Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Kujt po i drejtohej Jehovai kur tha «një prej nesh» te Zanafilla 3:22?

Duket se Perëndia Jehova po i drejtohej vetes dhe Birit të tij të vetëmlindur kur tha: «Njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:22) Le të shohim përse.

Jehovai i tha këto fjalë pasi dha dënimin për çiftin e parë njerëzor. Disa kanë menduar se shprehja «një prej nesh» është përdorur në një formë të numrit shumës që quhet shumësi i madhërisë. Mirëpo, për sa i përket Zanafillës 1:26 dhe 3:22, studiuesi biblik Donald E. Gauen thotë: «Në B[esëlidhjen] e V[jetër] nuk ka asnjë bazë për shumicën e shpjegimeve të propozuara: forma ‘ne’ e madhërisë, forma ‘ne’ e meditimit, shumësi intensiv ose treguesi i disa personave në një Hyjni. . . . Asnjë nga këto shpjegime nuk ka kuptim te 3:22, ku flitet për ‘një prej nesh’.»

Mos ndoshta Jehovai po i drejtohej Satana Djallit, i cili kishte filluar të vendoste vetë «të mirën dhe të keqen» e që kishte ndikuar te njerëzit e parë që të bënin po kështu? Kjo nuk është e arsyeshme. Këtu Jehovai përdori shprehjen «një prej nesh». Satanai nuk ishte më mes engjëjve besnikë të Jehovait, prandaj nuk mund të ishte përfshirë me ata që ishin në anën e Jehovait.

A po u drejtohej Perëndia engjëjve besnikë? Këtë s’mund ta themi me plot gojën. Megjithatë, një ide se kujt po i drejtohej na e jep ngjashmëria e shprehjeve që gjenden te Zanafilla 1:26 dhe 3:22. Te Zanafilla 1:26 lexojmë që Jehovai tha: «Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne.» Kujt po i drejtohej me këto fjalë? Duke folur për krijesën frymore që u bë njeriu i përsosur Jezu, apostulli Pavël tha: «Ai është shëmbëlltyra e Perëndisë të padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit; sepse me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe mbi tokë.» (Kolosianëve 1:15, 16) Po, duket logjike që te Zanafilla 1:26 Jehovai po fliste me Birin e tij të vetëmlindur, me ‘kryemjeshtrin’ që ishte përkrah tij gjatë krijimit të qiejve dhe të tokës. (Fjalët e urta 8:22-31, BR) Ngjashmëria e shprehjes te Zanafilla 3:22 tregon se Jehovai përsëri po fliste me atë që kishte më afër tij, me Birin e tij të vetëmlindur.

Me sa duket, Biri i vetëmlindur i Perëndisë kishte njohuri për «të mirën dhe të keqen». Nga përvoja e gjatë dhe e çmuar që kishte me Jehovain, ai patjetër kishte mësuar mirë mendimet, parimet dhe normat e Atit të tij. I bindur se i Biri i njihte këto dhe u qëndronte besnik, Jehovai mund t’i ketë dhënë atij njëfarë lirie për t’i bërë gjërat pa u konsultuar drejtpërdrejt me Të në çdo rast. Prandaj, në njëfarë mase Biri do të ishte në gjendje dhe i autorizuar të përcaktonte çfarë ishte e mirë dhe e keqe. Megjithatë, ndryshe nga Satanai, Adami dhe nga Eva, ai nuk vendosi vetë një normë të kësaj të mire e të keqeje që binte ndesh me normën e Jehovait.