Pse shkojnë në kishë?
Pse shkojnë në kishë?
«NË KORENË e Jugut tani ka pothuajse katër herë më shumë presbiterianë, sesa në Amerikë.» Ky pohim në revistën Newsweek mund të ketë habitur mjaft lexues, sepse shumica e njerëzve mendojnë që në Kore pjesa më e madhe e popullsisë i përket fesë konfucianiste ose asaj budiste. Sot, kur dikush viziton këtë vend, sheh shumë kisha «të krishtere», që zakonisht dallohen nga kryqet me neone të kuqe. Të dielave është e zakonshme të shohësh njerëz në grupe prej dy a tre vetash, që me Biblat në dorë shkojnë në kishë. Sipas një sondazhi të bërë në vitin 1998, gati 30 për qind e koreanëve shkojnë ose në kishën katolike, ose në kishën protestante. Këta janë më shumë se ata që e quajnë veten budistë.
Në ditët e sotme është një gjë e pazakonshme të shohësh në ndonjë vend kaq shumë njerëz që shkojnë rregullisht në kishë. Mirëpo kjo po ndodh jo vetëm në Kore, por edhe në vende të tjera të Azisë, si edhe në Afrikë e në Amerikën Latine. Si ka mundësi që kaq shumë veta ende thonë se besojnë te Perëndia, kur duket se gjithë botën e ka pushtuar mungesa e interesit për fenë? Pse këta njerëz shkojnë në kishë?
Nga një sondazh Gallup u zbulua që më tepër se gjysma e koreanëve që shkojnë në kishë kërkojnë paqe mendore; rreth një e treta shpresojnë në jetën e përhershme pas vdekjes; dhe 1 në çdo 10 veta shpresojnë të kenë shëndet, pasuri dhe sukses.
Shumë veta në Kinë dynden drejt kishave me shpresë që të gjejnë diçka për të mbushur boshllëkun frymor që është krijuar ndërsa ideologjia komuniste dalëngadalë po zëvendësohet nga synimet kapitaliste. Çdo vit në Kinë shtypen dhe shpërndahen miliona kopje të Biblës. Me sa duket, njerëzit atje e lexojnë Biblën po me aq zell sa lexonin dikur librin e vogël të kuq të Mao Ce Dunit.
Disa katolikë në Brazil, sidomos brezi i ri, nuk i kënaq premtimi për një jetë të lumtur në të ardhmen. Ata duan të jenë të lumtur tani. Në revistën Tudo thuhet se në vitet 70 shumë njerëz i nxiste për të vepruar ideja e çlirimit nga çdo lloj shtypjeje, por sot i nxit vetëm
dëshira për t’u pasuruar. Gjatë një sondazhi në Britani, njerëzve që shkonin në kishë iu kërkua të përmendnin një arsye pse u pëlqente të shkonin në kishë. Shumica thanë se arsyeja kryesore ishte për shoqëri.E gjithë kjo tregon se, ndërkohë që shumë njerëz besojnë ende te Perëndia, pjesës më të madhe u intereson më shumë se çfarë mund të përfitojnë tani, sesa në të ardhmen. E madje kjo u intereson edhe më shumë se Perëndia. Po ju si mendoni? Cili është motivi i drejtë për të besuar te Perëndia? Çfarë thotë Bibla për këtë? Përgjigjen do ta gjeni në artikullin vijues.