Lajmi i mirë jep fryt në Sao-Tome e Principe
Lajmi i mirë jep fryt në Sao-Tome e Principe
SHUMICA e njerëzve ndoshta nuk kanë dëgjuar kurrë për Sao-Tome e Principen. Zakonisht këta ishuj nuk reklamohen në broshurat e vendeve për pushime. Në hartën e botës ata duken si pika të vogla që ndodhen në Gjirin e Guinesë, në largësi të bregut perëndimor të Afrikës. Sao-Tome ndodhet pothuajse në ekuator dhe Principe pak më në verilindje. Klima e lagësht e me shi ka krijuar pyje shiu të harlisura, të cilat mbulojnë shpatet e maleve që arrijnë një lartësi deri në 2.000 metra.
Në këta ishuj tropikalë, që rrethohen nga ujërat blu e nga plazhet me palma, banon një popull miqësor e dashamirës. Origjina e tij e përzier afrikano-evropiane ka sjellë si rezultat një përzierje të këndshme kulturash. Popullsia prej 170.000 banorësh merret me eksportin e produktit kryesor, të kakaos, ose me bujqësi e peshkim. Vitet e fundit është bërë e vështirë madje të sigurosh ushqimin e përditshëm.
Megjithatë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 20-të ndodhi një ngjarje që ka ndikuar shumë në jetën e gjithnjë e më shumë njerëzve në këta ishuj. Në qershor të vitit 1993, Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan ligjërisht nga qeveria e Sao-Tome e Principes. Në këtë mënyrë iu dha fund një periudhe të gjatë dhe shpesh të vështirë të historisë së Dëshmitarëve të Jehovait në këta ishuj.
Farëra të mbjella nën vështirësi
Duket se Dëshmitari i parë erdhi në këtë vend në fillim të viteve 50, kur të burgosur nga koloni të tjera portugeze në Afrikë u dërguan për të punuar në kampet e punës në këta ishuj. Dëshmitari, një pionier afrikan, pra një shërbëtor në kohë të plotë nga Mozambiku, ishte dënuar me internim sepse predikonte në atë vend lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ky Dëshmitar i vetëm predikoi me zell dhe brenda gjashtë muajsh ishin 13 të tjerë që merrnin pjesë në përhapjen e lajmit të mirë. Më vonë mbërritën nga Angola Dëshmitarë të tjerë në të njëjtat rrethana. Gjatë burgimit ata shfrytëzuan çdo rast për t’u folur banorëve vendës për lajmin e mirë.
Në vitin 1966 të gjithë vëllezërit që vuanin dënimin në Sao-Tome u kthyen në kontinentin afrikan. Grupi i vogël i lajmëtarëve të Mbretërisë që kishin lënë pas vazhdoi përpara me guxim. Ata u përndoqën, u rrahën dhe u burgosën, sepse mblidheshin për të studiuar Biblën, dhe nuk kishte asnjë që t’i vizitonte ose t’i inkurajonte. Vendi fitoi pavarësinë nga Portugalia në vitin 1975, dhe pak nga pak farërat e së vërtetës së Mbretërisë filluan të sillnin fryt.
Rritje dhe ndërtime
Atë muaj që Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan ligjërisht në vitin 1993, kishte një maksimum prej 100 lajmëtarësh të Mbretërisë. Në të njëjtin vit erdhën pionierë specialë nga Portugalia. Përpjekjet e tyre për të mësuar gjuhën portugeze kreole bënë që t’i hynin në zemër popullsisë vendëse. Kërkimit për të gjetur një tokë për një Sallë Mbretërie iu dha përparësi në atë kohë. Sapo dëgjoi për këtë nevojë, një motër e quajtur Maria dhuroi gjysmën e tokës në të cilën ndodhej shtëpia e saj e vogël. Kjo sipërfaqe toke ishte më se e mjaftueshme për një Sallë të madhe Mbretërie. Maria nuk e dinte se, ngaqë ajo nuk kishte gjallë ndonjë të afërm, kësaj prone ia kishin vënë syrin disa sipërmarrës ambiciozë të ndërtimeve. Një ditë një biznesmen i shquar erdhi të fliste me Marinë.
