Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bisedat frymore ndërtojnë

Bisedat frymore ndërtojnë

Bisedat frymore ndërtojnë

«Asnjë thënie e kalbur të mos dalë nga goja juaj, por çdo thënie që është e mirë për të ndërtuar sipas nevojës, që t’u japë atë që është e favorshme atyre që e dëgjojnë.»​—EFESIANËVE 4:29.

1, 2. (a) Sa e vlefshme është aftësia e njeriut për të folur? (b) Si dëshirojnë ta përdorin gjuhën shërbëtorët e Jehovait?

«AFTËSIA e njeriut për të folur është një mister; ajo është një dhuratë hyjnore, një mrekulli.» Kështu shkroi leksikografi Lutvig Koler. Ndoshta e marrim si diçka të zakonshme këtë dhuratë të çmuar të Perëndisë. (Jakovit 1:17) Por mendoni se ç’dhuratë e madhe humbet kur hemorragjia cerebrale i rrëmben një individi të dashur aftësinë për të folur qartë. Xhoana, burri i së cilës kohët e fundit pësoi hemorragji cerebrale, shpjegon: «Ne kishim një komunikim të mrekullueshëm që na lidhte shumë. Sa më ka marrë malli për ato biseda!»

2 Bisedat mund të çimentojnë miqësitë, të ndreqin keqkuptimet, të inkurajojnë zemërlëshuarit, të forcojnë besimin dhe të pasurojnë jetën e njerëzve, por këto gjëra nuk arrihen kurrë vetvetiu. Mbreti i mençur Solomon tha: «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim.» (Proverbat [Fjalët e urta] 12:18, BR) Si shërbëtorë të Jehovait duam që bisedat tona të shërojnë e të ndërtojnë, dhe jo të lëndojnë e të rrëzojnë të tjerët. Gjithashtu, dëshirojmë ta përdorim gjuhën për t’i dhënë lavdi Jehovait, si në shërbimin publik edhe në bisedat tona. Psalmisti këndoi: «Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë.»—Psalmi 44:8.

3, 4. (a) Çfarë problemesh hasim për sa u përket fjalëve që themi? (b) Pse kanë rëndësi fjalët që themi?

3 Dishepulli Jakov thotë: «Gjuhën, asnjë njeri nuk mund ta zbutë.» Ai na kujton: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, ky është njeri i përsosur, në gjendje për t’i vënë fre edhe gjithë trupit të vet.» (Jakovit 3:2, 8) Asnjëri prej nesh nuk është i përsosur. Kështu, me gjithë qëllimet më të mira, fjalët tona jo gjithnjë i ndërtojnë të tjerët ose i japin lavdi Krijuesit. Prandaj duhet të mësojmë të kemi kujdes për fjalët që themi. Për më tepër Jezui tha: «Ditën e Gjykimit njerëzit do të japin llogari për të gjitha fjalët e padobishme që thonë; sepse prej fjalëve të tua do të shpallesh i drejtë dhe prej fjalëve të tua do të dënohesh.» (Mateu 12:36, 37) Po, Perëndia i vërtetë na quan përgjegjës për fjalët tona.

4 Një nga mënyrat më të mira për të shmangur fjalët e dëmshme është që ta bëjmë zakon të zhvillojmë biseda frymore. Në këtë artikull do të shqyrtohet si mund ta bëjmë këtë, për çfarë lloj temash mund të flasim dhe çfarë dobish mund të nxjerrim nga bisedat ndërtuese.

