Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet të lutemi pa pushim?

Pse duhet të lutemi pa pushim?

Pse duhet të lutemi pa pushim?

«Lutuni pa pushim. Jepni falënderime për çdo gjë.»​—1 Selanikasve 5:17, 18.

1, 2. Si e tregoi Danieli se e çmonte privilegjin e lutjes dhe çfarë ndikimi pati kjo në marrëdhënien e tij me Perëndinë?

PROFETI Daniel e kishte zakon t’i lutej Perëndisë tri herë në ditë. Ai binte në gjunjë në dritaren e dhomës së tij në tarracë, e cila ishte në drejtim të qytetit të Jerusalemit, dhe lutej. (1 Mbretërve 8:46-49; Danieli 6:10) Edhe kur një dekret i mbretit ndaloi të bëheshin lutje, me përjashtim të lutjeve drejtuar Darit, mbretit të Medisë, Danieli nuk u lëkund për asnjë çast. E rrezikonte ose jo jetën, ky njeri i lutjeve i përgjërohej pa pushim Jehovait.

2 Si e shihte Jehovai Danielin? Kur engjëlli Gabriel erdhi për t’iu përgjigjur njërës prej lutjeve të Danielit, ai e përshkroi profetin si ‘shumë të dëshirueshëm’ ose ‘tejet të dashur’. (Danieli 9:20-23, BR; DSF) Në profecinë e Ezekielit, Jehovai e quan Danielin njeri të drejtë. (Ezekieli 14:14, 20) Gjatë viteve, lutjet e Danielit me sa duket sollën si rezultat një lidhje të ngushtë me Perëndinë e tij, një fakt që e pranoi edhe Dari.—Danieli 6:16.

3. Si mund të na ndihmojë lutja të mbajmë integritetin, siç tregohet nga përvoja e një misionari?

3 Lutjet e rregullta mund të na ndihmojnë gjithashtu që të përballojmë sprovat e ashpra. Për shembull, të shqyrtojmë rastin e vëllait Harold King, një misionar në Kinë, i cili u dënua me pesë vjet izolim. Vëllai King tha në lidhje me përvojën e tij: «Mund të më izolonin nga shokët, por askush nuk mund të më izolonte nga Perëndia. . . . Kështu, nën vështrimin e kujtdo që mund të kalonte pranë qelisë sime, bija në gjunjë tri herë në ditë dhe lutesha me zë të lartë duke kujtuar Danielin për të cilin flitet në Bibël. . . . Ishte e dukshme se në këto raste fryma e Perëndisë ma drejtonte mendjen te gjërat më me vlerë dhe më qetësonte. Çfarë force frymore dhe ngushëllimi që më jepte lutja!»

4. Çfarë pyetjesh rreth lutjes do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Bibla thotë: «Lutuni pa pushim. Jepni falënderime për çdo gjë.» (1 Selanikasve 5:17, 18) Duke pasur parasysh këtë këshillë, le të shqyrtojmë pyetjet vijuese: Pse duhet t’u kushtojmë vëmendje lutjeve tona? Çfarë arsyesh kemi për t’iu lutur vazhdimisht Jehovait? Dhe çfarë duhet të bëjmë nëse ndihemi të padenjë t’i lutemi Perëndisë për shkak të të metave tona?

Të ndërtojmë miqësinë nëpërmjet lutjes

5. Çfarë miqësie të pashoqe na ndihmon që të gëzojmë lutja?

5 A do të doje që Jehovai të të shihte si mikun e tij? Kështu e quajti ai patriarkun Abraham. (Isaia 41:8; Jakovit 2:23) Jehovai do që të zhvillojmë një marrëdhënie të tillë me të. Në të vërtetë ai na fton t’i afrohemi. (Jakovit 4:8) A nuk duhet të na bëjë kjo ftesë që të meditojmë për masën e pashoqe të lutjes? Sa e vështirë është të marrim takim për të folur me një qeveritar të rëndësishëm, jo më të bëhemi miq të tij! Por, Krijuesi i universit na inkurajon t’i afrohemi lirisht me anë të lutjes, kurdo që të duam ose të kemi nevojë. (Psalmi 37:5) Lutjet tona pa pushim na ndihmojnë të kemi një miqësi të ngushtë me Jehovain.

