Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kemi besim të plotë te Jehovai në kohë vuajtjesh

Të kemi besim të plotë te Jehovai në kohë vuajtjesh

Të kemi besim të plotë te Jehovai në kohë vuajtjesh

«Perëndia është për ne strehë dhe forcë, ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve.»​—PSALMI 46:1, BR.

1, 2. (a) Cili shembull tregon se nuk mjafton vetëm të themi se kemi besim te Perëndia? (b) Pse nuk mjafton vetëm të themi se kemi besim te Jehovai?

NJË GJË është të themi se kemi besim te Perëndia dhe një gjë krejt tjetër është ta tregojmë këtë me vepra. Për shembull, shprehja «Kemi besim te Perëndia» gjendet prej kohësh në kartëmonedhat dhe në monedhat e SHBA-së. * Në vitin 1956, Kongresi i SHBA-së miratoi një ligj që e shpalli këtë frazë moton kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Si për ironi, shumë njerëz​—jo vetëm në këtë vend, por anembanë botës—​kanë më tepër besim te paraja e te pasuria, sesa te Perëndia.​—Luka 12:16-21.

2 Për ne si të krishterë të vërtetë nuk mjafton vetëm të themi se kemi besim te Jehovai. Ashtu si «besimi pa vepra është i vdekur», po kështu çfarëdo pohimi se kemi besim te Perëndia është pa kuptim, nëse nuk e mbështetim me veprime. (Jakovit 2:26) Në artikullin e mëparshëm mësuam se besimi ynë te Jehovai shfaqet kur i drejtohemi atij në lutje, kur kërkojmë drejtim nga Fjala e tij dhe udhëheqje nga organizata e tij. Le të shqyrtojmë se si të ndërmarrim këta tre hapa në kohë vuajtjesh.

Kur humbasim punën ose kur të ardhurat janë të pakta

3. Çfarë presionesh ekonomike hasin shërbëtorët e Jehovait në këto «kohë kritike» dhe si e dimë se Perëndia është i gatshëm të na ndihmojë?

3 Në këto «kohë kritike», edhe ne të krishterët hasim të njëjtat presione ekonomike që hasin njerëzit e tjerë. (2 Timoteut 3:1) Prandaj mund të humbasim papritur punën. Ose ndoshta nuk kemi mundësi tjetër, përveçse të punojmë me orar të zgjatur e me pak të ardhura. Në këto rrethana mund të jetë e vështirë ‘të sigurojmë gjërat e nevojshme për njerëzit tanë’. (1 Timoteut 5:8) A është i gatshëm Perëndia Më i Lartë të na ndihmojë në kohë të tilla? Patjetër që po! Sigurisht, Jehovai nuk na mbron nga të gjitha vështirësitë e jetës në këtë sistem. Megjithatë, në rast se kemi besim tek ai, do të dalin të vërteta për ne këto fjalë të Psalmit 46:1: «Perëndia është për ne strehë dhe forcë, ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve.» (BR) Por, si mund ta tregojmë se kemi besim të plotë te Jehovai kur kemi probleme financiare?

4. Për çfarë mund të lutemi kur hasim probleme financiare, dhe si u përgjigjet Jehovai lutjeve të tilla?

4 Një mënyrë për të treguar besimin tonë te Jehovai është duke iu drejtuar atij në lutje. Por, për çfarë mund të lutemi? Po ja, kur hasim probleme financiare mund të na duhet mençuri praktike më shumë se kurrë më parë. Atëherë, le të lutemi patjetër për mençuri! Fjala e Jehovait na siguron: «Nëse ndonjërit nga ju i mungon mençuria, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i poshtëruar; e do t’i jepet.» (Jakovit 1:5) Po, le t’i kërkojmë Jehovait mençuri, pra aftësinë për të përdorur mirë njohurinë, kuptueshmërinë dhe aftësinë dalluese, në mënyrë që të marrim vendime të mençura dhe të bëjmë zgjedhje të drejta. Ati ynë i dashur qiellor na siguron se do t’i dëgjojë lutje të tilla. Ai është gjithnjë i gatshëm të drejtojë shtigjet e atyre që kanë besim tek ai me gjithë zemër.​—Psalmi 65:2; Fjalët e urta [Proverbat] 3:5, 6.

