Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i japim lavdi Jehovait «në mes të kongregacionit»

T’i japim lavdi Jehovait «në mes të kongregacionit»

T’i japim lavdi Jehovait «në mes të kongregacionit»

MBLEDHJET e krishtere janë një masë që ka marrë Jehovai për ta mbajtur popullin e tij të fortë frymësisht. Kur i ndjekim rregullisht mbledhjet tregojmë çmueshmërinë tonë për masat e Jehovait. Për më tepër mund ‘të nxitim [vëllezërit tanë] për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’, e kjo është një mënyrë e rëndësishme se si i tregojmë dashuri njëri-tjetrit. (Hebrenjve 10:24; Gjoni 13:35) Por, si mund t’i nxitim vëllezërit në mbledhje?

Ta shprehim publikisht besimin

Mbreti David shkroi për veten: «Do t’ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi; do të të lëvdoj në mes të kongregacionit. Nga ty lëvdimi im do të jetë në kongregacionin e madh.» «Do të të përlëvdoj në kongregacionin e madh; në mes të një populli të shumtë do të të lëvdoj.» «Kam shpallur lajmin e mirë të drejtësisë në kongregacionin e madh. Ja, buzëve të mia nuk u vë fre.»​—Psalmi 22:22, 25; 35:18; 40:9, BR.

Po kështu në ditët e apostullit Pavël, kur të krishterët mblidheshin për të adhuruar Jehovain, ata shprehnin besimin e tyre tek ai dhe shpallnin lavdinë e tij. Kështu inkurajonin dhe nxitnin njëri-tjetrin për dashuri e vepra të shkëlqyera. Në ditët tona, shumë shekuj pas kohës së Davidit dhe të Pavlit, vërtet ‘e shikojmë që dita [e Jehovait] po afrohet’. (Hebrenjve 10:24, 25) Sistemi i Satanait po lëkundet duke shkuar drejt shkatërrimit dhe problemet vazhdojnë të shtohen. Si kurrë më parë, ‘kemi nevojë për qëndrueshmëri’. (Hebrenjve 10:36) Kush tjetër përveç vëllezërve mund të na inkurajojë që të qëndrojmë?

Ashtu si në kohët e hershme, edhe sot janë marrë masa që secili besimtar ta shprehë besimin e tij «në mes të kongregacionit». Një mundësi që e kanë të gjithë është të bëjnë komente për t’iu përgjigjur pyetjeve që i bëhen auditorit në mbledhjet e kongregacionit. Kurrë të mos i nënvlerësojmë dobitë që mund të vijnë nga kjo. Për shembull, komentet që tregojnë si t’i kapërcejmë ose t’i shmangim problemet forcojnë vendosmërinë e vëllezërve për të ndjekur parimet biblike. Komentet që shpjegojnë vargjet biblike që përmenden, por nuk citohen ose të cilat përmbajnë mendime të gjetura gjatë kërkimeve personale, mund t’i inkurajojnë të tjerët të zhvillojnë zakone më të mira studimi.

Meqë e dinë se me komentet në mbledhje do të nxjerrim dobi edhe ne, edhe të tjerët, kjo duhet t’i motivojë të gjithë Dëshmitarët e Jehovait që të mposhtin ndrojtjen. Është sidomos e rëndësishme që pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës të komentojnë në mbledhje, meqë nga ata pritet të jenë të parët që marrin pjesë dhe komentojnë në mbledhje. Por, si mund të përmirësohet një individ që e ka shumë të vështirë këtë aspekt të veçantë të veprimtarisë së tij të krishterë?

Sugjerime për të përmirësuar

Kujto se të bësh komente është pjesë e adhurimit të Jehovait. Një e krishterë që jeton në Gjermani shpjegon si i sheh ajo komentet. Thotë: «Janë përgjigjja ime ndaj përpjekjeve të Satanait për të mos e lejuar popullin e Perëndisë që të shprehë besimin.» Një vëlla i sapopagëzuar, që bën pjesë në të njëjtin kongregacion, thotë: «Lutem shumë për të bërë komente.»

