Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtojini njohurisë suaj vetëkontrollin

Shtojini njohurisë suaj vetëkontrollin

Shtojini njohurisë suaj vetëkontrollin

«Shtojini . . . njohurisë vetëkontrollin.»​—2 PJETRIT 1:5-8.

1. Pse u ndodhin shumë probleme njerëzve?

GJATË një fushate të gjerë kundër abuzimit me drogën, të rinjve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu dha kjo këshillë: «Thuaj jo!» Sa ndryshe do të ishin gjërat sikur të gjithë njerëzit të mos i thoshin jo vetëm drogës, por edhe teprimit me alkoolin, jetesës së pamend ose imorale, praktikave të pandershme të biznesit dhe ‘dëshirave të mishit’! (Romakëve 13:14) Mirëpo, kush mund të pohojë se është gjithnjë e lehtë të thuash jo?

2. (a) Cilët janë disa shembuj nga Bibla që tregojnë se edhe më parë njerëzit e kanë pasur të vështirë të thonë jo? (b) Për çfarë duhet të na nxitin këta shembuj?

2 Meqë të gjithë njerëzit e papërsosur e kanë të vështirë të ushtrojnë vetëkontroll, duhet të na interesojë të dimë si ta fitojmë këtë betejë që kemi me veten tonë. Bibla na tregon për njerëz në të kaluarën që u përpoqën t’i shërbenin Perëndisë, por që disa herë e patën të vështirë të thoshin jo. Të kujtojmë Davidin dhe mëkatin e kurorëshkeljes që bëri me Betshebën. Ky mëkat çoi në vdekjen e fëmijës që u lindi nga ajo kurorëshkelje dhe në vdekjen e të shoqit të Betshebës, dy viktima të pafajshme. (2 Samuelit 11:1-27; 12:15-18) Ose të mendojmë për apostullin Pavël, i cili e pranoi hapur: «Sepse të mirën që dua nuk e bëj, por të keqen që nuk dua, atë praktikoj.» (Romakëve 7:19) A ndieni edhe ju ndonjëherë një zhgënjim të tillë? Pavli vazhdoi: «Në të vërtetë kënaqem në ligjin e Perëndisë sipas njeriut që jam përbrenda, porse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia. Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?» (Romakëve 7:22-24) Shembujt nga Bibla duhet të na e forcojnë vendosmërinë që të mos dorëzohemi kurrë në betejën për të pasur më shumë vetëkontroll.

Vetëkontrolli duhet mësuar

3. Shpjegoni pse nuk mund të presim që të jetë e lehtë të shfaqim vetëkontroll.

3 Vetëkontrolli, i cili përfshin aftësinë për të thënë jo, përmendet te 2 Pjetrit 1:5-7 së bashku me besimin, virtytin, njohurinë, qëndrueshmërinë, përkushtimin hyjnor, përzemërsinë vëllazërore dhe dashurinë. Asnjëra nga këto cilësi të dëshirueshme nuk është krejtësisht e lindur te njeriu. Janë cilësi që duhen zhvilluar. Kërkohet vendosmëri dhe përpjekje për t’i shfaqur ato në një masë të madhe. Prandaj, a duhet të presim që të jetë më e lehtë me vetëkontrollin?

4. Pse shumë veta mendojnë se nuk kanë ndonjë problem me vetëkontrollin, por tregues i cilës gjë është kjo?

4 Është e vërtetë se ka miliona njerëz që ndoshta mendojnë se nuk kanë ndonjë problem me vetëkontrollin. Ata jetojnë duke bërë ç’të duan, duke u sjellë me vetëdije ose pa vetëdije sipas asaj që u dikton papërsosmëria e tyre dhe duke mos u kushtuar shumë vëmendje pasojave që mund të ketë kjo sjellje për ata vetë ose për të tjerët. (Juda 10) Sot është më e dukshme se kurrë më parë mungesa e aftësisë dhe e dëshirës për të thënë jo. Ky është një tregues se po jetojmë vërtet në «ditët e fundit» për të cilat foli Pavli kur paratha: «Do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, . . . pa vetëkontroll.»—2 Timoteut 3:1-3.

