Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimi—Shumë i rëndësishëm për një jetë të lumtur

Besimi—Shumë i rëndësishëm për një jetë të lumtur

Besimi—Shumë i rëndësishëm për një jetë të lumtur

HELMIMI nga ushqimi nuk është aspak i këndshëm. Një njeri të cilit i ndodh shpesh të helmohet, duhet të ketë më shumë kujdes nga gjërat që zakonisht ha. Por nuk është një vendim i arsyeshëm të rrijë pa ngrënë fare, që të shmangë rrezikun e helmimit nga ushqimi. Po të vepronte kështu, në vend se t’i zgjidhte, do t’i hapte më shumë probleme vetes. Askush nuk mund të jetojë gjatë pa ushqim.

Në të njëjtën mënyrë është diçka e dhembshme të të shpërdorojnë besimin. Nëse ndodh, kjo mund të na bëjë që të mendojmë me kujdes për shoqërinë që zgjedhim. Sidoqoftë, nuk është zgjidhje të mos shoqërohemi fare me të tjerët që të mos rrezikojmë të zhgënjehemi nga ta. Por, përse? Sepse po të mos kemi besim te të tjerët, nuk do të jemi të lumtur. Për të bërë një jetë të kënaqshme, kemi nevojë për marrëdhënie që bazohen në besimin e ndërsjellë.

«Besimi përbën një nga bazat e marrëdhënieve të përditshme të zakonshme me të tjerët»,—thotë libri Jugend 2002. «Çdo njeri dëshiron me zjarr të ketë besim te të tjerët»,—raporton gazeta Neue Zürcher Zeitung. «Besimi jo vetëm e përmirëson cilësinë e jetës», por «është shumë i rëndësishëm për vetë jetën». Vërtet, siç thotë më tej gazeta, pa pasur besim te të tjerët «një njeri nuk mund t’ia dalë mbanë në jetë».

Meqë kemi vërtet nevojë për të pasur besim te dikush, te kush mund të besojmë pa rrezikuar që të zhgënjehemi?

Beso te Jehovai me gjithë zemër

«Beso te Jehovai me gjithë zemër»,—na thotë Bibla. (Proverbat 3:5, BR) Vërtet, Fjala e Perëndisë na nxit vazhdimisht që të besojmë te Krijuesi ynë, Perëndia Jehova.

Pse mund të kemi besim te Perëndia? Së pari, sepse Perëndia Jehova është i shenjtë. Profeti Isaia shkroi: «I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti.» (Isaia 6:3) Mos ndoshta nuk të tërheq ky mendim? Në të vërtetë duhet të të tërheqë, sepse shenjtëria e Jehovait do të thotë se ai është i pastër, nuk kryen asnjë të keqe dhe është absolutisht i besueshëm. Kurrë nuk mund të korruptohet ose të jetë i pasjellshëm dhe është e pamundur për të që të shpërdorojë besimin e të tjerëve.

Për më tepër mund të kemi besim te Perëndia, sepse ai ka aftësinë dhe dëshiron që të përkrahë ata që i shërbejnë. Për shembull, fuqia e tij shumë e madhe i jep mundësinë të veprojë. Drejtësia dhe mençuria e tij e përsosur e udhëheqin në mënyrën se si vepron. Dhe dashuria e tij e pashoqe i jep motivin për të vepruar. «Perëndia është dashuri»,—shkroi apostulli Gjon. (1 Gjonit 4:8) Dashuria e Perëndisë ndikon në çdo gjë që ai bën. Shenjtëria e Jehovait dhe cilësitë e tij të tjera të jashtëzakonshme bëjnë që të jetë një Atë ideal, dikush tek i cili mund të kemi besim të plotë. Asgjë dhe askush nuk mund të jetë më i besueshëm se Jehovai.

Nëse beson te Jehovai do të jesh i lumtur

Një arsye tjetër e vlefshme pse duhet të besojmë te Jehovai është se ai na kupton më mirë se kushdo tjetër. E di se çdo njeri ka një nevojë të domosdoshme për një marrëdhënie të sigurt, të qëndrueshme dhe të besueshme me Krijuesin. Ata që kanë një marrëdhënie të tillë ndihen më të sigurt. «Lum ai njeri që i beson Zotit»,—nxori si përfundim Davidi. (Psalmi 40:4) Miliona veta sot janë dakord me gjithë zemër me mendimet e Davidit.