T’i kushtojmë vëmendje zemrës

5. Si luan zemra një rol kyç për të nxitur biseda ndërtuese?

5 Në qoftë se duam ta bëjmë zakon të zhvillojmë biseda ndërtuese, së pari duhet të kuptojmë se fjalët tona pasqyrojnë çfarë kemi në zemër. Jezui tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mateu 12:34) E thënë thjesht, na pëlqen të flasim për gjëra që janë të rëndësishme për ne. Atëherë duhet të pyesim veten: ‘Çfarë zbulojnë bisedat e mia për gjendjen e zemrës sime? Kur jam me familjen ose me bashkëbesimtarët, a e përqendroj bisedën te gjërat frymore apo gjithnjë flas për sportet, veshjet, filmat, ushqimin, gjërat që kam blerë kohët e fundit ose për disa vogëlsira?’ Ndoshta pa dashje jeta dhe mendimet tona vërtiten rreth gjërave dytësore. Nëse u japim gjërave përparësinë e duhur, do të përmirësojmë bisedat tona, si edhe jetën tonë.—Filipianëve 1:10.

6. Çfarë roli luan meditimi në bisedat tona?

6 Meditimi me një qëllim të caktuar është një mënyrë tjetër për të përmirësuar cilësinë e asaj që themi. Në qoftë se me vetëdije bëjmë përpjekje për të menduar për gjërat frymore, do të shohim se na vjen natyrshëm të bëjmë biseda frymore. Mbreti David e vuri re këtë lidhje. Ai këndoi: «U bëfshin të këndshme para teje o Jehova, thëniet e gojës sime dhe meditimi i zemrës sime.» (Psalmi 19:14, BR) Po ashtu psalmisti Asaf tha: «Do të meditoj për tërë veprat e tua [të Perëndisë], dhe për mënyrën se si vepron do të mendoj.» (Psalmi 77:12, BR) Nga një zemër dhe një mendje që interesohen thellë për të vërtetat e Fjalës së Perëndisë do të vërshojnë natyrshëm fjalë të denja për lëvdim. Jeremia nuk ndenji dot pa folur rreth gjërave që i kishte mësuar Jehovai. (Jeremia 20:9) Po kështu mund të jetë edhe me ne nëse meditojmë rregullisht për gjërat frymore.—1 Timoteut 4:15.

7, 8. Cilat tema janë të përshtatshme për bisedat ndërtuese?

7 Po të kemi një rutinë të mirë frymore, kjo na siguron shumë tema për biseda ndërtuese. (Filipianëve 3:16) Asambletë, kongreset, mbledhjet e kongregacionit, botimet më të fundit dhe shkrimi i ditës bashkë me komentin na furnizojnë me margaritarë të çmuar frymorë që mund t’i ndajmë me të tjerët. (Mateu 13:52) Po ashtu, sa nxitëse nga ana frymore mund të jenë përvojat që kemi pasur në shërbimin e krishterë!

8 Mbreti Solomon u mahnit nga shumëllojshmëria e madhe e pemëve, kafshëve, zogjve dhe e peshqve që kishte vërejtur në Izrael. (1 Mbretërve 4:33) Ai kënaqej duke biseduar rreth veprave krijuese të Perëndisë. Edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë. Shërbëtorët e Jehovait kënaqen të flasin për një larmi argumentesh, por temat frymore u japin gjithnjë shije bisedave të njerëzve të prirur për gjërat frymore.—1 Korintasve 2:13.

«Këto gjëra vazhdoni të konsideroni»

9. Cilën këshillë u dha Pavli filipianëve?

9 Cilatdo qofshin temat, bisedat tona do të ndërtojnë të tjerët nëse i përmbahen këshillës së apostullit Pavël drejtuar kongregacionit në Filipi. Ai shkroi: «Çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston dhe çdo gjë e denjë për lëvdim që ekziston, këto gjëra vazhdoni të konsideroni.» (Filipianëve 4:8) Gjërat që përmendi Pavli janë kaq të rëndësishme, saqë ai thotë «këto gjëra vazhdoni të konsideroni». Duhet ta mbushim mendjen dhe zemrën me to. Atëherë le të shohim se si po t’i kushtojmë vëmendje secilës prej tetë gjërave të përmendura nga Pavli, kjo mund të na ndihmojë në bisedat tona.