5. Pse Dëshmitarët e Jehovait janë të interesuar për sa i përket vetëkontrollit dhe cila këshillë është ende e vlefshme?

5 Dëshmitarët e Jehovait e dinë mirë sfidën që paraqet nevoja për të pasur vetëkontroll. Ashtu si Pavli, ata janë të vetëdijshëm për betejën ndërmjet dëshirës për t’i pëlqyer Perëndisë, duke jetuar sipas normave të tij, dhe drejtimit që mund t’u diktojë papërsosmëria. Për këtë arsye, prej shumë kohësh kanë qenë të interesuar se si ta fitojnë këtë betejë. Në vitin 1916, një numër i atëhershëm i kësaj reviste fliste për «mënyrën e duhur si të veprojmë për të kontrolluar veten, mendimet, fjalët dhe sjelljen tonë». Aty sugjerohej që të kemi në mendje Filipianëve 4:8. Këshilla hyjnore që gjendet në këtë shkrim është ende e vlefshme, ndonëse u dha rreth 2.000 vjet më parë dhe ndonëse është më e vështirë të ndiqet tani sesa në kohën kur u dha ose në vitin 1916. Gjithsesi, të krishterët përpiqen fuqimisht që t’u thonë jo dëshirave të botës, duke qenë të vetëdijshëm se me këtë po i thonë po Krijuesit të tyre.

6. Pse nuk duhet të shkurajohemi ndërsa zhvillojmë vetëkontrollin?

6 Vetëkontrolli përmendet te Galatasve 5:22, 23 si pjesë e ‘frytit të frymës [së shenjtë]’. Do të kemi shumë dobi po ta shfaqim këtë cilësi, së bashku me ‘dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin [dhe] butësinë’. Siç e shpjegoi Pjetri, kjo do të na pengojë që të bëhemi «joaktivë dhe të pafrytshëm» në shërbimin ndaj Perëndisë. (2 Pjetrit 1:8) Por nuk duhet të shkurajohemi ose të dënojmë veten në qoftë se nuk arrijmë t’i shfaqim këto cilësi me atë shpejtësi dhe në atë masë që do të na pëlqente. Ndoshta e keni vënë re se në shkollë një nxënës mund të mësojë më shpejt se një tjetër. Ose në punë, një njeri e mëson diçka të re më shpejt se punonjësit e tjerë. Në mënyrë të ngjashme, disa njerëz mësojnë t’i shfaqin cilësitë e krishtere më shpejt se të tjerët. E rëndësishme është të vazhdojmë t’i zhvillojmë cilësitë e perëndishme sa më mirë që të mundemi. Këtë mund ta bëjmë duke përfituar plotësisht nga ndihma që siguron Jehovai nëpërmjet Fjalës së tij dhe kongregacionit. Ajo që ka më shumë rëndësi janë përpjekjet e vendosura që të vazhdojmë të përparojmë, jo shpejtësia me të cilën e arrijmë synimin që i kemi vënë vetes.

7. Nga duket se vetëkontrolli është i rëndësishëm?

7 Edhe pse renditet i fundit nga cilësitë që prodhon fryma, vetëkontrolli nuk është në asnjë mënyrë më pak i rëndësishëm se cilësitë e tjera. Përkundrazi. Duhet të mbajmë në mendje se të gjitha «veprat e mishit» mund të shmangeshin po të kishim vetëkontroll të plotë. Mirëpo, njerëzit e papërsosur kanë prirjen të kryejnë ndonjë prej ‘veprave të mishit, . . . kurvërinë, ndyrësinë, sjelljen e shthurur, idhujtarinë, praktikën e spiritizmit, armiqësitë, konfliktin, xhelozinë, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet’. (Galatasve 5:19, 20) Prandaj, duhet të luftojmë vazhdimisht, duke qenë të vendosur t’i çrrënjosim prirjet e dëmshme nga zemra dhe nga mendja.

Disa kanë një betejë më të vështirë

8. Cilët faktorë e bëjnë veçanërisht të vështirë për disa të shfaqin vetëkontroll?

8 Disa të krishterë e kanë më të vështirë se të tjerët të ushtrojnë vetëkontroll. Përse? Mënyra si janë rritur dhe përvojat e së kaluarës mund të jenë disa faktorë që ndikojnë. Duhet të gëzohemi nëse neve vetë nuk na është dukur shumë e vështirë të zhvillojmë e të shfaqim vetëkontroll. Por patjetër që duhet të jemi të dhembshur e mirëkuptues kur kemi të bëjmë me ata që e kanë më të vështirë ta shfaqin këtë cilësi, edhe sikur mungesa e vetëkontrollit nga ana e tyre të na shkaktojë ndonjë problem. Duke qenë se të gjithë jemi të papërsosur, cili nga ne ka ndonjë arsye për t’u mbajtur si më i drejtë?—Romakëve 3:23; Efesianëve 4:2.

