Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndrueshmëria nën sprova i sjell lavdi Jehovait

Qëndrueshmëria nën sprova i sjell lavdi Jehovait

Qëndrueshmëria nën sprova i sjell lavdi Jehovait

«Nëse duroni kur bëni të mirën dhe vuani, kjo është e pëlqyeshme pranë Perëndisë.»​—1 PJETRIT 2:20.

1. Cila pyetje duhet shqyrtuar, meqë të krishterët e vërtetë duan të jetojnë në lartësinë e kushtimit të tyre?

TË KRISHTERËT i janë kushtuar Jehovait dhe duan të bëjnë vullnetin e tij. Për të jetuar në lartësinë e kushtimit, ata bëjnë çmos që të ndjekin hapat e Modelit të tyre, Jezu Krishtit, dhe që të japin dëshmi për të vërtetën. (Mateu 16:24; Gjoni 18:37; 1 Pjetrit 2:21) Megjithatë Jezui dhe njerëz të tjerë besnikë dhanë jetën dhe vdiqën si martirë për besimin e tyre. A do të thotë kjo se gjithë të krishterët duhet të vdesin për besimin e tyre?

2. Si i shohin të krishterët sprovat dhe vuajtjet?

2 Si të krishterë, jemi të nxitur të qëndrojmë besnikë deri në vdekje, dhe jo medoemos të vdesim për besimin tonë. (2 Timoteut 4:7; Zbulesa 2:10) Kjo do të thotë që, edhe pse jemi të gatshëm të vuajmë për besimin tonë ​—e në qoftë se është e nevojshme edhe të vdesim për të​—ne nuk duam të vuajmë ose të vdesim. Nuk gjejmë kënaqësi në vuajtje dhe nuk gjejmë ëndje në dhembje ose në poshtërime. Sidoqoftë, meqë presim sprova dhe përndjekje, kemi nevojë të shqyrtojmë me kujdes se si mund të veprojmë kur t’i hasim ato.

Besnikë nën prova

3. Cilët shembuj biblikë të përballimit të përndjekjes mund të tregoni? (Shihni kutinë «Si e përballuan përndjekjen?», në faqen vijuese.)

3 Në Bibël gjejmë tregime të shumta që na rrëfejnë si reaguan shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën, kur përballuan rrethana që ishin kërcënuese për jetën. Mënyrat e ndryshme si reaguan, sigurojnë drejtim për të krishterët sot, në rast se edhe këta do të përballojnë vështirësi të ngjashme. Shqyrtoni tregimet te kutia «Si e përballuan përndjekjen?» dhe shihni se çfarë mund të mësoni prej tyre.

4. Çfarë mund të thuhet për mënyrën se si reaguan Jezui dhe shërbëtorë të tjerë besnikë kur ishin nën sprova?

4 Ndonëse Jezui dhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë, në varësi të rrethanave, reaguan në mënyra të ndryshme ndaj përndjekjes, është e qartë se ata nuk e rrezikuan jetën pa qenë nevoja. Kur u gjendën në rrethana të rrezikshme, ata qenë të guximshëm, e megjithatë të kujdesshëm. (Mateu 10:16, 23) Qëllimi i tyre ishte të çonin përpara veprën e predikimit dhe të mbanin integritetin ndaj Jehovait. Reagimi i tyre në rrethana të ndryshme siguron shembuj për ata të krishterë që sot hasin sprova dhe përndjekje.

5. Çfarë përndjekjeje u bë në Malavi në vitet 60 dhe si reaguan Dëshmitarët e atjeshëm?

5 Në kohët e sotme, shpesh populli i Jehovait ka hasur kushte të vështira dhe i kanë munguar gjërat e nevojshme të jetesës, për shkak të luftërave, ndalimeve ose të përndjekjes së drejtpërdrejtë. Për shembull, në vitet 60 të shekullit të 20-të, Dëshmitarët e Jehovait në Malavi u përndoqën egërsisht. Sallat e Mbretërisë, shtëpitë, rezervat e ushqimit, aktivitet e tyre tregtare, pothuajse gjithçka që kishin, u shkatërruan. Ata i rrahën dhe kaluan përvoja të tjera të mundimshme. Si reaguan vëllezërit? Mijëra vëllezërve iu desh të iknin nga fshatrat. Shumë veta gjetën strehim në kaçuba, kurse të tjerë shkuan përkohësisht në mërgim në shtetin fqinj të Mozambikut. Edhe pse shumë vëllezër besnikë humbën jetën, të tjerë vendosën të iknin nga zona e rrezikut, dhe kjo me sa duket ishte një gjë e arsyeshme në ato rrethana. Duke vepruar kështu, vëllezërit ndoqën shembullin e lënë nga Jezui dhe Pavli.

