Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë do të thotë të kesh «jetë në vetvete»?

Bibla thotë për Jezu Krishtin se ka «jetë në vetvete» dhe për ithtarët e tij se kanë ‘jetë në veten e tyre’. (Gjoni 5:26; 6:53) Megjithatë këto dy shkrime nuk kanë të njëjtin kuptim.

Jezui tha: «Ashtu si Ati ka jetë në vetvete, kështu i ka lejuar edhe Birit të ketë jetë në vetvete.» Përpara kësaj deklarate të jashtëzakonshme, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them: Ai që dëgjon fjalën time dhe i beson atij që më dërgoi, ka jetë të përhershme . . . Po vjen ora dhe ajo është tani, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që i kanë vënë veshin do të jetojnë.» Këtu Jezui e kishte fjalën për pushtetin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë Ati: aftësinë për t’u siguruar njerëzve një qëndrim të miratuar përpara Perëndisë. Për më tepër, Jezui është në gjendje të ringjallë ata që flenë në vdekje e t’u japë atyre jetë. Për Jezuin të ketë «jetë në vetvete» do të thotë se atij i është dhënë ky pushtet. Ashtu si Ati, edhe Biri ka ‘dhuratën e jetës në vetvete’, siç mund të përkthehet ndryshe kjo shprehje. (Gjoni 5:24-26) Ç’të themi për ithtarët e tij?

Pothuajse një vit më vonë, Jezui iu drejtua dëgjuesve të tij me këto fjalë: «Me të vërtetë po ju them se po të mos hani mishin e Birit të njeriut e të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në veten tuaj. Ai që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përhershme dhe unë do ta ringjall atë ditën e fundit.» (Gjoni 6:53, 54) Këtu Jezui e barazon pasjen «jetë në veten tuaj» me fitimin e ‘jetës së përhershme’. Shprehje me të njëjtin ndërtim gramatikor që ka shprehja keni «jetë në veten tuaj», gjenden kudo në Shkrimet Greke. Dy shembuj të tillë janë: «kini kripë në vetvete» dhe «duke marrë në vetvete shpagimin e plotë». (Marku 9:50; Romakëve 1:27) Në këto raste shprehjet nuk do të thonë të kesh pushtet për t’u dhënë kripë të tjerëve ose për t’i dhënë një shpagim dikujt. Përkundrazi tregojnë plotësi të brendshme ose tërësi. Pra, shprehja «jetë në veten tuaj», e përdorur te Gjoni 6:53, ka thjesht kuptimin të fitojnë plotësi jete.

Kur tha për ithtarët e tij se kishin jetë në veten e tyre, Jezui përmendi mishin dhe gjakun e tij. Më vonë, kur themeloi Darkën e Zotërisë, Jezui foli përsëri për mishin dhe gjakun e tij, dhe iu drejtua ithtarëve që do të përfshiheshin në besëlidhjen e re për të marrë emblemat e bukës pa maja e të verës. A do të thotë kjo që vetëm të krishterët e mirosur, që bëjnë pjesë në besëlidhjen e re me Perëndinë Jehova, fitojnë këtë plotësi jete? Jo. Të dyja rastet i ndante një vit nga njëri-tjetri. Ata që dëgjuan fjalët e Jezuit, të dokumentuara te Gjoni 6:53, 54, nuk dinin asgjë për një kremtim të përvitshëm me emblema që përfaqësonin mishin dhe gjakun e Krishtit.

Sipas kapitullit të 6-të të Gjonit, Jezui e krahason në fillim mishin e tij me manën, duke thënë: «Paraardhësit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë, e prapëseprapë vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli, që kushdo të hajë prej saj e të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse dikush ha prej kësaj buke, do të jetojë përgjithmonë.» Mishi i Jezuit bashkë me gjakun e tij ishin më madhështorë se mana e mirëfilltë. Në ç’kuptim? Në kuptimin që mishi i tij u dha për «jetën e botës», duke bërë të mundur jetën e përhershme. * Kështu, deklarata te Gjoni 6:53 në lidhje me pasjen «jetë në veten tuaj» zbatohet për të gjithë ata që marrin jetën e përhershme, qoftë në qiell, qoftë në tokë.—Gjoni 6:48-51.

Kur marrin ithtarët e Krishtit jetë në veten e tyre ose plotësi jete? Për trashëgimtarët e mirosur të Mbretërisë, kjo ndodh kur ringjallen në jetën qiellore si krijesa frymore të pavdekshme. (1 Korintasve 15:52, 53; 1 Gjonit 3:2) ‘Delet e tjera’ të Jezuit marrin plotësi jete pas përfundimit të Mbretërimit të tij Njëmijëvjeçar. Tashmë ata do të jenë sprovuar, do të kenë mbetur besnikë dhe do të jenë shpallur të drejtë për jetën e përhershme në tokën parajsore.—Gjoni 10:16; Zbulesa 20:5, 7-10.

[Shënimi]

^ par. 7 Kur ishin në shkretëtirë jo vetëm izraelitët, por edhe «një turmë e madhe e përzier» kishin nevojë për manën që të jetonin. (Dalja [Eksodi] 12:37, 38, BR; 16:13-18) Po kështu, për të jetuar përgjithmonë, të gjithë të krishterët, të mirosur ose jo, duhet të marrin manën qiellore duke ushtruar besim në fuqinë shpenguese të mishit dhe të gjakut të Jezuit, që u dhanë si flijim.—Shih Kullën e Rojës, 1 shkurt 1988, faqet 30-31, anglisht.

[Figurat në faqen 31]

Të gjithë të krishterët e vërtetë mund të kenë ‘jetë në veten e tyre’