Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund ta forcosh martesën?

Si mund ta forcosh martesën?

Si mund ta forcosh martesën?

PËRFYTYRO një shtëpi që është lënë pa u riparuar. Boja bie petë-petë, çatia është e dëmtuar dhe as për kopshtin nuk është kujdesur njeri. Është e dukshme se kjo ndërtesë ka pësuar dëmtime nga disa stuhi të forta gjatë viteve dhe është në gjendje të keqe ngaqë e kanë lënë pas dore. A duhet shembur? Jo medoemos. Nëse themeli është i fortë dhe struktura është e qëndrueshme, shtëpia mund të restaurohet.

A të sjell ndër mend gjendja e kësaj shtëpie martesën tënde? Gjatë viteve, stuhi të forta si të thuash mund të kenë ndikuar në marrëdhënien tuaj martesore. Njëri prej jush ose që të dy mund ta keni lënë disi pas dore martesën. Ndoshta ndihesh si Sandi. Pas 15 vjetësh martesë ajo tha: «Gjëja e vetme që kishim të përbashkët ishte se ishim të martuar me njëri-tjetrin. E kjo nuk mjaftonte.»

Edhe nëse martesa jote ka arritur në këtë pikë, mos nxirr me nxitim përfundimin se asaj i duhet dhënë fund. Ka të ngjarë që martesa jote të kthehet në gjendjen e mëparshme. Kjo varet shumë nga sa angazhoheni për ta mbajtur betimin martesor, ti dhe bashkëshortja. Angazhimi për të mbajtur betimin martesor mund të ndihmojë që martesa të jetë e qëndrueshme në kohë sprovash. Por çfarë përfshin betimi martesor dhe si mund të të ndihmojë Bibla që të jesh më i vendosur për ta mbajtur atë?

Betimi përfshin ndjenjën e detyrës

Betimi përfshin ndjenjën e detyrës ose të qenët i nxitur nga ana emocionale. Ndonjëherë fjala betim përdoret për gjëra jo intime siç është një marrëveshje biznesi. Për shembull, një ndërtues mund të mendojë se e ka për detyrë të plotësojë kërkesat e kontratës që ka firmosur për të ndërtuar një shtëpi. Ndoshta ai nuk e njeh nga afër individin që i kërkoi këtë punë. Megjithatë, ndihet i detyruar që ta mbajë fjalën.

Edhe pse martesa nuk është një marrëdhënie e ftohtë biznesi, betimi martesor përfshin ndjenjën e detyrës. Ka të ngjarë që ti dhe bashkëshortja të jeni betuar solemnisht përpara Perëndisë dhe njerëzve se do të qëndroni bashkë, pavarësisht nga çfarë mund të ndodhë. Jezui tha: «Ai që i krijoi që nga fillimi [burrin dhe gruan], i bëri ata mashkull dhe femër dhe tha: ‘Për këtë arsye, burri do ta lërë babanë dhe nënën e tij e do të bashkohet me gruan e tij.’» Më tej Jezui tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:4-6) Prandaj kur dalin probleme, ti dhe bashkëshortja jote duhet të jeni plotësisht të vendosur që ta mbani këtë betim që keni bërë. * Një grua thotë: «Gjërat filluan të përmirësoheshin vetëm pasi nuk e shihnim më divorcin si një mundësi.»

Megjithatë betimi martesor përfshin më shumë se vetëm ndjenjën e detyrës. Çfarë përfshin tjetër?

Bashkëpunimi e bën të patundur betimin martesor

Kur bashkëshortët bëjnë betimin martesor, nuk nënkuptohet se do të jenë gjithnjë të një mendjeje me njëri-tjetrin. Nëse lind një mosmarrëveshje duhet të ekzistojë dëshira e sinqertë për ta zgjidhur çështjen jo vetëm për shkak të betimit të bërë, por për shkak të lidhjes emocionale. Jezui tha për burrin dhe gruan: «Nuk janë më dy, por një mish i vetëm.»

Çfarë do të thotë të jesh «një mish i vetëm» me bashkëshorten tënde? Apostulli Pavël shkroi se «burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre». (Efesianëve 5:28, 29) Pra, pjesërisht të jesh «një mish i vetëm» do të thotë që të interesohesh për mirëqenien e bashkëshortes, ashtu siç interesohesh për mirëqenien tënde. Të martuarit duhet ta ndryshojnë mënyrën e të menduarit nga «i imi» në «e jona», nga «unë» në «ne». Një këshilltare shkroi: «Që të dy bashkëshortët nuk duhet të ndihen më beqarë në zemër, por të fillojnë të ndihen të martuar në zemër.»

