T’i ndihmojmë të tjerët që të pranojnë mesazhin e Mbretërisë
T’i ndihmojmë të tjerët që të pranojnë mesazhin e Mbretërisë
«Agripa i tha Pavlit: ‘Brenda një kohe të shkurtër do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.’»—VEPRAT 26:28.
1, 2. Pse ndodhej apostulli Pavël përpara guvernatorit Fest dhe mbretit Herod Agripa II?
NË CEZARE në vitin 58 të e.s., guvernatorin romak, Porc Festin, e vizitoi mbreti Herod Agripa II dhe motra e tij Bernika. Me ftesë të guvernatorit Fest, ata erdhën nga Jerusalemi. Të nesërmen, «me shumë salltanet» ata «hynë në sallën e audiencës bashkë me komandantët ushtarakë si dhe me burrat e shquar të qytetit». Me urdhër të Festit, përpara tyre u soll apostulli i krishterë, Pavli. Si ndodhi që ky ithtar i Jezu Krishtit qëndronte përpara fronit të gjykimit të guvernatorit Fest?—Veprat 25:13-23.
2 Ajo që u tha Festi të ftuarve të tij na jep përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ai tha: «O mbret Agripa dhe të gjithë ju burra që jeni të pranishëm me ne, po shihni këtë njeri, për të cilin gjithë turma e judenjve së bashku m’u drejtua si në Jerusalem edhe këtu, duke bërtitur se ai nuk duhet të jetojë më. Por unë kuptova se ai nuk kishte kryer asnjë gjë që meriton vdekjen. Kështu, kur ky njeri iu apelua Lartmadhërisë, vendosa ta dërgoj. Por nuk kam asgjë të sigurt për t’i shkruar Zotërisë tim lidhur me të. Prandaj, e solla para jush e sidomos para teje, o mbret Agripa, që pasi të jetë bërë marrja në pyetje, të kem diçka për të shkruar. Sepse më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur, pa treguar edhe akuzat kundër tij.»—Veprat 25:24-27.
3. Pse udhëheqësit fetarë ngritën akuza kundër Pavlit?
3 Fjalët e Festit tregojnë se Pavli ishte akuzuar në mënyrë të gënjeshtërt se po nxiste kryengritje, një krim i cili dënohej me vdekje. (Veprat 25:11) Por Pavli ishte i pafajshëm. Akuzat buronin nga xhelozia e udhëheqësve fetarë në Jerusalem. Ata iu kundërvunë veprës së Pavlit si lajmëtar i Mbretërisë dhe u zemëruan shumë që ai ndihmoi njerëz të tjerë të bëheshin ithtarë të Jezu Krishtit. Nën mbikëqyrjen e rojave të armatosura rëndë, Pavli u soll nga Jerusalemi në qytetin-port të Cezaresë ku iu apelua Cezarit. Që andej atë do ta çonin në Romë.
4. Çfarë pohimi befasues bëri mbreti Agripa?
4 Përfytyroni Pavlin në pallatin e guvernatorit përpara një grupi ku bën pjesë edhe sundimtari i një pjese të rëndësishme të perandorisë romake. Mbreti Agripa i drejtohet Pavlit, duke i thënë: «Të është lejuar të flasësh për veten tënde.» Ndërsa Pavli flet, ndodh një gjë e pazakontë. Ajo që thotë ai fillon të ndikojë te mbreti. Në të vërtetë mbreti Agripa thotë: «Brenda një kohe të shkurtër do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.»—Veprat 26:1-28.
5. Pse fjalët e Pavlit drejtuar Agripës ishin kaq të efektshme?
5 Mendoni pak. Si rrjedhojë e mbrojtjes së aftë të Pavlit, një sundimtar u ndikua nga fuqia depërtuese e Fjalës së Perëndisë. (Hebrenjve 4:12) Ç’gjë të veçantë kishte mbrojtja e Pavlit që ishte kaq e efektshme? Dhe çfarë gjëje mund të mësojmë nga Pavli që mund të na ndihmojë në veprën e bërjes së dishepujve? Në qoftë se analizojmë mbrojtjen e tij, dallohen qartë dy elementë kryesorë: (1) Pavli ishte bindës gjatë prezantimit që bëri. (2) Ai përdori me mjeshtëri njohurinë për Fjalën e Perëndisë, ashtu si një zejtar përdor me efektshmëri një vegël.