Të shqyrtojmë disa shembuj. Dorisa ka jetuar në Republikën Domenikane, në Gjermani, në Greqi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo thotë: «Jam shumë e lumtur që kam besim te Jehovai. Ai di si të kujdeset për mua nga ana fizike, frymore dhe emocionale. Është miku më i mirë që mund të ketë një njeri.» Volfgangu, një këshilltar ligjor, shpjegon: «Është një gjë e mrekullueshme të mbështetesh te dikush që do më të mirën për ty, dikush që mund e në të vërtetë do të bëjë më të mirën për ty.» Hami, i cili lindi në Azi, por tani jeton në Evropë, thotë: «Jam i sigurt se Jehovai ka në dorë çdo gjë dhe nuk bën gabime, prandaj jam i lumtur të mbështetem tek ai.»

Sigurisht, çdonjëri prej nesh duhet të ketë besim, jo vetëm te Krijuesi, por edhe te njerëzit. Prandaj Jehovai, si një mik i mençur e me përvojë, na jep këshilla se te cilët lloj individësh duhet të kemi besim. Nëse lexojmë me kujdes Biblën, mund t’u kushtojmë vëmendje këshillave të tij për këtë çështje.

Njerëzit te të cilët mund të kemi besim

«Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë»,—shkroi psalmisti. (Psalmi 146:3) Ky pohim i frymëzuar na ndihmon të kuptojmë se shumë njerëz nuk meritojnë besimin tonë. Edhe ata për të cilët njerëzit kanë konsideratë të lartë duke i parë si ‘princa’ të kësaj bote, të tillë si ekspertët e fushave të veçanta të teorisë ose të praktikës, nuk meritojnë vetvetiu besimin tonë. Shpesh udhëheqja e tyre është e gabuar dhe besimi që kemi te këta ‘princa’ mund të shndërrohet shpejt në zhgënjim.

Natyrisht kjo gjë nuk duhet të na bëjë që të mos kemi besim tek asnjeri. Por, patjetër duhet të jemi përzgjedhës kur vendosim se te kush të kemi besim. Çfarë parimesh duhet të ndjekim? Një shembull nga kombi i lashtë i Izraelit mund të na ndihmojë. Kur u bë e nevojshme të caktoheshin disa individë që do të merrnin përgjegjësi të mëdha në Izrael, Moisiut iu dha këshilla që ‘të zgjidhte në mes të të gjithë popullit disa njerëz të aftë që kishin frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrenin fitimin e padrejtë’. (Eksodi 18:21) Çfarë mund të mësojmë nga kjo?

Këta ishin burra që shfaqnin disa cilësi të perëndishme përpara se të caktoheshin në pozita ku kërkohej mirëbesim. Kishin dhënë tashmë prova se kishin frikë Perëndinë; ata kishin një nderim të thellë për Krijuesin dhe druheshin se mos i shkaktonin pakënaqësi atij. Ishte e dukshme nga të gjithë se këta burra bënin çmos për të përkrahur normat e larta të Perëndisë. E urrenin fitimin e padrejtë, gjë që tregonte se kishin forcë morale që nuk do t’i lejonte të korruptoheshin prej pushtetit. Nuk do të shfrytëzonin besimin e të tjerëve me qëllim që të përkrahnin interesat e veta ose të të afërmve a të miqve.

A nuk do të ishte e mençur nga ana jonë që të zbatonim të njëjtat parime edhe sot kur zgjedhim njerëzit te të cilët të kemi besim? A i njohim njerëzit, sjellja e të cilëve tregon se kanë frikë Perëndinë? A janë të vendosur të mbajnë normat e tij të sjelljes? A e kanë vendosmërinë që i frenon të kryejnë gjëra të padrejta? A janë kaq të ndershëm që të mos veprojnë me dredhi për përfitimin e tyre ose për të arritur atë që duan? Patjetër që burrat dhe gratë që shfaqin këto cilësi janë të denjë për besimin tonë.