A ndiheni «të martuar në zemër» ti dhe bashkëshortja? Është e mundur të jeni bashkë prej vitesh, e megjithatë sipas kuptimit të mësipërm të mos jeni «një mish i vetëm». Po, kjo gjë mund të ndodhë. Gjithsesi në librin Giving Time a Chance (T’i japësh një mundësi kohës) thuhet: «Martesa do të thotë që dy individë të kalojnë bashkë jetën dhe sa më shumë gjëra të përbashkëta të kenë ata, aq më shumë lumturi do të gjejnë në martesë.»

Disa çifte janë të palumtura, por qëndrojnë bashkë për hir të fëmijëve ose për të pasur siguri financiare. Të tjerë qëndrojnë bashkë, sepse për arsye të forta morale janë kundër divorcit ose ngaqë kanë frikë se çfarë do të mendojnë të tjerët nëse ndahen. Megjithëse është për t’u lavdëruar që këto martesa vazhdojnë, mos harroni se qëllimi juaj duhet të jetë të keni një marrëdhënie të përzemërt, dhe jo vetëm një marrëdhënie të përhershme.

Veprat altruiste të ndihmojnë të mbash betimin martesor

Bibla paratha se gjatë ‘ditëve të fundit’ njerëzit do të ishin «të dashuruar pas vetes». (2 Timoteut 3:1, 2) Ashtu siç e paratha kjo profeci, sot është shumë i theksuar përkushtimi i njerëzve ndaj vetvetes. Në shumë martesa shihet si një shenjë dobësie kur një bashkëshort i kushtohet tjetrit pa pasur një garanci për një reagim të ndërsjellë. Por në një martesë të suksesshme që të dy bashkëshortët shfaqin një frymë vetëmohuese. Si mund ta shfaqësh edhe ti?

Në vend që të ndalesh te pyetja: ‘Çfarë po përfitoj nga kjo marrëdhënie?’ pyet veten: ‘Çfarë po bëj unë vetë për ta forcuar martesën?’ Bibla thotë se të krishterët duhet ‘të shohin me interes personal jo vetëm çështjet e tyre, por me interes personal edhe ato të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Ndërsa mediton për këtë parim biblik, analizo veprimet e tua gjatë javës së kaluar. Sa shpesh ke bërë ndonjë vepër dashamirëse vetëm për dobinë e bashkëshortes? Kur bashkëshortja jote donte të fliste me ty, a e dëgjove edhe pse nuk ishe shumë i gatshëm për ta bërë këtë? Në sa veprimtari që i interesonin më shumë bashkëshortes se sa ty more pjesë?

Kur mendon rreth këtyre pyetjeve, mos u shqetëso se veprat e tua nuk do të vihen re ose nuk do të shpërblehen. Në një vepër referimi thuhet: «Në shumicën e marrëdhënieve veprimet mirëdashëse janë të ndërsjella, prandaj bëj çmos që ta inkurajosh bashkëshorten të veprojë me dashamirësi duke vepruar ti vetë më me dashamirësi.» Veprimet vetëmohuese e forcojnë martesën, sepse ato tregojnë se ti e vlerëson atë dhe do që ta mbrosh.

Është thelbësore ta shohësh martesën si lidhje të qëndrueshme

Perëndia Jehova e vlerëson besnikërinë. Po, Bibla thotë: «Me atë që është besnik [o Jehova] do të veprosh me besnikëri.» (2 Samuelit 22:26, BR) Të jesh besnik ndaj Perëndisë përfshin edhe besnikërinë në martesë, të cilën ai e themeloi.—Zanafilla 2:24.

Nëse ti dhe bashkëshortja jeni besnikë ndaj njëri-tjetrit, gëzoni një ndjenjë qëndrueshmërie për lidhjen tuaj. Kur mendoni për muajt, vitet dhe dhjetëvjeçarët e ardhshëm, ju e përfytyroni së bashku njëri-tjetrin. Mendimi që të mos jeni të martuar me njëri-tjetrin është krejtësisht i huaj për ju dhe kur e shihni martesën si lidhje të qëndrueshme, kjo i jep siguri marrëdhënies suaj. Një grua shkruan: «Edhe kur jam shumë e zemëruar [me tim shoq] dhe jam shumë e mërzitur për çfarë po na ndodh, nuk shqetësohem se martesa jonë mund të marrë fund. Shqetësohem se si ta rivendosim përsëri atë marrëdhënie që kishim. Nuk kam aspak dyshim se do ta rivendosim, vetëm se në atë çast nuk e di se si do ta bëjmë këtë.»