6. Çfarë nuk lanë pas dore Dëshmitarët nga Malavia, me gjithë përndjekjen e egër?

6 Megjithëse vëllezërve nga Malavia iu desh të largoheshin ose të fshiheshin, ata kërkuan e ndoqën drejtimin teokratik dhe i kryen veprimtaritë e krishtere në fshehtësi, sa më mirë që mundën. Cili ishte rezultati? Vetëm pak kohë përpara se vepra të ndalohej në vitin 1967, u arrit një maksimum prej 18.519 lajmëtarësh të Mbretërisë. Ndonëse ndalimi ishte ende në fuqi dhe shumë veta kishin ikur në Mozambik, në vitin 1972 u raportua një maksimum i ri prej 23.398 lajmëtarësh. Ata kishin një mesatare me më shumë se 16 orë shërbim çdo muaj. Pa dyshim, veprimet e tyre i sollën lavdi Jehovait dhe bekimi i tij ishte mbi ata vëllezër besnikë gjatë asaj kohe tejet të vështirë. *

7, 8. Për ç’arsye disa vendosin të mos largohen, ndonëse kundërshtimi po u shkakton probleme?

7 Nga ana tjetër, në vendet ku kundërshtimi po shkakton probleme, disa vëllezër mund të vendosin që të mos largohen, edhe pse kanë mundësi ta bëjnë këtë. Po të largoheshin mund të zgjidhnin disa probleme, por kjo gjë ndoshta do të krijonte probleme të tjera. Për shembull, a do të mund të mbanin lidhje me vëllazërinë e krishterë e të mos veçoheshin frymësisht? A do të mund të vazhdonin të mbanin rutinën e tyre frymore, ndërsa përpiqen të vendosen ndoshta në një vend më të pasur ose në një vend që krijon më shumë mundësi për të pasur më tepër gjëra materiale?​—1 Timoteut 6:9.

8 Të tjerë vendosin të mos largohen, sepse shqetësohen për mirëqenien frymore të vëllezërve. Vendosin të qëndrojnë dhe të përballojnë situatën, që të vazhdojnë të predikojnë në vendin e tyre dhe të jenë burim inkurajimi për bashkadhuruesit. (Filipianëve 1:14) Duke marrë një vendim të tillë, disa kanë ndihmuar për të fituar beteja ligjore në vendin e tyre. *

9. Cilët faktorë duhet të marrë parasysh një individ kur duhet të vendosë për të qëndruar ose për t’u larguar për shkak të përndjekjes?

9 Patjetër, të qëndrojmë ose të largohemi është një vendim personal. Sigurisht këto vendime duhen marrë vetëm pasi të kemi kërkuar drejtimin e Jehovait me anë të lutjes. Megjithatë, çfarëdo rruge që të kemi zgjedhur, duhet të sjellim në mendje fjalët e apostullit Pavël: «Secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten.» (Romakëve 14:12) Siç e thamë edhe më parë, ajo që kërkon Jehovai nga secili prej shërbëtorëve të tij është që të mbetet besnik në të gjitha rrethanat. Disa nga shërbëtorët e tij po përballojnë sprova dhe përndjekje sot; të tjerë mund t’i përballojnë më vonë. Në një mënyrë a në një tjetër, të gjithë do të provohen, dhe askush nuk duhet të shpresojë se bën përjashtim nga kjo gjë. (Gjoni 15:19, 20) Meqë jemi shërbëtorë të kushtuar të Jehovait, nuk mund t’i shmangemi çështjes universale që përfshin shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe shfajësimin e sovranitetit të tij.​—Ezekieli 38:23; Mateu 6:9, 10.

«Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe»

10. Çfarë shembulli të rëndësishëm na lanë Jezui dhe apostujt me mënyrën si përballuan presionet dhe kundërshtimin?