5, 6. (a) Pse mund të kërkojmë ndihmë nga Fjala e Perëndisë për t’u bërë ballë presioneve ekonomike? (b) Çfarë mund të bëjmë për të pakësuar ankthin kur humbasim punën?

5 Të kërkojmë drejtim nga Fjala e Perëndisë është një mënyrë tjetër për të treguar se kemi besim te Jehovai. Përkujtuesit e tij të mençur që gjenden në Bibël kanë dhënë prova se janë «jashtëzakonisht të denjë për besim». (Psalmi 93:5, BR) Ndonëse u përfundua më tepër se 1.900 vjet më parë, ky libër i frymëzuar përmban këshilla të besueshme dhe gjykim të thellë që mund të na ndihmojnë për t’u bërë ballë më mirë presioneve ekonomike. Le të shqyrtojmë disa shembuj të mençurisë biblike.

6 Mbreti i mençur Solomon tha shumë kohë më parë: «I ëmbël është gjumi i atij që shërben, qoftë në ngrëntë pak ose shumë; por bollëku i të pasurit nuk e lë atë të flejë.» (Eklisiastiu [Predikuesi] 5:12, BR) Kërkohet kohë dhe para për të ndrequr, për të pastruar, për të mirëmbajtur dhe për të mbrojtur zotërimet materiale. Prandaj kur humbasim punën, mund ta shfrytëzojmë këtë rast për të rishqyrtuar mënyrën tonë të jetesës, duke u përpjekur të dallojmë nevojat nga dëshirat. Për të pakësuar ankthin, mund të jetë gjë e mençur të bëjmë disa ndryshime. Për shembull, a është e mundur ta thjeshtojmë jetën, ndoshta duke u transferuar në një shtëpi më të vogël ose duke hequr zotërimet materiale të panevojshme?​—Mateu 6:22.

7, 8. (a) Si tregoi Jezui se ishte i vetëdijshëm që njerëzit e papërsosur kanë prirjen të shqetësohen së tepërmi për gjërat materiale? (Shih edhe shënimin.) (b) Çfarë këshille të mençur dha Jezui se si të shmangim ankthin e tepruar?

7 Në Predikimin në Mal Jezui këshilloi: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, apo për trupat tuaj, se ç’do të vishni.» * (Mateu 6:25) Jezui e dinte se nga natyra njerëzit e papërsosur shqetësohen se si të sigurojnë nevojat bazë të jetesës. Atëherë, si t’ia bëjmë që ‘të mos jemi më në ankth’ për këto gjëra? «Vazhdoni . . . të kërkoni më parë mbretërinë»,​—tha Jezui. Pavarësisht se çfarë problemesh hasim, duhet të vazhdojmë t’i japim përparësi në jetë adhurimit të Jehovait. Në qoftë se veprojmë kështu, atëherë të gjitha gjërat e nevojshme të përditshme ‘do të na shtohen’ nga Ati ynë qiellor. Në ndonjë mënyrë ai do të na sigurojë atë që na nevojitet.​—Mateu 6:33.

8 Jezui dha këtë këshillë të mëtejshme: «Kurrë të mos jeni në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» (Mateu 6:34) Nuk është gjë e mençur të jemi së tepërmi në ankth se çfarë mund të sjellë e nesërmja. Një studiues tha: «E ardhmja rrallëherë del aq e keqe sa kemi frikë që mund të jetë.» Nëse i vëmë veshin me përulësi këshillës biblike për t’u përqendruar te gjërat më të rëndësishme dhe për të jetuar ditë pas dite, kjo mund të na ndihmojë që të shmangim ankthin e tepruar.​—1 Pjetrit 5:6, 7.

9. Çfarë ndihme mund të gjejmë në botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ kur hasim probleme financiare?

9 Gjithashtu, kur hasim probleme financiare, mund të tregojmë se kemi besim te Jehovai, duke kërkuar ndihmë te botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45) Herë pas here në revistën Zgjohuni! kanë dalë artikuj që përmbajnë këshilla dhe sugjerime të dobishme se si t’u bëjmë ballë vështirësive ekonomike. Artikulli «Kur të pushojnë nga puna: Cilat janë zgjidhjet?», në numrin e 8 gushtit të vitit 1991, anglisht, theksonte tetë udhëzime praktike që i kanë ndihmuar shumë veta të kenë njëfarë sigurie nga ana financiare dhe të mos lëkunden emocionalisht kur janë të papunë. * Natyrisht këto udhëzime duhen marrë parasysh së bashku me pikëpamjen e duhur për rëndësinë e vërtetë të parasë. Kjo gjë u trajtua në artikullin «Diçka më jetësore se paraja», i cili ndodhej në të njëjtin numër.​—Predikuesi 7:12.

