Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kuptojmë qëllimin e disiplinës

Të kuptojmë qëllimin e disiplinës

Të kuptojmë qëllimin e disiplinës

ÇFARË ju vjen në mendje kur dëgjoni fjalën «disiplinë»? Një fjalor e përkufizon kështu disiplinën: «T’i bësh njerëzit që t’u binden rregullave ose normave të sjelljes dhe t’i ndëshkosh kur nuk veprojnë kështu.» Ndonëse ky patjetër nuk është i vetmi përkufizim që pranohet, shumë njerëz sot i japin një ngjyrim negativ të ngjashëm gjithçkaje që ka të bëjë me disiplinën.

Megjithatë Bibla e paraqet disiplinën nën një dritë tjetër. «Disiplinën e Jehovait mos e flak poshtë, o biri im»,​—shkroi mbreti i mençur Solomon. (Proverbat 3:11, BR) Këtu bëhet fjalë jo për disiplinën në përgjithësi, por për «disiplinën e Jehovait», domethënë, për disiplinën e bazuar në parimet e larta të Perëndisë. Vetëm kjo disiplinë është nga ana frymore frytdhënëse dhe e dobishme, madje e dëshirueshme. Krejt ndryshe nga kjo, disiplina që bazohet në mendimet njerëzore të cilat janë në konflikt me parimet e larta të Jehovait, shpesh është e ashpër dhe e dëmshme. Kjo shpjegon se pse shumë njerëz kanë një qëndrim negativ ndaj disiplinës.

Pse jemi të nxitur që ta pranojmë disiplinën e Jehovait? Në Shkrime disiplina hyjnore përshkruhet si shprehje e dashurisë së Perëndisë për krijesat e tij njerëzore. Prandaj Solomoni vazhdoi të thoshte: «Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.»​—Fjalët e urta 3:12.

Cili është ndryshimi midis disiplinës dhe ndëshkimit?

Disiplina e treguar në Bibël shfaqet në mënyra të ndryshme, si: udhëheqje, mësim, stërvitje, qortim, ndreqje e madje ndëshkim. Sidoqoftë, në çdo rast, disiplina e Jehovait motivohet nga dashuria dhe qëllimi i saj është t’i sjellë dobi atij që i jepet. Disiplina që jep Jehovai me qëllimin për të ndrequr nuk është kurrë vetëm për të ndëshkuar.

Nga ana tjetër, ndëshkimi i Perëndisë nuk ka gjithnjë si qëllim të ndreqë ose të edukojë individin të cilit i jepet. Për shembull, që nga dita që Adami dhe Eva mëkatuan, ata filluan të vuanin pasojat e mosbindjes. Jehovai i dëboi nga kopshti parajsor i Edenit dhe ata iu dorëzuan pasojave të papërsosmërisë, të sëmundjeve dhe të moshës së thyer. Pas qindra vjetësh jete të dhembshme, ata morën fund njëherë e përgjithmonë. E gjitha kjo ishte në të vërtetë ndëshkim hyjnor, por jo disiplinë me qëllimin për të ndrequr. Adami dhe Eva mëkatuan me dashje dhe nuk u penduan, prandaj nuk mund të ndreqeshin më.

Disa tregime të tjera të ndëshkimit të Jehovait përfshijnë Përmbytjen në ditët e Noesë, shkatërrimin e Sodomës e të Gomorrës dhe shfarosjen e ushtrisë egjiptiane në Detin e Kuq. Këto veprime nga ana e Jehovait nuk kishin si qëllim t’u jepnin udhëheqje, mësim ose stërvitje atyre ndaj të cilëve u drejtuan. Apostulli Pjetër shkroi në lidhje me këto vepra ndëshkuese të Perëndisë: «[Ai] nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë, por Noenë, një predikues i drejtësisë, e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë të paperëndishmish; dhe duke bërë hi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës i dënoi, duke dhënë për të paperëndishmit një model të gjërave që do të vijnë.»​—2 Pjetrit 2:5, 6.

