë «një më të moshuar . . . si një atë» dhe «më të moshuarat si nëna». (1 Timoteut 5:1, 2) Nëse veprojmë kështu, japim një ndihmë të madhe për funksionimin e duhur dhe për përparimin e kongregacionit të krishterë anembanë botës.

[Figura në faqen 30]

Eliseu dëshironte të shërbente me Elijan për një kohë sa më të gjatë

[Figurat në faqen 31]

Më të rinjtë nxjerrin shumë dobi nga të krishterët e moshuar