Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A besoni se toka do të bëhet parajsë?

A besoni se toka do të bëhet parajsë?

A besoni se toka do të bëhet parajsë?

PAK njerëz besojnë se toka do të bëhet ndonjëherë parajsë. Përkundrazi, shumë mendojnë se toka nuk do të ekzistojë përgjithnjë. Sipas librit The Sacred Earth, të Brajan-Li Molinosë, ky rruzull erdhi në ekzistencë nga ‘një shpërthim i madh kozmik’ miliona vjet më parë. Dhe nëse njeriu vetë nuk do ta shkatërrojë tokën, shumë mendojnë se së fundi ajo dhe i gjithë universi mund «të shndërrohen përsëri në një lëmsh të zjarrtë, gati për të shpërthyer».

Poeti anglez i shekullit të 17-të, Xhon Miltoni, nuk kishte mendime të tilla pesimiste. Në poemën e tij epike Parajsa e humbur, ai shkroi se Perëndia e krijoi tokën që të ishte një shtëpi parajsore për familjen njerëzore. Ajo parajsë e hershme humbi. Megjithatë Miltoni besonte se do të rivendosej. Besonte se Jezu Krishti si shpengues, një ditë do t’i ‘shpërblente besnikët e tij dhe do t’i merrte në parajsë . . . në qiell ose në tokë’. Miltoni tha plot siguri: «Sepse atëherë toka do të jetë e gjitha parajsë.»

Parajsa: Në qiell apo në tokë?

Shumë njerëz fetarë kanë pikëpamjen e Miltonit se në fund do të marrin ndonjë lloj shpërblimi për tmerret dhe dhembjet që u është dashur të durojnë këtu në tokë. Por, ku do ta marrin këtë shpërblim? ‘Në qiell apo në tokë?’ Disa nuk e mendojnë tokën si një vend të tillë. Thonë se njerëzit do të gëzojnë ‘parajsën’ vetëm pasi ta lënë tokën e të jetojnë në një mbretëri frymore në qiell.

Në librin HeavenA History, autorët K. Mekdanëlli dhe B. Langu thonë se Ireneu, teolog i shekullit të dytë, besonte se jeta në një parajsë të rivendosur «nuk do të ishte në ndonjë mbretëri të largët qiellore, por në tokë». Sipas këtij libri, ndonëse disa udhëheqës fetarë, si Xhon Kalvini dhe Martin Luteri, shpresonin të shkonin në qiell, ata besonin gjithashtu se «Perëndia do ta ripërtërijë tokën». Pjesëtarë të feve të tjera kanë pasur bindje të ngjashme. Mekdanëlli dhe Langu thonë gjithashtu se disa judenj besonin se në kohën e duhur sipas Perëndisë, të gjitha vuajtjet njerëzore «do të zhdukeshin dhe njerëzit do të bënin një jetë të kënaqshme në tokë». Një enciklopedi, The Encyclopaedia of Middle Eastern Mythology and Religion (Enciklopedia e mitologjisë dhe e fesë së Lindjes së Mesme), thotë se sipas besimit të lashtë pers «gjendja fillestare e tokës do të rivendosej dhe njerëzit do të jetonin përsëri në paqe».

Çfarë ndodhi me shpresën se toka do të bëhej një parajsë? A është jeta jonë në tokë vetëm një fazë kalimtare? Siç besonte filozofi jude i shekullit të parë, Filoja, a është ajo vetëm «një episod i shkurtër, shpesh fatkeq, në udhëtimin drejt një mbretërie frymore? Apo Perëndia kishte diçka tjetër në mendje kur krijoi tokën dhe i vendosi njerëzit në të në kushte parajsore? A mund të gjejë njerëzimi kënaqësi të vërtetë frymore dhe një parajsë pikërisht këtu në tokë? Pse të mos shqyrtoni atë që thotë Bibla për këtë temë? Ashtu si miliona të tjerë do të arrini në përfundimin se është vërtet e arsyeshme të shpresoni se parajsa do të rivendoset në tokë.

[Figura në faqen 3]

Poeti Xhon Milton besonte se parajsa do të rivendosej

[Burimi i figurës në faqen 2]

KAPAKU: Toka: U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./NASA

[Burimet e figurave në faqen 3]

Toka: U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./NASA; Xhon Miltoni: Leslie’s