Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë​—Një histori që frymëzon besim dhe guxim

Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë​—Një histori që frymëzon besim dhe guxim

Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë​—Një histori që frymëzon besim dhe guxim

ASHTU si u përndoqën të krishterët në shekullin e parë, po kështu është përndjekur populli i Perëndisë në ditët e sotme. (Mateu 10:22; Gjoni 15:20) Vetëm në pak vende përndjekja ka qenë kaq e gjatë ose kaq e egër sa në Ukrainë, ku vepra e predikimit të Mbretërisë ishte e ndaluar për 52 vjet.

Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2002 përshkruante historinë e popullit të Perëndisë në këtë vend. Është një histori besimi, guximi dhe force përballë vështirësive tejet të mëdha. Më poshtë vijojnë disa komente çmueshmërie, që mori zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë.

«Mbarova së lexuari Librin vjetor 2002. Nuk mund t’i mbaja dot lotët, ndërsa lexoja për veprën tuaj në Ukrainë. Doja t’ju tregoja sa shumë inkurajim kam marrë nga shembulli juaj i zellshëm dhe nga besimi juaj i fortë. Jam krenare që i përkasim së njëjtës familje frymore. Faleminderit nga thellësia e zemrës!»​—Andrea, Francë.

«Asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë sa mirënjohëse ju jam juve dhe Jehovait për Librin vjetor 2002. Më rrodhën lotë, ndërsa lexoja përvojat e shumta të vëllezërve që i kaluan vitet më të mira të jetës në burgje e në kampe përqendrimi. E admiroj guximin e tyre. Ndonëse jam Dëshmitare prej 27 vjetësh, ende mund të mësoj nga këta vëllezër e motra. Më forcuan besimin te Ati ynë qiellor, Jehovai.»​—Vera, ish-Jugosllavi.

«Po shkruaj këtë letër ngaqë më ka gëzuar shembulli juaj i mirë i qëndrueshmërisë e i besnikërisë gjatë gjithë atyre viteve që hasët kundërshtim. Siguria juaj e plotë te Jehovai dhe vendosmëria juaj për të qëndruar besnikë ju sjell nder. Gjithashtu, përulësia juaj nën sprova më përforcon bindjen se Jehovai nuk e braktis popullin e tij. Falë shembullit tuaj të mirë të guximit, të palëkundshmërisë dhe të qëndrueshmërisë, mund t’u bëjmë ballë më qetësisht problemeve tona më të vogla.»​—Tutejrihia, Polinezia Franceze.

«Pasi lexova Librin vjetor, e ndieja se duhet t’ju shkruaja patjetër. Isha thellësisht e prekur nga të gjitha përvojat e bukura. U ndjeva krenare që jam pjesëtare e një organizate të tillë besnike e të bashkuar, e cila drejtohet nga një Atë i dashur e i kujdesshëm, që na jep forcë në kohën e duhur. U trishtova që shumë shërbëtorë të zellshëm e të guximshëm të Jehovait vuajtën jashtë mase, e madje humbën edhe jetën. Por ndjeva edhe gëzim, sepse nga guximi dhe zelli i tyre shumë njerëz mësuan të vërtetën dhe njohën Atin tonë të dashur.»​—Koleta, Holandë.

«Unë dhe gruaja donim t’ju shkruanim patjetër për t’ju thënë se u prekëm kur lexuam përshkrimin për Ukrainën te Libri vjetor. Ju vëllezër besnikë keni lënë një shembull të jashtëzakonshëm qëndrueshmërie nën vështirësi të mëdha e për një kohë të gjatë. Sipas asaj që thuhet edhe te Fjalët e urta 27:11, sa i lumtur duhet të jetë Jehovai të dijë se kaq shumë vëllezër besnikë nga Ukraina kanë mbajtur një integritet të pathyeshëm me gjithë veprat e liga të Djallit.»​—Alani, Australi.

«M’u mbushën sytë me lot kur lexova për vëllezërit në Ukrainë. Ata duruan kaq shumë gjëra: vite burgimi, tortura, shtypje dhe ndarje nga familja. Dua t’u them gjithë vëllezërve që shërbejnë ende në kongregacionet tuaja se i dua dhe i respektoj shumë. Jam shumë i kënaqur nga guximi dhe palëkundshmëria e tyre. E di se burimi i fuqisë së tyre ishte fryma e Jehovait. Jehovai është pranë nesh dhe do që të na ndihmojë.»​—Sergei, Rusi.

«Lexoja Librin vjetor 2002 dhe qaja. Shumë motra dhe vëllezër në kongregacionin tonë kanë folur për ju. Jeni një thesar i vërtetë. Jam shumë e lumtur të jem pjesë e një familjeje të tillë frymore kaq të madhe.»​—Junhi, Koreja e Jugut.

«Jam shumë i prekur nga historia e besimit, qëndrueshmërisë dhe e dashurisë suaj të paepur për Jehovain dhe për Mbretërinë e tij. Ndonjëherë harrojmë të çmojmë lirinë që gëzojmë dhe bollëkun e ushqimit frymor që na siguron Jehovai. Por nuk ka qenë kështu për ju. Shembulli juaj i besimit na ndihmon të kuptojmë që, nëse kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, ai do të na japë forcën për të përballuar çfarëdolloj prove.»​—Paulo, Brazil.

«Pata privilegjin të lexoja përvojat tuaja në Librin vjetor 2002. U preka thellë prej tyre, sidomos nga përvoja mallëngjyese e motrës Lidia Kurdasi. E ndjeva veten shumë afër kësaj motre.»​—Nidja, Kosta-Rikë.

«Sot mbarova së lexuari Librin vjetor 2002. Ndërsa e lexoja, besimi im te Jehovai bëhej më i fortë. Diçka që nuk do ta harroj kurrë është pjesa ku flitet si u mbollën fara dyshimi ndaj atyre që merrnin drejtimin. Nga kjo mësova që të mos dyshoj kurrë për vëllezërit që marrin drejtimin. Faleminderit shumë! Ky ushqim frymor na jep zemër dhe na përgatit për kohën kur besimi ynë mund të vihet në provë.»​—Letisja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

«Jemi mirënjohës për raportin e shkëlqyer në Librin vjetor. Shumë lajmëtarë po lexonin për herë të parë rreth veprës së vëllezërve tanë në Ukrainë. Vëllezërit këtu u forcuan. Shumë veta, sidomos të rinjtë, e kanë rritur pjesëmarrjen në veprën e shërbimit. Disa kanë filluar të shërbejnë si pionierë të rregullt ose ndihmës. Të gjithë u inkurajuan nga historitë e vëllezërve dhe motrave që i shërbyen Jehovait gjatë kohës kur vepra ishte e ndaluar.»​—Komiteti i shërbimit të një kongregacioni, Ukrainë.

Besnikëria e vëllezërve tanë në Ukrainë ka qenë vërtet një burim inkurajimi për popullin e Jehovait anembanë botës. Në fakt, të lexojmë rregullisht tregimet inkurajuese që dalin çdo vit në Librin vjetor është një mënyrë e shkëlqyer për të forcuar besimin dhe qëndrueshmërinë tonë në këto kohë shumë të rëndësishme.​—Hebrenjve 12:1.