Kur kemi probleme shëndetësore

10. Si tregon shembulli i mbretit David se është realiste të kemi besim te Jehovai kur kemi një sëmundje të rëndë?

10 A është një gjë realiste të kemi besim te Jehovai kur kemi një sëmundje të rëndë? Patjetër që po! Jehovai ka empati për individët e sëmurë që ndodhen në popullin e tij. Për më tepër ai është i gatshëm t’i ndihmojë. Të shqyrtojmë për shembull, mbretin David. Ai mund të ketë qenë vetë i sëmurë rëndë kur shkroi se si e trajton Perëndia një njeri të drejtë të sëmurë. Davidi tha: «Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.» (Psalmi 41:1, 3, 7, 8) Besimi i Davidit te Perëndia mbeti i fortë dhe në fund mbreti u shërua nga sëmundja. Por, si mund të tregojmë ne besim te Perëndia kur kemi probleme shëndetësore?

11. Çfarë mund t’i kërkojmë Atit tonë qiellor kur jemi të sëmurë?

11 Kur jemi të sëmurë, një mënyrë për të treguar besimin te Jehovai është t’i përgjërohemi në lutje që të na ndihmojë të qëndrojmë. Mund t’i kërkojmë ndihmë për të përdorur ‘mençuri praktike’, me qëllim që të kemi shëndet për aq sa na e lejojnë realisht rrethanat. (Proverbat 3:21, BR) Po ashtu mund t’i kërkojmë ndihmë që të kemi durim e qëndrueshmëri për të përballuar sëmundjen. Mbi të gjitha duhet t’i kërkojmë Jehovait që të na mbështetë, duke na dhënë forcë për t’i qëndruar besnikë dhe për të mos humbur ekuilibrin, çfarëdo që të ndodhë. (Filipianëve 4:13) Të mbajmë integritetin ndaj Perëndisë është edhe më e rëndësishme sesa të mos humbasim jetën e tanishme. Në qoftë se e mbajmë integritetin, Shpërblyesi i Madh do të na japë përgjithmonë jetë dhe shëndet të përsosur.​—Hebrenjve 11:6.

12. Cilat parime biblike mund të na ndihmojnë të marrim vendime të mençura në lidhje me trajtimet mjekësore?

12 Besimi te Jehovai na nxit edhe të kërkojmë drejtim praktik nga Fjala e tij, Bibla. Parimet që gjenden në Shkrime mund të na ndihmojnë të marrim vendime të mençura në lidhje me trajtimet mjekësore. Për shembull, meqë e dimë se Bibla e dënon ‘praktikën e spiritizmit’, do të shmangim çdo procedurë për përcaktimin ose për kurimin e sëmundjes, e cila ka lidhje me spiritizmin. (Galatasve 5:19-21; Ligji i përtërirë 18:10-12) Ja një shembull tjetër i mençurisë së besueshme të Biblës: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Fjalët e urta 14:15) Pra, kur shqyrtojmë mundësinë e një trajtimi mjekësor, në vend që ‘t’i besojmë çdo fjale’, shfaqim mençuri nëse kërkojmë informacione të besueshme për atë trajtim. Një ‘mendje [e tillë] e shëndoshë’ na ndihmon të peshojmë me kujdes mundësitë që kemi dhe të marrim një vendim të bazuar në njohuri.​—Titit 2:12.

13, 14. (a) Çfarë artikujsh informues për çështjet shëndetësore janë botuar në revistat Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës? (Shih kutinë në faqen 17.) (b) Cilat këshilla për përballimin e sëmundjeve kronike jepeshin në revistën Zgjohuni!, shkurt 2001?

