Për të fituar çmimin, ushtroni vetëkontroll!
Për të fituar çmimin, ushtroni vetëkontroll!
«Çdokush që merr pjesë në një garë, ushtron vetëkontroll në çdo gjë.»—1 Korintasve 9:25.
1. Në harmoni me Efesianëve 4:22-24, si i kanë thënë po Jehovait miliona njerëz?
NËSE je pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait, ke shpallur publikisht se je i gatshëm të marrësh pjesë në një garë që ka si çmim jetën e përjetshme. I the po vullnetit të Jehovait. Para se t’i kushtoheshim Jehovait, shumë prej nesh bëmë ndryshime domethënëse me qëllim që ky kushtim të ishte i vërtetë, i pranueshëm për Perëndinë. Ndoqëm këshillën që u dha apostulli Pavël të krishterëve: «Flakni tej personalitetin e vjetër që është në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj dhe që është korruptuar sipas dëshirave të tij mashtruese . . . vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efesianëve 4:22-24) Me fjalë të tjera, para se t’i thoshim po kushtimit ndaj Perëndisë, duhej t’i thoshim jo mënyrës së mëparshme të papranueshme të jetesës.
2, 3. Si tregon 1 Korintasve 6:9-12 se duhen bërë dy lloj ndryshimesh për të marrë miratimin e Perëndisë?
2 Disa aspekte të personalitetit të vjetër që duhet t’i flakin tej ata që duan të bëhen Dëshmitarë të Jehovait dënohen drejtpërdrejt në Fjalën e Perëndisë. Pavli i numëroi disa në letrën që u drejtoi korintasve, ku tha: «As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» Pastaj, tregoi se të krishterët e shekullit të parë i kishin bërë ndryshimet e duhura në personalitet, duke shtuar: «Dhe megjithatë, të tillë ishit disa prej jush.» Vini re që thuhet ishit, jo jeni.—1 Korintasve 6:9-11.
3 Pavli tha se mund të nevojiteshin edhe ndryshime të mëtejshme, sepse vazhdoi: «Gjithçka është e ligjshme për mua, por jo gjithçka është dobiprurëse.» (1 Korintasve 6:12) Kështu, sot shumë veta që dëshirojnë të jenë Dëshmitarë të Jehovait e shohin të nevojshme t’u thonë jo edhe gjërave që, ndonëse të ligjshme, nuk janë të dobishme ose nuk kanë vlerë të qëndrueshme. Këto gjëra mund të hanë shumë kohë dhe mund t’i largojnë ata nga gjërat që kanë më shumë rëndësi.
4. Me cilën shprehje të Pavlit janë të një mendimi të krishterët e kushtuar?
4 Kushtimi ndaj Perëndisë është diçka që bëhet vullnetarisht, jo kundër dëshirës, sikur të ishim duke bërë ndonjë sakrificë të jashtëzakonshme. Të krishterët e kushtuar i pranojnë fjalët e Pavlit, i cili, pasi u bë ithtar i Krishtit, tha: «Për shkak të [Jezuit] kam pranuar humbjen e çdo gjëje dhe i konsideroj ato si shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» (Filipianëve 3:8) Me gëzim Pavli u tha jo gjërave që s’kishin shumë vlerë, me qëllim që të vazhdonte t’i thoshte po Perëndisë.
5. Në cilën lloj gare mori pjesë me sukses Pavli dhe si mund të bëjmë edhe ne po ashtu?
5 Pavli ushtroi vetëkontroll në garën frymore që bëri dhe më në fund pati mundësi të thoshte: «Luftën e shkëlqyer e luftova, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta. Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë, të cilën Zotëria, gjykatësi i drejtë, do të ma japë si shpërblim atë ditë, madje jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që e kanë dashur shfaqjen e tij.» (2 Timoteut 4:7, 8) A do të kemi edhe ne mundësi ndonjë ditë të themi diçka të ngjashme? Po, në qoftë se me besim ushtrojmë vetëkontroll ndërsa vrapojmë në garën tonë të krishterë, pa u dorëzuar dhe duke e çuar deri në fund.
Vetëkontrolli, i nevojshëm për të bërë mirë
6. Çfarë është vetëkontrolli dhe cilat janë dy fushat ku duhet ta ushtrojmë atë?
6 Fjalët hebraike dhe greke që përkthehen «vetëkontroll» në Bibël, fjalë për fjalë tregojnë që një njeri e kontrollon ose e zotëron veten. Shpesh ato përcjellin idenë e vetëpërmbajtjes për të mos bërë të keqen. Por, nga ana tjetër, është e qartë se kërkohet njëfarë vetëkontrolli edhe për të na nxitur që ta përdorim trupin për të bërë vepra të mira. Prirja e natyrshme e njerëzve të papërsosur është të bëjnë keq, prandaj kemi një luftë të dyfishtë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 7:29; 8:11) Nga njëra anë duhet të përmbahemi që të mos bëjmë keq, kurse nga ana tjetër duhet ta detyrojmë veten që të bëjmë mirë. Në të vërtetë, ta kemi nën kontroll trupin për të bërë gjëra të mira është një nga mënyrat më të efektshme se si të luftojmë prirjen për të vepruar keq.
