Përpara dhe pas—Parimet e Biblës sollën një ndryshim të madh
«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»
Përpara dhe pas—Parimet e Biblës sollën një ndryshim të madh
KUR ishte adoleshent, Adriani ishte i mbushur me zemërim e urrejtje. Ngaqë ishte gjaknxehtë, shpërthente në zemërim, e madje përdorte edhe dhunën. Pinte alkool, duhan dhe bënte një jetë imorale. Njihej nga të gjithë si pank, dhe bëri një tatuazh që pasqyronte bindjet e tij anarkiste. Ai thotë për ato vite: «I qethja flokët sipas modelit tradicional pank, u vija xhel me kile dhe nganjëherë i lyeja me ngjyrë të kuqe ose ndonjë ngjyrë tjetër.» Vuri edhe unazë në hundë.
Adriani shkoi të jetonte në një shtëpi të rrënuar, së bashku me disa të rinj të tjerë rebelë. Atje pinin alkool dhe drogoheshin. «Merrja amfetaminë dhe e injektoja bashkë me valium e me çfarëdo gjëje tjetër që më binte në dorë,—kujton ai.—Kur s’gjeja drogë ose tutkall që thithej me hundë, vidhja benzinë nga makinat dhe drogohesha duke e thithur.» Ngaqë kryente krime nëpër rrugë, Adriani ishte një njeri i frikshëm dhe shumë i dhunshëm. Njerëzit në përgjithësi s’donin të kishin të bënin fare me të. Në të njëjtën kohë, nami që i doli tërhoqi drejt tij shoqërinë e gabuar.
Me kalimin e kohës, Adriani e kuptoi se «miqtë» rrinin me të vetëm për shkak të gjërave që mund të merrnin prej tij. Për më tepër, arriti në përfundimin se «gjithë ai zemërim dhe dhunë s’i kishin sjellë asnjë dobi». Duke ndier një boshllëk të madh dhe i zhgënjyer, ai e la shoqërinë që kishte. Kur gjeti një kopje të Kullës së Rojës në një kantier ndërtimi, e tërhoqi mesazhi i saj i bazuar në Bibël, dhe kjo çoi në një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Adriani iu përgjigj me zell ftesës: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:8) Si pasojë, shumë shpejt ndjeu nevojën që të fillonte të zbatonte parimet që gjenden në Shkrimet e Shenjta.
Njohuria gjithnjë e më e madhe e Biblës pati ndikim të mirë në ndërgjegjen e Adrianit dhe ia ndryshoi drejtimin që kishte në jetë. U ndihmua që të kontrollonte natyrën gjaknxehtë dhe të zhvillonte vetëkontrollin. Falë fuqisë së Fjalës së Perëndisë, personaliteti i Adrianit ndryshoi krejt.—Hebrenjve 4:12.
Por, si ka mundësi që Bibla të ketë një ndikim kaq të fuqishëm? Njohuria nga Shkrimet na ndihmon ‘të veshim personalitetin e ri’. (Efesianëve 4:24) Po, personaliteti ynë ndryshon kur zbatojmë njohurinë e saktë që gjendet në Bibël. Por, si i ndryshon njerëzit kjo njohuri?
Së pari, Bibla identifikon cilat janë tiparet e padëshirueshme të personalitetit që duhen hequr. (Fjalët e urta 6:16-19) Së dyti, Shkrimet na nxitin të shfaqim cilësitë e dëshirueshme që prodhon fryma e shenjtë e Perëndisë. Këtu përfshihen «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli».—Galatasve 5:22, 23.
Një kuptueshmëri më e thellë e kërkesave të Perëndisë e ndihmoi Adrianin të shqyrtonte veten dhe të kuptonte cilat tipare të personalitetit duhej të kultivonte e cilat duhej t’i hiqte. (Jakovit 1:22-25) Por ky ishte vetëm fillimi. Përveç njohurisë, i duhej edhe motivimi, pra diçka që ta shtynte Adrianin të dëshironte të ndryshonte.
Adriani mësoi se personaliteti i ri i dëshirueshëm modelohet «sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi». (Kolosianëve 3:10) Arriti të kuptonte se personaliteti i një të krishteri duhet t’i ngjajë personalitetit të vetë Perëndisë. (Efesianëve 5:1) Me anë të studimit të Biblës, Adriani mësoi për mënyrën se si e trajton Jehovai njerëzimin dhe vërejti cilësitë e shkëlqyera të Perëndisë, si dashurinë, mirëdashjen, mirësinë, mëshirën dhe drejtësinë e tij. Kjo njohuri e shtyu Adrianin ta donte Perëndinë dhe të përpiqej të ishte ai lloj njeriu që Jehovai e miraton.—Mateu 22:37.
Me kalimin e kohës dhe me ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, Adriani arriti ta vinte nën kontroll temperamentin e tij të dhunshëm. Së bashku me të shoqen, tani po ndihmojnë të tjerët që të ndryshojnë jetën e tyre me ndihmën e njohurisë së Biblës. «Ndryshe nga shumë shokë të mi të mëparshëm, që tani kanë vdekur, unë jam gjallë dhe gëzoj një jetë të lumtur familjare»,—thotë Adriani. Ai është një dëshmi e gjallë e fuqisë që ka Bibla për ta ndryshuar për mirë jetën e njerëzve.
[Diçitura në faqen 25]
«Zemërimi dhe dhuna nuk i sollën asnjë dobi»
[Kutia në faqen 25]
Parimet biblike në veprim
Më poshtë jepen disa parime biblike që kanë ndihmuar shumë njerëz gjaknxehtë e të dhunshëm të bëhen paqësorë:
«Jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë.» (Romakëve 12:18, 19) Të lëmë që ta përcaktojë Perëndia se kur dhe ndaj kujt duhet sjellë hakmarrja. Ai mund ta bëjë këtë duke qenë në dijeni të plotë të fakteve dhe çdo lloj hakmarrjeje që vjen prej tij pasqyron drejtësinë e tij të përsosur.
«Zemërohuni, por mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë e ju të jeni në gjendje të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efesianëve 4:26, 27) Nganjëherë mund të ndodhë që një njeri të zemërohet me të drejtë. Nëse ndodh një gjë e tillë, nuk duhet të qëndrojë «në gjendje të acaruar». Përse? Sepse kjo mund ta shtyjë të bëjë diçka të keqe, e kështu ‘t’i lërë vend Djallit’, gjë që do t’i sjellë si pasojë të mos ketë miratimin e Perëndisë Jehova.
«Lëre zemërimin dhe ik nga tërbimi, mos u trego i nxehur vetëm për të bërë të ligën.» (Psalmi 37:8, BR) Kur ndjenjat nuk vihen nën fre, çojnë në veprime të pakontrolluara. Në qoftë se një njeri i hap rrugën zemërimit, ai ose ajo ka mundësi të thotë a të bëjë gjëra që do të lëndojnë të tjerët.