Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kultivojmë frymën e dhënies

Të kultivojmë frymën e dhënies

Të kultivojmë frymën e dhënies

ASKUSH nuk e ka të lindur frymën e dhënies. Prirja e natyrshme e një foshnjeje është që të plotësojë dëshirat dhe nevojat e tij, pa qenë i vetëdijshëm madje as për ata që kujdesen për të. Por, me kalimin e kohës fëmija mëson se bota nuk vërtitet rreth tij. Duhet të marrë parasysh edhe nevojat e të tjerëve dhe ai duhet të mësojë jo vetëm të marrë, por edhe të japë e të ndajë gjërat me të tjerët. Pra, të gjithë kemi nevojë të kultivojmë frymën e dhënies.

Jo të gjithë individët që japin, madje bujarisht, kanë frymën e dhënies. Disa mund të bëjnë dhurata bamirësie, me qëllim që të çojnë përpara interesat e veta. Të tjerë mund të japin kontribute që të marrin lëvdata nga njerëzit. Megjithatë mënyra se si japin të krishterët e vërtetë është e ndryshme. Atëherë, ç’lloj dhënieje inkurajohet në Fjalën e Perëndisë? Një shqyrtim i shkurtër i mënyrës se si jepnin të krishterët e shekullit të parë do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Shembuj të dhënies së krishterë

Në përgjithësi dhënia e krishterë, siç përshkruhet në Bibël do të thoshte që ‘të ndaje gjërat me të tjerët’, me ata të cilët kishin vërtet nevojë. (Hebrenjve 13:16; Romakëve 15:26) Ajo nuk duhej bërë me detyrim. Apostulli Pavël shkroi: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet, jo me pahir ose me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Gjithashtu dhënia nuk duhej bërë për t’u dukur para të tjerëve. Anania dhe Safira vepruan kështu duke u shtirur dhe e paguan shtrenjtë veprimin e tyre.—Veprat 5:1-10.

Një nevojë për të dhënë lindi kur shumë judenj dhe prozelitë nga vende të largëta u mblodhën në Jerusalem për festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. Atje ithtarët e Jezuit «u mbushën me frymë të shenjtë dhe nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme». Përreth tyre u mblodh një turmë e madhe me njerëz dhe dëgjuan fjalimin nxitës të Pjetrit për Jezu Krishtin. Më vonë, njerëzit panë se si Pjetri dhe Gjoni shëruan një të çalë në derën e tempullit dhe e dëgjuan Pjetrin të fliste edhe një herë për Jezuin dhe për nevojën që të pendoheshin. Mijëra veta u penduan dhe u pagëzuan si ithtarë të Krishtit.—Veprat, kapitujt 2 dhe 3.

Ata që sapo ishin bërë të krishterë donin të qëndronin në Jerusalem e të merrnin më shumë udhëzime nga apostujt e Jezuit. Por si mund të kujdeseshin apostujt për nevojat e gjithë këtyre vizitorëve? Tregimi biblik thotë: «Të gjithë ata që ishin pronarë arash ose shtëpish, i shitnin ato dhe vlerën e gjërave të shitura e sillnin dhe e vinin te këmbët e apostujve. Më pas, bëhej shpërndarja, secilit sipas nevojës që kishte.» (Veprat 4:33-35) Vërtet, kongregacioni i sapoformuar i Jerusalemit kishte frymën e dhënies.

Më vonë, edhe kongregacione të tjera shfaqën të njëjtën frymë dhënieje. Për shembull, të krishterët maqedonas, ndonëse ishin vetë të varfër, shkuan përtej mundësive të tyre reale duke dhënë kontribute për vëllezërit e tyre nevojtarë në Jude. (Romakëve 15:26; 2 Korintasve 8:1-7) Kongregacioni i Filipisë ishte i jashtëzakonshëm për sa i përket mbështetjes që i dha shërbimit të Pavlit. (Filipianëve 4:15, 16) Vetë kongregacioni i Jerusalemit u shpërndante çdo ditë ushqim vejushave nevojtare dhe apostujt caktuan shtatë burra të kualifikuar për t’u kujdesur që të mos lihej pas dore asnjë vejushë që e meritonte këtë kujdes.—Veprat 6:1-6.