6. Çfarë na mëson shembulli i Jezuit për nevojën që ‘të lutemi vazhdimisht’?

6 Megjithatë, me sa lehtësi mund ta lëmë pas dore lutjen! Vetëm përballimi i presioneve të jetës së përditshme mund të na e rrëmbejë kaq shumë vëmendjen, saqë nuk bëjmë një përpjekje për të folur me Perëndinë. Jezui i inkurajoi dishepujt e tij që ‘të luteshin vazhdimisht’ dhe ai vetë e bëri këtë. (Mateu 26:41) Edhe pse ishte gjithnjë i zënë nga mëngjesi në mbrëmje, ai la kohë për të folur me Atin e tij qiellor. Disa herë Jezui ngrihej «në të gdhirë, ende pa zbardhur», që të lutej. (Marku 1:35) Në raste të tjera ai largohej në fund të ditës në një vend të veçuar që të fliste me Jehovain. (Mateu 14:23) Jezui linte gjithnjë kohë mënjanë për t’u lutur, e po kështu duhet të bëjmë edhe ne.—1 Pjetrit 2:21.

7. Cilat rrethana duhet të na nxitin të flasim çdo ditë me Atin tonë qiellor?

7 Çdo ditë ka mjaft çaste të përshtatshme për t’u lutur vetëm, ndërsa përballojmë probleme, hasim tundime dhe marrim vendime. (Efesianëve 6:18) Kur kërkojmë udhëheqjen e Perëndisë për çdo gjë në jetë, miqësia jonë me të me siguri do të forcohet. A nuk bëhet më e fortë lidhja e miqësisë mes dy miqve, nëse i përballojnë problemet bashkë? (Fjalët e urta [Proverbat] 17:17) Po kështu është kur mbështetemi te Jehovai dhe përjetojmë ndihmën e tij.—2 Kronikave 14:11.

8. Çfarë mësojmë rreth faktit se sa të gjata duhet të jenë lutjet tona personale nga shembujt e Nehemisë, të Jezuit dhe të Hanës?

8 Sa të lumtur jemi që Perëndia nuk na cakton kufij se sa gjatë ose sa shpesh mund të flasim me të në lutje! Nehemia u lut menjëherë në heshtje përpara se t’i bënte një kërkesë mbretit të Persisë. (Nehemia 2:4, 5) Edhe Jezui bëri një lutje të shkurtër kur i kërkoi Jehovait t’i jepte fuqinë për të ringjallur Lazarin. (Gjoni 11:41, 42) Kurse Hana ‘u lut për një kohë të gjatë përpara Jehovait’ kur ia zbrazi zemrën atij. (1 Samuelit 1:12, 15, 16; BR) Lutjet tona personale mund të jenë të shkurtra ose të gjata në varësi të nevojës dhe të rrethanave.

9. Pse lutjet tona duhet të përfshijnë lëvdim dhe falenderime për gjithçka që bën Jehovai për ne?

9 Shumë lutje në Bibël shprehin çmueshmëri nga zemra për pozitën tejet të lartë të Jehovait dhe për veprat e tij të mrekullueshme. (Eksodi [Dalja] 15:1-19; 1 Kronikave 16:7-36; Psalmi 145) Në një vegim apostulli Gjon pa 24 pleqtë, numrin e plotë të të krishterëve të mirosur në pozitën e tyre qiellore, të cilët e lëvdojnë Jehovain duke kënduar: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Zbulesa 4:10, 11) Edhe ne kemi arsye për të lëvduar rregullisht Krijuesin. Sa të lumtur ndihen prindërit kur fëmija i falënderon nga zemra për diçka që kanë bërë për të! Të meditojmë me çmueshmëri për dashamirësinë e Jehovait dhe të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për të, është një mënyrë e shkëlqyer për të përmirësuar cilësinë e lutjeve tona.

