Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Si duhet ta shohin të krishterët përdorimin e gurëve të çmuar që lidhen me muajin e lindjes së tyre?

Në disa vende, disa gurë të çmuar i lidhin me muajin e lindjes së një njeriu. Nëse një i krishterë do të mbajë një lloj guri të çmuar në unazë është diçka që duhet ta vendosë vetë. (Galatasve 6:5) Kur të vendosë për këtë, duhet të marrë parasysh disa faktorë të rëndësishëm.

Encyclopaedia Britannica thotë se ky lloj guri është «një gur i çmuar që lidhet me datën e lindjes së dikujt, mbajtja e të cilit mendohet në përgjithësi se sjell shëndet dhe fat». Kjo vepër referimi shton: «Prej shumë kohësh astrologët kanë menduar se disa nga këta gurë kanë fuqi të mbinatyrshme.»

Sidomos në kohët e lashta shumë veta besonin se këta lloj gurësh i sillnin fat atij që i mbante. A e beson këtë një i krishterë i vërtetë? Jo, pasi ai e kupton se Jehovai i dënoi njerëzit që e braktisën atë dhe i besuan ‘perëndisë së Fatit’.—Isaia 65:11, BR.

Gjatë epokës së mesjetës, fallxhorët zgjodhën një gur të çmuar për çdo muaj të vitit. Ata i nxitnin njerëzit të mbanin gurin e çmuar që përkonte me muajin kur kishin lindur, pasi kjo supozohej se e mbronte atë që e mbante. Por, për të krishterët do të ishte e gabuar nga ana biblike të ndjekin drejtimin e parashikuesve profesionistë të ngjarjeve, pasi Bibla i dënon ata.—Ligji i përtërirë 18:9-12.

Gjithashtu nuk do të ishte e përshtatshme që të krishterët t’i jepnin rëndësi të veçantë faktit që një unazë ka një lloj guri të tillë. Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet. Këtë e bëjnë sepse në këto festa vëmendja përqendrohet tepër te individi dhe sepse të vetmet ditëlindje që përmend Bibla janë ato të sundimtarëve që nuk i shërbenin Perëndisë.—Zanafilla 40:20; Mateu 14:6-10.

Disa njerëz mendojnë se nëse dikush mban një unazë me këtë lloj guri, kjo ndikon për mirë në personalitetin e tij. Mirëpo të krishterët e vërtetë nuk e besojnë këtë, pasi e kuptojnë se ‘personaliteti i ri’ vishet nën ndikimin e frymës së shenjtë të Perëndisë dhe duke zbatuar parimet biblike.—Efesianëve 4:22-24.

Një faktor shumë i rëndësishëm është motivi që na shtyn. Para se të vendosë në qoftë se duhet të mbajë një gur të tillë, një i krishterë mund të pyesë veten: ‘A dua ta mbaj këtë gur thjesht sepse më pëlqen, ndonëse ka rastisur që e lidhin edhe me muajin e lindjes? Apo jam ndikuar disi nga besëtytnitë për këta gurë të çmuar?’

Një i krishterë duhet të shqyrtojë zemrën e tij për të përcaktuar motivin që e shtyn. «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes,—thonë Shkrimet,—sepse nga ajo dalin burimet e jetës.» (Fjalët e urta 4:23) Para se të marrë vendimin lidhur me këta lloj gurësh, çdo i krishterë do të bënte mirë të shqyrtonte motivin e tij, si edhe pasojat e mundshme që do të ketë ky veprim tek ai vetë dhe te të tjerët.—Romakëve 14:13.