—Nuk kam dëgjuar gjëra të mira për ty!—vërejti ai.—Dëgjova se e ke dhuruar tokën. A nuk e di se vlen shumë, sepse ndodhet brenda në qytet?
—Po ta jepja ty tokën, sa do të më paguaje?—e pyeti Maria. Kur ai nuk u përgjigj, ajo vazhdoi:
—Edhe sikur të më jepje të gjitha paratë e botës, prapë nuk do të mjaftonin, sepse me para nuk mund të blihet jeta.
—Ti nuk ke fëmijë, apo jo?—e pyeti ai.
Për ta përfunduar bisedën, Maria tha: «Toka i përket Jehovait. Ai ma dha hua për kaq vjet dhe tani ia ktheva përsëri. Pres me padurim të jetoj përgjithmonë.» Pastaj e pyeti atë burrë: «Ti nuk mund të më japësh jetë të përhershme, apo jo?» Pa thënë asnjë fjalë tjetër, ai ktheu kurrizin dhe iku.
Si rezultat u ndërtua një ndërtesë e mrekullueshme dykatëshe me ndihmën e vëllezërve të kualifikuar që erdhën nga Portugalia. Ajo ka një kat të nëndheshëm, një Sallë Mbretërie të madhe dhe dhoma banimi. Gjithashtu ka klasa ku mbahen shkollat e pleqve, të shërbëtorëve ndihmës dhe të pionierëve. Tani në të i mbajnë mbledhjet dy kongregacione, duke e bërë kështu një qendër të shkëlqyer arsimimi për adhurimin e vërtetë në kryeqytet.
Në Me-Soshi kishte një kongregacion me 60 lajmëtarë të zellshëm. Meqë mbledhjet mbaheshin në një Sallë Mbretërie të sajuar, e cila ndodhej në një plantacion të vogël me banane, u bë e dukshme nevoja për një Sallë Mbretërie të përshtatshme. Kjo gjë iu bë e ditur bashkisë dhe disa zyrtarë dashamirës dhanë një pjesë të zgjedhur toke në rrugën kryesore. Brenda dy muajve, me ndihmën e vëllezërve nga Portugalia që përdorën metodën e shpejtë të ndërtimeve, u ndërtua një Sallë Mbretërie e shkëlqyer. Banorët vendës nuk u besonin syve. Një inxhinier suedez, që merrte pjesë në një projekt ndërtimi në qytet, u habit kur i pa vëllezërit e motrat duke punuar. «Është e pabesueshme!—tha ai.—Dëshmitarët e Jehovait këtu në Me-Soshi, që po përdorin një metodë të shpejtë ndërtimi! Ja si duhet ta organizojmë projektin tonë.» Salla e Mbretërisë u kushtua më 12 qershor 1999, me 232 të pranishëm. Salla është bërë ndër vendet kryesore të qytetit të Me-Soshit që vizitohen nga turistët.
Një kongres historik
Një ngjarje historike për Dëshmitarët e Jehovait në Sao-Tome e Principe ishte kongresi
krahinor treditor «Mësimi hyjnor», në janar të vitit 1994. Ishte kongresi i parë që mbahej në këta ishuj. U mbajt në sallën më të mirë e me ajër të kondicionuar të vendit. A mund të përfytyroni gëzimin e 116 lajmëtarëve të Mbretërisë kur panë një shumicë prej 405 vetash dhe që po shihnin për herë të parë drama biblike e po merrnin botimet e reja të kongresit? Një plazh tropikal shërbeu si vend për pagëzimin e 20 lajmëtarëve të kushtuar.Një gjë e re që tërhoqi vëmendjen e publikut ishin distinktivët që mbanin delegatët. Prania e 25 vizitorëve nga Portugalia dhe Angola bëri që kongresi të dukej si ndërkombëtar. U krijuan lidhje të ngrohta dashurie të krishterë dhe shumë vetave u rrodhën lot në sesionin e fundit, kur i thanë mirupafshim njëri-tjetrit.—Gjoni 13:35.
Gazetarë nga Radioja Kombëtare erdhën dhe intervistuan mbikëqyrësin e kongresit. Gjithashtu transmetuan fragmente të disa fjalimeve. Ishte vërtet një rast historik dhe ndihmoi që organizata e dukshme e Jehovait të dukej më e afërt për këta Dëshmitarë besnikë të veçuar prej një kohe të gjatë.
