«Ç’do t’i jap Zotit në këmbim?»
Jetëshkrim
«Ç’do t’i jap Zotit në këmbim?»
TREGUAR NGA MARIA QERASINIS
Në moshën 18-vjeçare i zhgënjeva tepër prindërit, shumë nga familjarët më mohuan dhe u bëra gazi i botës në fshat. Për të më thyer besnikërinë ndaj Perëndisë më bënë përgjërime, presione dhe kërcënime, por pa sukses. Isha e sigurt se po t’i qëndroja besnike të vërtetës biblike, do të merrja bekime frymore. Kur mendoj për më tepër se 50 vitet në shërbim të Jehovait, edhe unë ndihem si psalmisti, i cili tha: «Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?»—Psalmi 116:12.
KAM lindur në vitin 1930 në Agjelokastro, një fshat rreth 20 kilometra larg portit të Kenkreas. Ky port ndodhet në anën lindore të Istmit të Korintit. Pikërisht këtu në shekullin e parë u formua një kongregacion të krishterësh të vërtetë.—Veprat 18:18; Romakëve 16:1.
Familja ime bënte një jetë të qetë. Babai ishte kryetar fshati dhe e respektonin të gjithë. Unë isha fëmija i tretë nga pesë fëmijët. Prindërit na edukuan si pjesëtarë të devotshëm të Kishës Ortodokse Greke. Shkoja në meshë çdo të diel. Përkulesha para ikonave, ndizja qirinj në kishat e vogla të fshatrave dhe mbaja të gjitha kreshmët. Shpesh mendoja të bëhesha murgeshë. Më pas isha e para në familje që i zhgënjeva prindërit.
E vërteta biblike më bën shumë të lumtur
Kur isha rreth 18 vjeçe mora vesh se Katina, kunata e njërës prej motrave të mia, e cila banonte në një fshat fqinjë, lexonte botimet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe nuk shkonte
më në kishë. U shqetësova shumë, prandaj vendosa ta ndihmoja që të kthehej tek ajo që mendoja se ishte rruga e drejtë. Kështu, kur erdhi për vizitë, e mora për një shëtitje me qëllim që ta çoja te shtëpia e priftit. Kur shkuam atje, prifti e nisi bisedën me tallje të shumta kundër Dëshmitarëve të Jehovait, duke i quajtur ata heretikë që kishin mashtruar Katinën. Diskutimet vazhduan për tri netë rresht. Katina i hodhi poshtë të gjitha supozimet e tij me anë të argumentimeve biblike të përgatitura mirë. Në fund prifti i tha asaj se meqë ishte një vajzë kaq e zgjuar dhe tërheqëse, duhej ta gëzonte sa më shumë rininë dhe kur të plakej të merrej me fenë.Nuk u tregova prindërve të mi për këto diskutime, por të dielën tjetër nuk shkova në kishë. Në mesditë prifti erdhi menjëherë në dyqanin tonë. I thashë që nuk erdha se gjoja duhej të ndihmoja babain në dyqan.
—A është vërtet ky shkaku apo u ndikove nga ajo vajza?—më pyeti prifti.
—Këta njerëz kanë bindje fetare më të mira se tonat,—i thashë troç priftit.
Duke iu drejtuar babait, prifti tha: «Zoti Ekonomos, përzëre menjëherë atë krushkën; i ka vënë zjarrin shtëpisë sate.»
Familja më kundërvihet
Kjo ndodhi në fund të viteve 40, kur Greqia po përjetonte dhembjet e luftës civile. Nga frika se mos më rrëmbenin guerilasit, babai e rregulloi që të ikja nga fshati e të shkoja te shtëpia e motrës, në fshatin ku banonte Katina. Për dy muaj që qëndrova atje Katina më ndihmoi të kuptoja se çfarë thotë Bibla për shumë gjëra. U zhgënjeva kur pashë se shumë doktrina të kishës ortodokse nuk bazohen në Bibël. Kuptova se Perëndia nuk pranon adhurim nëpërmjet ikonave, se traditat e ndryshme fetare, siç është përnderimi i kryqit, nuk janë me origjinë të krishterë dhe se për t’i pëlqyer Perëndisë njeriu duhet ta adhurojë atë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:23; Eksodi 20:4, 5) Mbi të gjitha mësova se Bibla jep shpresën e shkëlqyer të jetës së përhershme në tokë. Këto të vërteta të çmuara biblike ishin disa prej bekimeve që mora që në fillim nga Jehovai.
