Jehovai tërheq njerëz të përulur drejt së vërtetës
Jetëshkrim
Jehovai tërheq njerëz të përulur drejt së vërtetës
TREGUAR NGA ASANA KOSHINOJA
Në vitin 1949, vetëm pak vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në familjen ku punoja, në qytetin e Kobes, erdhi për vizitë një i huaj i gjatë e miqësor. Ishte misionari i parë i Dëshmitarëve të Jehovait që vinte në Japoni. Vizita i tij hapi rrugën që të njihja të vërtetën biblike. Por le t’ju tregoj në fillim për prejardhjen time.
KAM lindur në vitin 1926, në një fshat të vogël të prefekturës së pjesës veriore të Okajamës. Isha fëmija i pestë nga tetë fëmijët e familjes. Babai ishte besimtar i devotshëm i perëndisë së faltores shintoiste të asaj zone. Kështu ne fëmijët kënaqeshim kur kremtonim dhe mblidheshim si familje për festat fetare gjatë vitit.
Ndërsa rritesha, kisha shumë pyetje rreth jetës, por më shumë shqetësohesha për vdekjen. Sipas traditës, njerëzit duhej të vdisnin në shtëpi dhe fëmijët duhej t’u qëndronin pranë familjarëve në çastet e fundit të jetës. Kur më vdiq gjyshja dhe vëllai, i cili nuk kishte mbushur ende një vit, u ndjeva tejet e trishtuar. Tmerrohesha kur mendoja se mund të më vdisnin prindërit. ‘A është vdekja gjithçka që mund të presim nga jeta? A nuk mund të ketë diçka më shumë në jetë?’ Isha në ankth për t’i ditur përgjigjet.
Në vitin 1937, kur isha në klasën e gjashtë në shkollën fillore, filloi lufta mes Kinës dhe Japonisë. Burrat i rekrutonin dhe i dërgonin në fushën e betejës në Kinë. Fëmijët e shkollës i përcillnin baballarët ose vëllezërit duke thirrur «banzai» (rroftë) për perandorin. Njerëzit
ishin të bindur se Japonia, kombi hyjnor, do të fitonte dhe se perandori i saj ishte një perëndi i gjallë.S’kaloi shumë kohë dhe familjet filluan të merrnin lajme për njerëz të vrarë në front. Nuk gjeje dot fjalë për t’i ngushëlluar familjet që ishin në zi. Urrejtja në zemrat e tyre rritej gjithnjë e më shumë dhe ata gëzoheshin kur i shkaktonin armikut viktima të shumta. Por në të njëjtën kohë unë mendoja: ‘Njerëzit e palës armike duhet të vuajnë njësoj si ne kur u vdesin njerëzit e tyre të dashur.’ Në kohën kur mbarova shkollën fillore lufta po shtrihej në thellësi të Kinës.
Takimi me një të huaj
Meqë ishim bujq, familja ime kishte qenë gjithnjë e varfër, por babai më la të shkoja në shkollë, për sa kohë nuk ishte me para. Prandaj, në vitin 1941, shkova në një shkollë për vajza në qytetin e Okajamës, rreth 100 kilometra larg. Shkolla shërbente për t’i edukuar vajzat që të bëheshin gra e nëna të mira dhe i caktonte studentet që të jetonin me familjet e pasura të qytetit si ndihmëskujdestare shtëpie. Në mëngjes studentet stërviteshin duke punuar në këto shtëpi dhe pasdite shkonin në shkollë.
Pas ceremonisë së fillimit të shkollës, mësuesja, e veshur me kimono, më çoi në një shtëpi të madhe. Por kushedi përse e zonja e shtëpisë nuk më pranoi. «A të shkojmë, atëherë, në shtëpinë e zonjës Koda?»—më pyeti mësuesja. Ajo më çoi te një shtëpi e stilit perëndimor dhe i ra ziles. Pas pak doli një grua e gjatë me flokë të thinjura. Mbeta e shtangur! Ajo nuk ishte japoneze, dhe nuk kisha parë kurrë në jetën time një njeri nga vendet perëndimore. Mësuesja më prezantoi me zonjën Mad Koda dhe iku menjëherë. Duke tërhequr zvarrë çantat, hyra me nervozizëm në shtëpi. Më vonë mora vesh se zonja Mad Koda ishte amerikane e martuar me një japonez që kishte studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo jepte anglisht në shkollat e tregtisë.