Japin fryt për lavdi të Jehovait
Kur mesazhi i Mbretërisë jep fryt, rezultati është një sjellje e shkëlqyer që i sjell lavdi e nder Jehovait. (Titit 2:10) Një adoleshente u kënaq nga ajo që po mësonte gjatë studimit biblik çdo javë. Por, babai i saj e ndaloi që të shkonte në mbledhjet e kongregacionit. Kur ajo i shpjegoi me respekt rëndësinë e mbledhjeve të krishtere dhe se dëshironte t’i ndiqte ato, menjëherë ai e përzuri nga shtëpia. Me sa duket mendoi se ajo do të vepronte si shumë të reja, do të shkonte menjëherë të jetonte me një burrë që t’i siguronte jetesën. Kur i ati mori vesh se ajo po bënte një jetë të dëlirë e shembullore si e krishterë, u nxit që ta merrte përsëri dhe t’i jepte liri të plotë për t’i shërbyer Jehovait.
Një shembull tjetër është drejtuesi i një grupi muzikor. Ai u zhgënjye nga jeta e tij imorale. Ndërsa po kërkonte një qëllim në jetë, atë e takuan Dëshmitarët. Kur filloi të jetonte sipas normave morale të Biblës, ai u bë tema e bisedave të qytetit. Shumë shpejt e pa të nevojshme të braktiste shoqëritë jo të shëndetshme. (1 Korintasve 15:33) Më pas bëri hapin jetësor të pagëzimit në simbol të kushtimit ndaj Jehovait.
Disa të rinj po kërkonin fenë e vërtetë. Gjatë këtij kërkimi ata biseduan me pastorë të disa grupeve evangjeliste, por kjo solli si përfundim vetëm pështjellim dhe zhgënjim të mëtejshëm. Si pasojë ata u bënë rrugaçë të dhunshëm dhe talleshin me çdo gjë që kishte të bënte me fenë.
Një ditë, një Dëshmitar i Jehovait që shërbente si misionar, po shkonte për të drejtuar një studim biblik dhe u gjend te vendi ku ishin këta të rinj. Ata donin që misionari t’u përgjigjej disa pyetjeve dhe e çuan atë në oborrin e pasëm të një shtëpie, ku e ftuan të ulej në një stol të vogël. Filluan t’i bënin një breshëri me pyetje për tema të tilla, si: shpirti, ferri i zjarrtë, jeta në qiell dhe fundi i botës. Dëshmitari iu përgjigj të gjitha pyetjeve me anë të Biblës që i dha udhëheqësi i bandës. Një orë më vonë, udhëheqësi i tyre, i quajtur La, i tha misionarit: «Kur të kërkuam që të vije e t’u përgjigjeshe pyetjeve, kishim ndër mend të të vinim në lojë, siç kemi bërë me njerëz të feve të tjera. Mendonim se askush nuk mund t’u përgjigjej këtyre pyetjeve. Por t’i iu përgjigje dhe e bëre duke përdorur vetëm Biblën. Më thuaj, si të mësoj më shumë për Biblën?» Me Lain u fillua një studim biblik dhe shpejt ai filloi të ndiqte mbledhjet. Pak kohë pas kësaj e la grupin dhe e braktisi mënyrën e tij të dhunshme të jetesës. Brenda një viti ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Tani shërben si shërbëtor ndihmës.
Një zakon vendës i rrënjosur thellë është që çiftet të jetojnë bashkë pa u martuar 2 Korintasve 10:4-6; Hebrenjve 4:12.