10. Si mund të përfshijmë në bisedat tona gjërat që janë të vërteta?

10 Një gjë që është e vërtetë nënkupton më shumë sesa vetëm një informacion të saktë e jo të rremë. Ajo bën fjalë për diçka që është e drejtë dhe e besueshme, e tillë si e vërteta e Fjalës së Perëndisë. Kështu, kur flasim me të tjerët për të vërtetat biblike që na kanë lënë mbresë, për fjalimet që na kanë inkurajuar ose për këshillat biblike që na kanë ndihmuar, po konsiderojmë gjërat që janë të vërteta. Nga ana tjetër, hedhim poshtë atë «që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’», e cila vetëm sa duket si e vërtetë. (1 Timoteut 6:20) Po ashtu nuk u themi të tjerëve thashethemet që kemi dëgjuar ose nuk tregojmë përvoja të dyshimta që nuk mund të vërtetohen.

11. Cilat gjëra që konsiderohen serioze mund të përfshihen në bisedat tona?

11 Gjërat që konsiderohen serioze janë temat që janë dinjitoze dhe të rëndësishme, dhe jo pa vlerë a të parëndësishme. Ato përfshijnë çështjet lidhur me shërbimin e krishterë, me kohët kritike në të cilat po jetojmë dhe me nevojën për ta mbajtur sjelljen të shkëlqyer. Kur flasim për këto gjëra serioze, forcojmë vendosmërinë për të ndenjur të zgjuar frymësisht, mbajmë integritetin dhe vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë. Po, përvojat interesante në shërbim dhe ngjarjet e tanishme, që na kujtojnë se po jetojmë në ditët e fundit, sigurojnë një larmi idesh për biseda nxitëse.—Veprat 14:27; 2 Timoteut 3:1-5.

12. Çfarë duhet të shmangim duke pasur parasysh këshillën e Pavlit për të konsideruar gjërat që janë të drejta dhe të dëlira?

12 Fjala e drejtë do të thotë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, që përputhet me normat e tij. Një gjë e dëlirë përçon idenë e pastërtisë në mendime dhe në sjellje. Nuk kanë vend në bisedat tona shpifjet, shakatë e pista ose aluzionet për seksin. (Efesianëve 5:3; Kolosianëve 3:8) Kur në vendin e punës ose në shkollë bisedat marrin një drejtim të tillë, të krishterët me mençuri largohen.

13. Jepni shembuj bisedash që vërtiten rreth gjërave që janë të dashura dhe për të cilat flitet mirë.

13 Kur Pavli këshillon që të konsiderojmë gjërat që janë të dashura, e ka fjalën për gjërat që janë të pëlqyeshme e të këndshme ose që nxitin dashuri, të kundërta me gjërat që ngjallin urrejtje, hidhërim ose grindje. Gjërat për të cilat flitet mirë janë informacionet që janë të respektuara ose me famë të mirë. Këto gjëra mund të përfshijnë jetëshkrime të motrave e të vëllezërve besnikë, të cilat dalin rregullisht në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Pse të mos flitni me të tjerët për përshtypjet tuaja pasi të keni lexuar këta artikuj besimforcues? Dhe sa inkurajuese është të dëgjojmë për arritjet frymore të të tjerëve! Këto biseda do të ndërtojnë dashurinë dhe unitetin në kongregacion.

14. (a) Çfarë kërkohet nga ne që të shfaqim virtytin? (b) Si mund të përfshijmë në fjalët tona gjëra të denja për lëvdim?

14 Pavli thotë që të konsiderojmë «çdo virtyt që ekziston». Virtyti është mirësi ose shkëlqim moral. Duhet të jemi të kujdesshëm që fjalët që themi të udhëhiqen nga parimet biblike dhe të mos shmangen nga ajo që është e drejtë, e dëlirë dhe e virtytshme. E denjë për lëvdim do të thotë «e lavdërueshme». Në rast se dëgjoni një fjalim të mirë ose vini re një shembull besnik në kongregacion, flitni për këtë me individin e përfshirë dhe me të tjerët. Apostulli Pavël shpesh i lëvdoi cilësitë e shkëlqyera të bashkadhuruesve të tij. (Romakëve 16:12; Filipianëve 2:19-22; Filemonit 4-7) E patjetër edhe gjërat e krijuara nga Krijuesi ynë janë vërtet të denja për lëvdim. Në to gjejmë një bollëk temash për biseda ndërtuese.—Fjalët e urta 6:6-8; 20:12; 26:2.

