Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Martin Luteri dhe trashëgimia e tij

Martin Luteri dhe trashëgimia e tij

Martin Luteri dhe trashëgimia e tij

«THUHET se janë shkruar më shumë libra [për Martin Luterin] se për askënd tjetër në histori, përveç vetë mësuesit të tij, Jezu Krishtit.» Kështu pohoi revista Time. Fjalët dhe veprat e Luterit ndihmuan për fillimin e Reformës, një lëvizje fetare, e përshkruar si «revolucioni më domethënës në historinë e njerëzimit». Në këtë mënyrë ai ndihmoi për të ndryshuar skenën fetare të Evropës dhe për t’u dhënë fund kohëve mesjetare në këtë kontinent. Gjithashtu Luteri hodhi bazën për njësimin e gjuhës gjermane të shkruar. Përkthimi i tij i Biblës mbetet pa dyshim më popullori në gjuhën gjermane.

Ç’njeri ishte Martin Luteri? Si arriti të kishte një ndikim të tillë në çështjet evropiane?

Luteri bëhet studiues

Martin Luteri lindi në Ajsleben të Gjermanisë, në nëntor të vitit 1483. Ndonëse punonte në një minierë bakri, i ati arriti të fitonte aq sa t’i siguronte Martinit një arsimim të mirë. Në vitin 1501 Martini u bë student i Universitetit të Erfurtit. Në bibliotekën e universitetit ai lexoi për herë të parë Biblën. «Libri më pëlqeu tej mase»,—tha ai,—dhe shpresoja të isha i denjë që një ditë të kisha një libër të tillë.»

Në moshën 22-vjeçare Luteri hyri në manastirin e Agustinit në Erfurt. Më vonë ndoqi Universitetin e Vitenbergut, dhe fitoi gradën e doktorit në teologji. Luteri e shihte veten të padenjë për miratimin e Perëndisë dhe shpeshherë dëshpërohej shumë për shkak të ndërgjegjes fajtore. Por studimi i Biblës, lutja dhe meditimi e ndihmuan të fitonte një kuptueshmëri më të mirë se si i sheh Perëndia mëkatarët. Luteri e kuptoi se miratimi i Perëndisë nuk mund të fitohet, përkundrazi, nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar u jepet atyre që ushtrojnë besim.—Romakëve 1:16; 3:23, 24, 28.

Si arriti Luteri në përfundimin se kjo kuptueshmëri e re ishte e drejtë? Kurt Alandi, profesor i historisë së kishës së hershme dhe i kërkimeve për tekstin e Dhiatës së Re, shkroi: «Ai meditoi për tërë Biblën, që të përcaktonte nëse kjo njohuri e sapogjetur mund të qëndronte si e vërtetë edhe pas krahasimeve me thëniet e tjera të Biblës. Dhe në të vërtetë vuri re se ajo mbështetej nga të gjitha.» Doktrina e shfajësimit ose e shpëtimit, nëpërmjet besimit dhe jo me anë të veprave ose të ritit të pendesës, mbeti shtylla qendrore e mësimeve të Luterit.

I indinjuar nga indulgjencat

Kuptueshmëria e Luterit se si i sheh Perëndia mëkatarët e vuri atë në konflikt me kishën katolike. Atëherë besohej gjerësisht se pas vdekjes mëkatarët pësonin një ndëshkim për një periudhë kohe. Megjithatë thuhej se kjo periudhë mund të shkurtohej nëpërmjet indulgjencave, ose faljeve të mëkateve, dhënë me autoritetin e papës në këmbim të parave. Tregtarë si Johan Teceli, i cili veproi si përfaqësues i kryepeshkopit Albert të Majncit, bënë tregti fitimprurëse duke u shitur njerëzve të thjeshtë indulgjencat. Shumë njerëz i shihnin indulgjencat si një lloj garancie për mëkatet e ardhshme.

Luteri ishte i indinjuar për shitjen e indulgjencave. Ai e dinte se njerëzit nuk mund të bëjnë pazar me Perëndinë. Në vjeshtën e vitit 1517 shkroi 95 tezat e tij të famshme, duke e akuzuar kishën për mashtrim financiar, doktrinal dhe fetar. Duke dashur të nxiste një reformë, dhe jo një revoltë, Luteri u dërgoi kopje të tezave kryepeshkopit Albert të Majncit dhe disa studiuesve. Shumë historianë e mbajnë vitin 1517 ose periudhën rreth asaj kohe si fillimin e Reformës.

