Jehovai interesohet gjithmonë për ne
Jetëshkrim
Jehovai interesohet gjithmonë për ne
TREGUAR NGA ENELESI MZANGA
Ishte viti 1972. Dhjetë të rinj, anëtarë të Lidhjes Rinore të Malavisë, hynë në shtëpinë tonë, më mbërthyen dhe më tërhoqën zvarrë për te një arë me kallamsheqeri aty pranë. Atje më rrahën dhe më lanë, pasi kujtuan se kisha vdekur.
Shumë Dëshmitarë të Jehovait në Malavi u sulmuan egërsisht si në këtë rast. Pse u përndoqën? Çfarë i ndihmoi të qëndronin? Më lejoni t’ju tregoj historinë e familjes sime.
LINDA më 31 dhjetor 1921, në një familje fetare. Babai ishte pastor i Kishës Presbiteriane Qendrore të Afrikës. U rrita në Nkoma, një qytet i vogël pranë Lilongvës, kryeqytetit të Malavisë. Kur isha 15 vjeçe, u bëra gruaja e Emas Mzangës.
Një ditë na erdhi për vizitë një miku i babait, edhe ai ishte pastor. Kishte vënë re se pranë shtëpisë sonë banonin Dëshmitarët e Jehovait dhe na paralajmëroi që të mos përziheshim me ta. Na tha se Dëshmitarët ishin të demonizuar dhe se po të mos ishim të kujdesshëm, edhe ne mund të bëheshim të demonizuar. Ky paralajmërim na alarmoi kaq shumë, saqë u transferuam në një fshat tjetër, ku Emasi gjeti punë si shitës. Por shpejt zbuluam se edhe shtëpia jonë e re qëlloi që ndodhej pranë Dëshmitarëve të Jehovait.
Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dashuria e thellë e Emasit për Biblën e nxiti të fliste me një Dëshmitar. Pasi mori përgjigje bindëse për pyetjet e tij të shumta, Emasi pranoi ftesën që i bëri Dëshmitari për të studiuar Biblën me të. Në fillim studimi biblik u bë te dyqani ku
punonte Emasi, por më vonë studimi javor u mbajt në shtëpinë tonë. Çdo herë që vinin Dëshmitarët e Jehovait unë ikja nga shtëpia, sepse i kisha frikë. Por Emasi vazhdoi të studionte Biblën. Ai u pagëzua në prill të vitit 1951, pothuajse gjashtë muaj pasi nisi studimin. Sidoqoftë nuk më tha gjë për këtë, ngaqë kishte frikë se ky lajm do t’i jepte fund martesës sonë.Javë të vështira
Por një ditë shoqja ime, Elena Kadzalero, më tha se im shoq ishte pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait. Isha e tërbuar! Që nga ajo ditë fillova të mos i flisja më ose të mos i përgatitja për të ngrënë. Gjithashtu nuk shkoja të merrja ujë e t’ia ngrohja që të bënte banjë. Në të vërtetë, sipas zakoneve tona, kjo gjë shihej si detyrë e gruas.
Pasi e duroi këtë gjendje për tri javë, Emasi me dashamirësi më kërkoi që të ulesha me të, e pastaj më tha përse vendosi të bëhej Dëshmitar. Lexoi dhe shpjegoi disa shkrime si 1 Korintasve 9:16. U preka shumë dhe mendova se edhe unë duhej të merrja pjesë në predikimin e lajmit të mirë. Kështu vendosa të filloja një studim të Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Po atë mbrëmje, për kënaqësinë e madhe të burrit tim të dashur, përgatita një vakt të shkëlqyer për të.
U flas për të vërtetën familjes dhe miqve
Kur prindërit tanë dëgjuan se po shoqëroheshim me Dëshmitarët e Jehovait, na kundërshtuan ashpër. Njerëzit e familjes sime na shkruan një letër ku na thoshin që të mos u shkonim më t’i vizitonim. Reagimi i tyre na trishtoi, por patëm besim te premtimi i Jezuit se do të kishim shumë vëllezër, motra baballarë e nëna frymore.—Mateu 19:29.