10 Një parim tjetër i rëndësishëm, që mund të mësojmë nga mënyra se si reaguan Jezui dhe apostujt kur ishin nën presion, është që të mos hakmerremi ndaj përndjekësve. Askund në Bibël nuk gjejmë të përmendet sadopak që Jezui ose ithtarët e tij të jenë organizuar në ndonjë lloj lëvizjeje për rezistencë ose të kenë përdorur forcën për të luftuar kundër përndjekësve të tyre. Përkundrazi, apostulli Pavël i këshilloi të krishterët që ‘të mos ia kthenin askujt të keqen me të keqe’. Ai tha: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë; sepse është shkruar: ‘Hakmarrja është e imja; unë do të shpaguaj,’​—thotë Jehovai.» Për më tepër, «mos lër të mundesh nga e keqja, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën».​—Romakëve 12:17-21; Psalmi 37:1-4; Fjalët e urta [Proverbat] 20:22.

11. Çfarë thotë një historian për qëndrimin e të krishterëve të hershëm ndaj shtetit?

11 Të krishterët e hershëm e morën për zemër atë këshillë. Në librin e tij The Early Church and the World, historiani Sisil Zh. Kadu përshkruan qëndrimin e të krishterëve ndaj shtetit gjatë viteve 30-70 të e.s. Ai shkruan: «Nuk kemi asnjë provë të drejtpërdrejtë që të krishterët e kësaj periudhe të kenë bërë ndonjë orvatje për ta kundërshtuar me forcë përndjekjen. Ata, shumë-shumë, do t’i dënonin fuqimisht sundimtarët ose, duke u larguar, do t’i linin të habitur. Por, reagimi normal i të krishterëve ndaj përndjekjes nuk ishte më shumë sesa një mospranim i përmbajtur, por i vendosur, për t’iu bindur atyre urdhrave të qeverisë që mendonin se ishin në konflikt me bindjen ndaj Krishtit.»

12. Pse është më mirë që t’i durojmë vuajtjet, sesa të hakmerremi?

12 A është vërtet praktike që të veprohet në një mënyrë të tillë në dukje pasive? Dikush që do të reagonte në këtë mënyrë, a nuk do të ishte një pre e lehtë për ata që janë të vendosur për ta shfarosur? A nuk do të ishte një gjë e mençur të vetëmbrohej? Nga pikëpamja njerëzore mund të duket kështu. Gjithsesi, si shërbëtorë të Jehovait jemi të sigurt se ndjekja e drejtimit të Jehovait në të gjitha gjërat është udha më e mirë. Mbajmë në mendje fjalët e Pjetrit: «Nëse duroni kur bëni të mirën dhe vuani, kjo është e pëlqyeshme pranë Perëndisë.» (1 Pjetrit 2:20) Jemi të sigurt se Jehovai është plotësisht i vetëdijshëm për situatën dhe nuk do të lejojë që gjërat të vazhdojnë pafundësisht. Si mund të jemi të sigurt për këtë? Jehovai i tha popullit të tij të robëruar në Babiloni: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zakaria 2:8, BR) Për sa kohë lejon dikush që t’i prekin bebëzën e syrit? Jehovai do të sjellë lehtësim në kohën e duhur. Për këtë nuk kemi asnjë lloj dyshimi.​—2 Selanikasve 1:5-8.

13. Pse Jezui iu nënshtrua armiqve duke i lejuar që ta arrestonin?

13 Në lidhje me këtë mund të shohim Jezuin si modelin tonë. Kur i la armiqtë ta arrestonin në kopshtin e Getsemanisë, kjo nuk ndodhi sepse ai nuk mund të vetëmbrohej. Në të vërtetë u tha dishepujve: «Apo mendoni se nuk i lutem dot Atit tim, për të më dhënë në këtë çast më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Në atë rast, si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë në këtë mënyrë?» (Mateu 26:53, 54) Përmbushja e vullnetit të Jehovait kishte rëndësi parësore për Jezuin, edhe sikur për këtë t’i duhej të vuante. Ai kishte siguri të plotë te fjalët e psalmit profetik të Davidit: «Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin [gropën, BR].» (Psalmi 16:10) Vite më vonë, apostulli Pavël tha për Jezuin: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.»​—Hebrenjve 12:2.