Luteri nuk ishte i vetmi që shprehu pakënaqësinë e tij kundër keqbërjeve të kishës. Njëqind vjet më parë reformatori fetar çek Jan Husi kishte dënuar shitjen e indulgjencave. Edhe përpara Husit, Xhon Uajklifi nga Anglia kishte treguar se disa tradita që përkrahte kisha katolike nuk bazoheshin në Bibël. Bashkëkohësit e Luterit, Erazmi i Roterdamit dhe Tindali në Angli, i dhanë nxitje Reformës. Por falë shpikjes së makinës së shtypit me shkronja të lëvizshme nga Johanes Gutenbergu, zëri i Luterit u ndie dhe u përhap më shumë se zëri i reformatorëve të tjerë.

Makina e shtypit e Gutenbergut ishte vënë në punë që prej vitit 1455 në Majnc. Në fillim të shekullit të 16-të kishte makina shtypi në 60 qytete gjermane dhe në 12 vende të tjera evropiane. Për herë të parë në histori njerëzit mund të informoheshin me shpejtësi për gjërat që u interesonin. Ndoshta pa miratimin e Luterit, 95 tezat e tij u shtypën dhe u shpërndanë. Çështja e reformës së kishës nuk ishte më çështje lokale. Ajo u bë një polemikë që u përhap gjerësisht dhe Martin Luteri u bë menjëherë njeriu më i famshëm në Gjermani.

«Dielli me hënën» reagojnë

Prej shekujsh Evropa kishte qenë nën autoritetin e dy institucioneve të fuqishme: të Perandorisë së Shenjtë Romake dhe të Kishës Katolike. «Perandori dhe papa ishin të lidhur me njëri-tjetrin si dielli me hënën»,—shpjegon Hans Lilje, ish-president i Federatës Botërore Luterane. Megjithatë kishte një paqartësi të madhe se kush ishte dielli dhe kush ishte hëna. Në fillim të shekullit të 16-të të dyja institucionet nuk ishin më në kulmin e pushtetit. Në horizont po shfaqej një valë ndryshimesh.

Papa Leoni X reagoi ndaj 95 tezave, duke e kërcënuar Luterin se do ta shkishëronte në qoftë se nuk do të tërhiqej. Me mospërfillje Luteri e dogji publikisht dekretin papnor që përmbante kërcënimin dhe botoi vepra të tjera që i nxitnin principatat të reformonin kishën edhe pa pëlqimin e papës. Në vitin 1521 papa Leoni X e shkishëroi Luterin. Kur Luteri kundërshtoi se ishte dënuar pa një proces të drejtë, perandori Karli V e thirri reformatorin të paraqitej përpara dietës ose asamblesë perandorake në Vorms. Udhëtimi 15-ditor i Luterit nga Vitenbergu në Vorms, në prill të vitit 1521, ishte si një procesion triumfues. Ai kishte mbështetjen e popullit dhe njerëzit anembanë donin ta shihnin.

Në Vorms Luteri qëndroi përpara perandorit, princave dhe nuncios papnore ose përfaqësuesve të papës. Jan Husi kishte përballuar një proces të ngjashëm në Kostancë në vitin 1415 dhe e kishin djegur në shtyllë. Para syve të zyrtarëve të kishës e të perandorisë, të cilët e shikonin ngultasi, Luteri nuk pranoi të tërhiqej në qoftë se kundërshtarët nuk do t’ia provonin me anë të Biblës se e kishte gabim. Por askush nuk mundi të krahasohej me kujtesën e tij për Shkrimet. Dokumenti i quajtur Dekreti i Vormsit shpalli vendimin e procesit. Ai e deklaroi Luterin të jashtëligjshëm dhe i ndaloi veprat e shkruara prej tij. I shkishëruar nga papa dhe i shpallur i jashtëligjshëm nga perandori, tani jeta e tij ishte në rrezik.

