Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka vetëm një ‘besim të vërtetë’?

A ka vetëm një ‘besim të vërtetë’?

A ka vetëm një ‘besim të vërtetë’?

«ASHTU si ka vetëm një Krisht, po ashtu ka një trup të vetëm të Krishtit, një nuse të vetme të Krishtit: ‘një kishë të vetme katolike dhe apostolike’.»​—Dominus Iesus.

Kështu e shpalli kardinali katolik Jozef Ratsinger mësimin e kishës së tij, sipas së cilës është e mundur të ketë vetëm një kishë të vërtetë. Kjo kishë, tha ai, është «Kisha e vetme e Krishtit, kisha katolike».

«Nuk janë kisha në kuptimin e ngushtë të fjalës»

Ndonëse papa Gjon Pali II këmbënguli se dokumenti Dominus Iesus nuk përmbante «aspak arrogancë ose mungesë respekti për fetë e tjera», udhëheqësit e kishave protestante reaguan negativisht ndaj këtij dokumenti. Për shembull, në asamblenë e përgjithshme presbiteriane në Belfast të Irlandës së Veriut, në qershor 2001, një klerik tha se dokumenti ishte vepër e «një fraksioni të fuqishëm brenda kishës katolike, . . . i trembur jashtë mase nga fryma toleruese që u shfaq në Këshillin e Dytë të Vatikanit».

Robin Imsi, kryepeshkopi i kishës së Irlandës, tha se do të mbetej «jashtëzakonisht i zhgënjyer», nëse dokumenti do të ishte «një rikthim në frymën që ekzistonte para Këshillit të Dytë të Vatikanit». Në komentin që bëri për deklaratën e Vatikanit se kishat që nuk i pranojnë disa doktrina katolike «nuk janë kisha në kuptimin e ngushtë të fjalës», Imsi tha: «Për mua kjo deklaratë është fyese.»

Cili ishte shkaku që doli dokumenti Dominus Iesus? Duket se Kuria Katolike u shqetësua nga ai që është quajtur relativizëm fetar. Sipas gazetës The Irish Times, «shfaqja e teologjisë pluraliste, e cila në thelb thotë se çdo fe është e mirë, . . . e shqetësoi gjithnjë e më shumë kardinalin Ratsinger». Duket se kjo pikëpamje nxiti komentet e tij që ka vetëm një kishë të vërtetë.

A ka rëndësi se në cilën kishë bëni pjesë?

Sigurisht, që për disa njerëz ‘relativizmi fetar’ ose ‘teologjia pluraliste’ është shumë më e arsyeshme dhe më tërheqëse se mendimi që është e mundur të ketë vetëm një kishë të vërtetë. Për ta, feja duhet të jetë krejtësisht një zgjedhje personale. ‘Në fund të fundit,​—thonë ata,​—në të vërtetë nuk ka rëndësi se në cilën kishë bën pjesë.’

Kjo pikëpamje mund të duket më toleruese, edhe pse një pasojë e saj ka qenë copëzimi i fesë në mijëra organizata të ndryshme fetare. ‘Një shumëllojshmëri e tillë fetare,​—thonë shumë veta,​—nuk është veçse shprehje e shëndoshë e lirisë së individit.’ Megjithatë, sipas shkrimtarit Stiv Brus, «një tolerim i tillë fetar» në të vërtetë nuk është veçse «indiferentizëm fetar».​—A House Divided: Protestantism, Schism, and Secularization.

Atëherë, cila është pikëpamja e drejtë? A ka vetëm një kishë të vërtetë? A është ajo vetëm kisha katolike? A janë kishat e tjera njësoj të pranueshme nga Perëndia? Meqë këto pyetje kanë të bëjnë me marrëdhënien tonë me Krijuesin, patjetër që është e rëndësishme të dimë se cilat janë pikëpamjet e tij për këtë çështje. Si mund t’i dimë këto pikëpamje? Duke parë në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël. (Veprat 17:11; 2 Timoteut 3:16, 17) Le të shqyrtojmë se çfarë thotë ajo për sa i përket kishës së vetme të vërtetë.

[Burimi i figurës në faqen 2]

KAPAKU: Mark Gibson/Index Stock Photography