Të përdorim artin e bindjes
6, 7. (a) Çfarë do të thotë fjala «bind», siç përdoret në Bibël? (b) Kur i bindim të tjerët, çfarë roli luan kjo për t’i ndihmuar ata që të pranojnë një mësim biblik?
6 Në librin e Veprave, termat grekë që përkthehen bindje përdoren vazhdimisht të lidhura me Pavlin. Çfarë rëndësie ka arti i bindjes në veprën e bërjes së dishepujve?
7 Sipas një fjalori, (Vine’s Expository Dictionary of New Testament Words), në gjuhën origjinale të Shkrimeve të Krishtere Greke, fjala «bind» do të thotë «e fitoj dikë» ose «ia kthej mendjen duke përdorur arsyen ose arsyetimet morale». Shqyrtimi i kuptimit bazë të fjalës na jep më shumë kuptueshmëri. Ajo jep idenë e mirëbesimit. Pra, nëse e bindim një individ që të pranojë një mësim biblik, kemi fituar mirëbesimin e tij dhe kështu ai ka besim në vërtetësinë e atij mësimi. Kështu pra, nuk mjafton vetëm sa t’i themi dikujt se çfarë thotë Bibla, që ai të besojë dhe të veprojë sipas saj. Individi duhet bindur se ajo që themi është e vërtetë, pavarësisht nëse ai është një fëmijë, një fqinj, një shok pune, një shok shkolle ose një i afërm.—2 Timoteut 3:14, 15.
8. Çfarë përfshin të bindim dikë për një të vërtetë biblike?
8 Si mund ta bindim dikë se ajo që shpallim nga Fjala e Perëndisë është e vërteta? Individëve të cilëve u foli, Pavli u përpoq t’ua kthente mendjen nëpërmjet arsyetimeve logjike, argumenteve të shëndosha dhe përgjërimeve të sinqerta. * Pra, në vend që vetëm sa të themi se diçka është e vërtetë, duhet të japim prova të kënaqshme për ta mbështetur pohimin tonë. Si mund ta bëjmë këtë? Të sigurohemi se ajo që themi bazohet plotësisht te Fjala e Perëndisë dhe jo te mendimet personale. Gjithashtu, të përdorim dëshmi shtesë për të mbështetur pohimet tona të përzemërta nga Shkrimet. (Fjalët e urta [Proverbat] 16:23) Për shembull, në rast se tregojmë që njerëzimi i bindur do të gëzojë jetën në një tokë parajsore, le ta mbështetim këtë pohim me një referim nga Shkrimet, siç janë Luka 23:43 ose Isaia 65:21-25. Si mund të japim dëshmi shtesë për këtë pikë nga Shkrimet? Mund të përdorim shembuj që i ka përjetuar individi. Mund t’i sjellim ndër mend kënaqësitë e thjeshta dhe pa pagesë që provojmë kur shohim sa i bukur është perëndimi i diellit, sa aromë tërheqëse ka një lule, kur ndiejmë shijen e këndshme të një frute ose gëzimin që provojmë kur shohim një zog që ushqen të voglin e vet. Ta ndihmojmë të kuptojë se këto kënaqësi janë dëshmi se Krijuesi do që ta gëzojmë jetën në tokë.—Predikuesi (Eklisiastiu) 3:11, 12.