Fakti që bashkëshortët duhet ta shohin martesën si lidhje të qëndrueshme është pjesë thelbësore e betimit martesor. Por, mjerisht një pikëpamje e tillë mungon në shumë martesa. Gjatë debateve të ndezura njëri bashkëshort mund të thotë pa u menduar: «Do të të lë!» ose «Do të gjej dikë që më çmon vërtet!» Patjetër në shumicën e rasteve këto fjalë nuk thuhen në kuptimin e vërtetë. Megjithatë Bibla thotë se gjuha mund të jetë «plot helm vdekjeprurës». (Jakovit 3:8) Kërcënimet dhe ultimatumet janë njësoj si të thuash: ‘Nuk e shoh martesën tonë si një lidhje të përhershme. Mund të ndahem kur të dua.’ Një gjë e tillë mund të jetë shkatërrimtare për martesën.

Kur e sheh martesën si lidhje të qëndrueshme, ti pret të jesh me bashkëshorten në kohë të mira e të këqija. Kjo ka një dobi tjetër. Do të jetë shumë më e lehtë për ty dhe për bashkëshorten që të pranoni dobësitë e gabimet dhe të vazhdoni të duroni njëri-tjetrin e ta falni bujarisht njëri-tjetrin. (Kolosianëve 3:13) Një manual thotë: «Një lidhje e mirë martesore vazhdon, pavarësisht nga gabimet.»

Ditën e martesës i bëre një premtim të çiltër, jo idesë se do të qëndroje i martuar, por një njeriu të gjallë, bashkëshortes sate. Ky fakt duhet të ketë një ndikim të thellë në mënyrën se si mendon dhe vepron tani si i martuar. A nuk je i një mendjeje se duhet të qëndrosh me bashkëshorten jo vetëm sepse e konsideron martesën si të shenjtë, por edhe sepse e do individin me të cilin u martove?

[Shënimi]

^ par. 7 Në raste ekstreme një çift mund të ketë arsye të vlefshme për t’u ndarë. (1 Korintasve 7:10, 11; shih Sekreti i lumturisë familjare, faqet 160-161, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.) Përveç kësaj Bibla e lejon divorcin në rast kurvërie (imoraliteti seksual).—Mateu 19:9.

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Çfarë mund të bësh tani?

Sa po e mban betimin martesor? Ndoshta sheh se ke mundësi të përmirësosh. Për ta bërë të patundur betimin martesor, përpiqu të zbatosh këto këshilla:

● Bëj një vetëshqyrtim. Pyet veten: ‘A ndihem vërtet i martuar në zemër apo mendoj dhe veproj ende si një beqar?’ Zbulo se çfarë mendon për këtë bashkëshortja.

● Lexoje këtë artikull me bashkëshorten. Pastaj me qetësi diskutoni për mënyrat se si mund ta bëni të patundur betimin martesor.

● Bashkë me bashkëshorten merrni pjesë në veprimtari që e bëjnë të patundur betimin tuaj. Për shembull: shihni fotografitë e dasmës dhe të kujtimeve të tjera. Bëni gjërat që ju pëlqenin gjatë periudhës së njohjes ose në vitet e para të martesës. Studioni bashkë artikujt e bazuar në Bibël të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! të cilët flasin për martesën.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Betimi martesor përfshin . . .

Ndjenjën e detyrës «Zotimin që merr, mbaje. Është më mirë të mos e marrësh një zotim, se ta marrësh e të mos e mbash.»—Eklisiastiu [Predikuesi] 5:4, 5 BR.

Bashkëpunimin «Dy janë më mirë se një . . . Sepse në rëntë njëri prej tyre, tjetri mund ta ngrejë shokun.»—Eklisiastiu 4:9, 10, BR.

Vetëmohimin «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Veprat 20:35.

Ta shohësh martesën si një lidhje të qëndrueshme «Dashuria . . . i qëndron çdo gjëje.»—1 Korintasve 13:4, 7.

[Figurat në faqen 7]

Kur bashkëshortja jote do që të flasë, a e dëgjon?