Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë’

‘Ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë’

‘Ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë’

«Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.»​—2 TIMOTEUT 2:15.

1, 2. (a) Pse punëtorët kanë nevojë për vegla? (b) Në ç’punë janë të angazhuar të krishterët? Si tregojnë se kërkojnë më parë Mbretërinë?

PUNËTORËT kanë nevojë për vegla që të kryejnë punët që kanë për të bërë. Por nuk mjafton që thjesht të kenë një vegël të çfarëdoshme. Një punëtor ka nevojë për veglën e duhur dhe duhet ta përdorë atë në mënyrën e duhur. Për shembull, nëse po ndërtojmë një barakë dhe duam të mbërthejmë dy dërrasa, nuk kemi nevojë vetëm për një çekiç dhe ca gozhdë. Duhet të dimë se si t’i ngulim gozhdët pa i shtrembëruar. Po të përpiqeshim të ngulnim një gozhdë pa ditur si ta përdorim çekiçin, kjo do të ishte një gjë shumë e vështirë, madje e mërzitshme. Por nëse i përdorim siç duhet veglat, do t’i kryejmë punët duke pasur rezultate të kënaqshme.

2 Si të krishterë, kemi për të bërë një punë me rëndësi parësore. Jezu Krishti i nxiti ithtarët e tij që të ‘kërkonin më parë mbretërinë’. (Mateu 6:33) Si mund ta bëjmë këtë? Një mënyrë është duke qenë të zellshëm në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Një mënyrë tjetër është ta bazojmë plotësisht shërbimin tonë në Fjalën e Perëndisë. Mënyra e tretë është të kemi një sjellje të mirë. (Mateu 24:14; 28:19, 20; Veprat 8:25; 1 Pjetrit 2:12) Për të qenë frytdhënës dhe të lumtur në këtë vepër të krishterë, kemi nevojë për mjetet e përshtatshme dhe që të dimë t’i përdorim ato siç duhet. Në lidhje me këtë apostulli Pavël la një shembull të jashtëzakonshëm si punëtor i krishterë dhe i inkurajoi bashkëbesimtarët që ta imitonin. (1 Korintasve 11:1; 15:10) Atëherë çfarë mund të mësojmë nga Pavli, bashkëpunëtori ynë?

Pavli ishte një lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë

3. Pse mund të thuhet se apostulli Pavël ishte një punëtor i zellshëm i Mbretërisë?

3 Ç’punëtor ishte Pavli? Sigurisht ai ishte i zellshëm. Pavli bëri përpjekje të mëdha, duke e përhapur lajmin e mirë në një zonë të gjerë përqark detit Mesdhe. Duke dhënë një arsye se përse po e shpallte me kaq entuziazëm Mbretërinë, ky apostull i palodhur tha: «Nëse, tani, unë po shpall lajmin e mirë, kjo nuk është arsye që të mburrem, sepse është një nevojë që më është ngarkuar. Në të vërtetë, mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!» (1 Korintasve 9:16) A i interesonte Pavlit që të shpëtonte vetëm jetën e vet? Jo. Ai nuk ishte egoist. Përkundrazi dëshironte që edhe të tjerët të nxirrnin dobi nga lajmi i mirë. Pavli shkroi: «Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtoj disa.»—1 Korintasve 9:22.

4. Cilin mjet vlerësojnë më shumë punëtorët e krishterë?

4 Apostulli Pavël ishte një punëtor modest që e kuptonte se nuk mund të mbështetej vetëm në aftësitë e tija. Ashtu si një marangoz ka nevojë për një çekiç, Pavli kishte nevojë për mjetin e duhur që të nguliste të vërtetën e Perëndisë në zemrën e dëgjuesve të tij. Kryesisht çfarë mjeti përdori ai? Përdori Fjalën e Perëndisë, Shkrimet e Shenjta. Edhe për ne, Bibla është mjeti kryesor që përdorim si një ndihmë për të bërë dishepuj.