Bëra përparim të shpejtë në studimin biblik dhe u pagëzova në gusht 1951, pikërisht tre muaj e gjysmë pas tim shoqi. U nxita të flisja për të vërtetën me shoqen time, Elenën. Lumturisht ajo pranoi një studim biblik me mua. Në maj të vitit 1952 Elena u pagëzua dhe u bë motra ime frymore. Kjo gjë e bëri më të fortë miqësinë tonë. Sot jemi ende mike të ngushta.
Në vitin 1954, Emasi u caktua të vizitonte kongregacionet si mbikëqyrës qarkor. Në atë kohë tashmë kishim gjashtë fëmijë. Atëherë një mbikëqyrës qarkor që kishte familje kalonte një javë duke vizituar një kongregacion dhe javën tjetër qëndronte në shtëpi me gruan e fëmijët. Por kur Emasi udhëtonte, gjithmonë sigurohej që të drejtoja studimin biblik familjar. Përpiqeshim ta bënim të këndshëm studimin me fëmijët. Gjithashtu u flitnim me bindje e nga zemra për dashurinë tonë për Jehovain dhe për të vërtetën e Fjalës së tij. Veç kësaj merrnim pjesë si familje në veprën e predikimit. Ky program stërvitjeje frymore ua forcoi besimin fëmijëve tanë dhe i përgatiti për përndjekjen që do të përballonim.
Fillon përndjekja fetare
Në vitin 1964 Malavia u bë një komb i pavarur. Kur disa zyrtarë të partisë në pushtet morën vesh për qëndrimin tonë asnjanës në politikë, u përpoqën të na detyronin të blinim teserat e partisë. * Meqë Emasi dhe unë nuk pranuam, anëtarët e Lidhjes Rinore na shkatërruan arën me misër, rezervën kryesore të ushqimit për vitin e ardhshëm. Teksa anëtarët e Lidhjes Rinore pritnin misrin copa-copa, këndonin: «Të gjithëve atyre që nuk pranojnë të blejnë teserën e Kamuzut [të presidentit Banda], termitet do t’ua hanë misrin e gjelbër dhe këta njerëz do të qajnë për të.» Megjithëse e humbëm ushqimin, nuk u dëshpëruam. Ndiem interesimin e Jehovait. Me dashuri ai na forcoi.—Filipianëve 4:12, 13.
Një natë vonë, në gusht të vitit 1964, isha vetëm me fëmijët në shtëpi. Ishim në gjumë, por u zgjova nga tingulli i largët i një kënge. Ishin njerëzit e Guleuamkulut, një shoqëri sekrete e frikshme e kërcimtarëve fisnorë që sulmojnë njerëzit dhe hiqen sikur janë frymërat e paraardhësve të vdekur. Lidhja Rinore kishte dërguar njerëzit e Guleuamkulut që të na sulmonin. Menjëherë zgjova fëmijët dhe përpara se sulmuesit të arrinin në shtëpinë tonë, ikëm nëpër kaçubat.
Nga vendi ku ishim fshehur pamë një dritë të fortë. Njerëzit e Guleuamkulut i kishin vënë zjarrin shtëpisë sonë me çati prej bari të thatë. Ajo u dogj krejt, bashkë me të gjitha gjërat tona. Ndërsa sulmuesit po iknin nga gërmadhat e shtëpisë sonë që po digjeshin, i dëgjuam të thoshin: «Bëmë goxha zjarr që të ngrohet ai Dëshmitari!» Sa mirënjohës i ishim Jehovait që shpëtuam! Vërtet, ata na shkatërruan të gjithë pronën, por nuk na shkatërruan vendosmërinë për të pasur besim te Jehovai, e jo te njerëzit.—Psalmi 118:8.
