Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë»

«Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë»

«Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë»

SIÇ mund ta shihni në figurë, deveja dhe kau që po lërojnë së bashku tokën duket se po vuajnë shumë. Zgjedha që i mban bashkë, e menduar për dy kafshë me përmasa dhe fuqi pak a shumë të njëjta, i bën të dyja kafshët të vuajnë. Duke menduar për të mirën e këtyre kafshëve të barrës, Perëndia u tha izraelitëve: «Nuk do të punosh njëkohësisht me një ka dhe një gomar.» (Ligjit i përtërirë 22:10) I njëjti parim do të zbatohej për kaun dhe devenë.

Normalisht një bujk nuk do t’i shkaktonte vështirësi të tilla kafshëve të tij. Por po të mos kishte dy qe, mund të vinte në një zgjedhë dy kafshë çfarëdo që kishte. Me sa duket këtë vendosi të bënte ky bujk i shekullit të 19-të që tregohet në figurë. Meqë ndryshonin nga përmasat dhe pesha, kafsha më e dobët do të stërmundohej për të mbajtur të njëjtin ritëm dhe kafsha e fortë do të kishte një barrë më të madhe për të mbajtur.

Apostulli Pavël e përdori vënien e gabuar nën një zgjedhë si ilustrim për të na dhënë një mësim të rëndësishëm. «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët,—shkroi ai.—Sepse, ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën?» (2 Korintasve 6:14) Por, si mund të futet nën të njëjtën zgjedhë një i krishterë me një jobesimtar?

Një mënyrë do të ishte nëse një i krishterë zgjedh të martohet me dikë që nuk ka të njëjtat bindje me të. Ky bashkim do të ishte i mundimshëm për të dyja palët, pasi çifti nuk do të ishte i një mendimi për gjëra shumë themelore.

Kur themeloi martesën, Jehovai i dha gruas rolin si ‘plotësuese’. (Zanafilla 2:18, BR) Në mënyrë të ngjashme, nëpërmjet profetit Malakia Perëndia e quajti gruan ‘shoqe’. (Malakia 2:14) Krijuesi dëshiron që çiftet e martuara të shkojnë bashkë në të njëjtin drejtim, duke i mbajtur së bashku barrët dhe duke marrë që të dy dobi të njëjta.

Duke u martuar «vetëm në Zotërinë», të krishterët tregojnë respekt për këshillën e Atit qiellor. (1 Korintasve 7:39) Kjo hedh themelin për të pasur një martesë të bashkuar, e cila mund t’i sjellë lavdi e nder Perëndisë, ndërsa që të dy bashkëshortët i shërbejnë atij si ‘shokë të vërtetë zgjedhe’ në një kuptim të veçantë.—Filipianëve 4:3.

[Burimi i figurës në faqen 32]

Deveja dhe kau: nga libri La Tierra Santa, Vëllimi 1, 1830