5. Përveçse të citojmë shkrimet, çfarë tjetër duhet të bëjmë që të jemi shërbëtorë frytdhënës?

5 Pavli e dinte se të përdorte siç duhej Fjalën e Perëndisë përfshinte më shumë sesa vetëm të citonte shkrime prej saj. Ai përdori «argumentime bindëse». (Veprat 28:23) Si? Pavli përdori me sukses Fjalën e shkruar të Perëndisë për të bindur shumë njerëz që të pranonin të vërtetën e Mbretërisë. Ai arsyetoi me ta. Për tre muaj në një sinagogë në Efes, ‘bëri fjalime dhe përdori argumentime bindëse lidhur me mbretërinë e Perëndisë’. Ndërkohë që «disa vazhduan ta ngurtësonin veten e të mos besonin», të tjerë e dëgjuan. Si rrjedhojë e shërbimit të Pavlit në Efes, «fjala e Jehovait vazhdoi të rritej e të forcohej».—Veprat 19:8, 9, 20.

6, 7. Si i dha lavdi Pavli shërbimit të tij? Si mund të bëjmë të njëjtën gjë edhe ne?

6 Si lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë, Pavli ‘i dha lavdi shërbimit të tij’. (Romakëve 11:13) Si? Ai nuk kërkoi të lartësonte veten dhe as nuk kishte turp të njihej nga të gjithë si një prej bashkëpunëtorëve të Perëndisë. Përkundrazi e shihte shërbimin si nderin më të madh. Pavli e përdori Fjalën e Perëndisë me mjeshtëri dhe me efektshmëri. Veprimtaria e tij frytdhënëse i nxiti të tjerët, duke u dhënë një motiv për ta përmbushur më plotësisht shërbimin e tyre. Edhe në këtë drejtim shërbimi i tij mori lavdi.

7 Ashtu si Pavli, edhe ne mund t’i japim lavdi shërbimit tonë, duke e përdorur shpesh dhe me efektshmëri Fjalën e Perëndisë. Në të gjitha aspektet e shërbimit në fushë, synimi ynë duhet të jetë që t’u tregojmë sa më shumë njerëzve diçka nga Shkrimet. Si mund ta bëjmë këtë në mënyrë bindëse? Të shqyrtojmë tri mënyra të rëndësishme: (1) Ta drejtojmë vëmendjen e njerëzve te Fjala e Perëndisë në një mënyrë që krijon respekt për të. (2) Me takt të shpjegojmë se çfarë thotë Bibla dhe të tregojmë se si zbatohet ajo. (3) Të arsyetojmë duke përdorur Shkrimet në mënyrë bindëse.

8. Çfarë mjetesh për të predikuar rreth Mbretërisë kemi sot? Si i keni përdorur?

8 Lajmëtarët e Mbretërisë sot kanë mjete që Pavli nuk i kishte gjatë shërbimit të tij. Këto mjete përfshijnë librat, revistat, broshurat, ftesat për në mbledhje, fletushkat, audiokasetat dhe videokasetat. Në shekullin e kaluar, përdoreshin edhe karta dëshmie, gramafonë, makina me altoparlantë dhe transmetimet në radio. Sigurisht mjeti ynë më i mirë është Bibla dhe këtë mjet të domosdoshëm duhet ta përdorim sa më shumë e siç duhet.

Shërbimi ynë duhet bazuar në Fjalën e Perëndisë

9, 10. Nga këshilla që Pavli i dha Timoteut, çfarë mund të mësojmë për mënyrën se si duhet ta përdorim Fjalën e Perëndisë?

9 Si mund ta përdorim Fjalën e Perëndisë në mënyrë që të jetë një mjet i efektshëm? Duke u vënë veshin këtyre fjalëve të Pavlit drejtuar bashkëpunëtorit të tij Timoteut: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.» (2 Timoteut 2:15) Çfarë përfshin ‘të përdorim drejt fjalën e së vërtetës’?