Të bëjmë biseda ndërtuese

15. Cili urdhër biblik u vë detyrë prindërve që të bëjnë biseda domethënëse me fëmijët?

15 Te Ligji i përtërirë 6:6, 7 thuhet: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» Qartë, ky urdhër kërkon që prindërit të bëjnë biseda frymore dhe domethënëse me fëmijët.

16, 17. Çfarë mund të mësojnë prindërit e krishterë nga shembujt e Jehovait e të Abrahamit?

16 Mund të përfytyrojmë se sa biseda të gjata duhet të ketë bërë Jezui me Atin e vet qiellor kur flitnin për caktimin e Jezuit në tokë. «Ati që më dërgoi më ka dhënë një urdhërim se çfarë të them e çfarë të flas»,—u tha Jezui dishepujve. (Gjoni 12:49; Ligji i përtërirë 18:18) Patriarku Abraham duhet të ketë kaluar shumë orë duke folur me të birin, Isakun, se si Jehovai i kishte bekuar ata dhe paraardhësit e tyre. Sigurisht këto biseda e ndihmuan si Jezuin ashtu edhe Isakun që t’i nënshtroheshin përulësisht vullnetit të Perëndisë.—Zanafilla 22:7-9; Mateu 26:39.

17 Edhe fëmijët tanë kanë nevojë për biseda ndërtuese. Prindërit duhet të gjejnë kohë në programin e tyre të ngjeshur që të flasin me fëmijët. Në qoftë se është e mundur, pse të mos marrin masa që të hanë së bashku si familje të paktën një herë në ditë? Gjatë dhe pas këtyre vakteve do të kenë mundësi për biseda ndërtuese që mund të jenë shumë të vlefshme për shëndetin frymor të familjes.

18. Tregoni një përvojë që ilustron dobitë e komunikimit të mirë mes prindërve dhe fëmijëve.

18 Alehandri, një pionier që i ka kaluar të njëzetat, kujton dyshimet që kishte kur ishte 14 vjeç. Ai thotë: «Nga ndikimi i shokëve të shkollës dhe i mësuesve nuk isha i sigurt për ekzistencën e Perëndisë dhe për vërtetësinë e Biblës. Prindërit kaluan shumë orë, duke arsyetuar me durim me mua. Këto biseda më ndihmuan jo vetëm t’i largoja dyshimet gjatë kësaj periudhe të vështirë, por edhe të merrja vendime të suksesshme në jetë.» Si ndihet ai tani? Alehandri thotë: «Jetoj ende me prindërit. Por ngaqë kemi një program të ngjeshur unë dhe babai e kemi të vështirë të flasim vetëm për vetëm. Kështu, një herë në javë të dy hamë bashkë te vendi i tij i punës. I çmoj shumë këto biseda.»

19. Pse kemi të gjithë nevojë për biseda frymore?

19 A janë edhe për ne një thesar mundësitë për të bërë biseda frymore shpërblyese me bashkëbesimtarët tanë? Këto mundësi krijohen në mbledhje, kur jemi në shërbimin në fushë, kur mblidhemi bashkë për t’u zbavitur dhe kur udhëtojmë. Pavli priste me padurim të fliste me të krishterët në Romë. Ai u shkroi atyre: «Po digjem nga dëshira për t’ju parë . . . që të ketë një shkëmbim inkurajimi mes jush, secili me anë të besimit të tjetrit, si tuajit dhe timit.» (Romakëve 1:11, 12) Johanesi, një plak i krishterë, thotë: «Bisedat frymore me të bashkëkrishterët plotësojnë një nevojë jetësore. Ato të ngrohin zemrën dhe e lehtësojnë barrën e çdo dite. Shpesh i pyes të moshuarit që të më flasin për jetën e tyre dhe se çfarë i ka ndihmuar të qëndrojnë besnikë. Gjatë viteve kam folur me shumë prej tyre dhe secili më ka dhënë mençuri dhe kuptueshmëri që ma kanë pasuruar jetën.»