9. Si mund të shfaqim arsyetueshmëri në veprën e predikimit?
9 Kur përpiqemi të bindim dikë që të pranojë një mësim të caktuar biblik, të kemi kujdes që entuziazmi ynë të mos na bëjë të dukemi të paarsyeshëm, duke ia mbyllur kështu mendjen dhe zemrën atij që na dëgjon. Libri i Shkollës së Shërbimit jep këtë paralajmërim: «T’i thuash troç dikujt se një bindje që ai e ka shumë për zemër është e rreme, edhe pse kjo është e vërtetë dhe mbështetet me një listë të gjatë shkrimesh nga Bibla, zakonisht nuk pritet mirë. Për shembull, nëse mjaftohesh vetëm duke i dënuar disa festime të përhapura ngaqë janë me origjinë pagane, kjo mund të mos ndryshojë mënyrën se si ndihen njerëzit për to. Të folurit e arsyeshëm zakonisht është më i suksesshëm.» Pse duhet të përpiqemi shumë për të qenë të arsyeshëm? Në libër thuhet: «Të folurit me arsyetueshmëri nxit bashkëbisedimin, u jep njerëzve diçka për të menduar më vonë dhe e lë hapur rrugën për biseda të ardhshme. Mund të ketë fuqi të madhe bindëse.»—Bindje që i flet zemrës
10. Në ç’mënyrë e paraqiti Pavli mbrojtjen e tij para Agripës?
10 Le t’i shohim më nga afër fjalët e mbrojtjes së Pavlit në kapitullin 26 të Veprave. Vini re se si e filloi ai fjalimin. Në fillim Pavli gjeti një arsye të vlefshme për të lavdëruar Agripën edhe pse mbreti kishte një marrëdhënie skandaloze me motrën e vet, Bernikën. Pavli tha: «Për të gjitha gjërat që më akuzojnë judenjtë, e konsideroj veten të lumtur që sot duhet ta bëj mbrojtjen time para teje, o mbret Agripa, veçanërisht sepse ti je njohës i mirë i të gjitha zakoneve si edhe i polemikave midis judenjve. Prandaj, të lutem të më dëgjosh me durim.»—Veprat 26:2, 3.
11. Si i tregoi respekt Pavli Agripës me fjalët që i tha? Çfarë dobie erdhi si rrjedhim?
11 A e vutë re se Pavli e pranoi pozitën e lartë të Agripës duke iu drejtuar me titullin e tij, mbret? Kjo tregonte respekt, dhe me zgjedhjen e mençur të fjalëve Pavli i tregoi nderim Agripës. (1 Pjetrit 2:17) Apostulli e pranoi se Agripa ishte një ekspert për zakonet dhe ligjet e ndërlikuara të nënshtetasve të tij judenj dhe tha se ishte i lumtur që mund ta paraqiste mbrojtjen e tij përpara një sundimtari kaq të mirinformuar. Pavli si i krishterë, nuk veproi sikur të ndihej më i lartë se Agripa i cili nuk ishte i krishterë. (Filipianëve 2:3) Përkundrazi, Pavli iu lut mbretit që ta dëgjonte me durim. Pra, Pavli krijoi një atmosferë në të cilën Agripa, si edhe dëgjuesit e tjerë, do të kishte më shumë të ngjarë ta pranonin atë që do të thoshte. Ai po hidhte një themel, një bazë të përbashkët mbi të cilën të ndërtonte argumentimin e tij.
12. Si mund t’i flasim zemrës së njerëzve në veprën e shpalljes së Mbretërisë?
12 Ashtu si Pavli përpara Agripës, edhe ne, që nga fillimi e deri në përfundim të prezantimit të mesazhit të Mbretërisë, le t’i flasim zemrës së njerëzve. Mund ta bëjmë këtë duke treguar respekt të sinqertë për individin të cilit po i predikojmë si dhe duke treguar interes të vërtetë për prejardhjen dhe mendimet e veçanta të tij ose të saj.—1 Korintasve 9:20-23.
Ta përdorim me mjeshtëri Fjalën e Perëndisë
13. Në ç’mënyrë, ashtu si Pavli, mund t’i nxitim dëgjuesit tanë?
13 Pavli dëshironte t’i nxiste dëgjuesit e tij që të vepronin sipas lajmit të mirë. (1 Selanikasve 1:5-7) Për këtë qëllim ai i foli zemrës së tyre, domethënë qendrës së motiveve. Duke u kthyer te mbrojtja e Pavlit përpara Agripës, vërejmë se si Pavli ‘e përdori drejt fjalën e Perëndisë’, duke përmendur gjëra që kishin thënë Moisiu dhe profetët.—2 Timoteut 2:15.