Një jetë plot me punë filloi që të nesërmen. Burri i zonjës Koda vuante nga epilepsia dhe unë duhej ta ndihmoja për t’u kujdesur për të. Meqë nuk kuptoja fare anglisht, u shqetësova paksa, por u ndjeva e lehtësuar kur zonja Koda më foli në gjuhën japoneze. Çdo ditë i dëgjoja të flitnin anglisht me njëri-tjetrin dhe pak nga pak m’u mësua veshi me këtë gjuhë. Më pëlqente atmosfera e këndshme në shtëpi.
Përkushtimi i Madit ndaj të shoqit shëndetlig më bënte përshtypje. Atij i pëlqente të lexonte Biblën. Më vonë mora vesh se çifti kishte marrë në një dyqan me libra të përdorur një botim në japonisht të librit Plani hyjnor i epokave dhe se ishin pajtuar prej disa vjetësh në revistën Kulla e Rojës në anglisht.
Një ditë më dhanë një Bibël si dhuratë. Isha e lumtur, sepse ishte hera e parë në jetën time që kisha një Bibël. E lexoja ndërsa shkoja dhe kthehesha nga shkolla, por nuk e kuptoja shumë. Ngaqë isha rritur si shintoiste japoneze, Jezu Krishti më dukej shumë i largët. Nuk e kuptoja se ky ishte fillimi i ngjarjeve që më në fund do të më çonin të përqafoja të vërtetën biblike, e kështu pyetjet e mia rreth jetës dhe vdekjes do të merrnin përgjigje.
Tri ngjarje të trishtueshme
Dy vjetët që kalova si ndihmëskujdestare rrodhën shpejt dhe m’u desh t’i jepja lamtumirën familjes ku punoja. Pasi mbarova shkollën, hyra në një brigadë vullnetare me vajza dhe mora pjesë në prodhimin e uniformave të flotës detare. Filluan mësymjet ajrore me aeroplanët bombardues B-29 dhe më 6 gusht 1945 u hodh një bombë atomike në Hiroshimë. Disa ditë më vonë erdhi një telegram dhe mora vesh se mamaja ishte shumë sëmurë. U nisa për në shtëpi me trenin e parë që gjeta. Kur zbrita nga treni, një kushëri më takoi e më tha se mamaja kishte vdekur. Kjo ndodhi më 11 gusht. Ajo së cilës i isha trembur prej vitesh kishte ndodhur vërtet. Tani mendoja se mami nuk do të më fliste ose nuk do të më buzëqeshte më kurrë.
Më 15 gusht Japonia u mund. Kështu brenda një periudhe të shkurtër prej dhjetë ditësh m’u desh të përballoja tri ngjarje të trishtueshme: së pari shpërthimin e bombës atomike, pastaj vdekjen e mamasë dhe së fundi kapitullimin historik të Japonisë. Të paktën ishte ngushëlluese të dija se njerëzit nuk do të vdisnin më në luftë. Me një zbrazëti në zemër, e lashë punën dhe u ktheva në shtëpinë time në fshat.
E tërhequr drejt së vërtetës
Papritur, një ditë mora një letër nga Mad Koda në Okajamë. Më pyeste nëse mund të shkoja ta ndihmoja në punët e shtëpisë, meqë do të hapte një shkollë angleze. Pyetja veten se çfarë duhej të bëja, por e pranova ftesën. Pak vite më vonë u transferova bashkë me familjen Koda në Kobe.
Në fillim të verës së vitit 1949, një zotëri miqësor e i gjatë vizitoi familjen Koda. Quhej Donald Hasleti dhe kishte ardhur nga Tokioja në Kobe për të kërkuar një shtëpi për misionarët në Kobe. Ishte misionari i parë i Dëshmitarëve të Jehovait që kishte ardhur në Japoni. Gjeti një shtëpi dhe në nëntor të vitit 1949 në Kobe mbërritën disa misionarë. Një ditë pesë prej tyre erdhën për vizitë te familja Koda. Dy nga ata, Llojd Beri dhe Persi Izlobi, folën në anglisht rreth dhjetë minuta me secilin nga ata që ishin mbledhur në shtëpi. Misionarët e quanin Madin motër të krishterë dhe, me sa dukej, ajo mori zemër nga shoqëria e tyre. Pikërisht në këtë kohë u nxita të mësoja anglisht.
Me ndihmën e misionarëve të zellshëm, dalëngadalë arrita të kuptoja të vërtetat themelore të Biblës. Gjeta përgjigjet e pyetjeve që kisha që në fëmijëri. Po, Bibla jep shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore dhe premtimin se do të ringjallen «të gjithë ata që janë në varret përkujtimore». (Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:1, 4) I isha mirënjohëse Jehovait që e bëri të mundur këtë shpresë nëpërmjet flijimit shpërblerës të Birit të tij, Jezu Krishtit.
