Na pret një botë pa krime
Na pret një botë pa krime
ARRINI ta mendoni një botë pa kriminelë? S’do të kishte nevojë për policë, për burgje ose për sisteme gjyqësore të kushtueshme e të ndërlikuara për çështjet kriminale. Do të ishte një botë ku çdo individ do të respektonte jetën dhe pronën e të tjerëve. A duket kjo si një ëndërr e parealizueshme? Ndoshta mendoni se po, por ky ndryshim mahnitës është pikërisht ajo që premton Bibla. Pse të mos shqyrtoni çfarë parathonë Shkrimet lidhur me krimin e me gjëra të tjera të liga në tokë?
Në librin e Psalmeve lexojmë: «Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:1, 2, 11) E vërteta është se askush s’mund ta ndalë Perëndinë që të përmbushë këtë premtim dhe gjithë premtimet e tjera ngushëlluese që ka bërë.
Mjeti me të cilin Perëndia do t’i sjellë këto bekime është Mbretëria e tij. Në lutjen e Zotërisë, Jezu Krishti u mësoi ithtarëve të tij të luten që kjo Mbretëri të vijë dhe që vullneti i Perëndisë të bëhet «si në qiell, edhe mbi tokë». (Mateu 6:9, 10) Së shpejti, gjatë sundimit të kësaj Mbretërie askush në tokë nuk do të ketë arsye të kryejë krime për shkak të varfërisë, shtypjes ose egoizmit. Në vend të kësaj, në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve.» (Psalmi 72:16) Vërtet Perëndia Jehova do t’u sigurojë të gjithëve në tokë gjëra të mira pa fund. Ç’është më e rëndësishmja, shoqëria njerëzore do të jetë e bazuar në dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin, kështu që bota nuk do të trazohet më kurrë nga krimet.