Ndërkohë motra ime dhe i shoqi vunë re se nuk bëja kryq kur hanim bukë dhe as nuk lutesha përpara ikonave. Një natë më rrahën që të dy. Të nesërmen vendosa të ikja nga shtëpia e tyre dhe shkova te tezja. Burri i motrës lajmëroi babain. Pak kohë më pas babai erdhi dhe me lot në sy u orvat të më ndërronte mendje. Burri i motrës u gjunjëzua përpara meje e më kërkoi falje, dhe unë e fala. Për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje më kërkuan që të kthehesha në kishë, por me vendosmëri nuk pranova.
Kur u ktheva në shtëpi, presionet vazhduan. Nuk mund të lidhesha me Katinën dhe nuk kisha as literaturë për të lexuar, madje as një Bibël. Sa u gëzova kur një kushërirë u përpoq të më ndihmonte. Kur shkoi në Korint, ajo gjeti një Dëshmitare dhe më solli librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë», si edhe një kopje të Shkrimeve të Krishtere Greke, të cilat fillova t’i lexoja fshehurazi.
Jeta ime ndryshon papritur
Kundërshtimi i egër vazhdoi për tre vjet. Nuk kisha takuar asnjë Dëshmitar dhe as nuk kisha mundur të merrja literaturë. Por pa e ditur, po më pritnin ndryshime të mëdha në jetë.
Babai më tha se duhej të shkoja te daja në Selanik. Para se të nisesha për në Selanik shkova në një dyqan rrobaqepësie në Korint që të qepja një pallto. Çfarë surprize ishte kur pashë se aty punonte Katina! Ishim shumë të lumtura që po shiheshim pas një kohe kaq të gjatë. Ndërsa po dilnim nga dyqani, takuam një të ri shumë tërheqës që po kthehej nga puna me biçikletë. Quhej Haralambos. Pas një periudhe njohjeje vendosëm të martoheshim. Po ashtu gjatë kësaj kohe, më
9 janar 1952, e simbolizova kushtimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar.Haralambosi ishte pagëzuar më përpara. Edhe ai kishte kundërshtim nga familja. Haralambosi ishte shumë i zellshëm. Shërbente si zëvendës-shërbëtor kongregacioni dhe drejtonte shumë studime biblike. Shumë shpejt vëllezërit e tij e pranuan të vërtetën dhe sot pjesa më e madhe e familjeve të tyre po i shërbejnë Jehovait.
Babait i pëlqeu shumë Haralambosi, prandaj e miratoi martesën tonë, por mamasë nuk iu mbush lehtë mendja. Pavarësisht nga kjo Haralambosi dhe unë u martuam më 29 mars 1952. Në dasmë erdhën vetëm vëllai im më i madh dhe një kushëri. Në atë kohë nuk e dija se ç’bekim i pashoq—ç’dhuratë e vërtetë nga Jehovai—do të ishte Haralambosi! Ngaqë isha shoqja e tij, munda ta kaloja jetën në shërbim të Jehovait.
Forcojmë vëllezërit
Në vitin 1953 Haralambosi dhe unë vendosëm të transferoheshim me banim në Athinë. Meqë donte të bënte më shumë në veprën e predikimit, ai hoqi dorë nga aktiviteti tregtar i familjes dhe gjeti një punë në kohë të pjesshme. I kalonim pasditet bashkë në shërbimin e krishterë dhe drejtonim shumë studime biblike.
Për shkak se qeveria kishte vendosur kufizime ndaj shërbimit tonë, duhej të gjenim mënyra të ndryshme për të predikuar. Për shembull, vendosëm të linim një kopje të revistës Kulla e Rojës në dritaren e një kioske në qendër të Athinës, në të cilën im shoq punonte në kohë të pjesshme. Një zyrtar i lartë policie na tha se revista ishte e ndaluar. Megjithatë ai kërkoi një kopje që të pyeste për të në zyrën e sigurimit. Kur e siguruan se revista ishte e ligjshme, ai u kthye dhe na e tha këtë. Sapo vëllezërit e tjerë që kishin kioska e morën vesh, edhe ata filluan të vendosnin kopje të Kullës së Rojës në dritaret e kioskave. Një burrë që mori revistën Kulla e Rojës në kioskën tonë, u bë Dëshmitar dhe tani shërben si plak.