20. Çfarë mund të bëjmë nëse ndeshim dikë që është i ndrojtur?

20 Çfarë duhet të bëni kur dikush duket se nuk reagon kur i flitni për një temë frymore? Mos u dorëzoni. Ndoshta mund të gjeni një kohë më të volitshme më vonë. Solomoni tha: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.» (Fjalët e urta 25:11) Përpiquni t’i kuptoni ata që janë të ndrojtur. «Këshilla në zemër të njeriut është si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese është ai që do ta nxjerrë atë.» * (Proverbat 20:5, BR) Para së gjithash, kurrë mos lejoni që qëndrimi i të tjerëve t’ju frenojë për të mos folur rreth gjërave që ju prekin zemrën.

Bisedat frymore janë shpërblyese

21, 22. Çfarë dobish vijnë nga pjesëmarrja në bisedat frymore?

21 Apostulli Pavël këshilloi: «Asnjë thënie e kalbur të mos dalë nga goja juaj, por çdo thënie që është e mirë për të ndërtuar sipas nevojës, që t’u japë atë që është e favorshme atyre që e dëgjojnë.» (Efesianëve 4:29; Romakëve 10:10) Mund të duhen përpjekje për t’i drejtuar bisedat në drejtimin e duhur, por shpërblimet janë të shumta. Nëpërmjet bisedave frymore kemi mundësi të flasim për besimin tonë me të tjerët dhe të ndërtojmë vëllezërit.

22 Atëherë, le ta përdorim aftësinë për të folur që të inkurajojmë të tjerët dhe të lëvdojmë Perëndinë. Këto biseda do të jenë burim kënaqësie për ne dhe burim inkurajimi për të tjerët. Ç’është më kryesorja, do t’ia gëzojnë zemrën Jehovait, sepse ai u kushton vëmendje bisedave tona dhe gëzohet kur e përdorim gjuhën në mënyrën e duhur. (Psalmi 139:4; Fjalët e urta 27:11) Kur bisedat tona janë frymore, mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do të na harrojë. Bibla thotë për ata që i shërbejnë Jehovait në ditët e sotme: «Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti [Jehovai, BR] i folën njëri tjetrit. Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.» (Malakia 3:16; 4:5) Sa e rëndësishme është që bisedat tona të jenë ndërtuese nga ana frymore!

[Shënimi]

^ par. 20 Disa puse në Izrael ishin shumë të thella. Në Gibeon arkeologët kanë zbuluar një sternë 25 metra të thellë. Ajo ka shkallë, nëpërmjet së cilës njerëzit mund të zbritnin në fund për të marrë ujë.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë zbulojnë bisedat tona për ne?

• Për cilat gjëra ndërtuese mund të flasim?

• Çfarë roli të rëndësishëm luajnë bisedat në familje dhe në kongregacionin e krishterë?

• Çfarë dobish sjellin bisedat ndërtuese?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 12]

Bisedat ndërtuese përqendrohen në . . .

«çdo gjë që është e vërtetë»

«çdo gjë që konsiderohet serioze»

‘çdo gjë të denjë për lëvdim që ekziston’

«çdo gjë për të cilën flitet mirë»

[Burimet]

Kapaku i videokasetës, Stalini: Fotografi e ushtrisë së SHBA-së; Kapaku i librit Krijuesi, Mjegullnaja e shqiponjës: J. Hester dhe P. Scowen (AZ State Univ.), NASA

[Figura në faqen 13]

Koha e ngrënies krijon mundësi të shkëlqyera për të bërë biseda frymore