13 Mund ta shfaqim besimin te Jehovai edhe duke bërë kërkime në botimet e skllavit të besueshëm. Herë pas here revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! kanë botuar artikuj informues për një larmi të madhe problemesh shëndetësore dhe sëmundjesh specifike. * Disa herë në këto revista kanë dalë artikuj që flitnin për individë që kanë përballuar me sukses çrregullime, sëmundje dhe gjymtime. Përveç kësaj në disa artikuj janë dhënë sugjerime nga Shkrimet, si edhe këshilla praktike se si të jetojmë me problemet kronike të shëndetit.

14 Për shembull, numri i Zgjohuni!, shkurt 2001, përmbante një seri artikujsh me temë «Ngushëllim për të sëmurët». Në artikuj jepeshin parime biblike të dobishme, si edhe informacione të drejtpërdrejta, të mbledhura nga intervistat me individë të mirinformuar që kanë jetuar prej vitesh me sëmundje të rënda. Në artikullin «T’ia dalësh mbanë, me gjithë sëmundjen: Si?» jepeshin këto këshilla: Mëso sa më shumë që të arrish rreth sëmundjes. (Fjalët e urta 24:5) Vër synime praktike, përfshirë synimet për të ndihmuar të tjerët, por ji i vetëdijshëm se mund të mos jesh në gjendje të arrish të njëjtat synime si të tjerët. (Veprat 20:35; Galatasve 6:4) Mos u veço nga të tjerët. (Fjalët e urta 18:1) Bëj që vizitat te ti të jenë një përvojë e këndshme për të tjerët. (Fjalët e urta 17:22) Mbi të gjitha, mbaj një lidhje të ngushtë me Jehovain dhe me kongregacionin. (Naumi 1:7; Romakëve 1:11, 12) A nuk jemi mirënjohës për drejtimin e besueshëm që na siguron Jehovai nëpërmjet organizatës së tij?

Kur një dobësi e mishit vazhdon

15. Si mundi të dilte fitimtar apostulli Pavël në luftën e tij kundër dobësive të mishit të papërsosur dhe për çfarë mund të jemi të sigurt?

15 Apostulli Pavël shkroi: «Në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë.» (Romakëve 7:18) Pavli e dinte nga përvoja e tij se sa e vështirë mund të jetë të luftosh kundër dëshirave dhe dobësive të mishit të papërsosur. Megjithatë, Pavli ishte gjithashtu i sigurt se mund të dilte fitimtar. (1 Korintasve 9:26, 27) Si? Duke pasur besim të plotë te Jehovai. Ja pse Pavli mundi të thoshte: «Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje? Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» (Romakëve 7:24, 25) Ç’të themi për ne? Edhe ne kemi një betejë kundër dobësive të mishit. Teksa luftojmë për t’u bërë ballë këtyre dobësive, është e lehtë të humbasim sigurinë e të krijojmë bindjen se kurrë nuk mund t’ia dalim mbanë. Por Jehovai do të na ndihmojë, në rast se ashtu si Pavli, mbështetemi vërtet tek Ai, dhe jo vetëm te forcat tona.

16. Për çfarë duhet të lutemi kur një dobësi e mishit vazhdon dhe çfarë duhet të bëjmë nëse biem përsëri pre e asaj dobësie?

16 Kur një dobësi e mishit vazhdon, mund të tregojmë se kemi besim te Jehovai, duke iu përgjëruar atij. Duhet t’i lutemi, madje t’i përgjërohemi Jehovait, për ndihmën e frymës së tij të shenjtë. (Luka 11:9-13) Mund të lutemi në mënyrë specifike për vetëkontroll, i cili është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Çfarë duhet të bëjmë nëse biem përsëri pre e asaj dobësie? Asnjëherë të mos dorëzohemi. Kurrë të mos lodhemi së luturi me përulësi Perëndisë tonë të mëshirshëm, duke i kërkuar falje dhe ndihmë. Jehovai nuk do ta hedhë poshtë kurrë një zemër ‘të vrarë dhe të dërrmuar’ nga pesha e një ndërgjegjeje fajtore. (Psalmi 51:17, BR) Në qoftë se i përgjërohemi me një zemër të penduar e të çiltër, Jehovai do të na ndihmojë që t’i luftojmë tundimet.​—Filipianëve 4:6, 7.

