Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Çfarë është pagëzimi për të vdekurit?
Kur po shkruante për ringjalljen qiellore, apostulli Pavël shkroi një fragment shumë interesant. Në përkthimin Diodati lexojmë: «Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?» Kurse versioni Don Simon Filipaj e përkthen kështu këtë fragment: «Nëse nuk është kështu, çka fitojnë atëherë ata që pagëzohen për të vdekur? Në qoftë se të vdekurit kurrsesi nuk ngjallen, pse atëherë pagëzohen për ta?»—1 Korintasve 15:29.
A po thoshte Pavli që njerëzit e gjallë të pagëzoheshin për ata që vdiqën pa u pagëzuar? Kështu mund të duket nga këto përkthime dhe nga disa përkthime të tjera të Biblës. Megjithatë një shqyrtim më nga afër i Shkrimeve dhe i fjalës origjinale greke që përdori Pavli të çon në një përfundim tjetër. Pavli donte të thoshte se të krishterët e mirosur pagëzohen, ose zhyten, në një mënyrë jetese që do të çojë në një vdekje në besnikëri, ashtu si edhe vdekja e Krishtit. Pas kësaj do të ringjallen në jetën frymore siç bëri edhe ai.
Shkrimet e mbështetin këtë shpjegim. Në letrën drejtuar romakëve, Pavli shkroi: «Nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Krishtin Jezu, u pagëzuam në vdekjen e tij?» (Romakëve 6:3) Në letrën drejtuar filipianëve, Pavli foli për ‘pjesëmarrjen në vuajtjet [e Krishtit], duke iu nënshtruar një vdekjeje si e tija, për të parë nëse në ndonjë mënyrë mund të arrinte ringjalljen më të hershme nga të vdekurit’. (Filipianëve 3:10, 11) Pavli po tregonte se jeta e një ithtari të mirosur të Krishtit përfshin mbajtjen e besnikërisë nën sprova, përballimin e vdekjes çdo ditë dhe së fundi një vdekje në besnikëri, e ndjekur nga ringjallja në qiell.
Është për t’u vërejtur se këto dhe shkrime të tjera, që e përmendin drejtpërdrejt vdekjen bashkë me të pagëzuarit, bëjnë fjalë për individët e gjallë që ishin pagëzuar dhe jo për ata që kishin vdekur. Po ashtu Pavli u tha të bashkëkrishterëve të mirosur: «U varrosët bashkë me të në pagëzimin e tij dhe për shkak të lidhjes me të edhe u ngritët së bashku nëpërmjet besimit tuaj në veprimin e Perëndisë, i cili e ngriti atë prej të vdekurve.»—Kolosianëve 2:12.
Parafjala greke hyper te 1 Korintasve 15:29, e cila në versione të ndryshme të Biblës është përkthyer «për», mund të ketë edhe kuptimin «me qëllimin që». Prandaj, në harmoni me vargje të tjera të Biblës, Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta e përkthen drejt këtë varg me fjalët: «Ç’do të bëjnë ata që po pagëzohen me qëllimin që të jenë të vdekur? Nëse të vdekurit s’kanë për t’u ngritur fare, përse, pra, ata po pagëzohen për të qenë të tillë?»