7. (a) Për çfarë duhet të lutemi, siç bëri Davidi? (b) Meditimi rreth cilave gjëra do të na ndihmojë të ushtrojmë më shumë vetëkontroll?
7 Kuptohet, vetëkontrolli është jetësor që të përmbushim kushtimin që i kemi bërë Perëndisë. Duhet të lutemi si Davidi: «O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.» (Psalmi 51:10) Mund të meditojmë rreth dobive që vijnë kur i shmangim gjërat që janë të gabuara moralisht ose që të dëmtojnë fizikisht. Mendoni për dëmet që mund të vijnë po të mos shmangim gjëra të tilla, si probleme të rënda shëndetësore, marrëdhënie të tendosura e madje edhe vdekje të parakohshme. Nga ana tjetër, mendoni për dobitë e shumta që vijnë kur i përmbahemi mënyrës së jetesës që këshillon Jehovai. Megjithatë, duhet të jemi realistë e të mos harrojmë se zemra jonë është tradhtare. (Jeremia 17:9) Duhet të jemi të vendosur që t’u kundërvihemi përpjekjeve të saj për të minimizuar rëndësinë e zbatimit të normave të Jehovait.
8. Cilën të vërtetë na mëson përvoja? Ilustrojeni.
8 Shumica prej nesh e dinë nga përvoja se mishi i pavullnetshëm shpesh përpiqet të shuajë zjarrin e një fryme të gatshme. Të mendojmë për shembull për predikimin e Mbretërisë. Jehovai kënaqet kur njerëzit janë të gatshëm të marrim pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese. (Psalmi 110:3; Mateu 24:14) Por shumë nga ne nuk e kanë pasur të lehtë të mësoheshin me predikimin publik. Kërkohej, e ndoshta kërkohet ende, që të kontrollojmë trupin tonë, ‘ta rrahim me grushta’ dhe ‘ta drejtojmë si një skllav’, në vend që ta lejojmë të na diktojë rrugën më të lehtë.—1 Korintasve 9:16, 27; 1 Selanikasve 2:2.
«Në çdo gjë»?
9, 10. Çfarë përfshin të ushtrojmë «vetëkontroll në çdo gjë»?
9 Këshilla e Biblës për të ushtruar «vetëkontroll në çdo gjë» tregon se përfshihet më shumë sesa vetëm të ruajmë gjakftohtësinë dhe të ruhemi nga sjellja imorale. Ndoshta mendojmë se në këto fusha kemi arritur të shfaqim vetëkontroll dhe, po të jetë kështu, mund të ndihemi patjetër të kënaqur. Megjithatë, ç’të themi për fusha të tjera të jetës në të cilat nevoja për vetëkontroll mund të mos jetë kaq e dukshme? Për ta ilustruar, ta zëmë se një njeri jeton në një vend mjaft të pasur, me nivel të lartë jetese. A nuk do të ishte e mençur të mësonte t’i thoshte jo shpenzimit të panevojshëm? Prindërit bëjnë mirë t’u mësojnë fëmijëve të mos blejnë gjithçka që u zënë sytë vetëm e vetëm sepse është në treg, është e këndshme ose brenda mundësive të tyre. Sigurisht, nëse duan që ky udhëzim të jetë i efektshëm, prindërit duhet të lënë shembullin e duhur.—Luka 10:38-42.
10 Të mësojmë të jetojmë pa disa gjëra mund të na e shtojë forcën e vullnetit. Mund të na shtojë edhe çmueshmërinë për gjërat materiale që tashmë i kemi dhe mund të na bëjë më të ndjeshëm ndaj njerëzve që duhet të jetojnë pa disa gjëra jo sepse ashtu kanë vendosur, por nga halli. Është e vërtetë se një jetesë modeste bie në kundërshtim me qëndrime të tilla të përhapura, si: ‘ji i mirë me veten’ ose ‘ti meriton më të mirën’. Bota e reklamave nxit dëshirën për t’i plotësuar menjëherë kënaqësitë, por këtë e bën vetëm për përfitimin e vet tregtar. Këto rrethana mund të na i pengojnë përpjekjet për të shfaqur vetëkontroll. Një revistë nga një vend i pasur evropian kohët e fundit komentoi: «Nëse kontrollimi i impulseve të padëshiruara kërkon një luftë të brendshme nga ana e atyre që jetojnë në rrethanat e mjerueshme të varfërisë ekstreme, sa më tepër është kështu për ata që jetojnë në vendet ku ka çdo gjë, në shoqërinë e sotme të pasur!»