Pse ‘të lutemi pa pushim’?

10. Çfarë roli luan lutja për të forcuar besimin tonë?

10 Lutjet e rregullta janë thelbësore për besimin tonë. Pasi ilustroi nevojën «për t’u lutur gjithnjë e për të mos u dorëzuar», Jezui bëri pyetjen: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë vërtet besim në tokë?» (Luka 18:1-8) Lutjet e zjarrta dhe të përzemërta ndërtojnë besimin. Kur patriarku Abraham po plakej dhe nuk kishte lindur ende pasardhës, ai foli për këtë problem me Perëndinë. Në përgjigje të kësaj Jehovai i kërkoi në fillim të shihte drejt qiellit e të numëronte yjet po të mundte. Pastaj Perëndia e siguroi Abrahamin: «Kështu do të bëhet fara jote.» Cili qe përfundimi? Abrahami «tregoi besim te Jehovai, prandaj ky ia llogariti si drejtësi». (Zanafilla 15:5, 6, BR) Nëse ia hapim zemrën Jehovait në lutje, pranojmë sigurinë që na jep nëpërmjet Biblës dhe i bindemi atij, ai do të na e forcojë besimin.

11. Si mund të na ndihmojë lutja të përballojmë problemet?

11 Lutja mund të na ndihmojë edhe për të përballuar problemet. A është një barrë e rëndë jeta dhe a janë të vështira rrethanat që hasim? Bibla na thotë: «Hidh mbi Zotin [Jehovain, BR] barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Kur gjendemi përballë vendimeve të vështira, mund të imitojmë shembullin e Jezuit. Ai kaloi një natë të tërë duke u lutur vetëm, përpara se të caktonte 12 apostujt. (Luka 6:12-16) Po ashtu natën përpara se të vdiste, Jezui u lut me kaq zjarr, saqë «djersa e tij u bë si pika gjaku që binin përtokë». (Luka 22:44) Cili qe rezultati? Ai «u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia». (Hebrenjve 5:7) Lutjet tona të zjarrta e të pareshtura do të na ndihmojnë të përballojmë rrethana stresuese dhe sprova të vështira.

12. Si e ilustron lutja interesin e Jehovait për ne individualisht?

12 Një arsye tjetër për t’iu afruar më shumë Jehovait nëpërmjet lutjes është se si rrjedhim edhe ai do të na afrohet më shumë. (Jakovit 4:8) Kur ia hapim zemrën Jehovait në lutje, a nuk e ndiejmë se ai interesohet për nevojat tona dhe kujdeset me butësi për ne? E përjetojmë dashurinë e Perëndisë individualisht. Jehovai nuk ia ka deleguar askujt tjetër përgjegjësinë për të dëgjuar çdo lutje që shërbëtorët e tij ia drejtojnë Atit të tyre qiellor. (Psalmi 66:19, 20; Luka 11:2) Ai na fton që ‘të hedhim gjithë ankthin tonë mbi të, sepse ai interesohet për ne’.—1 Pjetrit 5:6, 7.

13, 14. Çfarë arsyesh kemi për t’u lutur pa pushim?

13 Lutja mund të na mbushë me zell të madh për shërbimin publik dhe të na forcojë kur apatia ose kundërshtimi ndoshta na bëjnë të ndihemi sikur po dorëzohemi. (Veprat 4:23-31) Lutja mund të na mbrojë edhe kundër «intrigave të Djallit». (Efesianëve 6:11, 17, 18) Kur përpiqemi të përballojmë sprovat e përditshme, mund t’i kërkojmë vazhdimisht Perëndisë të na forcojë. Në lutjen model të Jezuit përfshihet kërkesa që Jehovai ‘të na çlirojë nga i ligu’, Satana Djalli.—Mateu 6:13.