10 Termi grek i përkthyer «përdor drejt» fjalë për fjalë do të thotë «pres drejt» ose «i bie rrugës drejt». Në Shkrimet e Krishtere Greke ky term përdoret vetëm në këshillën që Pavli i dha Timoteut. E njëjta fjalë mund të përdorej për të përshkruar hapjen e një hullie të drejtë përmes fushës. Një bujk me përvojë patjetër që do të ndihej në siklet nëse do të hapte një hulli të shtrembër. Për të qenë «një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë», Pavli i kujtoi Timoteut se nuk do t’i lejohej asnjë shmangie nga mësimet e vërteta të Fjalës së Perëndisë. Ai nuk duhej të lejonte që pikëpamjet e tij personale të ndikonin te mësimdhënia e tij. Duhej ta bazonte tërësisht në Shkrime predikimin dhe mësimdhënien. (2 Timoteut 4:2-4) Në këtë mënyrë njerëzit me zemër të ndershme do të mësoheshin që të kishin pikëpamjen e Jehovait për gjërat, dhe jo të përvetësonin filozofinë botërore. (Kolosianëve 2:4, 8) E njëjta gjë është e vërtetë edhe sot.

Sjellja jonë duhet të jetë e lavdërueshme

11, 12. Ç’lidhje ka mes sjelljes sonë dhe faktit që e përdorim drejt Fjalën e Perëndisë?

11 Duhet të bëjmë më shumë sesa vetëm ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë, duke shpallur të vërtetat e saj. Duhet që edhe sjellja jonë të përputhet me të. «Jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë», prandaj nuk duhet të jemi punëtorë hipokritë. (1 Korintasve 3:9) Fjala e Perëndisë thotë: «Ti, pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten tënde? Ti, që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete? Ti, që thua ‘mos kryej kurorëshkelje’, kryen kurorëshkelje për vete? Ti, që shpreh një urrejtje të thellë për idhujt, plaçkit tempujt për vete?» (Romakëve 2:21, 22) Prandaj, si punëtorë të sotëm të Perëndisë, një mënyrë nëpërmjet së cilës e përdorim drejt Fjalën e Perëndisë është duke i vënë veshin kësaj këshille: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»—Fjalët e urta (Proverbat) 3:5, 6.

12 Çfarë rezultatesh mund të presim kur e përdorim drejt Fjalën e Perëndisë? Le të shqyrtojmë fuqinë që mund të ketë Fjala e shkruar e Perëndisë në jetën e njerëzve me zemër të ndershme.

Fjala e Perëndisë ka fuqi transformuese

13. Çfarë ndikimi ka Fjala e Perëndisë kur një njeri e zbaton atë?

13 Kur pranohet si një autoritet, mesazhi i Fjalës së Perëndisë ushtron një ndikim të fuqishëm që i ndihmon njerëzit të bëjnë ndryshime të dukshme në jetën e tyre. Pavli e kishte parë se si vepronte Fjala e Perëndisë dhe kishte qenë dëshmitar i ndikimit të mirë të saj ndaj atyre që ishin bërë të krishterë në Selanikun e lashtë. Prandaj ai u tha atyre: «Ne madje e falënderojmë Perëndinë pa pushim, sepse kur e morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë, e cila është edhe në veprim tek ju besimtarët.» (1 Selanikasve 2:13) Për ata të krishterë, dhe në fakt për të gjithë ithtarët e vërtetë të Krishtit, logjika e kufizuar e njeriut nuk mund të krahasohet me mençurinë shumë të lartë të Perëndisë. (Isaia 55:9) Selanikasit ‘e pranuan fjalën mes shumë shtrëngimesh me gëzimin e frymës së shenjtë’ dhe u bënë shembuj për besimtarët e tjerë.—1 Selanikasve 1:5-7.