9. Çfarë dobësish kanë disa veta, dhe kur do të kapërcehen plotësisht këto dobësi?

9 Ta ilustrojmë: ndoshta e dimë se disa të bashkëkrishterë që kanë lënë duhanin ose drogat stimuluese, nganjëherë mund të kenë dëshirë të fortë për to. Ose disa e kanë të vështirë të kufizojnë sasinë e ushqimit që hanë a të pijeve alkoolike. Të tjerë e kanë të vështirë t’i vënë fre gjuhës, prandaj shpesh gabojnë në të folur. Kërkohen shumë përpjekje për të zhvilluar vetëkontrollin që t’u bësh ballë këtyre mangësive. Përse? Në mënyrë realiste, te Jakovit 3:2 thuhet: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, ky është njeri i përsosur, në gjendje për t’i vënë fre edhe gjithë trupit të vet.» Ka edhe të tjerë që ndiejnë një dëshirë të fortë për të luajtur bixhoz. Ose mund ta kenë të vështirë të ruajnë gjakftohtësinë. Ndoshta do të na duhet kohë që të mësojmë t’i mbajmë nën kontroll këto dobësi ose dobësi të tjera të ngjashme. Ndonëse mund të bëjmë përparim mjaft të madh tani, dëshirat e gabuara do të çrrënjosen një herë e mirë vetëm kur të arrijmë përsosmërinë. Ndërkohë, po të përpiqemi të ushtrojmë vetëkontroll do të shmangim rënien përsëri në një jetesë mëkatare. Ndërsa kjo betejë vazhdon, le të ndihmojmë njëri-tjetrin që të mos dorëzohemi.—Veprat 14:21, 22.

10. (a) Pse për disa veta është sfidë të ushtrojnë vetëkontroll veçanërisht në çështjet seksuale? (b) Çfarë ndryshimi rrënjësor bëri një vëlla? (Shih kutinë në faqen 16.)

10 Një fushë tjetër ku disa veta e kanë të vështirë të ushtrojnë vetëkontroll janë çështjet seksuale. Në vetvete seksi te njerëzit është pjesë e mënyrës se si na ka bërë Perëndia Jehova. Megjithatë, disa e kanë më të vështirë t’i mbajnë dëshirat seksuale në vendin e duhur, në përputhje me normat e Perëndisë. Ndoshta kjo mund të bëhet më e vështirë sepse kanë një dëshirë seksuale të fortë jonormale. Jetojmë në një botë të marrosur pas seksit, e cila u fryn flakëve të pasionit në shumë mënyra. Kjo mund të përbëjë vërtet një problem për të krishterët që dëshirojnë të mbeten beqarë, të paktën për njëfarë kohe, që t’i shërbejnë Perëndisë pa shpërqendrimet e martesës. (1 Korintasve 7:32, 33, 37, 38) Por, në përputhje me këshillën biblike që thotë «është më mirë të martohesh, se të digjesh nga pasioni», ata mund të vendosin të martohen, gjë që është patjetër e nderuar. Në të njëjtën kohë, janë të vendosur që të martohen «vetëm në Zotërinë», siç këshillojnë Shkrimet. (1 Korintasve 7:9, 39) Mund të jemi të sigurt se Jehovai gëzohet kur sheh interesimin e tyre për të mbajtur lart parimet e tij të drejta. Edhe të bashkëkrishterët gëzohen që shoqërohen me adhurues të vërtetë që kanë këto norma të larta morale dhe një integritet të tillë.

