Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpara dhe pas: Si e ndryshoi Bibla këtë njeri

Përpara dhe pas: Si e ndryshoi Bibla këtë njeri

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»

Përpara dhe pas: Si e ndryshoi Bibla këtë njeri

MUZIKA ishte gjëja më e rëndësishme në jetë për Rolf-Majkëllin. Ai e kishte fiksim drogën. Gjatë rinisë së tij në Gjermani, pinte shumë alkool dhe merrte pa masë LSD, kokainë, hashash dhe substanca të tjera që ndikojnë në gjendjen mendore.

Ndërsa po përpiqej të fuste fshehurazi drogë në një vend afrikan, Rolf-Majkëlli u arrestua dhe bëri 13 muaj burgim. Gjatë kësaj periudhe në burg pati kohë për të menduar se cili ishte në të vërtetë qëllimi i jetës.

Rolf-Majkëlli bashkë me të shoqen, Ursulën, kërkuan me ngulm që të gjenin një qëllim në jetë dhe që të njihnin të vërtetën. Megjithëse kishin pasur përvoja negative me të ashtuquajturat kisha të krishtere, kishin një dëshirë të madhe të njihnin Perëndinë. Ata kishin pyetje, por nuk morën përgjigje të kënaqshme nga grupet e ndryshme fetare. Për më tepër, këto fe nuk u dhanë motive të fuqishme që të ndryshonin jetën e tyre.

Së fundi Rolf-Majkëlli dhe Ursula u lidhën me Dëshmitarët e Jehovait. Pasi filloi të studionte Biblën, Rolf-Majkëlli u prek thellë nga këshilla: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:8) Ai ishte i vendosur ‘të flakte tej personalitetin e vjetër që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes së tij dhe të vishte personalitetin e ri, të krijuar sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’.—Efesianëve 4:22-24.

Si mund ta vishte Rolf-Majkëlli personalitetin e ri? Atij i treguan nga Bibla se «nëpërmjet njohurisë së saktë» personaliteti i një individi mund ‘të rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi’, domethënë Perëndisë Jehova.—Kolosianëve 3:9-11.

Ndërsa vazhdonte të merrte njohuri të saktë, Rolf-Majkëlli përpiqej ta përshtaste jetën me parimet e Fjalës së Perëndisë. (Gjoni 17:3) Ishte e vështirë të çlirohej nga droga, por Rolf-Majkëlli pa sa e vlefshme ishte t’i afrohej Jehovait në lutje dhe të përjetonte ndihmën e tij. (1 Gjoni 5:14, 15) E ndihmoi edhe shoqëria e ngushtë me Dëshmitarët e Jehovait, të cilët përpiqeshin shumë për të bërë vullnetin e Perëndisë.

Gjithashtu Rolf-Majkëllin e ndihmoi dijenia se bota po kalon dhe ata që bëjnë vullnetin e Perëndisë do të mbeten përgjithmonë. Kjo i dha mundësi atij të zgjidhte jo dashurinë e përkohshme për botën, por bekimin e përhershëm të një marrëdhënieje të ngushtë me Perëndinë e dashur, Jehovain. (1 Gjonit 2:15-17) Rolf-Majkëllin e prekën thellë fjalët që gjenden te Fjalët e urta 27:11: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» Ai thotë me çmueshmëri: «Ky varg tregon thellësinë e dashurisë së Jehovait, sepse Ai u jep mundësi njerëzve që ta gëzojnë zemrën e tij.»

Ashtu si Rolf-Majkëlli, gruaja dhe tri fëmijët e tyre, qindra mijë njerëz kanë nxjerrë dobi duke ndjekur parimet biblike. Këta individë mund të gjenden në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës. Mjerisht në disa vende Dëshmitarët akuzohen padrejtësisht se janë një sekt i rrezikshëm që prish familjet. Përvoja e Rolf-Majkëllit tregon se kjo nuk është e vërtetë.—Hebrenjve 4:12.

Rolf-Majkëlli thotë se Mateu 6:33, i cili na këshillon t’u japim përparësi gjërave frymore, për familjen e tij është «busulla» që u tregon drejtimin e duhur. Ai dhe familja e tij i janë thellësisht mirënjohës Jehovait që gëzojnë një jetë të lumtur familjare si të krishterë. Ata ndihen si psalmisti që këndoi: «Ç’do t’i jap Zotit [Jehovait, BR] në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?»—Psalmi 116:12.

[Diçitura në faqen 9]

Perëndia u jep mundësi njerëzve që ta gëzojnë zemrën e tij

[Kutia në faqen 9]

Parimet biblike në veprim

Më poshtë jepen disa parime biblike që i kanë motivuar shumë veta të braktisin veset vdekjeprurëse:

«Ju që e doni Zotin urreni të keqen!» (Psalmi 97:10) Një individ, pasi bindet se zakonet vdekjeprurëse janë të këqija dhe pasi zhvillon urrejtje me gjithë zemër për to, e ka më të lehtë të bëjë atë që i pëlqen Perëndisë.

«Kush ecën me të mençurit do të bëhet i mençur, por atij që ka lidhje me budallenjtë do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20, BR) Për t’i thënë jo drogës dhe substancave të tjera që shkaktojnë varësi, një individ duhet ta zgjedhë me kujdes shoqërinë. Do të ketë dobi nëse ai kultivon miqësi me të krishterë që do ta mbështetin vendimin e tij kundër këtyre veseve.

«Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Një paqe e tillë në mendje dhe në zemër nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Dhe duke u mbështetur në këtë mënyrë te Perëndia me anë të lutjes, kjo e ndihmon një individ të përballojë problemet e jetës pa iu drejtuar drogës.