Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nëpërmjet besimit, Baraku shpartalloi një ushtri të fuqishme

Nëpërmjet besimit, Baraku shpartalloi një ushtri të fuqishme

Nëpërmjet besimit, Baraku shpartalloi një ushtri të fuqishme

PËRFYTYROJENI veten përballë një batalioni me ushtarë armiq. Janë të armatosur deri në dhëmbë me pajisjet ushtarake më të fundit dhe janë gati për t’i përdorur. Para tyre, ju dhe shokët tuaj, jeni pothuajse të pambrojtur.

Një përvojë të tillë e kaluan Baraku, Debora dhe 10.000 izraelitë të tjerë gjatë periudhës së gjykatësve në Izrael. Forcat armike ishin kananitë të udhëhequr nga komandanti ushtarak Sisera. Arsenali i tyre i luftës përfshinte karroca, rrotat e të cilave ishin pajisur me kosa të hekurta vdekjeprurëse. Vendi i betejës ishte mali Tabor dhe lugina e përroit Kishon. Ajo që ndodhi atje tregoi se Baraku ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm. Shqyrtoni ngjarjet që çuan në këtë betejë.

Izraeli i thërret për ndihmë Jehovait

Libri i Gjykatësve tregon se Izraeli herë pas here e braktiste adhurimin e pastër, dhe kjo sillte pasoja shkatërrimtare. Në secilin rast, pasi ata i luteshin me sinqeritet Perëndisë për mëshirë, ai u caktonte një shpëtimtar, i çlironte, e më pas ata rebeloheshin prapë. Duke ndjekur po këtë vazhdë, «pas vdekjes së Ehudit, [një gjykatës që i shpëtoi nga shtypja e moabitëve] bijtë e Izraelit rifilluan të bëjnë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit». Madje nisën të «zgjidhnin perëndi të tjera». Pasoja? «Zoti i dha në duart e Jabinit, mbretit të Kanaanit, që mbretëronte në Hatsor. Komandanti i ushtrisë së tij ishte Sisera . . . Dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit, sepse [Sisera] kishte nëntëqind qerre të hekurta dhe prej njëzet vjetëve i shtypte rëndë bijtë e Izraelit.»—Gjykatësve 4:1-3; 5:8.

Për jetën në Izrael Shkrimet thonë: «[Në ato ditë] rrugët ishin të shkreta dhe kalimtarët ndiqnin shtigje dredha-dredha. [Banorët e fushës u zhdukën, BR].» (Gjykatësit 5:6, 7) Njerëzit ishin të tmerruar nga bandat me karroca. «Në Izrael mbretëronte frika mes njerëzve,—thotë një studiues,—e gjithë popullsia dukej e paralizuar nga frika dhe e pambrojtur.» Prandaj, siç kishin bërë shpesh më parë, izraelitët e ligështuar i thirrën Jehovait për ndihmë.

Jehovai cakton një udhëheqës

Shtypja kananite u bë kohë krize për kombin e Izraelit. Perëndia përdori profeteshën Debora për të përcjellë gjykimet dhe udhëzimet e tij. Në këtë mënyrë, Jehovai e nderoi atë duke i dhënë privilegjin të vepronte në mënyrë të figurshme si nënë në Izrael.—Gjykatësve 4:4; 5:7.

Debora dërgoi njerëz të thërritnin Barakun dhe i tha: «A nuk të ka urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit: ‘Shko, marsho mbi malin Tabor dhe merr me vete dhjetë mijë burra nga bijtë e Neftalit dhe të Zabulonit. Unë do të tërheq në drejtimin tënd, në përruan Kishon, Siseran, komandantin e ushtrisë së Jabinit, me gjithë qerret dhe trupat e tij të shumta dhe do të ta dorëzoj në dorën tënde’?» (Gjykatësve 4:6, 7) Duke thënë: ‘A nuk të ka urdhëruar Zoti?’, Debora tregoi në mënyrë të qartë se nuk pretendonte të kishte autoritet mbi Barakun. Ajo thjesht po vepronte si kanali përmes të cilit u përcoll një urdhër hyjnor. Si u përgjigj Baraku?

«Në rast se vjen me mua,—tha Baraku,—unë do të shkoj; por në qoftë se ti nuk vjen me mua, nuk kam për të shkuar.» (Gjykatësve 4:8) Pse Baraku po ngurronte të pranonte këtë përgjegjësi që i kishte dhënë Perëndia? A po tregohej burracak? A i mungonte besimi te premtimet e Perëndisë? Jo. Baraku nuk e refuzoi caktimin, as nuk shkoi kundër asaj që thoshte Jehovai. Përkundrazi, reagimi i tij tregoi se nuk ndihej në lartësinë e duhur për ta zbatuar i vetëm urdhrin e Perëndisë. Prania e përfaqësueses së Perëndisë do t’i siguronte udhëheqje hyjnore dhe do të mbushte me besim atë dhe burrat që luftonin me të. Pra, në vend që të ishte shenjë dobësie, ky kusht që vuri Baraku ishte tregues i një besimi të fortë.

