Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një program televiziv e nxiti t’i jepte lavdi Perëndisë

Një program televiziv e nxiti t’i jepte lavdi Perëndisë

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Një program televiziv e nxiti t’i jepte lavdi Perëndisë

APOSTULLI Pavël tha se «disa po e predikojnë Krishtin nga smira dhe rivaliteti, por të tjerë nga vullneti i mirë». (Filipianëve 1:15) Ndonjëherë, edhe ata që orvaten të hedhin baltë mbi popullin e Jehovait, pa dashur kanë bërë që njerëz me zemër të drejtë të tërhiqen drejt së vërtetës.

Në nëntor të vitit 1998, në televizionin kombëtar francez u shfaq një dokumentar që paraqiste pamje të Bethelit, pra të godinave të degës së Dëshmitarëve të Jehovait, në Luvër të Francës. Me gjithë reagimet e ndryshme, programi solli rezultate pozitive që nuk priteshin.

Mes atyre që panë programin ishte Ana-Pola e cila banonte 60 kilometra larg Bethelit. Ana-Pola, një nënë me dy fëmijë, e divorcuar, po kërkonte punë. Kështu të nesërmen në mëngjes ajo i telefonoi Bethelit për të pyetur nëse mund të punonte atje. «Krijova përshtypjen se ishte një vend shumë i mirë dhe se puna që bëhej atje ishte e dobishme»,—tha ajo. Sa u habit kur mori vesh se të gjithë ata që shërbejnë në Bethel punojnë si vullnetarë! Pas një bisede të shkurtër në lidhje me veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait, ajo pranoi që ta vizitonte një Dëshmitare.

Lena, një Dëshmitare në kohë të plotë në kongregacionin vendës, e vizitoi dhe biseda vazhdoi gjatë. Ana-Pola pranoi librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. * Në vizitën tjetër ajo tashmë e kishte lexuar të gjithë librin dhe kishte një mori pyetjesh. Pranoi me dëshirë një studim biblik. Ajo tha: «Për mua ky ishte një rast për të njohur Fjalën e Perëndisë. Kurrë nuk më kishte rënë në dorë një Bibël.»

Në janar Ana-Pola vizitoi Bethelin dhe një javë më pas ndoqi për herë të parë mbledhjet e krishtere. Shumë shpejt pas kësaj filloi të studionte Biblën me fëmijët e saj dhe t’u dëshmonte miqve. Ajo thotë: «Nuk mund ta mbaja vetëm për vete atë që po mësoja. Doja që t’ua thosha edhe të tjerëve të vërtetat biblike dhe t’i ngushëlloja.» Pasi luftoi shumë për të kapërcyer disa probleme personale, Ana-Pola filloi t’i ndiqte rregullisht mbledhjet. Bëri përparim të shpejtë dhe u pagëzua më 5 maj të vitit 2002.

Për më tepër, si rrjedhojë e shembullit të shkëlqyer dhe e predikimit të zellshëm të Ana-Polës, edhe e ëma filloi të studionte Biblën dhe shumë shpejt u pagëzua. «Nuk mund ta shpreh me fjalë gëzimin që ndiej,—thotë Ana-Pola.—E falënderoj çdo ditë Jehovain që hyri në jetën time dhe që më dha tërë ato bekime.»

[Shënimi]

^ par. 6 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 8]

Sipër: Ana-Pola

Poshtë: Hyrja e zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Francë