Morëm vesh se njerëzit e Guleuamkulut kishin bërë të njëjtën gjë të tmerrshme te pesë familje të tjera Dëshmitarësh të Jehovait në zonën tonë. Sa të lumtur dhe mirënjohës ishim kur vëllezërit nga kongregacionet fqinje erdhën për të na shpëtuar nga kjo gjendje! Ata na i rindërtuan shtëpitë dhe na dhanë ushqim për disa javë.
Përndjekja shtohet
Në shtator të vitit 1967 mbarë vendi u përfshi nga një fushatë për të grumbulluar të gjithë Dëshmitarët e Jehovait. Për të na gjetur, të rinj të pamëshirshëm dhe agresivë, anëtarë të Lidhjes Rinore dhe të Pionierëve të Rinj të Malavisë, të armatosur me hanxharë, kërkonin derë më derë Dëshmitarët. Kur i gjenin, u jepnin teserat e partisë që t’i blinin.
Kur erdhën në shtëpinë tonë, pyetën a e kishim teserën e partisë. U thashë: «Jo, nuk e kam blerë. Nuk kam ndërmend ta blej as tani dhe as në të ardhmen.» Atëherë na tërhoqën me forcë mua dhe tim shoq dhe na çuan te rajoni i policisë, pa na dhënë asnjë mundësi për të marrë ndonjë gjë me vete. Kur fëmijët më të vegjël u kthyen nga shkolla, nuk na gjetën dhe u shqetësuan shumë. Lumturisht djali më i madh, Danieli, u kthye në shtëpi pak kohë më vonë dhe mori vesh nga një fqinjë se ç’kishte ndodhur. Menjëherë i mori vëllezërit dhe motrat e shkuan te rajoni i policisë. Erdhën pikërisht në çastin kur policët po na hipnin nëpër kamionë që të na çonin në Lilongvë. Fëmijët erdhën me ne.
Në Lilongvë, në zyrat e policisë u mbajt një gjyq i shtirë. Policët na bënë pyetjen: «A do të vazhdoni të jeni Dëshmitarë të Jehovait?» U përgjigjëm: «Po!», megjithëse kjo përgjigje do të thoshte automatikisht një dënim prej shtatë vjetësh burgim. Për ata që «drejtonin» organizatën, dënimi qe 14 vjet.
Pasi kaluam një natë pa ngrënë e pa pushuar, policia na çoi në burgun e Maulës. Atje qelitë ishin kaq të tejmbushura, saqë nuk mund të gjenim as edhe një vend në dysheme ku të flinim. Si banjë shërbente vetëm një kovë në secilën qeli plot njerëz. Racionet e ushqimit ishin të vogla e të gatuara keq. Pas dy javësh zyrtarët e burgut e kuptuan se ishim njerëz paqësorë dhe na lanë të përdornim oborrin e jashtëm të burgut, ku bëheshin ushtrime. Meqë ishim kaq shumë Dëshmitarë bashkë, çdo ditë kishim mundësi t’i jepnim zemër njëri-tjetrit dhe t’u jepnim dëshmi të shkëlqyer të burgosurve të tjerë. Për habinë tonë, pasi kishim bërë rreth tre muaj dënim në burg, u liruam nga presionet ndërkombëtare ndaj qeverisë së Malavisë.
Policët na nxitën të shkonim në shtëpitë tona, por na thanë edhe që Dëshmitarët e Jehovait ishin të ndaluar në Malavi. Ky ndalim zgjati
nga data 20 tetor 1967 deri më 12 gusht 1993, pothuajse 26 vjet. Ato ishin vite të vështira, por me ndihmën e Jehovait arritëm të qëndronim plotësisht asnjanës.Të ndjekur si kafshë
Në tetor të vitit 1972, një dekret qeveritar solli një valë të re përndjekjeje të dhunshme. Dekreti urdhëronte që t’i përzinin nga puna gjithë Dëshmitarët e Jehovait dhe ata që banonin në fshatra të dëboheshin nga shtëpitë e tyre. Dëshmitarët u ndoqën si kafshë.