Reagimi i Barakut mund të krahasohet me reagimin e Moisiut, të Gideonit dhe të Jeremisë. Edhe ata burra s’kishin besim tek aftësia e tyre për të përmbushur detyrat që u kishte dhënë Perëndia. Por nuk u panë si më pak të besueshëm për shkak të kësaj. (Eksodi 3:11–4:17; 33:12-17; Gjykatësve 6:11-22, 36-40; Jeremia 1:4-10) Po qëndrimi i Deborës? Ajo nuk u përpoq ta merrte vetë në dorë situatën. Në vend të kësaj, vazhdoi të ishte një shërbëtore modeste e Jehovait. «Do të vij me siguri me ty»,—i tha Barakut. (Gjykatësve 4:9) Ishte e gatshme të linte shtëpinë e saj, që patjetër ishte një vend më i sigurt, dhe të shkonte me Barakun në luftën që po kanosej. Edhe Debora është shembull i besimit dhe i guximit.

E ndjekin Barakun me besim

Pika e grumbullimit të forcave ushtarake të Izraelit ishte një mal i lartë me emrin Tabor. Vendi ishte zgjedhur mirë. Ishte një pikë natyrore takimi për fiset e Neftalit dhe të Zabulonit, të cilat banonin aty afër. Prandaj, siç kishte urdhëruar Perëndia, dhjetë mijë vullnetarë, si edhe Debora, u ngjitën në këtë mal bashkë me Barakun.

Kërkohej besim nga ana e të gjithë atyre që u bashkuan me Barakun. Jehovai i kishte premtuar Barakut fitoren mbi kananitët, por çfarë armësh kishin izraelitët? Te Gjykatësve 5:8 thuhet: «Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit.» Prandaj izraelitët kishin vetëm armatime të lehta. Gjithsesi, shtizat dhe mburojat as nuk mund të krahasoheshin me karrocat luftarake me kosa të hekurta. Kur mori vesh se Baraku ishte ngjitur në malin Tabor, Sisera menjëherë i mblodhi karrocat dhe trupat e tij në luginën e përroit Kishon. (Gjykatësve 4:12, 13) Por ajo që Sisera nuk arriti ta kuptonte ishte se do të luftonte kundër Perëndisë së Plotfuqishëm.

Baraku shpartallon ushtrinë e Siserës

Kur erdhi çasti i ballafaqimit, Debora i tha Barakut: «Çohu, sepse kjo është dita që Zoti e dorëzoi Siseran në dorën tënde. A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?» Baraku dhe trupat e tij duhej të zbritnin nga mali Tabor në luginë, por atje karrocat e Siserës do të kishin epërsi strategjike. Si do të ishit ndier ju po të ishit në ushtrinë e Barakut? A do të ishit bindur menjëherë, duke pasur në mend se drejtimi vinte nga Jehovai? Baraku dhe dhjetë mijë burrat që ishin me të u bindën. «Zoti e mundi Siseran, të gjitha qerret dhe tërë ushtrinë e tij, që u shfaros me shpatë përpara Barakut.»—Gjykatësve 4:14, 15.

Me mbështetjen e Jehovait, Baraku e shpartalloi ushtrinë e Siserës. Tregimi për këtë betejë nuk shpjegon gjithçka që ndodhi. Megjithatë, kënga e fitores që thurën Baraku dhe Debora thotë se ‘qiejt dhe retë pikuan ujë’. Ka shumë të ngjarë që një stuhi t’i ketë bërë karrocat e Siserës të ngecnin në baltë, duke i dhënë epërsinë Barakut. Në këtë mënyrë arma kryesore sulmuese e kananitëve u bë një pengesë. Sa për trupat e vdekur të ushtrisë së Siserës, kënga thotë: «Përroi Kishon i përmbysi [i mori me vete, BR].»—Gjykatësve 5:4, 21.

A është e besueshme kjo skenë? Lugina e Kishonit është shtrati i një rrëkeje që normalisht ka pak ujë. Pas stuhive ose shirave të zgjatura, këto rrëke mbushen papritur dhe bëhen përrenj të rrëmbyeshëm e të rrezikshëm. Thuhet se gjatë Luftës I Botërore vetëm 15 minuta shi që ra në dheun e rëndë prej argjile të së njëjtës zonë rrezikoi suksesin e gjithë manovrave të kalorësisë. Tregime për betejën e malit Tabor midis Napoleonit dhe turqve më 16 prill 1799, raportojnë se «shumë turq u mbytën kur përpiqeshin të iknin duke kapërcyer një pjesë të luginës që ishte përmbytur nga Kishoni».

Historiani jude Jozef Flavi pohon se, ndërsa ushtritë e Siserës dhe të Barakut ishin gati të ndesheshin, «nga qielli erdhi një stuhi e madhe, me një sasi të madhe shiu e breshëri, dhe era ua hodhi në fytyrë shiun kananitëve duke u errësuar sytë, kështu që shigjetat dhe hobetë e tyre nuk u vlenin për asgjë».