Kongregacionet e hershme të krishtere vepronin me shpejtësi madje edhe për t’u paraprirë vështirësive që mund të lindnin. Për shembull, kur profeti Agab paratha ardhjen e një zie të madhe buke, dishepujt në kongregacionin e Antiokisë siriane «vendosën të dërgonin, secili sipas mundësisë, ndihmë në shërbim të vëllezërve që banonin në Jude». (Veprat 11:28, 29) Çfarë fryme të shkëlqyer që treguan duke menduar që më përpara si të plotësonin nevojat e të tjerëve!

Çfarë i shtyu të krishterët e hershëm që të ishin kaq bujarë e të dashur? Vërtet, si arrin të ketë një njeri frymën e dhënies? Mund të mësojmë shumë duke shqyrtuar shkurtimisht shembullin e mbretit David.

Mbështetja bujare që i dha Davidi adhurimit të vërtetë

Për pothuajse 500 vjet arka e besëlidhjes,—një arkë e shenjtë që përfaqësonte praninë e Jehovait,—nuk kishte një vend të përhershëm ku të vendosej. Ajo mbahej në një tendë ose tabernakull që zhvendosej nga njëri vend në tjetrin, ndërkohë që Izraeli endej në shkretëtirë dhe pastaj në Tokën e Premtuar. Mbreti David dëshironte shumë që ta merrte arkën nga tenda ku ruhej dhe të ndërtonte një shtëpi të përshtatshme për Jehovain ku të mbahej arka e shenjtë. Duke i folur profetit Natan, Davidi tha: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej kedri, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit ndodhet nën një çadër [tendë, BR].»—1 Kronikave 17:1.

Por Davidi kishte qenë një luftëtar. Kështu Jehovai vendosi se do të ishte biri i tij, Solomoni i cili gjatë një mbretërimi paqësor, do ta ndërtonte tempullin për të vendosur aty arkën e besëlidhjes. (1 Kronikave 22:7-10) Megjithatë kjo nuk e frenoi Davidin që të shfaqte frymën e dhënies. Duke organizuar një grup të madh njerëzish ai filloi punën për të siguruar materialet që do të përdoreshin për ndërtimin e tempullit. Më vonë i tha Solomonit: «Unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë.» (1 Kronikave 22:14) Duke mos u mjaftuar me kaq, Davidi dha nga pasuria që kishte vetë një kontribut në ar e argjend, që në ditët e sotme do të kishte një vlerë prej më shumë se 1.200.000.000 dollarë. Për më tepër edhe princat kontribuan bujarisht. (1 Kronikave 29:3-9) Vërtet, Davidi shfaqi një frymë dhënieje bujare.

Çfarë e nxiti Davidin të jepte me kaq bujari? Ai e kuptoi se gjithçka që kishte fituar e arritur ishte sepse Jehovai e kishte bekuar. Në fakt në lutjen që bëri ai tha: «O Zot, Perëndia ynë, tërë ky bollëk gjërash që kemi përgatitur për të të ndërtuar një tempull ty, në emrin tënd të shenjtë, vjen nga dora jote, është e tëra jotja. Unë e di, o Perëndia im, që ti provon zemrën dhe gëzohesh kur sheh sjelljen e drejtë. Prandaj në drejtësinë e zemrës sime të kam ofruar në mënyrë spontane tërë këto gjëra; dhe tani shoh me gëzim që populli yt, që është këtu i pranishëm, bën ofertat e tij në mënyrë spontane.» (1 Kronikave 29:16, 17) Davidi e çmonte marrëdhënien me Jehovain. Ai e kuptonte se duhej t’i shërbente Perëndisë «me zemër të plotë e me shpirt plotësisht të kënaqur» dhe gjeti gëzim duke vepruar kështu. (1 Kronikave 28:9, BR) Po këto cilësi i nxitën edhe të krishterët e hershëm që të shfaqnin frymën e dhënies.

Jehovai—Dhënësi më i madh

Jehovai është shembulli më i mirë i dhënies. Kaq i dashur dhe i kujdesshëm është ai saqë «e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». (Mateu 5:45) Ai u jep të gjithë njerëzve «jetë, frymë dhe gjithçka». (Veprat 17:25) Vërtet, siç e vuri në dukje dishepulli Jakov, «çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore».—Jakovit 1:17.