Përgatitu mirë. Nëse nuk e studion materialin që më përpara, do ta kesh të vështirë të komentosh dhe komentet e tua nuk do të jenë shumë të efektshme. Sugjerime për të komentuar në mbledhjet e krishtere jepen në botimin Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, faqja 70. *

Vër synim që të bësh të paktën një koment në çdo mbledhje. Kjo do të thotë të përgatitësh disa përgjigje, meqë sa më shpesh ta ngresh dorën, aq më shumë do të jetë e mundur që vëllai i cili drejton mbledhjen të të japë fjalën. Madje mund t’i thuash atij që përpara se cilave pyetje je përgatitur t’u përgjigjesh. Kjo është e dobishme sidomos kur je i ri në të vërtetën. Meqenëse ndoshta ngurron të ngresh dorën «në kongregacionin e madh», kur e di se ky është paragrafi yt, për të cilin je përgatitur të përgjigjesh, dhe se drejtuesi i mbledhjes po përpiqet të vërejë dorën tënde, kjo do të të nxitë të komentosh.

Komento që në fillim. Një detyrë e vështirë nuk bëhet më e lehtë duke e shtyrë për më vonë. Mund të jetë e dobishme të bësh një koment që në fillim të mbledhjes. Do të mbetesh i habitur sa më e lehtë është të komentosh herën e dytë a të tretë, pasi ke kaluar pengesën për të bërë komentin e parë.

Zgjidh një vend të përshtatshëm për t’u ulur. Disa e kanë më të lehtë të komentojnë kur ulen përpara në Sallën e Mbretërisë. Ka më pak shpërqendrime dhe drejtuesi e ka më të lehtë t’i vërë re. Në qoftë se e provon këtë gjë, mos harro të flasësh me zë të lartë aq sa të të dëgjojnë të gjithë, sidomos nëse kongregacioni nuk përdor mikrofon për komentet.

Dëgjo me kujdes. Kjo do të të ndihmojë që të mos përsëritësh diçka që sapo e ka thënë një tjetër. Po ashtu komentet e bëra nga të tjerët mund të të sjellin në mendje një shkrim ose një pikë që mund të lidhet me mendimin e saposhprehur. Në ndonjë rast një përvojë e shkurtër mund të ilustrojë pikën që po trajtohet. Këto komente janë shumë të dobishme.

Mëso të përgjigjesh me fjalët e tua. Kur lexon një koment nga një material studimi, kjo mund të tregojë se ke gjetur përgjigjen e duhur dhe mund të jetë një mënyrë e mirë që të fillosh të komentosh. Por kur bën përparim, duke dhënë përgjigje me fjalët e tua, kjo tregon se e kupton atë pikë. Botimet tona nuk kanë nevojë të citohen fjalë për fjalë. Dëshmitarët e Jehovait nuk përsëritin thjesht ato që thonë botimet e tyre.

Qëndro brenda temës. Janë të papërshtatshme komentet që nuk lidhen me temën ose që i shpërqendrojnë dëgjuesit nga idetë kryesore që po trajtohen. Kjo do të thotë që komentet e tua duhet të kenë lidhje të qartë me temën që po trajtohet. Atëherë ato do të ndihmojnë për një trajtim ndërtues nga ana frymore të temës që po zhvillohet.

Syno që të inkurajosh të tjerët. Meqë një arsye e rëndësishme pse komentojmë është për të inkurajuar të tjerët, duhet të përpiqemi të mos themi gjëra që mund t’i shkurajojnë ata. Gjithashtu mos e komento paragrafin me kaq hollësi sa të lësh pak ose aspak për të komentuar të tjerët. Përgjigjet e gjata ose të ndërlikuara zakonisht e errësojnë kuptimin. Përgjigjet e shkurtra e me pak fjalë mund të jenë shumë të efektshme dhe do t’i inkurajojnë personat e rinj që të japin përgjigjet e shkurtra që kanë përgatitur.

Roli i atyre që drejtojnë mbledhjet

Meqenëse mbledhjet janë të rëndësishme për të inkurajuar njëri-tjetrin, drejtuesi i mbledhjes ka një përgjegjësi të madhe. Ai tregon interes të sinqertë ndaj çdo komenti, duke dëgjuar me kujdes dhe duke e vështruar me mirësjellje atë që po komenton, në vend që të merret me diçka tjetër. Sa e papërshtatshme do të ishte në rast se ai nuk do të dëgjonte me kujdes dhe si pasojë do të përsëriste pa qenë nevoja atë që sapo u tha ose do të bënte një pyetje për të cilën sapo u dha përgjigje!