ligjërisht. Shumë veta kanë jetuar bashkë prej vitesh dhe kanë fëmijë. Ata e kanë të vështirë të pranojnë pikëpamjen e Perëndisë për këtë çështje. Të ngrohet zemra kur sheh se si e ndihmoi Fjala e Perëndisë një burrë që ta kapërcente këtë pengesë.—Antoni e kuptoi se duhej ta ligjëronte martesën dhe planifikoi ta bënte këtë pasi të korrte misrin, kur do të mund të kishte ca para për të bërë dasmën. Pikërisht një natë para korrjes erdhën hajdutët e i vodhën misrin. Ai vendosi të priste korrjen e vitit të ardhshëm dhe përsëri ia vodhën. Kur edhe një përpjekje tjetër për të gjetur paratë e dasmës dështoi, Antoni e kuptoi se kush ishte kundërshtari i tij i vërtetë. «Satanai nuk do të luajë më me mua,—tha.—Pas një muaji e gjysmë do të martohemi, me ose pa dasmë.» E kështu bënë dhe për habinë e tyre miqtë u sollën pula, rosa e një cjap për dasmën. Pasi bënë celebrimin, Antoni dhe e shoqja, bashkë me gjashtë fëmijët, u pagëzuan në simbol të kushtimit ndaj Jehovait.
Në ishullin Principe
Vitet e fundit 6.000 banorëve të Principes u kanë bërë vizita të herëpashershme mbikëqyrësi qarkor dhe pionierë nga Sao-Tome. Banorët e ishullit ishin shumë mikpritës dhe të gatshëm për të dëgjuar se çfarë kishin për të thënë Dëshmitarët. Pasi lexoi një fletushkë që i kishin lënë pionieret, një burrë i kërkoi ato të nesërmen dhe donte t’i ndihmonte që të shpërndanin më shumë fletushka. Pionieret i shpjeguan se këtë gjë do ta bënin vetë, por burri këmbënguli se do t’i shoqëronte nga dera në derë që t’ua prezantonte të zotërve të shtëpive duke i rekomanduar që t’i dëgjonin me kujdes. Së fundi burri i lavdëroi pionieret për veprën e rëndësishme që po bënin, e pastaj iku.
Në vitin 1998 dy pionierë nga Sao-Tome u transferuan në Principe dhe jo shumë kohë më vonë drejtonin 17 studime biblike në shtëpi. Vepra vazhdoi të rritej dhe shumë shpejt në Studimin e Librit të Kongregacionit kishte mesatarisht 16 të pranishëm e më shumë se 30 veta ndiqnin fjalimin publik. Vëllezërit njoftuan bashkinë se kishin nevojë për një vend për mbledhjet dhe lumturisht iu dha një tokë për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Vëllezër nga Sao-Tome punuan vullnetarisht për të ndërtuar një Sallë Mbretërie të vogël, e cila kishte gjithashtu dhoma banimi për dy pionierë specialë.
Pa dyshim lajmi i mirë po jep fryt dhe po rritet në këta ishuj të largët. (Kolosianëve 1:5, 6) Në janar të vitit 1990 kishte 46 lajmëtarë në Sao-Tome e Principe. Gjatë vitit të shërbimit 2002, u arrit një maksimum prej 388 lajmëtarësh të Mbretërisë. Më tepër se 20 për qind e lajmëtarëve janë në shërbim të plotkohor dhe drejtohen rreth 1.400 studime biblike në shtëpi. Numri i të pranishmëve në Përkujtim në vitin 2001 arriti një maksimum të paparë prej 1.907 vetash. Po, në këta ishuj tropikalë fjala e Jehovait po përhapet me shpejtësi dhe po merr lavdi.—2 Selanikasve 3:1.
[Kutia dhe figura në faqen 12]
Programe të njohura në radio
Një botim që vlerësohet shumë në këta ishuj është libri Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike. * Çdo dy javë në Radion Kombëtare transmetohet një program prej 15 minutash me këtë titull. Çfarë emocioni është të dëgjosh spikerin kur pyet: «Të rinj, si e dini nëse është dashuri e vërtetë apo dashuriçkë?» Pastaj ai vazhdon duke lexuar një pjesë nga libri. (Shih kapitullin 31.) Në një program të ngjashëm transmetohen pjesë të zgjedhura nga libri Sekreti i lumturisë familjare. *
[Shënimet]
^ par. 34 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 34 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 9]
Salla e parë e Mbretërisë në Sao-Tome në vitin 1994
[Figurat në faqen 10]
1. Sallë Mbretërie e ndërtuar me metodën e shpejtë në Me-Soshi
2. Në këtë sallë u zhvillua një kongres krahinor historik
3. Kandidatë për pagëzim, të lumtur në kongres
[Burimi i figurës në faqen 8]
Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.