Veprimtari teokratike të gëzueshme
Nga data 30 dhjetor 1949 e deri më 1 janar 1950, në shtëpinë misionare në Kobe u mbajt asambleja e parë teokratike në Japoni. Shkova atje me Madin. Ajo shtëpi e madhe më parë kishte qenë pronë e një nazisti dhe kishte një pamje mbresëlënëse të Detit të Brendshëm dhe të ishullit Auaxhi. Ngaqë kisha pak njohuri për Biblën, kuptova pak nga gjërat që u thanë. Megjithatë më bëri përshtypje të thellë që misionarët shoqëroheshin lirshëm me japonezët. Në fjalimin publik të kësaj asambleje ishin të pranishëm 101 veta.
Pak kohë më pas vendosa të merrja pjesë në shërbimin në fushë. Më duhej guxim që të shkoja nga shtëpia në shtëpi, sepse isha me natyrë të ndrojtur. Një mëngjes vëlla Llojd Beri erdhi në shtëpinë tonë për të më marrë në shërbim. Ai filloi te shtëpia që ndodhej në të djathtën e shtëpisë së motrës Koda. Qëndroja pothuajse e fshehur pas tij, ndërsa dëgjoja prezantimin që po bënte. Kur dola në shërbim për herë të dytë, predikova me dy misionare të tjera. Një grua e moshuar japoneze na ftoi brenda, na dëgjoi dhe më pas na serviri secilës një
gotë me qumësht. Ajo pranoi një studim biblik dhe së fundi u bë një e krishterë e pagëzuar. Ishte inkurajuese të shihje përparimin e saj.Në prill të vitit 1951, vëlla Nejthën H. Nori nga selia në Bruklin, bëri vizitën e tij të parë në Japoni. Në fjalimin publik që mbajti në Sallën Kjoricu në Kanda të Tokios, erdhën rreth 700 veta. Në këtë mbledhje të veçantë të gjithë të pranishmit u gëzuan për daljen e Kullës së Rojës në gjuhën japoneze. Muajin vijues vëlla Nori vizitoi Koben dhe në mbledhjen e veçantë që u mbajt atje u pagëzova në simbol të kushtimit ndaj Jehovait.
Gati një vit më vonë u inkurajova të filloja shërbimin në kohë të plotë, shërbimin e pionierit. Në atë kohë në Japoni kishte vetëm disa pionierë dhe pyetja veten se si do të mbahesha nga ana financiare. Gjithashtu mendoja se çfarë do të bëja në lidhje me martesën. Por pastaj arrita të kuptoja se shërbimi ndaj Jehovait duhej të ishte i pari në jetë, kështu hyra në radhët e pionierëve në vitin 1952. Lumturisht mund të punoja në kohë të pjesshme te motra Koda, ndërsa shërbeja si pioniere.
Rreth kësaj kohe, vëllai im, të cilin e dija të vrarë në luftë, u kthye në shtëpi nga Tajvani bashkë me familjen e tij. Familja ime nuk kishte treguar asnjëherë interes për krishterimin, por me zellin e pionierit fillova t’u dërgoja revistat dhe broshurat tona. Më vonë, për shkak të punës, vëllai u transferua në Kobe me familjen. «A i ke lexuar revistat?»—pyeta nusen e vëllait. Për habinë time, ajo u përgjigj: «Janë revista interesante.» Filloi të studionte Biblën me një nga misionaret dhe në studim u bashkua edhe motra ime më e vogël, që jetonte me ta. Me kalimin e kohës, që të dyja u bënë të krishtere të pagëzuara.
Më lë mbresa vëllazëria ndërkombëtare
Jo shumë kohë më pas, mbeta e shtangur kur mora një ftesë që të ndiqja klasën e 22-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Vëlla Cutomu Fukase dhe unë ishim të parët nga Japonia që u ftuam në shkollë. Në vitin 1953, përpara se të fillonte shkolla, morëm pjesë në asamblenë «Shoqëria e botës së re», që u mbajt në stadiumin Jenki në Nju-Jork. Më la shumë mbresa vëllazëria ndërkombëtare e popullit të Jehovait.
Ditën e pestë të kongresit, delegatët japonezë, shumica misionarë, duhej të vishnin kimonot. Meqë kimono që kisha dërguar më parë me postë nuk kishte mbërritur, mora hua atë që i përkiste motër Norit. Gjatë sesionit filloi shiu dhe isha e shqetësuar se mos më lagej kimono. Në atë çast, nga pas, dikush më hodhi me butësi mbi krahë një fëshfëshe. «A e di kush është?»—më pyeti një motër që qëndronte pranë meje. Më vonë mora vesh se ishte vëlla Frederik U. Franci, anëtar i Trupit Udhëheqës. Sa e ndjeva ngrohtësinë e organizatës së Jehovait!