U gëzuam kur edhe vëllai im më i vogël mësoi të vërtetën. Ai kishte ardhur në Athinë për të studiuar në kolegjin e marinës tregtare dhe e morëm me vete në një kongres. Kongreset mbaheshin fshehurazi në pyje. Atij i pëlqeu ajo që dëgjoi, por menjëherë pas kongresit filloi të udhëtonte për shkak të punës. Në një nga udhëtimet e tij mbërriti në një port të Argjentinës. Atje një misionar hipi në anije për të predikuar dhe im vëlla i kërkoi revista. U gëzuam shumë kur morëm letrën e tij në të cilën thoshte: «Kam gjetur të vërtetën. Më pajtoni te revistat tuaja.» Sot, ai dhe familja e tij po i shërbejnë me besnikëri Jehovait.
Në vitin 1958 im shoq mori ftesën për të shërbyer si mbikëqyrës udhëtues. Meqenëse vepra ishte e ndaluar dhe kushtet ishin shumë të vështira, zakonisht mbikëqyrësit udhëtues shërbenin të pashoqëruar nga gratë e tyre. Në tetor të vitit 1959 u kërkuam vëllezërve përgjegjës në zyrën e degës nëse mund ta shoqëroja tim shoq. Ata pranuan. Duhej të vizitonim e të forconim kongregacionet në pjesën qendrore dhe veriore të Greqisë.
Ato udhëtime nuk ishin të lehta. Kishte shumë pak rrugë të shtruara. Duke mos pasur
makinë zakonisht udhëtonim me mjete të transportit publik ose në kamionçina, bashkë me pula dhe mallra të tjera. Vishnim çizme llastiku për të ecur përmes rrugëve me baltë. Në çdo fshat kishte një milici civile, prandaj duhej të hynim atje gjatë natës, që të mos na merrnin në pyetje.Vëllezërit i çmonin shumë këto vizita. Megjithëse shumica e tyre punonin shumë nëpër ara, bënin çdo përpjekje për të ndjekur mbledhjet që mbaheshin natën vonë në shtëpi të ndryshme. Vëllezërit ishin edhe mjaft mikpritës dhe na jepnin gjërat më të mira që kishin, edhe pse kishin shumë pak. Ndonjëherë flinim me të gjithë familjen në të njëjtën dhomë. Besimi, qëndrueshmëria dhe zelli i vëllezërve ishte një tjetër bekim i çmuar për ne.
Zgjerojmë shërbimin
Në shkurt të vitit 1961, kur po vizitonim zyrën e degës në Athinë, na pyetën nëse do të ishim të gatshëm të shërbenim në Bethel. U përgjigjëm me fjalët e Isaisë: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isaia 6:8) Dy muaj më pas morëm një letër ku na thuhej që të shkonim sa më shpejt në Bethel. Kështu, më 27 maj 1961 filluam të shërbenim në Bethel.
Na pëlqeu shumë caktimi i ri dhe u ndiem menjëherë si në shtëpinë tonë. Im shoq punonte në repartet e Shërbimit dhe të Abonimeve. Më vonë shërbeu për ca kohë në Komitetin e Degës. Unë kisha caktime të ndryshme në shtëpinë Bethel. Në atë kohë familja kishte 18 pjesëtarë, por për pothuajse pesë vjet kishte rreth 40 veta, sepse në Bethel mbahej një shkollë për pleqtë e kongregacioneve. Në mëngjes laja enët, ndihmoja kuzhinierin, rregulloja 12 krevate dhe shtroja tryezën për të ngrënë drekë. Pasdite hekurosja rrobat dhe pastroja banjat e dhomat. Gjithashtu një herë në javë ndihmoja për të larë rrobat. Kishte shumë punë, por isha e lumtur që mund të jepja ndihmën time.