14, 15. Sa i fuqishëm është mesazhi i Fjalës së Perëndisë? Pse?

14 Fjala e Perëndisë është e fuqishme, ashtu si Burimi i saj, Jehovai. Ajo vjen nga «Perëndia i gjallë», me anë të fjalës së të cilit ‘u bënë qiejt’. Kjo fjalë gjithnjë e ‘realizon atë për të cilën dërgohet’. (Hebrenjve 3:12; Psalmi 33:6; Isaia 55:11) Një studiues biblik tha: «Perëndia nuk e ndan veten nga Fjala e tij. Ai nuk e mohon lidhjen me të sikur të ishte një gjë e huaj për Të. . . . Prandaj ajo nuk është kurrë diçka pa jetë, që nuk ka asnjë ndikim, sepse ajo është një lidhje bashkimi me Perëndinë e gjallë.»

15 Sa i fuqishëm është mesazhi që buron nga Fjala e Perëndisë? Ai ka një fuqi të jashtëzakonshme. Në mënyrë të përshtatshme Pavli shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.»—Hebrenjve 4:12.

16. Sa thellë mund ta ndryshojë Fjala e Perëndisë një njeri?

16 Mesazhi në Fjalën e shkruar të Perëndisë është ‘më i mprehtë se çdo shpatë me dy tehe’. Pra, ka një fuqi depërtuese kaq të jashtëzakonshme, saqë ia tejkalon çdo mjeti njerëzor. Fjala e Perëndisë depërton në pjesët më të thella të një njeriu dhe mund ta ndryshojë atë nga brenda, duke ndikuar në mënyrën se si mendon dhe në gjërat që do. Në këtë mënyrë e bën atë një punëtor të pranueshëm para Perëndisë. Çfarë mjeti i fuqishëm!

17. Shpjegoni fuqinë transformuese të Fjalës së Perëndisë.

17 Fjala e Perëndisë zbulon se si është në të vërtetë brenda tij një njeri, ndryshe nga ajo që ai mendon se është ose nga ajo që ai i bën të tjerët të mendojnë për të. (1 Samuelit 16:7) Edhe një njeri i lig ndonjëherë mund ta fshehë vetveten me një mbulesë mirëdashjeje ose përkushtimi fetar. Të ligjtë i vënë maskë vetes për arsye të këqija. Njerëzit krenarë maskohen me një përulësi të shtirur, ndërkohë që dëshirojnë me zjarr të marrin lëvdata nga të tjerët. Megjithatë, duke nxjerrë në shesh se çfarë ka në zemër, Fjala e Perëndisë mund ta nxitë fuqimisht një njeri të përulur që të zhveshë personalitetin e vjetër dhe ‘të veshë personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. (Efesianëve 4:22-24) Gjithashtu, mësimet e Fjalës së Perëndisë mund t’i transformojnë njerëzit e ndrojtur, në Dëshmitarë të guximshëm të Jehovait dhe në lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë.—Jeremia 1:6-9.

18, 19. Duke u bazuar në këta paragrafë ose në një përvojë që keni pasur në shërbimin në fushë, tregoni se si e vërteta biblike mund të ndryshojë qëndrimin e një njeriu.

18 Fuqia transformuese e Fjalës së Perëndisë ka një ndikim të mirë te të gjithë njerëzit kudo që të jenë. Për shembull, lajmëtarët e Mbretërisë nga Pnom-Peni i Kamboxhias predikonin në provincën e Kompong-Çamit dy herë në muaj. Pasi dëgjoi pastorët e tjerë që flitnin kundër Dëshmitarëve të Jehovait, një pastore vendëse vendosi të takohej me Dëshmitarët herën tjetër që do të vizitonin provincën. Ajo u bëri një breshëri me pyetje në lidhje me kremtimin e festave dhe dëgjoi me vëmendje teksa ata arsyetonin me të duke përdorur Shkrimet. Pastaj ajo tha me entuziazëm: «Tani e di se gjithçka që pastorët e tjerë thanë për ju nuk është e vërtetë. Ata thanë se ju nuk e përdorni Biblën, por këtë mëngjes ju vetëm atë keni përdorur.»

