Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka ndonjë të cilit t’i besojmë?

A ka ndonjë të cilit t’i besojmë?

A ka ndonjë të cilit t’i besojmë?

PAS rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, u zbuluan shumë sekrete të ruajtura mirë. Për shembull, Lidia * zbuloi se gjatë regjimit socialist në Gjermaninë Lindore, Stasi ose Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, kishte përpiluar një dosje për veprimtaritë e saj personale. Lidia u habit kur dëgjoi për dosjen, por ama mbeti e shtangur kur mori vesh se ai që i jepte informata Stasit ishte i shoqi. Atë grua e kishte tradhtuar dikush tek i cili kishte pasur besim të plotë.

Roberti ishte një zotëri i moshuar, i cili kishte «shumë respekt, admirim dhe besim» për mjekun e tij, siç raporton gazeta The Times e Londrës. Thuhej se mjeku «sillej me përzemërsi dhe dashamirësi». Por më pas Roberti vdiq papritur. Mos vallë pësoi infarkt ose hemorragji cerebrale? Jo. Autoritetet thanë se mjeku e kishte vizituar Robertin në shtëpi dhe, pa dijeninë e Robertit e të familjes së tij, i kishte bërë një injeksion vdekjeprurës. Roberti u vra në të vërtetë nga një njeri tek i cili kishte besim të plotë.

Lidias dhe Robertit ua shpërdoruan besimin, duke u sjellë atyre pasoja të rënda. Në raste të tjera pasojat nuk janë kaq të rënda. Megjithatë të zhgënjehemi nga dikush tek i cili kemi besim nuk është një përvojë e pazakontë. Një raport i botuar nga një institut i rëndësishëm gjerman sondazhesh, Allensbacher Jahrbuch der Demoskopie 1998-2002, zbuloi nga një sondazh se 86 për qind e të intervistuarve ishin zhgënjyer nga dikush tek i cili kishin pasur besim. Ndoshta edhe ti ke pasur një përvojë të ngjashme. Prandaj nuk duhet të habitemi që gazeta zviceriane Neue Zürcher Zeitung raportoi në vitin 2002 se në «vendet e industrializuara perëndimore marrëdhëniet që bazohen te besimi i ndërsjellë kanë pësuar rënie prej disa dhjetëvjeçarësh».

Ndërtohet ngadalë, shkatërrohet shpejt

Çfarë është besimi? Sipas një fjalori, të kesh besim te të tjerët do të thotë të «besosh se ata janë të ndershëm e të sinqertë dhe që nuk do të bëjnë me dashje asgjë që do të të dëmtonte». Besimi ndërtohet ngadalë, por mund të shkatërrohet në një çast. Meqenëse shumë veta mendojnë se të tjerët u kanë shpërdoruar besimin, a është për t’u habitur që ngurrojnë të kenë besim? Sipas një sondazhi të bërë të njohur në Gjermani në vitin 2002, «vetëm më pak se 1 në 3 të rinj kanë besim te të tjerët».

Mund të pyesim veten: ‘A mund të kemi besim te kushdo? A ia vlen të kemi besim te dikush edhe pse mund të zhgënjehemi?’

[Shënimi]

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 3]

Një sondazh zbuloi se 86 për qind e të intervistuarve ishin zhgënjyer nga dikush tek i cili kishin pasur besim