11. Pse është e dobishme të mësosh të bësh pa disa gjëra, por çfarë e bën të vështirë këtë?
11 Në qoftë se e kemi të vështirë të dallojmë midis asaj që duam dhe asaj që vërtet na nevojitet, mund të jetë e dobishme të bëjmë disa hapa për t’u siguruar që nuk po veprojmë në mënyrë të papërgjegjshme. Për shembull, nëse duam ta kufizojmë prirjen për të shpenzuar tepër, mund të vendosim të mos blejmë me kredi ose kur të bëjmë pazar, të marrim me vete vetëm një sasi të caktuar parash. Kujtoni se Pavli tha që «devocioni hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi» është «mjet për fitim të madh». Ai arsyetoi: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:6-8) A kënaqemi me atë që kemi? Kërkohet forcë vullneti dhe vetëkontroll që të mësojmë të bëjmë një jetë të thjeshtë, pa teprimet e panevojshme që vijnë si pasojë e dëshirës për të kënaqur veten, në cilëndo formë qoftë kjo. Megjithatë, është një mësim që ia vlen ta mësosh.
12, 13. (a) Në ç’mënyrë duhet të shfaqim vetëkontroll për sa u përket mbledhjeve të krishtere? (b) Cilat janë disa fusha të tjera ku duhet të zhvillojmë vetëkontroll?
12 Edhe ndjekja e mbledhjeve, asambleve dhe e kongreseve të krishtere kërkon një shfaqje të veçantë vetëkontrolli. Për shembull, kjo cilësi është e nevojshme që të mos e lëmë mendjen të hallakatet gjatë programit. (Fjalët e urta [Proverbat] 1:5) Mund të kërkohet vetëkontroll që të mos i bezdisim të tjerët duke u pëshpëritur atyre që kemi afër, në vend që t’i kushtojmë vëmendje të plotë oratorit. Ta rregullojmë programin që të mbërrijmë në kohë mund të kërkojë vetëkontroll. Më tej, mund të nevojitet vetëkontroll që të lëmë një kohë për t’u përgatitur për mbledhjet e pastaj të marrim pjesë në to.
13 Të ushtrojmë vetëkontroll në gjëra të vogla na e forcon aftësinë për ta bërë këtë në gjëra të mëdha. (Luka 16:10) Prandaj, është një gjë shumë e mirë të disiplinojmë veten për të lexuar rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe botimet biblike, duke i studiuar dhe duke medituar për atë që mësojmë! Sa e mençur është të disiplinojmë veten lidhur me ato punë, miqësi, qëndrime dhe zakone personale që janë të papërshtatshme, ose të disiplinojmë veten për t’u thënë jo aktiviteteve që mund të na harxhojnë kohë të çmuar nga shërbimi ndaj Perëndisë! Të jemi të angazhuar në shërbim të Jehovait është patjetër një mbrojtje e shkëlqyer kundër gjërave që mund të na largojnë nga parajsa frymore e kongregacionit mbarëbotëror të Jehovait.
Bëhuni tërësisht të rritur me anë të vetëkontrollit
14. (a) Si duhet të mësojnë fëmijët të shfaqin vetëkontroll? (b) Çfarë dobish mund të vijnë kur fëmijët e mësojnë që herët vetëkontrollin?
14 Një foshnjë e sapolindur nuk shquhet për vetëkontroll. Në një fletëpalosje të botuar nga specialistët për sjelljet e fëmijëve shpjegohet: «Vetëkontrolli nuk vjen vetvetiu ose papritur. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël kanë nevojë për udhëheqje dhe mbështetje nga prindërit që të fillojnë të mësojnë vetëkontrollin. . . . Me udhëheqjen e prindërve në këtë proces, vetëkontrolli shtohet gjatë viteve të shkollës.» Një studim i bërë te fëmijët katërvjeçarë zbuloi se ata që kishin mësuar të ushtronin njëfarë vetëkontrolli, «në përgjithësi kur u rritën ishin adoleshentë më të ekuilibruar, më të shoqërueshëm, më të
guximshëm, më të sigurt e më të besueshëm». Ata që nuk kishin filluar ta mësonin vetëkontrollin «kishin më shumë të ngjarë të ishin të vetmuar, të zhgënjeheshin shpejt dhe të ishin kokëfortë. I dorëzoheshin më shpejt stresit dhe sprapseshin para sfidave». Është e qartë pra, se, për t’u bërë një i rritur i ekuilibruar, fëmija duhet të mësojë të ushtrojë vetëkontroll.15. Çfarë tregon te një njeri mungesa e vetëkontrollit, por cili duhet të jetë synimi i tij, sipas Biblës?