19 Kjo grua vazhdoi bisedat e saj biblike me Dëshmitarët dhe nuk lejoi që ta ndalnin kërcënimet se do ta hiqnin si pastore. Ajo ia përmendi bisedat e saj biblike një shoqeje, e cila filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Shoqja ishte kaq entuziaste për atë që po mësonte, saqë në një nga shërbimet kishtare që po ndiqte u nxit të thoshte: «Ejani studioni Biblën me Dëshmitarët e Jehovait!» Pak kohë pas kësaj ish-pastorja, si dhe disa individë të tjerë filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.

20. Si e ilustron përvoja e një gruaje në Ganë fuqinë e Fjalës së Perëndisë?

20 Edhe rasti i Paulinës, një grua nga Gana, është një shembull tjetër që tregon se sa fuqi ka Fjala e Perëndisë. Një lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë bënte një studim biblik me të me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. * Paulina ishte përfshirë në një martesë poligame dhe e kuptoi se duhej të bënte ndryshime, por i shoqi bashkë me të afërmit e saj e kundërshtuan dhunshëm. Gjyshi i saj, një anëtar i gjykatës së lartë dhe plak i kishës, u orvat t’ia kthente mendjen duke shtrembëruar kuptimin e asaj që thuhet te Mateu 19:4-6. Gjykatësi u duk sikur ishte i sigurt për ato që tha, por Paulina e kuptoi menjëherë se kjo gjë ishte e njëjtë me shtrembërimin që i bëri Satanai Shkrimeve kur tundoi Jezu Krishtin. (Mateu 4:5-7) Asaj i erdhi në mendje pohimi i qartë i Jezuit për martesën, i cili tha se Perëndia i krijoi njerëzit mashkull dhe femër, e jo mashkull dhe femra, e që të dy, dhe jo që të tre, do të bëheshin një mish i vetëm. Ajo qëndroi fort pas vendimit të saj dhe së fundi iu lejua të divorcohej nga martesa poligame. Pak kohë më pas ajo ishte një lajmëtare e Mbretërisë e pagëzuar dhe e lumtur.

Të vazhdojmë ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë

21, 22. (a) Çfarë vendosmërie duam të kemi si lajmëtarë të Mbretërisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

21 Fjala e shkruar e Perëndisë është vërtet një mjet i fuqishëm për ta përdorur që të ndihmojmë të tjerët të bëjnë ndryshime në jetën e tyre, në mënyrë që t’i afrohen Jehovait. (Jakovit 4:8) Ashtu si punëtorët e aftë përdorin veglat për të arritur rezultate të mira, le të kemi vendosmërinë për të bërë përpjekje të zellshme që ta përdorim me mjeshtëri Fjalën e Perëndisë, Biblën, në veprën që na ka dhënë Perëndia si lajmëtarë të Mbretërisë!

22 Si mund t’i përdorim më me efektshmëri Shkrimet në veprën e bërjes së dishepujve? Një mënyrë është duke u bërë mësues të aftë për të bindur të tjerët. Ju lutemi t’i kushtoni vëmendje artikullit vijues, sepse na sugjeron disa mënyra për t’i mësuar dhe për t’i ndihmuar të tjerët që të pranojnë mesazhin e Mbretërisë.

[Shënimi]

^ par. 20 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Çfarë mjetesh kanë lajmëtarët e Mbretërisë?

• Në cilat mënyra ishte Pavli një shembull si punëtor i Mbretërisë?

• Çfarë përfshin ta përdorim siç duhet Fjalën e Perëndisë?

• Ç’fuqi ka Fjala e shkruar e Jehovait?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Disa mjete që përdorin të krishterët në veprën e shpalljes së Mbretërisë