Më pas ndodhën një varg ngjarjesh dramatike dhe të papritura. Gjatë udhëtimit të kthimit për në Vitenberg, Luteri u bë viktimë e një rrëmbimi të shtirë, të organizuar nga njeriu mirëdashës, Frederiku i Saksonisë. Kjo i dha mundësi Luterit që të mos kapej nga armiqtë e tij. Luterin e futën fshehurazi në kështjellën e veçuar të Vartburgut. Atje rriti mjekrën dhe mori një identitet të ri, atë të një kalorësi të quajtur Junker Jërg.

Bibla e Shtatorit kërkohet shumë

Për dhjetë muajt vijues Luteri jetoi në kështjellën e Vartburgut si ikanak qoftë prej perandorit, qoftë prej papës. Në librin Welterbe Wartburg (Trashëgimia botërore e Vartburgut) shpjegohet se «periudha në Vartburg ishte ndër periudhat më frytdhënëse dhe krijuese të jetës së tij». Aty u përfundua një prej arritjeve më të mëdha të tij, përkthimi në gjuhën gjermane i tekstit të Erazmit i Shkrimeve Greke. Kjo vepër, e botuar në shtator të vitit 1522, pa e identifikuar Luterin si përkthyesin e saj, u bë e njohur si Bibla e Shtatorit. Çmimi i saj ishte 1 gulden e gjysmë, i barasvlefshëm me pagën vjetore të një shërbyeseje shtëpiake. Sidoqoftë kërkesat për Biblën e Shtatorit ishin shumë të larta. Brenda 12 muajve u shtypën 6.000 kopje në dy botime. Kurse gjatë 12 viteve pasuese dolën të paktën edhe 69 botime të tjera.

Në vitin 1525 Martin Luteri u martua me Katarina fon Borën, një ish-murgeshë. Katarina ishte e aftë për të drejtuar çështjet e familjes dhe për t’u bërë ballë nevojave që krijoheshin nga bujaria e të shoqit. Në familjen e Luterit bënin pjesë jo vetëm gruaja e gjashtë fëmijët, por edhe miq, studiues dhe refugjatë. Në vitet e vonshme të jetës së tij, Luteri gëzonte një prestigj aq të madh si këshilltar, saqë studiuesit që ishin mysafirë në shtëpinë e tij u armatosën me letër dhe penë për të shkruar thëniet e tij. Këto shënime u mblodhën në një përmbledhje me titull Luthers Tischreden (Bisedat e Luterit). Për njëfarë kohe kjo përmbledhje, e cila doli në qarkullim në gjuhën gjermane, zuri vendin e dytë pas Biblës.

Përkthyes i talentuar dhe shkrimtar frytdhënës

Në vitin 1534 Luteri e kishte mbaruar përkthimin e Shkrimeve Hebraike. Ai kishte aftësinë të drejtpeshonte stilin, ritmin dhe fjalorin. Rezultati ishte një Bibël që e kuptonin njerëzit e zakonshëm. Duke komentuar për metodën e tij të përkthimit, Luteri shkroi: «Duhet të bisedojmë me nënat në shtëpi, me fëmijët në rrugë e me njerëzit e thjeshtë në treg, dhe pastaj të vërejmë se si flasin e të përkthejmë sipas kësaj.» Bibla e Luterit ndihmoi të hidhej baza për një gjuhë të shkruar të njësuar, e cila u pranua anembanë Gjermanisë.

Talenti i Luterit si përkthyes ndërthurej me aftësinë e tij si shkrimtar. Thuhet se ka shkruar një traktat çdo dy javë gjatë gjithë periudhës krijuese të jetës së tij. Disa prej këtyre ishin po kaq debatuese sa edhe autori. Nëse shkrimet e tij të hershme ishin me një ton të ashpër, mosha nuk bëri asgjë për ta zbutur. Esetë e tij të mëvonshme u bënë gjithnjë e më të ashpra. Sipas një fjalori Lexikon für Theologie und Kirche, veprat e Luterit tregojnë «një zemërim të tepruar», «mungesë përulësie e dashurie», si edhe «një ndjenjë misioni tepër të zhvilluar».