14 Në qoftë se vazhdojmë të lutemi për ndihmë që të mbajmë në kontroll prirjet tona mëkatare, do të përjetojmë ndihmën e Jehovait. Kemi këtë siguri: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Korintasve 10:13) Apostulli Pavël përjetoi vetë kujdesin forcues të Jehovait në shumë rrethana. Ai tha: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13; 2 Korintasve 11:23-29.

Të ngulmojmë në lutje, pavarësisht nga të metat tona

15. Çfarë mund të ndodhë kur sjellja jonë nuk arrin të përputhet me normat e Jehovait?

15 Që lutjet tona të dëgjohen me pëlqim, duhet të mos hedhim poshtë këshillat e Fjalës së Perëndisë. Apostulli Gjon shkroi: «Çdo gjë që kërkojmë e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyeshme në sytë e tij.» (1 Gjonit 3:22) Por, çfarë mund të ndodhë kur sjellja jonë nuk arrin të përputhet me normat e Perëndisë? Adami dhe Eva u fshehën pasi mëkatuan në kopshtin e Edenit. Edhe ne mund të ndihemi të prirur të fshihemi ‘nga prania e Jehovait’ dhe të mos lutemi më. (Zanafilla 3:8) Klausi, një mbikëqyrës udhëtues me përvojë, thotë: «Kam vënë re se gati gjithnjë hapi i parë i gabuar që bëjnë ata që largohen dalëngadalë nga Jehovai dhe nga organizata e tij është se nuk luten më.» (Hebrenjve 2:1) Kjo gjë i ndodhi Hose Angelit. Ai thotë: «Për pothuajse tetë vjet, rrallë i lutesha Jehovait. Ndihesha i padenjë të flisja me të, ndonëse e shihja ende si Atin tim qiellor.»

16, 17. Jep shembuj se si lutjet e rregullta mund të na ndihmojnë të mposhtim dobësitë frymore.

16 Disa nga ne mund të ndihen të padenjë për t’u lutur për shkak të dobësive frymore ose ngaqë kanë bërë ndonjë gjë të keqe. Por kjo është pikërisht koha kur duhet të përfitojmë plotësisht nga masa e lutjes. Jonai iku me vrap nga caktimi i tij. Por ‘prej ankthit të tij Jonai i thirri Jehovait dhe Ai iu përgjigj. Prej barkut të Sheolit Jonai thirri për ndihmë dhe Jehovai e dëgjoi zërin e tij’. (Jonai 2:2, BR) Kur Jonai u lut, Jehovai iu përgjigj lutjes së tij dhe Jonai u rimëkëmb frymësisht.

17 Edhe Hose Angeli u lut me zjarr për ndihmë. Ai kujton: «I hapa zemrën Perëndisë e iu luta për faljen e tij dhe ai vërtet më ndihmoi. Nuk mendoj se do të isha kthyer në të vërtetën pa ndihmën e lutjes. Tani lutem rregullisht çdo ditë dhe i pres me padurim këto çaste.» Duhet të ndihemi gjithnjë të lirë për të folur hapur me Perëndinë për gabimet tona dhe me përulësi t’i kërkojmë falje. Kur mbreti David rrëfeu shkeljet e tij, Jehovai ia fali mëkatet. (Psalmi 32:3-5) Jehovai do që të na ndihmojë, e jo të na dënojë. (1 Gjonit 3:19, 20) Gjithashtu, lutjet e pleqve të kongregacionit mund të na ndihmojnë frymësisht, sepse këto lutje me përgjërim kanë «shumë forcë».—Jakovit 5:13-16.

18. Çfarë sigurie mund të kenë shërbëtorët e Perëndisë, pavarësisht se sa shumë mund të kenë gabuar?