Në atë kohë një vëlla i ri i krishterë erdhi në shtëpinë tonë me një mesazh urgjent për Emasin: ‘Lidhja Rinore po komploton të të presë kokën, ta vërë atë mbi një shkop dhe t’ua çojë krerëve vendës.’ Emasi iku me të shpejtë nga shtëpia, por jo pa marrë më parë masa që t’i shkonim pas sa më shpejt. Me nxitim nisa fëmijët. Pastaj, kur sapo po ikja erdhën dhjetë anëtarë të Lidhjes Rinore që kërkonin Emasin. Hynë në shtëpi, por panë se Emasi kishte ikur. Të tërbuar, burrat më tërhoqën zvarrë te një arë me kallamsheqeri aty pranë, ku më goditën me shkelma e më rrahën me kallamsheqeri. Pastaj më lanë aty pasi kujtuan se kisha vdekur. Pasi erdha në vete, u zvarrita për te shtëpia.
Atë natë pasi kishte rënë errësira, Emasi rrezikoi jetën duke u kthyer në shtëpi për të më parë. Kur vuri re se më kishin rrahur keq, Emasi bashkë me një mik të tijin që kishte makinë, më hipën me kujdes në të. Pastaj shkuam te shtëpia e një vëllai në Lilongvë, ku dalëngadalë e mora veten dhe Emasi filloi të bënte plane që të iknim nga vendi.
Refugjatë pa asnjë vend për të shkuar
Vajza jonë, Dinesi, dhe burri i saj kishin një kamion pesëtonësh. Ata punësuan një shofer që dikur bënte pjesë në Pionierët e Rinj të Malavisë, por që i vinte keq për gjendjen tonë. Ai pranoi vullnetarisht të na ndihmonte ne dhe Dëshmitarë të tjerë. Për disa netë shoferi merrte Dëshmitarë nga vendet e fshehura, të caktuara që më parë. Pastaj vishte uniformën e Pionierëve të Rinj të Malavisë dhe kalonte me kamionin e ngarkuar nëpër disa postblloqe të policisë. Ai rrezikoi shumë për të ndihmuar qindra Dëshmitarë që të kalonin kufirin për në Zambie.
Pas pak muajsh, autoritetet e Zambies na kthyen në Malavi, por ne nuk mund të ktheheshim në fshatin tonë. Të gjitha gjërat që kishim lënë atje na i kishin vjedhur. Madje edhe fletët e llamarinës mbi çati i kishin hequr. Meqë nuk kishim asnjë vend të sigurt ku të shkonim, ikëm në Mozambik dhe qëndruam në kampin e refugjatëve në Mlangeni për dy vjet e gjysmë. Por në qershor të vitit 1975 qeveria
e re në Mozambik e mbylli kampin dhe na detyroi të ktheheshim në Malavi, ku gjendja nuk kishte ndryshuar për popullin e Jehovait. Nuk kishim asnjë mundësi tjetër, veçse të iknim për herë të dytë në Zambie. Atje shkuam në kampin e refugjatëve në Çigumukiri.Dy muaj më vonë një karvan me autobusë dhe kamionë ushtarakë parkuan në rrugën kryesore dhe qindra ushtarë nga Zambia të armatosur rëndë hynë në kamp. Na thanë se kishin ndërtuar shtëpi të këndshme për ne dhe që po na ndihmonin për të na çuar atje. E dinim se kjo nuk ishte e vërtetë. Ushtarët filluan t’i shtynin njerëzit nëpër kamionë e autobusë dhe plasi paniku. Ushtarët filluan të qëllonin në ajër me automatikë dhe mijëra vëllezër e motra u shpërndanë të terrorizuar.