Mos u shkurajo nëse ndonjëherë zhgënjehesh

Kur vendosim se te kush të kemi besim, duhet të jemi të durueshëm, sepse besimi fitohet me kalimin e kohës. Udha e mençur është që të kemi besim te dikush dalëngadalë, hap pas hapi. Si? Po ja, mund të vëzhgojmë sjelljen e një individi gjatë një periudhe kohe, duke parë se si vepron në disa rrethana. A është i besueshëm në gjëra të vogla? Për shembull, a i kthen gjërat e dhëna hua siç kishte premtuar dhe a është i përpiktë në takime? Nëse po, atëherë me siguri mund të kemi besim tek ai edhe në gjëra më të rëndësishme. Kjo është në përputhje me parimin: «Ai që është i besueshëm në pak, është i besueshëm edhe në shumë.» (Luka 16:10) Në qoftë se jemi përzgjedhës e të durueshëm, mund të shmangim zhgënjime të mëdha.

Por, po sikur dikush të na zhgënjejë? Atyre që studiojnë Biblën do t’u vijë ndër mend se natën e arrestimit të tij Jezu Krishti u zhgënjye shumë, nga apostujt. Juda Iskarioti e tradhtoi dhe të tjerët ia mbathën nga frika. Madje Pjetri e mohoi Jezuin tri herë. Por Jezui e kuptoi se vetëm Juda veproi me dashje. Fakti që u zhgënjye në atë çast kritik nuk e pengoi Jezuin që vetëm pak javë më vonë t’u tregonte 11 apostujve se kishte përsëri besim tek ata. (Mateu 26:45-47, 56, 69-75; 28:16-20) Po kështu, në qoftë se ndihemi të zhgënjyer nga dikush tek i cili kemi besim, bëjmë mirë të shqyrtojmë nëse veprimi i individit që na duket se na zhgënjeu është dëshmi e një fryme të pabesë ose e një dobësie të përkohshme të mishit.

A jam i besueshëm?

Dikush që vendos të jetë i kujdesshëm se te kush të ketë besim, duhet të jetë i sinqertë e të pyesë veten: ‘A jam unë i besueshëm? Çfarë normash të arsyeshme besueshmërie duhet të pres nga vetja dhe nga të tjerët?’

Sigurisht që një njeri i besueshëm thotë gjithnjë të vërtetën. (Efesianëve 4:25) Ai nuk flet sipas interesit të tij. Nëse premton diçka, një njeri i besueshëm bën çmos për ta mbajtur fjalën. (Mateu 5:37) Në rast se dikush ka besim tek ai, një njeri i besueshëm i ruan gjërat konfidenciale dhe nuk i zbulon duke bërë thashetheme. Një njeri i besueshëm është besnik ndaj bashkëshortes. Ai nuk shikon pornografi, nuk ndalet në fantazitë epshore dhe nuk flirton. (Mateu 5:27, 28) Dikush që është i denjë për besimin tonë, punon pa u lodhur për të siguruar jetesën për veten e për familjen dhe nuk përpiqet të fitojë para në kurriz të të tjerëve. (1 Timoteut 5:8) Mbajtja në mendje e këtyre normave të arsyeshme biblike do të na ndihmojë të dallojmë njerëzit te të cilët mund të kemi besim. Për më tepër, duke iu përmbajtur të njëjtave norma të sjelljes, kjo do të na ndihmojë të jemi të denjë për besimin e të tjerëve.

Do të ishte e mrekullueshme të jetonim në një botë ku të gjithë njerëzit të ishin të besueshëm dhe ku nuk do të zhgënjeheshim më për shkak të shpërdorimit të besimit. A është kjo vetëm një ëndërr? Jo për njerëzit që i marrin seriozisht premtimet e Biblës. Në fakt Fjala e Perëndisë parathotë ardhjen e ‘një toke të re’ e të bukur, pa mashtrime e gënjeshtra dhe ku nuk do të shfrytëzohet besimi i të tjerëve, pa brenga, sëmundje e madje pa vdekje. (2 Pjetrit 3:13; Psalmi 37:11, 29; Zbulesa 21:3-5) A nuk do t’ia vlente të dije më shumë për këtë shpresë? Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të të japin më shumë informacion për këtë temë dhe për tema të tjera të rëndësishme.

[Figura në faqen 4]

Po të mos kemi besim te të tjerët, nuk do të jemi të lumtur

[Figura në faqen 5]

Jehovai është më se i denjë për besimin tonë

[Figurat në faqen 7]

Të gjithë kemi nevojë për marrëdhënie që bazohen në besimin e ndërsjellë