18 Cili atë nuk do ta dëgjonte të birin që i drejtohet me përulësi për ndihmë dhe këshillë pasi ka bërë një gabim? Shëmbëlltyra e birit plëngprishës tregon se pavarësisht nga sa shumë mund të kemi gabuar, Ati ynë qiellor gëzohet kur kthehemi tek ai. (Luka 15:21, 22, 32) Jehovai i nxit të gjithë ata që kanë gabuar t’i thërrasin atij, sepse ai «fal bujarisht». (Isaia 55:6, 7) Ndonëse Davidi kreu disa mëkate serioze, ai i thirri Jehovait, duke thënë: «O Perëndi, vërja veshin lutjes sime dhe mos iu fshih kërkesës sime për hir.» Ai tha gjithashtu: «Në mbrëmje, në mëngjes e në mesditë s’rri dot pa e treguar merakun tim dhe ofshaj, e ai ma dëgjon zërin.» (Psalmi 55:1, 17, BR) Sa ngushëlluese është kjo!

19. Pse nuk duhet të nxjerrim shpejt përfundimin se, meqë nuk po marrim me sa duket përgjigje për lutjet tona, kjo tregon që nuk kemi miratimin e Perëndisë?

19 Çfarë të bëjmë nëse përgjërimet tona nuk marrin një përgjigje të menjëhershme? Atëherë duhet të sigurohemi se kërkesa jonë është në harmoni me vullnetin e Jehovait dhe është bërë në emër të Jezuit. (Gjoni 16:23; 1 Gjonit 5:14) Dishepulli Jakov iu drejtua disa të krishterëve të cilët nuk po merrnin përgjigje për lutjet e tyre, sepse ‘po kërkonin për një qëllim të gabuar’. (Jakovit 4:3) Nga ana tjetër nuk duhet të nxjerrim shpejt përfundimin se, meqë nuk po marrim me sa duket përgjigje për lutjet tona, kjo tregon që nuk kemi miratimin e Perëndisë. Ndonjëherë Jehovai mund të lejojë që adhuruesit e tij besnikë të vazhdojnë të luten për njëfarë kohe për një çështje përpara se përgjigjja e tij të bëhet e qartë. Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.» (Mateu 7:7) Prandaj duhet ‘të ngulmojmë në lutje’.—Romakëve 12:12.

Të lutemi rregullisht

20, 21. (a) Pse kemi nevojë të lutemi pa pushim në këto ‘ditë të fundit’? (b) Çfarë do të marrim po t’i afrohemi çdo ditë fronit të dashamirësisë së pamerituar të Jehovait?

20 Presionet dhe problemet po shtohen në këto ‘ditë të fundit’ që karakterizohen nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Po ashtu, sprovat mund të na shqetësojnë shumë. Megjithatë, lutjet e pareshtura do të na ndihmojnë ta përqendrojmë jetën te gjërat frymore, pavarësisht nga problemet e vazhdueshme, nga tundimet dhe nga shkurajimi. Lutjet tona drejtuar Jehovait çdo ditë, mund të na japin mbështetjen jetësore për të cilën kemi nevojë.

21 Jehovai, ‘Dëgjuesi i lutjes’, nuk është kurrë tepër i zënë për të na dëgjuar. (Psalmi 65:2, BR) Prandaj, të mos jemi kurrë tepër të zënë për të folur me të. Miqësia me Perëndinë është gjëja më e çmuar që kemi. Kurrë të mos e marrin si diçka të zakonshme. «Prandaj, le t’i afrohemi me çiltërsi fjale fronit të dashamirësisë së pamerituar, që të marrim mëshirë e të gjejmë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur.»—Hebrenjve 4:16.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë mësojmë nga profeti Daniel për vlerën që ka lutja?

• Si mund ta forcojmë miqësinë me Jehovain?

• Pse duhet të lutemi pa pushim?

• Pse ndjenjat e pavlefshmërisë nuk duhet të na pengojnë që t’i lutemi Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 16]

Nehemia bëri një lutje të shkurtër në heshtje përpara se t’i fliste mbretit

[Figura në faqen 17]

Hana ‘u lut për një kohë të gjatë përpara Jehovait’

[Figurat në faqen 18]

Jezui u lut gjithë natën përpara se të caktonte 12 apostujt

[Figurat në faqen 20]

Mundësitë për t’u lutur krijohen gjatë gjithë ditës