Punonim shumë si në caktimet në Bethel, ashtu edhe në shërbimin në fushë. Mjaft herë drejtonim deri në shtatë studime biblike. Gjatë fundjavëve shoqëroja Haralambosin kur mbante fjalime në kongregacione të ndryshme. Ishim të pandashëm.
Drejtuam një studim biblik me një çift që kishte lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Greke. Ata ishin edhe miq të ngushtë të një kleriku, i cili drejtonte një agjenci të kishës kundër heretikëve, domethënë kundërshtarëve të dogmave të saj. Në shtëpi kishin një dhomë plot me ikona ku digjej vazhdimisht temjan dhe tërë ditën dëgjoheshin këngë kishtare. Për ca kohë e bënim studimin biblik të enjteve dhe miku i tyre klerik i vizitonte të premteve. Një ditë na kërkuan që të shkonim patjetër në shtëpinë e tyre, sepse kishin një surprizë për ne. Gjëja e parë që na treguan ishte ajo dhomë. Kishin hequr të gjitha ikonat dhe e kishin ndryshuar krejt pamjen e dhomës. Çifti bëri përparim të mëtejshëm dhe u pagëzua. Gjithsej kemi pasur kënaqësinë të shohim rreth 50 veta me të cilët studionim Biblën, t’ia kushtonin jetën Jehovait e të pagëzoheshin.
Një bekim i veçantë për mua ishte të gëzoja shoqërinë e vëllezërve të mirosur. Vizitat e pjesëtarëve të Trupit Udhëheqës të tillë, si
vëllezërit Nor, Franc dhe Henshel, ishin tejet inkurajuese. Pas më tepër se 40 vjetëve mendoj ende se shërbimi në Bethel është një nder dhe privilegj i madh.Përballoj sëmundjen dhe humbjen e tim shoqi
Në vitin 1982 im shoq filloi të shfaqte shenjat e sëmundjes së Alcajmerit. Në vitin 1990 shëndeti i tij u keqësua dhe kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Gjatë tetë vjetëve të fundit të jetës së tij nuk mundëm të largoheshim fare nga Betheli. Shumë vëllezër të dashur në familjen Bethel, si edhe mbikëqyrësit përgjegjës, morën masa për të na ndihmuar. Por me gjithë ndihmën e tyre të dashur, duhej të kaloja orë të tëra ditë e natë duke u kujdesur për tim shoq. Disa herë gjendja ishte tejet e vështirë dhe kaloja shumë net pa gjumë.
Në korrik të vitit 1998 burri im i dashur vdiq. Edhe pse e ndiej shumë mungesën e tij, ndihem e ngushëlluar që është nën kujdesin e Jehovait. Dhe e di se Jehovai do ta kujtojë atë e miliona të tjerë kur t’i ringjallë.—Gjoni 5:28, 29.
Mirënjohëse për bekimet e Jehovait
Ndonëse humba tim shoq, nuk jam vetëm. Kam ende privilegjin për të shërbyer në Bethel dhe gëzoj dashurinë e kujdesin e tërë familjes Bethel. Familja ime e madhe përfshin po ashtu vëllezër e motra nga e gjithë Greqia. Megjithëse tani jam 70 vjeçe, prapëseprapë mund të punoj tërë ditën në kuzhinë dhe në sallën e ngrënies.
Në vitin 1999 m’u realizua një ëndërr e jetës sime kur vizitova selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork. Nuk mund ta përshkruaj se si u ndjeva. Ishte një përvojë inkurajuese dhe e paharrueshme.
Kur mendoj për jetën time, besoj vërtet se nuk mund ta kisha përdorur jetën në një mënyrë më të mirë. Synimi më i mirë që mund të ketë një njeri është që t’i shërbejë Jehovait në kohë të plotë. Mund ta them pa dyshim se nuk më ka munguar kurrë asgjë. Jehovai u kujdes me dashuri për mua e për tim shoq, si frymësisht, ashtu edhe fizikisht. Nga përvoja ime e kuptoj përse psalmisti bëri pyetjen: «Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?»—Psalmi 116:12.
[Figura në faqen 26]
Haralambosi dhe unë ishim të pandashëm
[Figura në faqen 27]
Im shoq në zyrën e tij në degën e Dëshmitarëve të Jehovait
[Figura në faqen 28]
Mendoj se shërbimi në Bethel është një nder i madh