11. Si mund ta ndihmojmë një vëlla ose një motër që dëshiron të martohet, por nuk ka pasur ende mundësi ta bëjë këtë?

11 Po sikur dikush të mos gjejë dot një bashkëshort të përshtatshëm? Imagjino çfarë zhgënjimi mund të ndiejë një njeri që dëshiron të martohet, por nuk ka pasur mundësi ta bëjë këtë! Ndoshta i sheh miqtë e tij që martohen dhe arrijnë njëfarë lumturie, kurse ai ende është duke kërkuar një bashkëshorte të përshtatshme. Për disa që janë në këtë situatë, vesi i papastër i masturbimit mund të bëhet një problem i vazhdueshëm. Sidoqoftë, asnjë i krishterë nuk dëshiron që pa e kuptuar të shkurajojë dikë që po lufton për të qëndruar i dëlirë. Pa dashje mund t’i shkurajojmë nëse u bëjmë komente të tilla të pamenduara, si: «Hë, akoma beqar ti?» Kjo ndoshta nuk thuhet me të keq, por është shumë më mirë të shfaqim vetëkontroll, në këtë rast duke mbajtur gojën! (Psalmi 39:1) Ata që po qëndrojnë të dëlirë ndërsa janë ende beqarë meritojnë lavdërimin tonë më të përzemërt. Në vend që t’u themi diçka që mund t’i shkurajojë, mund të përpiqemi t’i inkurajojmë. Për shembull, mund të përpiqemi të përfshijmë edhe beqarë në një grup të vogël njerëzish të pjekur që mblidhen për të ngrënë diçka ose për shoqëri të shëndetshme të krishterë.

Vetëkontroll në martesë

12. Pse edhe të martuarit duhet të shfaqin vetëkontroll?

12 Martesa në vetvete nuk e eliminon nevojën për të shfaqur vetëkontroll për sa i përket seksit. Për shembull, nevojat seksuale të burrit e të gruas mund të ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Ose gjendja fizike e një bashkëshorti nganjëherë mund t’i bëjë të vështira ose edhe të pamundura marrëdhëniet seksuale. Ndoshta për shkak të përvojave të mëparshme, njëri bashkëshort mund ta ketë të vështirë t’i bindet këshillës: «Burri le t’i japë gruas së vet atë që i takon asaj; por edhe gruaja të bëjë po ashtu ndaj burrit të vet.» Në një situatë të tillë, bashkëshortit tjetër mund t’i duhet të shfaqë më tepër vetëkontroll. Por që të dy mund të mbajnë në mendje këshillën e dashur që u dha Pavli të krishterëve të martuar: «Mos ia privoni njëri-tjetrit këtë, veç nëse jeni marrë vesh për një kohë të caktuar, për t’i kushtuar kohë lutjes dhe bashkohuni përsëri, që Satanai të mos vazhdojë t’ju tundojë, nga mungesa e vetëpërmbajtjes.»—1 Korintasve 7:3, 5.

13. Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar ata që po luftojnë për të ushtruar vetëkontroll?

13 Sa mirënjohës mund të jenë çiftet e martuara nëse që të dy kanë mësuar të ushtrojnë vetëkontrollin e duhur në këtë marrëdhënie shumë intime! Në të njëjtën kohë, duhet të shfaqin mirëkuptim ndaj bashkadhuruesve që po luftojnë për të treguar vetëkontroll në këtë fushë. Nuk duhet të harrojmë kurrë të lutemi që Jehovai t’u japë vëllezërve tanë frymorë gjykim të thellë, guxim dhe vendosmëri për ta vazhduar betejën që të shfaqin vetëkontroll dhe për të bërë hapa që të kapërcejnë dëshirat e papërshtatshme.—Filipianëve 4:6, 7.

Vazhdoni të ndihmoni njëri-tjetrin

14. Pse duhet t’i trajtojmë me dhembshuri e me kuptueshmëri të bashkëkrishterët?

14 Nganjëherë mund ta kemi të vështirë t’i kuptojmë të bashkëkrishterët që po luftojnë të shfaqin vetëkontroll në një fushë ku ne për vete s’e kemi problem. Por njerëzit kanë natyra të ndryshme. Disa ndikohen shumë lehtë nga ndjenjat, të tjerët jo. Disa e kanë pak a shumë të lehtë ta kontrollojnë veten, pasi për ta nuk është e vështirë të ushtrojnë vetëkontroll. Të tjerët e kanë më të vështirë. Megjithatë, të mos harrojmë se një njeri që po lufton nuk është një njeri i keq. Të bashkëkrishterët kanë nevojë që ne t’i kuptojmë dhe t’i trajtojmë me dhembshuri. Edhe ne do të jemi më të lumtur nëse vazhdojmë t’u tregojmë mëshirë atyre që ende po luftojnë për të shfaqur më shumë vetëkontroll. Këtë mund ta shohim nga fjalët e Jezuit që i gjejmë te Mateu 5:7.