Gëzim se shenjtërojmë emrin e Jehovait

14. Cili gëzim i dha forcë Jezuit gjatë gjithë sprovave të tij?

14 Cili gëzim i dha forcë Jezuit gjatë provës më të ashpër që mund të përfytyrohet? Nga të gjithë shërbëtorët e Jehovait, Jezui, Biri i dashur i Perëndisë, ishte sigurisht shënjestra kryesore e Satanait. Kështu mbajtja e integritetit nën prova nga ana e Jezuit do të ishte përgjigjja përfundimtare ndaj talljes së Satanait kundër Jehovait. (Fjalët e urta 27:11) A mund të përfytyroni gëzimin dhe kënaqësinë që duhet të ketë ndier Jezui pasi është ringjallur? Sa i lumtur duhet të ketë qenë kur ka kuptuar se e kishte përmbushur rolin që i ishte caktuar si njeri i përsosur për shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe për shenjtërimin e emrit të Tij! Përveç kësaj edhe fakti që është ulur «në të djathtën e fronit të Perëndisë», pa dyshim, është për Jezuin një nder i jashtëzakonshëm dhe burimi më i madh i gëzimit.​—Psalmi 110:1, 2; 1 Timoteut 6:15, 16.

15, 16. Çfarë përndjekjeje mizore duruan Dëshmitarët në Zaksenhauzen dhe çfarë u dha forcë që të duronin?

15 Edhe për të krishterët është një gëzim të marrin pjesë në shenjtërimin e emrit të Jehovait duke duruar sprovat dhe përndjekjen, ashtu siç bëri Jezui. Një rast i tillë qe përvoja e Dëshmitarëve që vuajtën në kampin famëkeq të përqendrimit në Zaksenhauzen dhe mbijetuan gjatë marshimit rraskapitës të vdekjes në fund të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë marshimit, mijëra të burgosur vdiqën nga moti i ashpër, sëmundjet a uria, ose u ekzekutuan brutalisht gjatë rrugës nga rojat SS. Që të 230 Dëshmitarët mbijetuan sepse i qëndruan afër njëri-tjetrit dhe sepse e ndihmuan njëri-tjetrin, edhe pse rrezikonin jetën.

16 Çfarë u dha forcë këtyre Dëshmitarëve për të duruar këtë përndjekje mizore? Me të mbërritur të gjallë, ata shprehën gëzimin dhe mirënjohjen ndaj Jehovait në një dokument me titull «Rezoluta e 230 dëshmitarëve të Jehovait nga gjashtë kombësi, të mbledhur në një pyll pranë Shverinit në Meklenburg». Në të thuhej: «Kemi kaluar një periudhë të gjatë e të vështirë me prova dhe ata që janë ruajtur të gjallë, që janë rrëmbyer si të thuash nga furra e zjarrtë, nuk mbajnë as erë tymi. (Shih Danielin 3:27.) Përkundrazi janë plot forcë e fuqi nga Jehovai dhe po presin me gatishmëri urdhra të rinj nga Mbreti që të çojnë përpara interesat teokratike.» *

17. Çfarë lloj provash po has tani populli i Perëndisë?

17 Ashtu si atyre 230 besnikëve, edhe neve mund të na vihet në provë besimi, ndonëse nuk kemi «rezistuar ende deri në gjak». (Hebrenjve 12:4) Por ka shumë lloje të ndryshme sprovash. Ato mund të jenë tallje nga shokët e klasës ose presion nga shokët për të kryer imoralitet e gjëra të tjera të gabuara. Përveç kësaj, ndonjëherë mund të shkaktojnë presione e sprova edhe vendimi për t’u përmbajtur nga gjaku, për t’u martuar vetëm në Zotërinë ose për t’i rritur fëmijët në të vërtetën, në rastin e një shtëpie të ndarë nga ana fetare.​—Veprat 15:29; 1 Korintasve 7:39; Efesianëve 6:4; 1 Pjetrit 3:1, 2.

18. Çfarë sigurie kemi se mund të durojmë edhe sprovën më të jashtëzakonshme?