17. (a) Pse është e dobishme të meditojmë se çfarë ndien Jehovai për ndonjë dobësi të veçantë që po e luftojmë? (b) Cilat shkrime mund të mësojmë përmendësh, nëse po luftojmë për të kontrolluar temperamentin gjaknxehtë, gjuhën ose për të kundërshtuar prirjen për zbavitje jo të shëndetshme?

17 Gjithashtu mund të tregojmë se kemi besim te Jehovai duke kërkuar ndihmë nga Fjala e tij. Me anë të një renditësi alfabetik të fjalëve biblike ose të një treguesi të botimeve Watch Tower, mund të kërkojmë përgjigjen e pyetjes: ‘Çfarë ndien Jehovai ndaj kësaj dobësie që po luftoj?’ Kur meditojmë se si ndihet Jehovai për këtë gjë, kjo mund të na e forcojë dëshirën për t’i pëlqyer atij. Pra, mund të fillojmë të ndiejmë të njëjtën gjë si ai, të urrejmë atë që ai e urren. (Psalmi 97:10) Disa veta e kanë parë të dobishme të mësojnë përmendësh vargje biblike që zbatohen për dobësinë kundër së cilës po luftojnë. A po luftojmë për të kontrolluar temperamentin gjaknxehtë? Atëherë mund të mësojmë përmendësh vargje të tilla, si Fjalët e urta 14:17 dhe Efesianëve 4:31. A e kemi të vështirë t’i vëmë fre gjuhës? Mund të mësojmë përmendësh vargje të tilla, si Fjalët e urta 12:18 dhe Efesianëve 4:29. A kemi prirjen për zbavitje jo të shëndetshme? Mund të përpiqemi të kujtojmë vargje të tilla, si Efesianëve 5:3 dhe Kolosianëve 3:5.

18. Pse nuk duhet të ndihemi në siklet për t’u kërkuar pleqve që të na ndihmojnë të mposhtim dobësinë tonë?

18 Një mënyrë tjetër për të treguar se mbështetemi te Jehovai është të kërkojmë ndihmën e pleqve të kongregacionit, të emëruar nga fryma. (Veprat 20:28) Në fakt këto «dhurata në njerëz» janë një masë nga Jehovai nëpërmjet Krishtit për të mbrojtur dhe për t’u kujdesur për delet e tij. (Efesianëve 4:7, 8, 11-14) Patjetër mund të mos jetë e lehtë të kërkojmë ndihmë kur përballojmë një dobësi. Ndoshta ndihemi në siklet, sepse kemi frikë që pleqtë mund të mos mendojnë mirë për ne. Por pa dyshim këta burra të pjekur frymësisht do të na respektojnë që kemi guximin për të kërkuar ndihmë. Për më tepër pleqtë përpiqen të pasqyrojnë cilësitë e Jehovait kur kanë të bëjnë me kopenë. Këshillat dhe udhëzimet e tyre praktike e ngushëlluese nga Fjala e Perëndisë mund të jenë pikërisht çfarë na nevojitet për të na e forcuar aq sa duhet vendosmërinë që të mposhtim dobësinë tonë.​—Jakovit 5:14-16.

19. (a) Si përpiqet Satanai të përdorë kotësinë e jetës në këtë sistem? (b) Çfarë përfshin të kesh besim dhe për çfarë duhet të jemi tërësisht të vendosur?

19 Kurrë të mos harrojmë se Satanai e di që i ka mbetur një kohë e shkurtër. (Zbulesa 12:12) Ai do që të përdorë kotësinë e jetës në këtë botë për të na shkurajuar dhe për të na shtyrë të dorëzohemi. Paçim besim të plotë tek ajo që thuhet te Romakëve 8:35-39: «Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngimi, vuajtja, persekutimi, uria, të zhveshurit, rreziku a shpata? . . . Përkundrazi, në të gjitha këto gjëra ne dalim plotësisht fitimtarë me anë të atij që na deshi. Sepse jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që kanë për të ardhur, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» Çfarë deklarate besimi te Jehovai! Por një besim i tillë nuk është vetëm një ndjenjë. Përkundrazi është besim që përfshin vendimet e menduara mirë që marrim në jetën e përditshme. Atëherë, le të jemi tërësisht të vendosur për të pasur besim të plotë te Jehovai në kohë vuajtjesh!