Në ç’kuptim këto vepra ndëshkimi ishin «duke dhënë për të paperëndishmit një model të gjërave që do të vijnë»? Në letrën drejtuar selanikasve, Pavli i quajti ditët tona si kohën kur Perëndia, nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, do të sjellë «hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë». Pavli thotë më tej: «Vetë këta do të pësojnë ndëshkimin gjyqësor të shkatërrimit të përhershëm.» (2 Selanikasve 1:8, 9) Sigurisht, ky ndëshkim nuk do të jepet për t’i mësuar ose për t’i rafinuar njerëzit ndaj të cilëve do të drejtohet ai. Megjithatë kur Jehovai i fton adhuruesit e tij që të pranojnë disiplinën e tij, ai nuk po flet për ndëshkimin e mëkatarëve të papenduar.

Është domethënëse që Bibla nuk e përshkruan Jehovain para së gjithash si ndëshkues. Përkundrazi më shpesh ai përshkruhet si një mësues i dashur dhe si një stërvitës i durueshëm. (Jobi 36:22; Psalmi 71:17; Isaia 54:13) Po, disiplina hyjnore që jepet për të ndrequr, shoqërohet gjithnjë nga dashuria dhe durimi. Kur e kuptojnë qëllimin e disiplinës, të krishterët janë më të përgatitur për ta pranuar dhe për ta dhënë disiplinën me qëndrimin e duhur.

Disiplina e prindërve të dashur

Brenda rrethit familjar dhe brenda kongregacionit të krishterë të gjithë kanë nevojë të kuptojnë qëllimin e disiplinës. Kjo është e vërtetë sidomos për ata që kanë pozita autoriteti, siç janë prindërit. Te Proverbat 13:24 thuhet: «Kush e kursen shkopin, e urren birin e tij, por kush e do, e kërkon me disiplinë.» (BR)

Si duhet ta japin disiplinën prindërit? Bibla shpjegon: «Ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Kjo këshillë përsëritet me fjalët vijuese: «Ju, etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»​—Kolosianëve 3:21.

Prindërit e krishterë që e kuptojnë qëllimin e disiplinës nuk do të veprojnë me ashpërsi. Parimi që thuhet te 2 Timoteut 2:24 mund të zbatohet për mënyrën se si prindërit e japin disiplinën. Pavli shkroi: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë, i kualifikuar për të mësuar.» Shpërthimet e pakontrollueshme të zemërimit, të bërtiturat dhe fjalët fyese ose poshtëruese sigurisht që nuk janë disiplinë e dashur, dhe nuk kanë vend në jetën e një të krishteri.​—Efesianëve 4:31; Kolosianëve 3:8.

Ndreqja nga ana e prindërve përfshin shumë më tepër se vetëm një veprim ndëshkues që jepet me të shpejtë dhe në mënyrë të prerë. Shumica e fëmijëve kanë nevojë për këshilla të vazhdueshme, përpara se të ndreqin mënyrën e tyre të të menduarit. Prandaj prindërit duhet të harxhojnë kohë, të kenë durim dhe të mendojnë shumë se si ta japin disiplinën. Ata duhet të mbajnë ndër mend se fëmijët duhen rritur në «disiplinën dhe normën mendore të Jehovait». Kjo do të thotë një stërvitje që zgjat për vite të tëra.

Barinjtë e krishterë disiplinojnë me butësi

Të njëjtat parime zbatohen për pleqtë e krishterë. Si barinj të krishterë që janë, ata përpiqen të ndërtojnë tufën duke i dhënë mësim, udhëheqje dhe qortim kur nevojitet. Ndërsa veprojnë kështu mbajnë ndër mend qëllimin e vërtetë të disiplinës. (Efesianëve 4:11, 12) Nëse do të përqendroheshin vetëm në dhënien e ndëshkimit, vetëm sa do t’i jepnin një dënim atij që ka gabuar dhe do ta linin me kaq. Por disiplina hyjnore përfshin shumë më tepër. Të motivuar nga dashuria, pleqtë ngulmojnë në përpjekjet për ta ndihmuar atë që ka gabuar. Meqenëse interesohen sinqerisht, shpesh programojnë që të takohen disa herë me atë që ka gabuar, me qëllim që ta inkurajojnë dhe ta stërvitin.

Sipas këshillës që gjendet te 2 Timoteut 2:25, 26, edhe kur kanë të bëjnë me individë që nuk e pranojnë me gatishmëri disiplinën, pleqtë duhet të mësojnë «me butësi». Pastaj shkrimi thotë se cili është qëllimi i disiplinës: «Ndoshta Perëndia u jep atyre pendimin që çon në njohurinë e saktë të së vërtetës, e ata të vijnë në vete, jashtë nga laku i Djallit.»