Do të ishte shkurajuese edhe nëse drejtuesi do të përsëriste vazhdimisht me fjalë disi të ndryshme një koment që sapo është bërë, si për të nënkuptuar që komenti ishte paksa i papërshtatshëm. Përkundrazi, sa inkurajuese është kur komentet ndihmojnë për të diskutuar më tej një pikë të rëndësishme. Mund të bëhen pyetje të tilla, si: ‘Si mund ta zbatojmë këtë në kongregacionin tonë?’ ose ‘Cili shkrim në paragraf mbështet atë që sapo u tha?’ Këto lloj pyetjesh nxitin komente pozitive që janë një ndihmë e vlefshme.

Sigurisht, personat e rinj ose të ndrojtur duhen lavdëruar në mënyrë të veçantë kur bëjnë një koment. Kjo mund të bëhet individualisht pas studimit, që të mos vihen ndoshta në siklet dhe që drejtuesi të ketë mundësi për të dhënë këshilla kur është e përshtatshme.

Në një bisedë të zakonshme, individi që mbizotëron në bisedë nuk nxit komunikimin. Ata që e dëgjojnë nuk e shohin të nevojshme të shprehen. E dëgjojnë me gjysmë zemre ose nuk e dëgjojnë fare. Diçka e ngjashme mund të ndodhë kur drejtuesi mbizotëron në diskutim duke komentuar tepër shpesh. Por në ndonjë rast drejtuesi i mbledhjes mund t’i nxitë të pranishmit të flasin dhe të nxitë mendimet e tyre rreth temës nëpërmjet pyetjeve shtesë. Këto pyetje duhen bërë me kursim.

Drejtuesi nuk do t’i japë medoemos fjalën të parit që ngre dorën. Kjo mund t’i shkurajojë ata që u duhet pak kohë për të formuluar mendimet. Nëse pret pak, ai do t’i japë mundësinë të komentojë ndonjërit që nuk e ka bërë tashmë këtë. Po ashtu drejtuesi do të tregojë aftësi dalluese, duke mos u dhënë fjalën fëmijëve të vegjël për t’iu përgjigjur pyetjeve për tema që nuk mund t’i kuptojnë.

Çfarë duhet bërë kur jepet një përgjigje e pasaktë? Drejtuesi nuk duhet ta vërë në siklet atë që dha përgjigjen. Komentet, edhe kur janë të pasakta, shpesh përmbajnë fakte të vërteta. Nëse drejtuesi me takt zgjedh nga komenti diçka që mund të jetë e saktë, ose e thotë pyetjen me fjalë të tjera, ose bën një pyetje shtesë, ai mund ta ndreqë përgjigjen pa vënë njeri në siklet.

Për të nxitur komentet, drejtuesi i mbledhjes duhet të shmangë pyetjet e përgjithshme, si: ‘A ka ndonjë koment tjetër?’ Pyetja: ‘Kush nuk ka komentuar ende? Ky është rasti i fundit!’ mund të jetë me qëllim të mirë, por vështirë ta nxitë dikë që të shprehet lirshëm. Vëllezërit nuk duhet të ndihen fajtorë sepse nuk kanë komentuar që më parë gjatë studimit. Përkundrazi duhen inkurajuar të thonë atë që dinë, sepse komentet janë një shprehje dashurie. Veç kësaj, pasi drejtuesi i jep fjalën dikujt për të komentuar, do të ishte mirë të mos thoshte: «Pas tij do të dëgjojmë komentin e vëlla filanit dhe komentin e motër filanes.» Drejtuesi së pari duhet ta dëgjojë komentin, dhe më pas të përcaktojë nëse nevojitet një koment shtesë.

Të komentosh është një privilegj

Ndjekja e mbledhjeve të krishtere është një nevojë frymore; të komentosh në to është një privilegj. Në atë masë që marrim pjesë në këtë mënyrë të pashoqe për t’i dhënë lavdi Jehovait «në mes të kongregacionit», në të njëjtën masë po ndjekim shembullin e Davidit dhe po e marrim seriozisht këshillën e Pavlit. Pjesëmarrja në mbledhje tregon se i duam vëllezërit dhe se jemi pjesë e kongregacionit të madh të Jehovait. Në ç’vend tjetër do të doje të ndodheshe ndërsa ‘e sheh që dita po afrohet’?​—Hebrenjve 10:25.

[Shënimi]

^ par. 10 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 20]

Si të dëgjosh, ashtu edhe të komentosh janë të rëndësishme në mbledhjet e krishtere

[Figura në faqen 21]

Ai që po drejton tregon interes të sinqertë për çdo koment