Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund të besoni se toka do të bëhet parajsë

Mund të besoni se toka do të bëhet parajsë

Mund të besoni se toka do të bëhet parajsë

GJATË historisë, miliona njerëz kanë besuar se në fund të jetës së tyre ata do të largoheshin nga toka e do të shkonin në qiell. Disa kanë menduar se Krijuesi ynë nuk kishte kurrë si qëllim që toka të ishte vendbanimi ynë i përhershëm. Asketikët kanë shkuar edhe më tej. Për shumë prej tyre, toka dhe të gjitha gjërat materiale janë të këqija, domethënë janë një pengesë për të provuar kënaqësi të vërtetë frymore dhe për t’iu afruar Perëndisë.

Ata që zhvilluan idetë e mësipërme ose nuk e dinin se çfarë tha Perëndia për parajsën në tokë, ose e shpërfillën me dashje atë. Në të vërtetë, sot shumë njerëzve nuk u intereson të shqyrtojnë se cilat gjëra shkruan për këtë temë në Fjalën e tij, Biblën, njerëzit që i frymëzoi Perëndia. (2 Timoteut 3:16, 17) Por, a nuk do të ishte e mençur të besonim te Fjala e Perëndisë, në vend që të përvetësonim teoritë e njerëzve? (Romakëve 3:4) Në fakt është jetësore të veprojmë kështu, sepse Bibla na paralajmëron se një krijesë e ligë e fuqishme, por e padukshme i ka verbuar frymësisht njerëzit dhe tani po «mashtron gjithë tokën e banuar».—Zbulesa 12:9; 2 Korintasve 4:4.

Pse ekziston kjo ngatërresë?

Idetë e kundërta rreth shpirtit i kanë ngatërruar njerëzit në lidhje me qëllimin e Perëndisë për tokën. Shumë veta besojnë se kemi një shpirt të pavdekshëm, diçka që është e ndarë nga trupi njerëzor dhe që mbijeton pas vdekjes. Të tjerë besojnë se shpirti ekzistonte përpara se të krijohej trupi njerëzor. Sipas një vepre referimi, filozofi grek Platoni mendonte se shpirti «është i burgosur në trup si ndëshkim për mëkatet që ka kryer kur ishte në qiell». Po kështu teologu i shekullit të tretë, Origjeni, tha se «shpirtrat mëkatuan [në qiell] përpara se të hynin në një trup njerëzor» dhe «u burgosën [në atë trup në tokë] si ndëshkim për mëkatet e tyre». Gjithashtu miliona njerëz besojnë se toka është vetëm një vend prove për njeriun para se të arrijë në qiell.

Po kështu ka ide të ndryshme se çfarë ndodh me shpirtin ndërsa njeriu vdes. Sipas librit History of Western Philosophy, egjiptianët zhvilluan pikëpamjen se «shpirtrat e të vdekurve zbresin në botën e nëndheshme». Më vonë filozofët argumentuan se shpirtrat e të vdekurve nuk zbresin në një botë të errët e të nëndheshme, por në të vërtetë ngjiten në një mbretëri frymore më të lartë. Thuhet se filozofi grek Sokrati besonte se kur njeriu vdes, shpirti «ikën në [një] zonë të padukshme . . . dhe e kalon pjesën tjetër të ekzistencës së tij bashkë me perënditë».

Çfarë thotë Bibla?

Fjala e frymëzuar e Perëndisë, Bibla, nuk thotë asgjëkundi se njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm. Lexoni vetë atë që thuhet te Zanafilla 2:7: «Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete dhe njeriu u bë një qenie e gjallë.» Kjo është e qartë dhe nuk lë vend për keqkuptime. Kur Perëndia krijoi njeriun e parë, Adamin, Ai nuk futi brenda trupit të tij ndonjë lloj lënde jomateriale. Jo, sepse Bibla thotë që «njeriu u bë një qenie [shpirt, (BR)] i gjallë». Njeriu nuk përmbante një shpirt. Ai ishte një shpirt.

Kur krijoi tokën dhe familjen njerëzore, Jehovai nuk kishte aspak si qëllim që njeriu të vdiste. Qëllimi i Perëndisë ishte që njerëzit të jetonin përgjithmonë në tokë në kushte parajsore. Adami vdiq vetëm sepse nuk iu bind ligjit të Perëndisë. (Zanafilla 2:8, 15-17; 3:1-6; Isaia 45:18) Kur njeriu i parë vdiq, a shkoi në ndonjë mbretëri frymore? Jo. Ai, pra shpirti Adam, u kthye në pluhurin e pajetë nga i cili ishte krijuar.—Zanafilla 3:17-19.

Të gjithë ne kemi trashëguar mëkatin dhe vdekjen nga paraardhësi ynë, Adami. (Romakëve 5:12) Kjo vdekje do të thotë të pushosh së ekzistuari, ashtu siç ishte për Adamin. (Psalmi 146:3, 4) Në të vërtetë, në të gjithë 66 librat e saj, Bibla nuk i lidh kurrë termat «i pavdekshëm» ose «i përhershëm» me fjalën «shpirt». Përkundrazi, Shkrimet thonë qartë se shpirti, pra njeriu, është i vdekshëm. Shpirti vdes.—Predikuesi 9:5, 10; Ezekieli 18:4.

A janë në vetvete të këqija gjërat materiale?

