Kur premtimet të plotësohen me siguri!
Kur premtimet të plotësohen me siguri!
HISTORIA është plot me premtime që shkelen. Shtetet shpesh nuk kanë arritur të mbajnë paktet e mossulmimit, që janë nënshkruar me solemnitet, e kështu i kanë çuar popujt e tyre në luftëra të tmerrshme. Një herë Napoleoni vërejti: «Qeveritë i mbajnë premtimet vetëm kur janë të detyruara ose kur kjo do të dalë në dobi të tyre.»
Ç’të themi për premtimet që bëjnë njerëzit? Sa zhgënjehesh kur një njeri nuk e mban fjalën! Sidomos kjo ndjenjë lind kur ky njeri është dikush që e njeh dhe i beson. Sigurisht ndodh që njerëzit ose nuk janë në gjendje, ose nuk dëshirojnë t’i plotësojnë premtimet e tyre.
Sa shumë ndryshim ka midis premtimeve njerëzore dhe atyre hyjnore! Premtimet e Perëndisë janë plotësisht të sigurta dhe të besueshme. Çdo premtim i bërë nga Perëndia Jehova është një garanci. Është e sigurt që do të plotësohet. Në lidhje me fjalën e Perëndisë, e cila nuk dështon, Isaia 55:11 thotë: «Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»
Atëherë, si duhet t’i shohim premtimet e Perëndisë, që janë dokumentuar në Bibël? Patjetër që mund të kemi besim tek ato. Për shembull, apostulli Gjon shkroi: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:3, 4) Ju mund t’i gëzoni këto bekime, po të veproni sipas fjalëve të Jezuit: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.