Gjatë kësaj rrëmuje Emasi u rrëzua rastësisht dhe e shkelën, por një vëlla e ndihmoi të çohej. Menduam se ky ishte fillimi i shtrëngimit të madh. Të gjithë refugjatët u sulën drejt Malavisë. Kur ishim ende në Zambie mbërritëm te një lumë dhe vëllezërit formuan disa vargje njerëzish që të ndihmonin secilin që të kalonte në anën tjetër. Por në anën tjetër të lumit na mblodhën ushtarët nga Zambia dhe na kthyen me forcë në Malavi.
Kur u kthyem në Malavi, përsëri nuk dinim ku të shkonim. Morëm vesh se në mitingjet politike dhe në gazeta njerëzit ishin paralajmëruar që të ruheshin nga «fytyrat e reja» që po vinin në fshatrat e tyre, e kishin fjalën për Dëshmitarët e Jehovait. Kështu vendosëm të shkonim në kryeqytet ku nuk do të binim në sy kaq shumë sa në fshat. Arritëm të merrnim me qira një shtëpi të vogël dhe Emasi fshehtas filloi përsëri vizitat e tij nëpër kongregacione si mbikëqyrës udhëtues.
Ndjekim mbledhjet e krishtere
Çfarë na ndihmoi të qëndronim besnikë? Mbledhjet e krishtere. Në kampet e refugjatëve në Mozambik e në Zambie i ndiqnim lirisht mbledhjet që mbaheshin në Sallat e thjeshta të Mbretërisë, me çati prej bari të thatë. Të bëje mbledhje në Malavi ishte e rrezikshme dhe e vështirë, por përpjekjet ia vlenin gjithnjë. Që të mos na zbulonin, zakonisht i mbanim mbledhjet natën vonë në vende të largëta. Kështu për të mos rënë në sy, nuk duartrokitnim për të shprehur çmueshmërinë tonë për oratorin, por vetëm sa fërkonim duart.
Pagëzimet bëheshin natën vonë. Djali ynë, Abijudi, u pagëzua në një rast të tillë. Pas fjalimit të pagëzimit atë bashkë me kandidatët e tjerë për pagëzim i çuan në errësirë në një zonë moçalore ku kishin gërmuar një gropë të cekët. Aty u pagëzuan.
Shtëpia jonë e vogël: një strehë e sigurt
Gjatë viteve të mëvonshme të ndalimit nga ana e qeverisë shtëpia jonë në Lilongvë u përdor si një shtëpi e sigurt. Posta dhe literatura nga zyra e degës në Zambia dërgohej fshehtas në shtëpinë tonë. Vëllezërit që shërbenin si korrierë me biçikleta vinin në shtëpinë tonë për të marrë gjërat nga Zambia dhe për të transportuar postën dhe literaturën në të gjitha viset e Malavisë. Revistat Kulla e Rojës që shpërndaheshin ishin të holla, sepse shtypeshin në letër që përdorej zakonisht për Biblën. Kjo u jepte mundësinë korrierëve të transportonin dyfishin e revistave që mund të kishin transportuar nëse revistat do të ishin shtypur në letër të zakonshme. Korrierët shpërndanin edhe revista të vogla Kulla e Rojës, të cilat përmbanin vetëm artikujt e studimit. Një revistë e vogël ishte e lehtë për t’u fshehur në xhepin e këmishës, sepse përbëhej vetëm nga një fletë letre.
