Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Gati për çdo vepër të mirë»

«Gati për çdo vepër të mirë»

«Gati për çdo vepër të mirë»

«VAZHDO t’u kujtosh atyre që të jenë të nënshtruar dhe të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve si sundimtarë, të jenë gati për çdo vepër të mirë.» (Titit 3:1) Çfarë vepre të mirë kishte ndër mend apostulli Pavël kur ua shkroi këto fjalë bashkëbesimtarëve? Studiuesi biblik E. F Skoti përmendi këtë lloj vepre të mirë, kur tha: «Të krishterët, jo vetëm që u bindeshin autoriteteve, por edhe ishin gati për çdo vepër të mirë. . . . Sa herë që ishte e nevojshme, të krishterët ishin mes të parëve që interesoheshin për njerëzit. Kur binte zjarr a epidemi ose ndonjë fatkeqësi, në të gjitha këto raste të gjithë qytetarët e mirë ndihmonin të tjerët.»

Të krishterët marrin pjesë në disa vepra që janë në interes të të gjithë njerëzve, nëse këto nuk bien në kundërshtim me ligjet e Perëndisë. (Veprat 5:29) Për shembull, sipas udhëzimit të repartit të zjarrfikësve, zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Japoni, e cila ndodhet në Ebina, çdo vit organizon një mbledhje se si të veprohet në rast se bie zjarr. Në këto raste të gjithë pjesëtarët e familjes Bethel mblidhen për të dëgjuar udhëzimet që jep një përfaqësues i repartit të zjarrfikësve.

Gjithashtu, për më tepër se dhjetë vjet zyra e degës ka bashkëpunuar me autoritetet vendëse që organizojnë një aktivitet me demonstrime për t’i ndihmuar njerëzit të dinë më shumë për parandalimin e zjarreve. Në këtë aktivitet, shoqëri dhe firma të qytetit demonstrojnë përgatitjen e tyre për të parandaluar dhe për të shuar zjarret. Shpesh dega e Dëshmitarëve të Jehovait është vlerësuar për aftësitë dhe bashkëpunimin e pjesëtarëve të saj. Në vitin 2001 pjesëtarëve të degës iu dha çmimi i parë në këtë aktivitet. Ata janë gati të kryejnë një vepër të mirë, e cila mund t’u shpëtojë jetën njerëzve në rast se bie zjarr.

Një shërbim i vlefshëm

Sidoqoftë Dëshmitarët e Jehovait interesohen për një lloj vepre të mirë më të rëndësishme, e cila po ashtu është jetëshpëtuese për njerëzit. Rregullisht ata vizitojnë njerëzit që banojnë pranë tyre, që t’u japin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Dëshmitarët i nxitin njerëzit që të mësojnë dhe të zbatojnë parimet e Biblës në jetën e tyre, me qëllim që të bëjnë një jetë më me cilësi tani dhe të kenë shpresën për të jetuar përgjithmonë në një botë ku do të ketë paqe të vërtetë dhe siguri.

Disa ndoshta nuk e kuptojnë vlerën që ka shërbimi i Dëshmitarëve të Jehovait, duke menduar se janë të bezdisshëm. Por Zhan Krepoja, gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Kuebekut, në Kanada, mendonte ndryshe. Atje Dëshmitarët e Jehovait kishin kundërshtuar një urdhëresë të qytetit të Blenvilit, në Kuebek. Sipas urdhëresës, Dëshmitarët e Jehovait duhej të kishin një leje që t’i vizitonin njerëzit nga dera në derë. Në vendimin e gjykatës, gjyqtar Krepoja tha: «Vizitat që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait janë një shërbim i krishterë ndaj popullit dhe . . . botimet që Dëshmitarët u japin qytetarëve të interesuar janë të rëndësishme. Ato flasin për çështje të tilla si feja, Bibla, droga, alkooli, edukimi i të rinjve, problemet martesore dhe divorci.» Në vendim thuhej më tej: «Gjykata vetëm sa mund të nxjerrë përfundimin se t’i krahasosh Dëshmitarët e Jehovait me ata që shesin derë më derë, është fyese, poshtëruese, e dëmshme dhe shpifëse.»

Dëshmitarët e Jehovait e përmirësojnë mirëqenien e popullsisë në të cilën jetojnë, duke i ndihmuar njerëzit të kapërcejnë problemet e përditshme dhe duke u dhënë shpresë për të ardhmen. Është Bibla që i pajis Dëshmitarët të kryejnë këtë vepër. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»​—2 Timoteut 3:16, 17.

A do të dish se në ç’mënyrë Dëshmitarët e Jehovait bëhen njerëz që janë «gati për çdo vepër të mirë»? Të ftojmë të pranosh që ata të të ndihmojnë për të mësuar më shumë për Biblën. Në këtë mënyrë do të përfitosh nga ky shërbim shoqëror shumë i rëndësishëm që kryejnë në zonën tënde dhe anembanë botës.

[Figurat në faqet 30, 31]

Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të bashkëpunojnë me autoritetet shekullare

[Figura në faqen 31]

Dëshmitarët janë të njohur për ndihmën që u japin njerëzve