Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shumë pyetje; pak përgjigje të kënaqshme

Shumë pyetje; pak përgjigje të kënaqshme

Shumë pyetje; pak përgjigje të kënaqshme

MËNGJESIN e Ditës së Gjithë Shenjtorëve, më 1 nëntor 1755, një tërmet i fuqishëm goditi qytetin e Lisbonës, ndërkohë që shumica e qytetarëve të saj ishin në kishë. Mijëra ndërtesa u shembën dhe dhjetëra mijë njerëz u vranë.

Pak kohë pas kësaj tragjedie, shkrimtari francez Volteri botoi poemën e tij Poeme sur le desastre de Lisbonne (Poemë për katastrofën e Lisbonës). Në të ai e hidhte poshtë pohimin se katastrofa ishte shpagim hyjnor për mëkatet e njerëzve. Duke theksuar se ngjarje të tilla nuk mund të kuptoheshin ose të shpjegoheshin nga njeriu, Volteri shkroi:

Natyra është memece, më kot e pyesim;

Kemi nevojë për një Perëndi që i flet racës njerëzore.

Patjetër Volteri nuk ishte i pari që ngrinte pyetje rreth Perëndisë. Gjatë gjithë historisë njerëzore, tragjeditë dhe katastrofat kanë bërë që të lindin pyetje në mendjen e njerëzve. Disa mijëra vjet më parë, patriarku Job, i cili sapo kishte humbur të gjithë fëmijët dhe po vuante nga një sëmundje e tmerrshme, bëri këtë pyetje: ‘Pse [Perëndia] i jep dritë fatkeqit dhe jetë atij që e ka shpirtin në hidhërim?’ (Jobi 3:20) Sot shumë njerëz habiten se si një Perëndi i mirë dhe i dashur duket sikur rri pa bërë asgjë, kur sheh kaq vuajtje dhe padrejtësi.

Kur gjenden përballë zisë së bukës, luftërave, sëmundjeve dhe vdekjes, shumë veta e hedhin poshtë krejtësisht idenë se ka një Krijues që interesohet për njerëzimin. Një filozof ateist vërejti: «Asgjë nuk mund ta shfajësojë Perëndinë që lejon të vuajë një fëmijë, . . . patjetër, vetëm nëse Ai nuk ekziston.» Tragjedi të mëdha, si Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore, çojnë në përfundime të ngjashme. Vini re këtë koment të shkruar në një buletin nga një shkrimtar jude: «Pa dyshim, shpjegimi më i thjeshtë për vuajtjet e Aushvicit është se nuk ka asnjë Perëndi që të ndërhyjë në çështjet njerëzore.» Sipas një sondazhi të bërë në vitin 1997 në Francë, një vend kryesisht katolik, afërsisht 40 për qind e njerëzve dyshojnë se ka një Perëndi, për shkak të gjenocideve, si ai që ndodhi në Ruandë në vitin 1994.

A është një pengesë për besimin?

Pse nuk ndërhyn Perëndia që të mos ndodhin gjëra të këqija? Një kronist katolik pohon se kjo pyetje është «një pengesë serioze për besimin» e shumë njerëzve. Ai bën pyetjen: «Vërtet, a mund të besosh te një Perëndi që vëzhgon i pafuqishëm, ndërkohë që miliona të pafajshëm vdesin dhe popullata të tëra njerëzish në botë i masakrojnë, e ai nuk bën asgjë për ta ndaluar këtë?»

Po kështu, në një artikull të gazetës katolike La Croix komentohet: «Pavarësisht nëse bëhet fjalë për tragjedi të së kaluarës, për drama të shkaktuara nga teknologjia e përparuar, për katastrofa natyrore, për krime të organizuara ose për vdekjen e një njeriu të dashur, në çdo rast sytë e tmerruar të njerëzve shikojnë drejt qiellit. Ku është Perëndia? Ata kërkojnë një përgjigje. A nuk është ai Indiferenti i Madh, Moskokëçarësi i Madh?»

Papa Gjon Pali II e trajtoi këtë çështje në letrën e tij apostolike të vitit 1984, Salvifici Doloris. Ai shkroi: «Megjithëse ekzistenca e botës i hap sytë, si të thuash, shpirtit njerëzor që të perceptojë ekzistencën e Perëndisë, mençurinë, fuqinë dhe madhështinë e tij, të ligat dhe vuajtjet duket se e errësojnë këtë pamje, disa herë krejtësisht, sidomos kur çdo ditë ndodhin kaq shumë raste vuajtjesh të pajustifikueshme dhe veprimesh të padrejta që nuk ndëshkohen siç duhet.»

A përputhet ekzistenca e një Perëndie plot dashuri dhe të gjithëpushtetshëm, siç paraqitet në Bibël, me mbizotërimin e vuajtjeve njerëzore? A ndërhyn ai për t’i ndaluar tragjeditë individuale ose të përgjithshme? A bën ndonjë gjë për ne sot? Për ta thënë me fjalët e Volterit, a ka «një Perëndi që i flet racës njerëzore» për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve? Për këtë ju lutemi të lexoni artikullin vijues.

[Figurat në faqen 3]

Shkatërrimi i Lisbonës në vitin 1755 e shtyu Volterin të thoshte se ngjarje të tilla nuk mund të kuptoheshin nga njeriu

[Burimet]

Volteri: Nga libri Great Men and Famous Women; Lisbonë: J.P. Le Bas, Praça da Patriarcal depois do terramoto de 1755. Fotografia: Museu da Cidade/Lisboa

[Figura në faqen 4]

Shumë njerëz dyshojnë se ka një Perëndi, për shkak të pasojave tragjike të gjenocideve, si ai që ndodhi në Ruandë

[Burimi]

Fotografi e AFP-së

[Burimi i figurës në faqen 2]

KAPAKU, fëmijët: USHMM, me mirësjelljen e Komisionit Qendror për gjykimin e krimeve kundër kombit polak