«Nga qielli luftuan yjet,—thotë Gjykatësve 5:20,—gjatë lëvizjes së tyre luftuan kundër Siseras.» Si luftuan yjet kundër Siserës? Disa mendojnë se ky pohim tregon që ata patën ndihmën e Perëndisë. Të tjerë thonë se i referohet ndihmës së engjëjve, shirave të meteorëve ose faktit që varja e shpresave të Siserës te parashikimet astrologjike doli e kotë. Meqë Bibla nuk jep asnjë shpjegim se si luftuan yjet në këtë betejë, duket e mjaftueshme ta shohim këtë pohim si diçka që tregon ndonjë formë të ndërhyrjes hyjnore në dobi të ushtrisë së Izraelit. Sidoqoftë, izraelitët përfituan plotësisht nga kjo situatë. «Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë . . . dhe tërë ushtria e Siseras u shkatërrua nga goditjet me shpatë; nuk shpëtoi as edhe një njeri.» (Gjykatësve 4:16) Çfarë ndodhi me Siserën, komandantin e ushtrisë?

Shtypësi bie «në duart e një gruaje»

«Ndërkaq Sisera [e kishte braktisur fushën e betejës dhe] kishte ikur në këmbë në drejtim të çadrës së Jaelës, gruas së Heberit, Keneut, sepse mbretëronte paqja midis Jabinit, mbretit të Hatsorit dhe shtëpisë së Heberit, Keneut»,—thotë Bibla. Jaela e ftoi Siserën e lodhur në tendën e saj, i dha qumësht për të pirë dhe e mbuloi, kështu që atë e zuri gjumi. Atëherë, Jaela «mori një kunj të çadrës dhe një çekiç», gjëra që një banues në tenda i përdorte normalisht, «iu afrua ngadalë atij dhe i nguli në tëmth kunjin, që u fut në tokë. Atë e kishte zënë një gjumë i thellë; ishte i sfilitur; dhe kështu vdiq».—Gjykatësve 4:17-21.

Më pas, Jaela doli të takonte Barakun dhe i tha: «Eja me mua dhe do të të tregoj njeriun që kërkon.» Tregimi shton: «Ai hyri në çadrën e saj dhe ja, Sisera dergjej i vdekur me kunjin në tëmthat.» Sa duhet t’ia ketë forcuar besimin Barakut e gjithë kjo! Më parë profetesha Debora i kishte thënë: «Në rrugën që je duke ndërmarrë nuk ke për të siguruar asnjë lavdi për vete, sepse Zoti do ta dorëzojë Siseran në duart e një gruaje.»—Gjykatësve 4:9, 22.

A mund të quhet tradhti veprimi i Jaelës? Jehovai nuk e pa në këtë mënyrë. «Qoftë e bekuar midis grave që banojnë në çadra»,—thuhej në këngën e fitores që kënduan Baraku dhe Debora. Kjo këngë na ndihmon të kemi pikëpamjen e duhur për vdekjen e Siserës. Nëna e tij përshkruhet ndërsa pret me ankth kthimin e tij nga beteja. «Pse qerrja jote po vonon aq shumë të vijë?»—pyet ajo. «Gratë e saj më të urta» përpiqen t’ia heqin frikën, duke i thënë se me siguri do të jetë duke ndarë plaçkat e fituara në betejë, rroba të qëndisura bukur dhe vajza për burrat e ushtrisë. Gratë thonë: «Ata kanë gjetur plaçkë dhe janë duke e ndarë në pjesë. Për çdo burrë një ose dy vajza, për Siseran një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe . . . dhe të qëndisura nga të dy anët për shpatullat e atyre që bartin tutje plaçkën.»—Gjykatësve 5:24, 28-30.

Mësime për ne

Nga tregimi i Barakut nxjerrim mësime të rëndësishme. Është e sigurt se ata që e përjashtojnë Jehovain nga jeta e tyre do të kenë probleme dhe zhgënjime. Njerëzit e penduar që kthehen te Perëndia dhe tregojnë besim tek ai kanë mundësi të çlirohen nga shtypja e formave të ndryshme. Po ashtu, a nuk duhet të zhvillojmë edhe frymën e bindjes? Edhe kur duket sikur kërkesat e Perëndisë shkojnë kundër arsyetimit njerëzor, mund të jemi të sigurt se udhëzimet e tij janë gjithnjë për mirëqenien tonë të përhershme. (Isaia 48:17, 18) Vetëm duke treguar besim te Jehovai dhe duke iu bindur udhëzimeve hyjnore, Baraku arriti ‘të shpartallonte ushtritë e të huajve’.—Hebrenjve 11:32-34.

Kënga e Deborës dhe e Barakut mbyllet me këto fjalë prekëse: «Kështu u zhdukshin të gjithë armiqtë e tu, o Zot! Por ata që të duan qofshin si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij!» (Gjykatësve 5:31) Sa e vërtetë do të jetë kjo kur Jehovai të sjellë fundin e botës së ligë të Satanait!

[Figura në faqen 29]

Jehovai përdori Deborën për të thirrur Barakun

[Figura në faqen 31]

Përroi Kishon del nga shtrati

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figura në faqen 31]

Mali Tabor