Ndonjëherë është e nevojshme të përjashtohen nga kongregacioni keqbërësit e papenduar. (1 Timoteut 1:18-20) Edhe një veprim i tillë i rreptë duhet parë përsëri si disiplinë, e jo thjesht si ndëshkim. Herë pas here pleqtë përpiqen t’i vizitojnë individët e përjashtuar që nuk janë të përfshirë aktivisht në ndonjë keqbërje. Gjatë këtyre vizitave, pleqtë veprojnë në harmoni me qëllimin e vërtetë të disiplinës, duke i treguar hapat e nevojshëm që duhet të bëjë një individ për t’u kthyer në kongregacionin e krishterë.

Jehovai është Gjykatësi i përsosur

Prindërit, barinjtë e krishterë dhe të tjerë që kanë autoritet nga Shkrimet për të dhënë disiplinë, duhet ta marrin seriozisht këtë përgjegjësi. Ata nuk duhet t’i gjykojnë me hamendje të tjerët si të pamundur për t’u ndrequr. Prandaj disiplina e tyre nuk duhet të jetë kurrë një ndëshkim hakmarrës ose armiqësor.

Është e vërtetë që Bibla e quan Jehovain si ai që do të sjellë një ndëshkim të ashpër dhe përfundimtar. Në fakt Shkrimet thonë se «është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë të gjallë». (Hebrenjve 10:31) Por asnjë njeri nuk duhet të orvatet ta krahasojë veten me Jehovain në këtë drejtim ose në çfarëdo drejtimi tjetër. Dhe askush nuk duhet të ketë arsye që të mendojë se është e frikshme të biesh në duart e një prindi ose të një plaku në kongregacion.

Jehovai ka aftësinë që të arrijë një drejtpeshim të përsosur kur jep disiplinë. Por njerëzit nuk e kanë. Perëndia mund të lexojë zemrën dhe të përcaktojë se kur dikush nuk mund të ndreqet më e kështu të marrë ndëshkimin e prerë dhe përfundimtar. Njerëzit, nga ana tjetër, nuk janë të aftë të japin një gjykim të tillë. Prandaj, kur nevojitet disiplinë, ata që janë në pozita autoriteti duhet ta japin atë gjithnjë me qëllimin për të ndrequr.

Të pranojmë disiplinën e Jehovait

Të gjithë kemi nevojë për disiplinën e Jehovait. (Fjalët e urta 8:33) Në të vërtetë duhet ta dëshirojmë me zjarr disiplinën që bazohet te Fjala e Perëndisë. Ndërsa studiojmë Fjalën e Perëndisë, mund të pranojmë disiplinën që vjen drejtpërdrejt nga Jehovai përmes Shkrimeve. (2 Timoteut 3:16, 17) Megjithatë, ndonjëherë do të marrim disiplinë nga të bashkëkrishterët. Kur e kuptojmë qëllimin pse jepet kjo disiplinë, kjo do të na ndihmojë ta pranojmë atë me gatishmëri.

Apostulli Pavël e pranoi: «Vërtet, asnjë disiplinë kur paraqitet nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim.» Pastaj ai tha: «Mirëpo më pas, atyre që janë stërvitur prej saj, u jep fryt paqeje, domethënë, drejtësi.» (Hebrenjve 12:11) Disiplina e Jehovait është shfaqje e dashurisë së tij të thellë për ne. Pavarësisht nëse marrim ose japim disiplinë, le të mbajmë në mendje qëllimin e disiplinës hyjnore dhe le t’i vëmë veshin këshillës së mençur biblike: «Rroke disiplinën; mos e lër të ikë. Ruaje, sepse ajo vetë është jeta jote.»​—Proverbat 4:13, BR.

[Figurat në faqen 21]

Mëkatarët e papenduar marrin ndëshkimin gjyqësor të Perëndisë, dhe jo disiplinën e tij që jepet për të ndrequr

[Figurat në faqen 22]

Të motivuar nga dashuria, pleqtë harxhojnë kohë duke bërë kërkime dhe duke i ndihmuar ata që kanë gabuar

[Figurat në faqen 23]

Prindërit me durim dhe dashuri japin «disiplinën dhe normën mendore të Jehovait»