Ç’të themi për idenë se gjërat materiale, përfshirë edhe tokën, janë të këqija? Një pikëpamje të tillë e kishin pjesëtarët e manikeizmit, një lëvizje fetare e themeluar në Persi gjatë shekullit të tretë të e.s. nga një njeri i quajtur Mani. Një enciklopedi, The New Encyclopædia Britannica, thotë: «Manikeizmi lindi si pasojë e angështisë që karakterizon njeriun.» Mani besonte se të ishe njeri ishte diçka «e panatyrshme, e padurueshme dhe krejtësisht e ligë». E ai besonte se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo ‘angështi’ ishte që shpirti të ikte nga trupi, të largohej nga toka e të arrinte ekzistencën frymore në një botë frymore.

Krejt ndryshe nga kjo, Bibla na thotë se në sytë e Perëndisë «të gjitha ato që [Ai] kishte bërë», kur krijoi tokën dhe njerëzit, ishin «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Në atë kohë nuk kishte pengesa mes njerëzve dhe Perëndisë. Adami dhe Eva gëzonin një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, ashtu si njeriu i përsosur Jezu Krisht gëzonte një marrëdhënie të ngushtë me Atin e tij qiellor.—Mateu 3:17.

Në qoftë se prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, nuk do të kishin ndjekur një udhë mëkatare, do të kishin pasur një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova, përjetësisht në një parajsë në tokë. Ata e filluan jetën në parajsë, sepse Shkrimet na thonë: «Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar.» (Zanafilla 2:8) Pikërisht në këtë kopsht parajsor u krijua Eva. Në rast se Adami dhe Eva nuk do të kishin mëkatuar, ata dhe pasardhësit e tyre të përsosur mund të kishin punuar së bashku të lumtur derisa e tërë toka të ishte bërë parajsë. (Zanafilla 2:21; 3:23, 24) Parajsa në tokë do të kishte qenë shtëpia e njerëzimit në përjetësi.

Pse disa shkojnë në qiell?

‘Por,—mund të thoni ju,—a nuk thotë Bibla që disa njerëz do të shkojnë në qiell?’ Po. Pasi Adami mëkatoi, Jehovai vuri si qëllim që të themelonte një Mbretëri qiellore në të cilën disa pasardhës të Adamit ‘do të sundonin si mbretër mbi tokën’ bashkë me Jezu Krishtin. (Zbulesa 5:10; Romakëve 8:17) Ata do të ringjalleshin në jetën e pavdekshme në qiell. Numri i tyre është 144.000 veta dhe të parët nga ata ishin dishepujt besnikë të Jezuit në shekullin e parë.—Luka 12:32; 1 Korintasve 15:42-44; Zbulesa 14:1-5.

Megjithatë nuk ishte qëllimi fillestar i Perëndisë që njerëzit e drejtë të largoheshin nga toka e të shkonin në qiell. Në të vërtetë, kur Jezui ishte në tokë, tha: «Asnjeri nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut.» (Gjoni 3:13) Nëpërmjet «Birit të njeriut», Jezu Krishtit, Perëndia siguroi një shpërblesë që bën të mundur jetën e përhershme për të gjithë ata që ushtrojnë besim në flijimin e Jezuit. (Romakëve 5:8) Por, ku do të jetojnë miliona njerëz të tillë në përjetësi?

Qëllimi fillestar i Perëndisë do të përmbushet

Ndonëse Perëndia vuri si qëllim që të merrte në qiell disa njerëz për të shërbyer si bashkësundimtarë me Jezu Krishtin në Mbretërinë qiellore, kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Jehovai e krijoi tokën që të jetë shtëpia parajsore e familjes njerëzore. Shumë shpejt Perëndia do ta përmbushë këtë qëllim që pati që në fillim.—Mateu 6:9, 10.

Nën sundimin e Jezu Krishtit dhe të bashkësundimtarëve të tij qiellorë, në tokë do të mbizotërojë paqja dhe lumturia. (Psalmi 37:9-11) Ata që janë në kujtesën e Perëndisë do të ringjallen dhe do të gëzojnë shëndet të përsosur. (Veprat 24:15) Për shkak të besnikërisë ndaj Perëndisë, njerëzve të bindur do t’u jepet ajo që humbën prindërit tanë të parë, jeta e përhershme si njerëz të përsosur në një parajsë në tokë.—Zbulesa 21:3, 4.

Perëndia Jehova nuk dështon kurrë të realizojë atë që vë si qëllim. Me anë të profetit Isaia, ai shpalli: «Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbijë në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:10, 11.

Në librin biblik të Isaisë na jepet një pamje paraprake se si do të jetë jeta në parajsën në tokë. Asnjë banor i parajsës nuk do të thotë: «Jam i sëmurë.» (Isaia 33:24) Kafshët nuk do të përbëjnë një rrezik për njeriun. (Isaia 11:6-9) Njerëzit do të ndërtojnë shtëpi të bukura e do të banojnë në to dhe do të mbjellin bimë e do të hanë sa të kënaqen. (Isaia 65:21-25) Për më tepër, Perëndia «do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë».—Isaia 25:8.

Së shpejti njerëzimi i bindur do të jetojë në këto kushte të shkëlqyera. «Do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Romakëve 8:21) Sa e mrekullueshme do të jetë të jetojmë përgjithmonë në parajsën e premtuar në tokë! (Luka 23:43) Ju mund të jetoni atje në qoftë se veproni sipas njohurisë së saktë të Shkrimeve dhe ushtroni besim te Perëndia Jehova e te Jezu Krishti. Dhe mund të keni sigurinë se vërtet është e arsyeshme të besoni se toka do të bëhet parajsë.

[Figura në faqen 5]

Adami dhe Eva u krijuan për të jetuar përgjithmonë në një parajsë në tokë

[Figurat në faqen 7]

Në parajsën në tokë njerëzit . . .

do të ndërtojnë shtëpi

do të mbjellin vreshta

do të bekohen nga Jehovai

[Burimi i figurës në faqen 4]

U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./NASA