18 Megjithatë, çfarëdo prove që të vijë, e dimë se vuajmë ngaqë vëmë në vend të parë Jehovain dhe Mbretërinë e tij. Dhe e quajmë një privilegj dhe gëzim të vërtetë të veprojmë kështu. Marrim guxim nga fjalët ngushëlluese të Pjetrit: «Nëse po ju poshtërojnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse fryma e lavdisë, madje fryma e Perëndisë, po prehet mbi ju.» (1 Pjetrit 4:14) Me anë të fuqisë së frymës së Jehovait kemi forcë për të duruar madje edhe nën sprovat më të vështira, dhe gjithçka e bëjmë për t’i sjellë atij lavdi.​—2 Korintasve 4:7; Efesianëve 3:16; Filipianëve 4:13.

[Shënimet]

^ par. 6 Ngjarjet e viteve 60 nuk ishin veçse fillimi i një sërë përndjekjesh të egra dhe gjakatare që Dëshmitarëve në Malavi iu desh t’i duronin për pothuajse tre dhjetëvjeçarë. Për një përshkrim të plotë, shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1999, faqet 171-212, anglisht.

^ par. 8 Shih artikullin «Gjykata e Lartë përkrah adhurimin e vërtetë në ‘vendin e Araratit’», në Kullën e Rojës 1 prill 2003, faqet 11-14.

^ par. 16 Për tekstin e plotë të kësaj rezolute shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1974, faqet 208-209, anglisht. Mund të gjesh një rrëfim të kësaj ngjarjeje nga një i mbijetuar i marshimit, në Kullën e Rojës 1 janar 1998, faqet 25-29.

A mund të shpjegoni?

• Si i shohin të krishterët vuajtjet dhe përndjekjen?

• Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si reaguan Jezui dhe njerëz të tjerë besnikë kur ishin nën sprova?

• Pse është e mençur të mos hakmerremi kur përndiqemi?

• Cili gëzim i dha forcë Jezuit gjatë sprovave dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqen 15]

Si e përballuan përndjekjen?

• Përpara se ushtarët e Herodit të mbërrinin në Jerusalem që të vritnin të gjitha foshnjat meshkuj nga dy vjeç e poshtë, Jozefi dhe Maria, nën drejtimin engjëllor, e morën foshnjën Jezu dhe ikën në Egjipt.​—Mateu 2:13-16.

• Shumë herë gjatë shërbimit të tij, armiqtë e Jezuit kërkuan ta vritnin, ngaqë jepte dëshmi të fuqishme. Jezui u shpëtoi nga duart atyre në çdo rast.​—Mateu 21:45, 46; Luka 4:28-30; Gjoni 8:57-59.

• Kur ushtarët dhe oficerët erdhën në kopshtin e Getsemanisë për të arrestuar Jezuin, ai u identifikua hapur, duke u thënë dy herë: «Unë jam.» Madje nuk i la ithtarët që të kundërshtonin dhe e lejoi turmën e njerëzve që ta merrte.​—Gjoni 18:3-12.

• Në Jerusalem, Pjetrin dhe disa të tjerë i arrestuan, i rrahën dhe i urdhëruan të mos flitnin më për Jezuin. Por, pasi u liruan, «shkuan . . . , e çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, ata vazhdonin pareshtur të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin».​—Veprat 5:40-42.

• Kur Sauli, i cili më vonë u bë apostulli Pavël, mori vesh për komplotin e judenjve në Damask për ta vrarë, vëllezërit e vunë në një kosh, e zbritën përmes një të çare në murin e qytetit dhe kështu ai iku.​—Veprat 9:22-25.

• Vite më vonë, Pavli vendosi t’i apelohej Cezarit, megjithëse edhe guvernatori Fest, edhe mbreti Agripa nuk gjetën tek ai ‘asgjë që meritonte vdekjen ose vargonjtë’.​—Veprat 25:10-12, 24-27; 26:30-32.

[Figurat në faqet 16, 17]

Ndonëse për shkak të përndjekjes së egër u detyruan të iknin, mijëra Dëshmitarë besnikë nga Malavia vazhduan me gëzim në shërbimin e Mbretërisë

[Figurat në faqen 17]

Gëzimi i shenjtërimit të emrit të Jehovait u dha forcë këtyre besnikëve gjatë marshimit të vdekjes dhe në kampet e përqendrimit

[Burimi]

Marshimi i vdekjes: KZ-Gedenkstätte Dachau, me mirësjelljen e USHMM Photo Archives

[Figurat në faqen 18]

Sprovat dhe presionet mund të jenë të llojeve të ndryshme