Kur shpërtheu Lufta Fshatare dhe principatat u lanë në gjak, Luterit i kërkuan të shprehte mendimin e tij për kryengritjen. A kishin të drejtë të ankoheshin fshatarët ndaj zotërinjve të tyre feudalë? Luteri nuk u përpoq të siguronte mbështetjen e popullit, duke dhënë një përgjigje që do t’i pëlqente shumicës. Ai besonte se shërbëtorët e Perëndisë duhej t’u bindeshin atyre në pushtet. (Romakëve 13:1) Luteri tha troç se revolta duhej shtypur me forcë. «Kushdo që mundet le të shpojë, të godasë e të vrasë»,—tha ai. Hans Lilje tha se kjo përgjigje i kushtoi Luterit «popullaritetin e pashoq të deritanishëm që kishte». Për më tepër, esetë e mëvonshme të Luterit për ata judenj që nuk pranuan të bëheshin të krishterë, sidomos eseja Von den Juden und ihren Lügen (Për judenjtë dhe gënjeshtrat e tyre), ka bërë që shumë veta ta damkosin autorin si antisemitik.

Trashëgimia e Luterit

Reforma, e nxitur nga njerëz si Luteri, Kalvini dhe Cvingli, çoi në formimin e një rryme të re fetare, të quajtur protestantizëm. Trashëgimia kryesore e Luterit për protestantizmin ishte mësimi i tij qendror, pra shfajësimi nëpërmjet besimit. Secila principatë gjermane u rreshtua ose me besimin protestant, ose me besimin katolik. Protestantizmi u përhap dhe fitoi mbështetjen e popullit në vendet e Skandinavisë, në Zvicër, Angli dhe në Holandë. Sot ai ka qindra milionë përkrahës.

Megjithatë, shumë njerëz që nuk i pranojnë të gjitha bindjet e Luterit kanë konsideratë të lartë për të. Ish-Republika Demokratike Gjermane, që përfshinte brenda kufijve të saj Ajslebenin, Erfurtin, Vitenbergun dhe Vartburgun, në vitin 1983 kremtoi 500 vjetorin e lindjes së Luterit. Ky shtet socialist e njihte atë si një figurë të shquar në historinë dhe kulturën gjermane. Për më tepër, një teolog katolik i viteve 80 të shekullit të 20-të e përmblodhi ndikimin e Luterit me këto fjalë: «Askush që erdhi pas Luterit nuk mundi të krahasohej me të.» Profesor Alandi shkroi: «Çdo vit dalin të paktën 500 botime të reja për Martin Luterin dhe për Reformën. Këto botime janë pothuajse në të gjitha gjuhët kryesore të botës.»

Martin Luteri kishte intelekt të mprehtë, kujtesë të jashtëzakonshme, ishte ekspert fjalësh dhe punëtor i zellshëm. Ai ishte edhe i paduruar e përbuzës dhe reagonte me zjarr ndaj gjithçkaje që e quante hipokrizi. Kur dergjej në shtratin e vdekjes në Ajsleben, në shkurt të vitit 1546, miqtë e pyetën Luterin nëse kishte qëndruar i patundur ndaj bindjeve që u kishte mësuar të tjerëve. «Po»,—u përgjigj ai. Luteri vdiq, por shumë njerëz u përmbahen ende këtyre bindjeve.

[Figura në faqen 27]

Luteri kundërshtoi shitjen e indulgjencave

[Burimi]

Mit freundlicher Genehmigung: Wartburg-Stiftung

[Figura në faqen 28]

Luteri nuk pranoi të tërhiqej në rast se kundërshtarët nuk do të tregonin me anë të Biblës se e kishte gabim

[Burimi]

Nga libri The Story of Liberty [Historia e lirisë], 1878

[Figurat në faqen 29]

Dhoma e Luterit në kështjellën e Vartburgut ku ai përktheu Biblën

[Burimi]

Që të dyja pamjet: Mit freundlicher Genehmigung: Wartburg-Stiftung

[Burimi i figurës në faqen 26]

Nga libri Martin Luther The Reformer, botimi i 3-të, botuar nga Toronto Willard Tract Depository, Toronto, Ontario

[Burimi i figurës në faqen 30]

Nga libri The History of Protestantism (Vol. I)