15. Pse fjalët e Psalmit 130:3 janë ngushëlluese për sa i përket vetëkontrollit?

15 Nuk duhet ta gjykojmë keq asnjëherë një të bashkëkrishterë që në ndonjë rast nuk ia del të shfaqë personalitetin e krishterë. Na jep shumë zemër fakti që Jehovai, përveçse të shohë atë rast kur kemi gabuar, sheh edhe rastet e shumta kur nuk kemi gabuar, pavarësisht nëse të krishterët e tjerë i kanë parë apo jo këto raste. Është shumë ngushëlluese të mbajmë në mendje fjalët e Psalmit 130:3: «Nëse gabimet do të ishin ato që sheh ti, o Jah, o Jehova, kush do të mund të qëndronte në këmbë?»—BR.

16, 17. (a) Si mund ta zbatojmë Galatasve 6:2, 5, për sa i përket vetëkontrollit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë më tej për vetëkontrollin?

16 Për t’i pëlqyer Jehovait, secili nga ne duhet të zhvillojë vetëkontrollin, por mund të jemi të sigurt se vëllezërit tanë të krishterë do të na ndihmojnë. Edhe pse secili nga ne duhet të mbajë peshën e vet të përgjegjësisë, gjithsesi nxitemi të ndihmojmë njëri-tjetrin që të përballojmë dobësitë. (Galatasve 6:2, 5) Mund ta çmojmë prindin, bashkëshortin ose mikun që na pengon të shkojmë në vende ku nuk duhet të shkojmë, të shohim gjëra që nuk duhet t’i shohim ose të bëjmë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë. Ai po na ndihmon të shfaqim vetëkontroll, pra aftësinë për të thënë jo me vendosmëri.

17 Shumë të krishterë mund ta pranojnë atë që kemi diskutuar deri tani për vetëkontrollin, por ndoshta mendojnë se personalisht kanë shumë për të përmirësuar. Do të donin të shfaqnin më shumë vetëkontroll, në masën që mendojnë se mund të pritet në mënyrë të arsyeshme nga njerëzit e papërsosur. A ndiheni edhe ju kështu? Atëherë, çfarë mund të bëni për të zhvilluar këtë cilësi të frytit të frymës së Perëndisë? Gjithashtu, si mund t’ju ndihmojë kjo që të arrini synime afatgjata si të krishterë? Le ta shohim në artikullin vijues.

A ju kujtohet?

Pse vetëkontrolli është . . .

• i rëndësishëm për të krishterët?

• një sfidë, sidomos për disa?

• i nevojshëm në martesë?

• një cilësi që mund ta zhvillojmë me ndihmën e njëri-tjetrit?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 16]

Mësoi të thoshte jo

Një Dëshmitar i Jehovait që jeton në Gjermani punonte si teknik pulti i mediave. Puna e tij përfshinte të kontrollonte rreth 30 stacione televizive dhe radiofonike. Kur kishte ndërhyrje, ai duhej t’i shikonte me kujdes programet për të kuptuar ku ishte problemi. Ai thotë: «Dukej sikur gjithnjë këto ndërhyrje ndodhnin tamam atëherë kur s’duhej, kur shfaqeshin skena dhune ose erotike. Këto skena të këqija më mbeteshin në mendje për ditë, e madje për javë të tëra, sikur të më ishin ngulitur në tru.» Ai pranon se kjo pati ndikim negativ në gjendjen e tij frymore: «Kam prirjen të nxehem shpejt, kështu që skenat me dhunë ma bënin të vështirë të ushtroja vetëkontroll. Skenat erotike më shkaktonin tension me gruan. Kisha një betejë të përditshme. Për të mos e humbur betejën, vendosa të kërkoja një punë tjetër, edhe nëse do të paguhesha më pak. Jo shumë kohë më parë arrita të gjeja një punë tjetër. Dëshira ime u plotësua.»

[Figurat në faqen 15]

Njohuria që marrim nga studimi i Biblës na ndihmon të ushtrojmë vetëkontroll