15 Në mënyrë të ngjashme, nëse duam të bëhemi të krishterë tërësisht të rritur, duhet të mësojmë të shfaqim vetëkontroll. Mungesa e tij tregon se jemi ende fëmijë frymësisht. Bibla na këshillon ‘të bëhemi tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar’. (1 Korintasve 14:20) Synimi ynë është «të arrijmë njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit sipas plotësisë së Krishtit». Përse? «Që të mos jemi më fëmijë, si të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi, prej dredhisë së njerëzve, prej dinakërisë në sajimin e mashtrimeve.» (Efesianëve 4:13, 14) Kuptohet, të mësojmë të ushtrojmë vetëkontroll është jetësore për gjendjen tonë frymore.
Të zhvillojmë vetëkontroll
16. Si na siguron ndihmë Jehovai?
16 Për të zhvilluar vetëkontroll na nevojitet ndihma hyjnore, të cilën mund ta gjejmë. Fjala e Perëndisë, si një pasqyrë e përsosur, na tregon ku duhet të bëjmë ndryshime individualisht dhe na jep këshilla se si t’i bëjmë këto ndryshime. (Jakovit 1:22-25) Edhe vëllazëria e dashur është gati të na ndihmojë. Pleqtë e krishterë tregojnë kuptueshmëri kur japin ndihmë personale. Vetë Jehovai na e jep lirisht frymën e tij të shenjtë po t’ia kërkojmë në lutje. (Luka 11:13; Romakëve 8:26) Prandaj, le t’i përdorim me gëzim këto masa. Edhe sugjerimet në faqen 21 mund të jenë të dobishme.
17. Çfarë inkurajimi na jep Fjalët e urta 24:16?
17 Sa ngushëlluese është të dimë se Jehovai i vlerëson përpjekjet tona që t’i pëlqejmë atij! Kjo duhet të na motivojë që të vazhdojmë të përpiqemi për të shfaqur më shumë vetëkontroll. Pavarësisht sa shpesh mund të pengohemi, kurrë nuk duhet të dorëzohemi e të mos përpiqemi më. «I drejti bie shtatë herë dhe ngrihet.» (Fjalët e urta 24:16) Sa herë që arrijmë një fitore, kemi arsye të jemi të kënaqur me veten. Mund të jemi të sigurt se edhe Jehovai është i kënaqur me ne. Një Dëshmitar thotë se para se t’ia kushtonte jetën Jehovait, sa herë ia dilte mbanë të linte duhanin për një javë, e shpërblente veten duke blerë ndonjë gjë të dobishme me paratë që falë vetëkontrollit arrinte t’i kursente.
18. (a) Çfarë përfshihet në betejën tonë për vetëkontroll? (b) Çfarë sigurie na jep Jehovai?
18 Mbi të gjitha, nuk duhet të harrojmë se vetëkontrolli përfshin mendjen dhe ndjenjat. Këtë mund ta shohim nga fjalët e Jezuit: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.» (Mateu 5:28; Jakovit 1:14, 15) Ai që ka mësuar të kontrollojë mendjen dhe ndjenjat do ta ketë më të lehtë të kontrollojë gjithë trupin. Prandaj, le ta forcojmë vendosmërinë që jo vetëm të mos bëjmë keq, por as të mos mendojmë për të. Sikur të na vijnë mendime të gabuara në mendje, t’i hedhim poshtë menjëherë. Mund të largohemi nga tundimi duke u lutur dhe duke i mbajtur sytë të përqendruar te Jezui. (1 Timoteut 6:11; 2 Timoteut 2:22; Hebrenjve 4:15, 16) Ndërkohë që bëjmë më të mirën tonë, do të jemi duke ndjekur edhe këshillën e Psalmit 55:22: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»
A ju kujtohet?
• Cilat janë dy mënyra se si duhet të ushtrojmë vetëkontroll?
• Çfarë do të thotë të ushtrojmë «vetëkontroll në çdo gjë»?
• Cilat sugjerime praktike për të zhvilluar vetëkontroll vutë re veçanërisht gjatë studimit?
• Ku fillon vetëkontrolli?
[Pyetjet]
[Kutia dhe figurat në faqen 21]
Si ta shtojmë vetëkontrollin?
• Ta zhvillojmë edhe në gjëra të vogla
• Të meditojmë për dobitë e tanishme dhe të ardhme
• T’i zëvendësojmë gjërat që Perëndia i ndalon me gjëra që i miraton
• T’i hedhim poshtë menjëherë mendimet e papërshtatshme
• Ta mbushim mendjen me mendime ndërtuese frymësisht
• Të pranojmë ndihmën që mund të japin të bashkëkrishterët e pjekur
• Të shmangim rrethanat kompromentuese
• T’i lutemi Perëndisë për ndihmë kur jemi përballë një tundimi
[Figurat në faqet 18, 19]
Vetëkontrolli na shtyn të bëjmë gjëra të mira