[Shënimet]

^ par. 1 Në një letër drejtuar punishtes amerikane të prodhimit të parave, më 20 nëntor 1861, Sekretari i Thesarit, Salmon P. Çeisi, shkroi: «Asnjë komb nuk mund të jetë i fortë, përveçse me fuqinë e Perëndisë dhe as nuk mund të jetë i sigurt, përveçse me mbrojtjen e Tij. Besimi i popullit tonë te Perëndia duhet shpallur në monedhat tona kombëtare.» Si rrjedhim motoja «Kemi besim te Perëndia» u shfaq për herë të parë në një monedhë amerikane që doli në qarkullim në vitin 1864.

^ par. 7 Ankthi i përshkruar këtu thuhet se është një «frikë shqetësuese që i heq gjithë gëzimin jetës». Në disa përkthime thuhet «mos jini në ankth» ose «mos u shqetësoni». Por këto përkthime nënkuptojnë se nuk duhet as të fillojmë të jemi në ankth ose të shqetësohemi. Një vepër referimi thotë: «Koha e foljes greke këtu është e tashmja e urdhërores dhe nënkupton urdhrin për të mos e bërë më një veprim që është tashmë në vazhdim.»

^ par. 9 Këto janë tetë pikat: (1) Mos të të zërë paniku; (2) mendo pozitivisht; (3) ji i gatshëm për të bërë punë të reja; (4) jeto sipas buxhetit tënd, dhe jo sipas buxhetit të të tjerëve; (5) ji i kujdesshëm me kreditë; (6) mbaje familjen të bashkuar; (7) ruaj respektin për veten dhe (8) përcakto buxhetin tënd.

^ par. 13 Këto revista, të bazuara në Bibël, nuk rekomandojnë ose nuk nxitin ndonjë trajtim mjekësor të veçantë dhe pranojnë se ky është një vendim personal. Në vend të kësaj, artikujt që trajtojnë sëmundje ose çrregullime specifike kanë si qëllim t’i informojnë lexuesit rreth fakteve, ashtu siç njihen aktualisht.

A ju kujtohet?

• Në cilat mënyra mund të tregojmë se kemi besim te Jehovai kur hasim probleme ekonomike?

• Si mund të tregojmë besim te Perëndia kur kemi probleme shëndetësore?

• Si mund të tregojmë se po mbështetemi vërtet te Jehovai kur një dobësi e mishit vazhdon?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 17]

A ju kujtohen këta artikuj?

Kur kemi probleme shëndetësore mund të marrim zemër po të lexojmë përvojat e individëve të tjerë që kanë përballuar me sukses çrregullime, sëmundje ose gjymtime. Më poshtë jepen disa artikuj që janë botuar në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!

Artikulli «Përballoj dobësitë e mia» përqendrohej te përballimi i mendimeve negative dhe i depresionit.​—Kulla e Rojës 1 maj 1990, anglisht.

«As mushkëria prej çeliku nuk mundi ta ndalte që të predikonte.»​—Zgjohuni! 22 janar 1993, anglisht.

Artikulli «Një plumb ma ndryshoi jetën» përqendrohej në trajtimin e paralizës.​—Zgjohuni! 22 tetor 1995, anglisht.

Artikulli «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj» trajtonte si të përballohet çrregullimi bipolar.​—Kulla e Rojës 1 dhjetor 2000.

Artikulli «Udhëtimi i Loidës jashtë heshtjes» përqendrohej në trajtimin e paralizës cerebrale.​—Zgjohuni! 8 maj 2000, anglisht.

«Beteja ime me endometriozën.»​—Zgjohuni!, gusht 2000.

«Lufta ime me sklerodermën.»​—Zgjohuni!, 8 gusht 2001, anglisht.

«Fitoj betejën me depresionin e paslindjes.»​—Zgjohuni!, gusht 2002.

[Figura në faqen 15]

Kur humbasim punën, mund të jetë një gjë e mençur të rishqyrtojmë mënyrën tonë të jetesës

[Figura në faqen 16]

Historia e Loidës tregon se si besimi te Jehovai na ndihmon të qëndrojmë. (Shih kutinë në faqen 17)

[Figura në faqen 18]

Nuk duhet të ndihemi në siklet për të kërkuar ndihmë që të mposhtim dobësitë tona