14. Shpjegoni se si përdori aftësi bindëse Pavli kur ishte përpara Agripës.
14 Pavli e dinte se Agripa ishte jude vetëm me emër. Duke pasur parasysh njohurinë e Agripës për judaizmin, Pavli arsyetoi se predikimi i tij në të vërtetë nuk përfshinte «asgjë përveç atyre që Profetët si edhe Moisiu deklaruan se do të ndodhnin», lidhur me vdekjen dhe ringjalljen e Mesisë. (Veprat 26:22, 23) Pavli, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Agripës, e pyeti: «A i beson Profetët, ti, o mbret Agripa?» Agripa u gjend në vështirësi. Po të thoshte se nuk i pranonte profetët, emri i tij si besimtar jude do të njollosej. Por në qoftë se miratonte arsyetimin e Pavlit, do të merrte publikisht një qëndrim pro apostullit dhe do të rrezikonte të quhej i krishterë. Me mençuri Pavli iu përgjigj po vetë pyetjes së tij, me fjalët: «Unë e di se i beson.» Si e nxiti zemra Agripën që të përgjigjej? Ai tha: «Brenda një kohe të shkurtër do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.» (Veprat 26:27, 28) Megjithëse Agripa nuk u bë një i krishterë, me sa duket Pavli ndikoi në njëfarë mase në zemrën e tij me mesazhin që tha.—Hebrenjve 4:12.
15. Si arriti Pavli të themelonte një kongregacion në Selanik?
15 A e vutë re se prezantimi që i bëri Pavli lajmit të mirë përfshinte jo vetëm shpalljen e tij, por dhe përdorimin e aftësisë bindëse? Meqenëse Pavli shfrytëzonte këtë metodë kur ‘përdorte drejt fjalën e Perëndisë’, disa jo vetëm e dëgjuan, por edhe u bënë besimtarë. Kështu ndodhi në Selanik, ku Pavli kërkonte judenj dhe jojudenj me frikë Perëndie në sinagogë. Tregimi te Veprat 17:2-4 thotë: «Sipas zakonit të vet, Pavli hyri tek ata e për tri sabate arsyetoi me ta nga Shkrimet, duke shpjeguar e duke provuar me fragmente të cituara se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit . . . Për pasojë, disa prej tyre u bënë besimtarë.» Pavli ishte bindës. Ai arsyetoi, shpjegoi dhe provoi me anë të Shkrimeve se Jezui ishte Mesia i premtuar prej kohësh. Cili ishte rezultati? U themelua një kongregacion me besimtarë.
16. Si mund të gjejmë më shumë gëzim në shpalljen e Mbretërisë?
16 A mund të bëhemi më të aftë në artin e bindjes kur shpjegojmë Fjalën e Perëndisë? Nëse po, do të gjejmë më shumë kënaqësi dhe gëzim në veprën e predikimit dhe të mësimit të njerëzve për Mbretërinë e Perëndisë. Këtë përvojë kanë pasur lajmëtarët e lajmit të mirë të cilët kanë zbatuar sugjerimet për ta përdorur më shumë Biblën në veprën e predikimit.
17. Tregoni një përvojë personale ose përshkruani thelbin e asaj që thuhet në këtë paragraf për të treguar se është një gjë e dobishme të përdorim Biblën në shërbim.
17 Për shembull, një mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait shkroi: «Shumë vëllezër dhe motra tani mbajnë Biblën në dorë kur dëshmojnë derë më derë. Kjo i ka ndihmuar lajmëtarët që t’u lexojnë një shkrim shumë njerëzve që takojnë. Kjo ka ndihmuar si pronarin e shtëpisë ashtu edhe lajmëtarin që të kuptojnë se shërbimi ynë ka të bëjë me Biblën dhe jo vetëm me revistat dhe librat.» Patjetër, ta mbajmë ose jo Biblën në mënyrë që të duket kur marrim pjesë në veprën e predikimit varet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë edhe zakonet vendëse. Sidoqoftë duam të kemi një emër të mirë se e përdorim me mjeshtëri Fjalën e Perëndisë për të bindur të tjerët që të pranojnë mesazhin e Mbretërisë.