Klasa e 22-të e Galaadit ishte vërtet ndërkombëtare. Në të bënin pjesë 120 studentë nga 37 vende. Ndonëse kishte disa pengesa për shkak të gjuhës, u kënaqëm shumë nga vëllazëria ndërkombëtare. Gjatë një dite me dëborë, në shkurt të vitit 1954, u diplomova dhe më caktuan në Japoni. Një shoqe klase, Inger Branti, motër suedeze, do të ishte partnerja ime në qytetin e Nagojës. Atje u bashkuam me grupin e misionarëve që ishin larguar nga
Koreja për shkak të luftës. Ato pak vite që i kalova në shërbimin misionar ishin shumë të çmuara për mua.Shërbim të gëzuar si çift
Në shtator të vitit 1957 mora ftesën për të shërbyer në Bethelin e Tokios. Si zyrë e degës në Japoni shërbente një shtëpi dykatëshe prej druri. Në degë kishte vetëm katër pjesëtarë, përfshirë vëlla Berin, mbikëqyrësin e degës. Pjesa tjetër e familjes ishin misionarë. U caktova të përktheja dhe të redaktoja, e përveç kësaj të pastroja, të laja rrobat, të gatuaja e kështu me radhë.
Vepra në Japoni po rritej dhe në Bethel u ftuan më shumë vëllezër. Një prej tyre u bë mbikëqyrës i kongregacionit ku bëja pjesë. Në vitin 1966, ky vëlla, Xhunxhi Koshinoja, dhe unë u martuam bashkë. Pasi u martuam, Xhunxhi u caktua në veprën qarkore. Ishte një kënaqësi të njihje kaq shumë vëllezër e motra, ndërsa udhëtonim në kongregacione të ndryshme. Meqë isha caktuar të bëja disa përkthime, e bëja këtë në shtëpinë ku qëndronim gjatë javës. Kur udhëtonim, na duhej të merrnim me vete fjalorët e rëndë, përveç valixheve dhe çantave të tjera.
U kënaqëm në veprën qarkore që kryem për më tepër se katër vjet dhe pamë se si vazhdonte të rritej organizata. Dega u transferua në Numazu dhe vite më pas në Ebina, ku ndodhen godinat e degës tani. Xhunxhi dhe unë po gëzojmë prej një kohe të gjatë shërbimin në Bethel, duke punuar tani me një familje me rreth 600 pjesëtarë. Në maj të vitit 2002, disa miq në Bethel me dashamirësi kremtuan 50-vjetorin tim në shërbimin e plotkohor.
Të bekuar që kemi parë rritjen
Kur fillova t’i shërbeja Jehovait në vitin 1950, në Japoni kishte vetëm një grusht lajmëtarësh. Tani ka më tepër se 210.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Vërtet, mijëra njerëz ngjashëm deleve janë tërhequr drejt Jehovait, ashtu si unë.
Të katër vëllezërit misionarë dhe motra misionare që na vizituan te shtëpia e motrës Koda në vitin 1949, si edhe motër Mad Koda, që të gjithë e kanë përfunduar me besnikëri jetën e tyre. Po kështu edhe im vëlla, që ishte shërbëtor ndihmës, dhe gruaja e tij, që shërbeu si pioniere për rreth 15 vjet. Cila do të jetë e ardhmja për prindërit e mi, vdekjen e të cilëve e kam pasur frikë që në fëmijëri? Premtimi biblik i ringjalljes më jep shpresë dhe ngushëllim.—Veprat 24:15.
Kur meditoj për të kaluarën, mendoj se takimi me Madin në vitin 1941 ishte një pikë kthese në jetën time. Po të mos e kisha takuar në atë kohë dhe po të mos i isha përgjigjur ftesës për të punuar përsëri tek ajo pas luftës, ndoshta do të isha vendosur në tokën tonë në një fshat të largët dhe nuk do të kisha pasur asnjë lidhje me misionarët në ato ditë të hershme. Sa mirënjohëse i jam Jehovait që më tërhoqi drejt së vërtetës nëpërmjet Madit dhe misionarëve të hershëm!
[Figura në faqen 25]
Me motrën Mad Koda dhe burrin e saj. Unë jam përpara në të majtë
[Figura në faqen 27]
Me misionarë nga Japonia në stadiumin Jenki në vitin 1953. Unë jam në cep, majtas
[Figurat në faqen 28]
Në Bethel me tim shoq, Xhunxhin