Këta korrierë rrezikonin lirinë dhe jetën e tyre kur ecnin me biçikleta përmes kaçubave, disa herë në errësirën e natës, me kuti kartoni të mbushura me literaturë të ndaluar, të vendosura stivë mbi biçikleta. Me gjithë postblloqet e policisë dhe rreziqe të tjera, ata
udhëtuan me qindra kilometra në lloj-lloj moti për t’u shpërndarë ushqim frymor vëllezërve të tyre. Sa të guximshëm ishin këta korrierë të dashur!Jehovai interesohet për vejushat
Në dhjetor të vitit 1992, ndërsa po mbante një fjalim gjatë vizitës si mbikëqyrës qarkor, Emasi pësoi një hemorragji në tru. Pas kësaj ai nuk ishte më në gjendje të fliste. Ca kohë më vonë pësoi një hemorragji të dytë, e cila e la të paralizuar në njërën anë të trupit. Ai e kishte të vështirë të përballonte këtë humbje të shëndetit. Por mbështetja e dashur që morëm nga kongregacioni ma largoi dëshpërimin. Arrita të kujdesesha në shtëpi për tim shoq deri kur vdiq në nëntor të vitit 1994, në moshën 76-vjeçare. Ishim martuar para 57 vjetësh. Para se të vdiste, Emasi pa të hiqej ndalimi. Por unë ende ndihem e pikëlluar për humbjen e shokut tim besnik.
Pasi u bëra e ve, dhëndri im mori përsipër të më mbante edhe mua, përveç gruas e pesë fëmijëve. Mjerisht, pas një sëmundjeje të shkurtër ai vdiq në gusht të vitit 2000. Si ia bëri vajza ime që të gjente ushqim dhe strehim për ne? Përsëri pashë se Jehovai interesohet për ne dhe është vërtet «Atë i djemve pa baba dhe gjykatës i vejushave». (Psalmi 68:5, BR) Jehovai nëpërmjet shërbëtorëve të tij në tokë na siguroi një shtëpi të re e të bukur. Si ndodhi kjo? Kur vëllezërit dhe motrat në kongregacion panë gjendjen tonë të trishtueshme, ndërtuan një shtëpi për ne vetëm brenda pesë javëve. Disa vëllezër nga kongregacione të tjera, që ishin muratorë, erdhën për të ndihmuar. Dashuria dhe dashamirësia e treguar nga të gjithë Dëshmitarët na preku thellë, sepse shtëpia që ndërtuan për ne ishte më e mirë sesa shtëpitë ku jetojnë shumë prej tyre. Kjo shfaqje e dashurisë nga ana e kongregacionit dha një dëshmi të shkëlqyer në lagje. Kur shkoj të fle në mbrëmje, ndihem sikur jam në parajsë. Po, shtëpia jonë e re dhe e bukur është bërë me llaç e tulla, por siç e kanë thënë shumë veta, ajo është një shtëpi që vërtet u ndërtua me dashuri.—Galatasve 6:10.
Interesimi i vazhdueshëm i Jehovait
Edhe pse disa herë kam qenë në prag të një gjendjeje dëshpërimi të plotë, Jehovai ka qenë i mirë me mua. Shtatë prej nëntë fëmijëve të mi janë ende gjallë dhe tani familja ime ka 123 pjesëtarë. Sa mirënjohëse jam që shumica e tyre po i shërbejnë me besnikëri Jehovait!
Sot, në moshën 82-vjeçare, mbushem me gëzim kur shoh atë që ka bërë fryma e Perëndisë në Malavi. Vetëm në katër vitet e fundit kam parë të rritet numri i Sallave të Mbretërisë nga një në më tepër se 600. Gjithashtu, tani kemi një zyrë dege të re në Lilongvë dhe gëzojmë një bollëk të pakufizuar ushqimi frymor forcues. Ndiej vërtet se kam përjetuar plotësimin e premtimit të Perëndisë, që gjendet tek Isaia 54:17, ku na jepet siguria: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» Pasi i kam shërbyer Jehovait për më shumë se 50 vjet, jam e bindur se çfarëdo sprove që mund të hasim, Jehovai interesohet gjithmonë për ne.
[Shënimi]
^ par. 17 Për më shumë informacion për historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Malavi shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1999, faqet 149-223, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.
[Figura në faqen 24]
Im shoq, Emasi, u pagëzua në prill të vitit 1951
[Figura në faqen 26]
Një grup korrierësh guximtarë
[Figura në faqen 28]
Një shtëpi e ndërtuar me dashuri