Dhurata më e madhe që na ka bërë Jehovai është që dërgoi «Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Askush nuk mund të pretendojë se e meriton këtë dhuratë, «sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23, 24; 1 Gjonit 4:9, 10) Shpërblesa e Krishtit është baza dhe kanali për ‘dhuratën e papërshkrueshme falas’ të Perëndisë, domethënë ‘dashamirësinë e pamerituar tejet të madhe të Perëndisë’. (2 Korintasve 9:14, 15) Pavli ishte mirënjohës për dhuratën e Perëndisë. Prandaj gjëja kryesore në jetën e tij ishte që ‘të jepte dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’. (Veprat 20:24) E kuptonte se vullneti i Perëndisë ishte që ‘njerëz të çdo lloji të shpëtonin dhe të arrinin në njohurinë e saktë të së vërtetës’.—1 Timoteut 2:4.

Sot kjo gjë po kryhet falë një vepre të madhe predikimi dhe mësimdhënieje, e cila është shtrirë në 234 vende në mbarë tokën. Jezui e paratha këtë shtrirje kur tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Po, «më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet». (Marku 13:10) Vitin e kaluar më tepër se gjashtë milionë lajmëtarë të lajmit të mirë kushtuan 1.202.381.302 orë në këtë vepër dhe drejtuan më shumë se 5.300.000 studime biblike. Meqë janë në rrezik jetë njerëzish, kjo vepër mësimdhënieje është shumë e rëndësishme.—Romakëve 10:13-15; 1 Korintasve 1:21.

Për të ndihmuar ata që kanë etje për të vërtetën biblike, çdo vit shtypen miliona botime, ku përfshihen Bibla, libra dhe broshura. Përveç kësaj prodhohen më tepër se një miliard kopje të revistave Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës. Ndërsa njerëzit i përgjigjen lajmit të mirë, ndërtohen gjithnjë e më shumë Salla Mbretërie dhe Salla Asamblesh të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilat shërbejnë si qendra të mësimdhënies biblike. Çdo vit organizohen asamble qarkore dhe njëditore, si edhe kongrese krahinore. Po kështu vazhdimisht stërviten misionarë, mbikëqyrës udhëtues, pleq dhe shërbëtorë ndihmës. I jemi mirënjohës Jehovait për gjithë këto masa që na siguron nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45-47) Sa shumë duam që t’ia shprehim mirënjohjen tonë Atij!

Të tregojmë mirënjohje ndaj Jehovait

Ashtu si me ndërtimin e tempullit dhe me plotësimin e nevojave të kongregacioneve të hershme të krishtere, financimi i gjithë këtyre gjërave bëhet tërësisht me kontribute vullnetare. Gjithsesi duhet të kujtojmë se askush nuk mund ta pasurojë Jehovain, Zotëruesin e gjithçkaje. (1 Kronikave 29:14; Hageu 2:8) Prandaj kontributet janë dëshmi e dashurisë sonë për Jehovain dhe e dëshirës sonë për të çuar përpara adhurimin e vërtetë. Këto mënyra për të treguar bujarinë, thotë Pavli, prodhojnë «një shprehje falënderimi drejtuar Perëndisë». (2 Korintasve 9:8-13) Jehovai e inkurajon këtë dhënie, sepse ajo tregon se kemi frymën e duhur dhe një zemër të mirë ndaj tij. Ata që janë bujarë dhe mbështeten te Jehovai, do të bekohen prej tij dhe do të begatohen frymësisht. (Ligji i përtërirë 11:13-15; Fjalët e urta 3:9, 10; 11:25) Jezui na siguroi se po të vepronim kështu do të ishim të lumtur. Ai tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Veprat 20:35.

Të krishterët që kanë frymën e dhënies nuk presin derisa të lindin nevojat. Përkundrazi kërkojnë rastet që ‘të bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me [ta] në besim’. (Galatasve 6:10) Duke inkurajuar bujarinë e perëndishme, Pavli shkroi: «Mos harroni të bëni të mirën dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me sakrifica të tilla.» (Hebrenjve 13:16) Përdorimi i pasurive tona, pra i kohës, i fuqisë, i burimeve financiare, për të ndihmuar të tjerët dhe për të çuar përpara adhurimin e pastër, i pëlqen shumë Perëndisë Jehova. Vërtet, atij i pëlqen fryma e dhënies.

[Kutia dhe figura në faqet 28, 29]

Mënyra që zgjedhin disa për të dhënë

KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Shumë veta lënë mënjanë ose grumbullojnë një sasi parash, të cilën e hedhin në kutitë e kontributeve të quajtura «Kontribute për veprën mbarëbotërore—Mateu 24:14».

Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këtë sasi parash zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait që shërben në vendet e tyre. Gjithashtu dhuratat vullnetare në para mund të dërgohen drejtpërdrejt në adresën: Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, c/o Office of the Secretary and Treasurer, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483, ose në zyrën e degës që shërben në vendin tuaj. Çeqet duhet t’i bëhen të pagueshme Shoqatës Watch Tower. Mund të dhurohen, gjithashtu, bizhuteri ose gjëra të tjera të çmuara. Këto kontribute duhet të shoqërohen nga një letër e shkurtër që thotë se këto janë dhurata pa kusht.

RREGULLIMI PËR DHURIMET ME KUSHT

Paratë mund të dhurohen sipas një rregullimi të veçantë, sipas së cilit, nëse dhuruesi e kërkon, dhurata mund t’i kthehet. Për më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni Zyrën e Sekretarit dhe të Thesarit në adresën e treguar më sipër.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimeve pa kusht dhe dhurimeve me kusht në para, ka edhe metoda të tjera dhënieje për të ndihmuar shërbimin e Mbretërisë në të gjithë botën. Këto përfshijnë:

Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një police sigurimi për jetën ose i një plan pensioni.

Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitave ose llogaritë individuale të pensioneve mund t’i lihen në mirëbesim ose t’i bëhen të pagueshme pas vdekjes, Shoqatës Watch Tower, sipas kërkesave bankare vendëse.

Aksionet dhe obligacionet: Aksionet dhe obligacionet mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kusht.

Pronat e paluajtshme: Pronat e paluajtshme që mund të shiten, mund të dhurohen ose duke bërë një dhuratë pa kusht, ose në rastin e një prone banimi, duke i rezervuar një pronë për jetën dhuruesit, i cili mund të vazhdojë të jetojë aty gjatë jetës së tij ose të saj. Kontaktoni zyrën e degës në vendin tuaj, para se të kaloni një pronë të paluajtshme.

Dhurimi i të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore: Dhurimi të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore është një rregullim ku dikush i transferon para ose sigurime Shoqatës Watch Tower. Si shkëmbim, dhuruesi ose dikush i caktuar nga dhuruesi, merr një pagesë vjetore të përcaktuar, për çdo vit të jetës. Që nga viti në të cilin është bërë dhurimi i të ardhurave dhuruesi ka lehtësime në tatimin mbi të ardhurat.

Testamente dhe lënie në mirëbesim: Pronat ose paratë mund t’i lihen në trashëgimi Shoqatës Watch Tower me anë të një testamenti të bërë ligjërisht ose Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një marrëveshje mirëbesimi në dobi të një organizate fetare mund të sjellë disa lehtësime nga taksat.

Siç nënkuptohet nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë të veçantë disa planifikime nga ana e dhuruesit. Për t’i ndihmuar individët që dëshirojnë të përkrahin veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të ndonjë forme të dhënies së planifikuar, është përgatitur në gjuhën angleze dhe spanjolle një broshurë e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Broshura u shkrua si përgjigje ndaj shumë pyetjeve që erdhën lidhur me dhurimet, testamentet dhe lëniet në mirëbesim. Ajo përmban, gjithashtu, informacion të dobishëm shtesë lidhur me planifikimin për pronat, planifikimin financiar dhe për taksat. Ajo i informon individët për një shumëllojshmëri mënyrash në të cilat mund të bëhen dhurimet, qoftë tani, qoftë si një trashëgimi pas vdekjes. Pas leximit të broshurës dhe këshillimit me këshilltarët e tyre ligjorë a fiskalë dhe me Zyrën e Dhënies së Planifikuar, shumë veta kanë qenë në gjendje t’i ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait në të gjithë botën dhe në të njëjtën kohë, të kenë më shumë lehtësime nga taksat. Kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar një kopje drejtpërdrejt Zyrës së Dhënies së Planifikuar.

Për më tepër informacione mund të kontaktoni Zyrën e Dhënies së Planifikuar, qoftë duke shkruar, qoftë me telefon, në adresën e treguar më poshtë ose në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin tuaj.

Charitable Planning Office

Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania

100 Watchtower Drive,

Patterson, New York 12563-9204

Telefon: 1 845 306-0707

[Figura në faqen 26]

Çfarë i nxiti të krishterët e hershëm që të ishin bujarë?