Të kemi pikëpamjen e Perëndisë për shërbimin
18, 19. (a) Si e sheh Perëndia shërbimin tonë? Pse duhet të kultivojmë pikëpamjen e tij? (b) Çfarë do të na ndihmojë të bëjmë rivizita të suksesshme? (Shih kutinë me titull «Si të kemi sukses kur bëjmë rivizita?», në faqen 16.)
18 Një mënyrë tjetër për të prekur zemrën e dëgjuesve tanë përfshin që ta shohim shërbimin nga këndvështrimi i Perëndisë dhe të jemi të durueshëm. Vullneti i Perëndisë është që njerëz të çdo lloji «të arrijnë në njohurinë e 1 Timoteut 2:3, 4) A nuk është kjo edhe dëshira jonë? Jehovai është gjithashtu i durueshëm dhe durimi i tij u jep mundësinë shumë njerëzve që të arrijnë në pendim. (2 Pjetrit 3:9) Prandaj, kur gjejmë dikë që është i gatshëm të dëgjojë mesazhin e Mbretërisë, mund të jetë e nevojshme që ta vizitojmë vazhdimisht, me qëllim që të kultivojmë interesin e gjetur. Duhet kohë dhe durim që të shohim të rriten farërat e së vërtetës. (1 Korintasve 3:6) Kutia me titull «Si të kemi sukses kur bëjmë rivizita?», jep sugjerime për të zhvilluar interesin e gjetur. Të kujtojmë që jeta e njerëzve, domethënë problemet dhe rrethanat e tyre, ndryshojnë vazhdimisht. Mund të duhen përpjekje për t’i gjetur ata në shtëpi, por ia vlen. Duam t’u japim atyre një mundësi për të dëgjuar mesazhin e Perëndisë për shpëtim. Prandaj, le t’i lutemi Perëndisë Jehova që të na japë mençuri për të zhvilluar aftësitë bindëse në veprën që bëjmë për të ndihmuar të tjerët të pranojnë mesazhin e Mbretërisë.
saktë të së vërtetës». (19 Pasi kemi gjetur dikë që dëshiron të dëgjojë më shumë për mesazhin e Mbretërisë, çfarë gjëje tjetër mund të bëjmë si punëtorë të krishterë? Artikulli vijues do të na ndihmojë për këtë.
[Shënimi]
^ par. 8 Për më shumë informacion rreth bindjes, shih mësimet 48 dhe 49 të librit Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A ju kujtohet?
• Çfarë e bëri të efektshme mbrojtjen e Pavlit përpara mbretit Agripa?
• Si mund t’i flasë zemrës së njerëzve mesazhi ynë?
• Çfarë do të na ndihmojë që ta përdorim me efektshmëri Fjalën e Perëndisë për të arritur zemrën e njerëzve?
• Si mund ta shohim shërbimin nga këndvështrimi i Perëndisë?
[Pyetjet]
[Kutia dhe figurat në faqen 16]
Si të kemi sukses kur bëjmë rivizita?
• Të tregojmë interes të sinqertë ndaj njerëzve.
• Të zgjedhim një temë biblike tërheqëse për të diskutuar.
• Të hedhim një bazë për çdo vizitë të ardhshme.
• Të vazhdojmë të mendojmë për individin edhe pasi jemi larguar.
• Të kthehemi shpejt, ndoshta pas një ose dy ditësh, që të ndjekim interesin.
• Të mbajmë në mendje se synimi ynë është që të fillojmë një studim biblik në shtëpi.
• Të lutemi që Jehovai të rritë interesin e individit.
[Figura në faqen 15]
Pavli përdori aftësi bindëse kur ishte përpara guvernatorit Fest dhe mbretit Agripa