Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Të tregohemi mirënjohës’

‘Të tregohemi mirënjohës’

‘Të tregohemi mirënjohës’

«Paqja e Krishtit le të mbretërojë në zemrat tuaja . . . Dhe tregohuni mirënjohës.»—KOLOSIANËVE 3:15.

1. Si ndryshon kongregacioni i krishterë nga bota që është nën kontrollin e Satanait?

NJË frymë mirënjohëse përshkon të 94.600 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës. Çdo mbledhje fillon dhe mbaron me një lutje, e cila përfshin fjalë falënderimi për Jehovain. Teksa Dëshmitarë të rinj e të moshuar, nga pak ose nga shumë kohë në të vërtetën, marrin pjesë në adhurim ose gëzojnë në shoqërinë e njëri-tjetrit, shpesh dëgjojmë të thonë shprehje të tilla, si: «faleminderit», «s’ka gjë» e fjalë të tjera si këto. (Psalm 133:1) Sa ndryshon kjo nga egoizmi që shfaqin shumë njerëz ‘që nuk e njohin Jehovain dhe nuk i binden lajmit të mirë’! (2 Selanikasve 1:8) Jetojmë në një botë mosmirënjohëse. Por kjo nuk na habit po të mendojmë se kush është perëndia i kësaj bote. Po, është Satana Djalli, përkrahësi më i madh i egoizmit. Krenaria dhe fryma e tij rebele është e përhapur te të gjithë njerëzit.—Gjoni 8:44; 2 Korintasve 4:4; 1 Gjonit 5:19.

2. Cilit paralajmërim duhet t’i vëmë veshin? Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë?

2 Meqë na rrethon bota e Satanait, duhet të kemi kujdes që të mos korruptohemi nga qëndrimet e saj. Në shekullin e parë, apostulli Pavël për t’i paralajmëruar të krishterët në Efes u solli ndër mend këtë gjë: «[Ju] ecnit dikur sipas sistemit të kësaj bote, sipas sundimtarit të autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes. Po, mes tyre, të gjithë ne dikur silleshim në harmoni me dëshirat e trupit tonë, duke bërë vullnetin e trupit e të mendimeve dhe ishim prej natyre fëmijë të zemërimit, sikurse edhe të tjerët.» (Efesianëve 2:2, 3) Edhe sot shumë veta sillen në këtë mënyrë. Atëherë, si mund të ruajmë një frymë mirënjohëse? Çfarë ndihme na siguron Jehovai? Në cilat mënyra praktike mund të tregojmë se jemi vërtet mirënjohës?

Arsye për të qenë mirënjohës

3. Për çfarë i jemi mirënjohës Jehovait?

3 I jemi mirënjohës Perëndisë Jehova, Krijuesit dhe Jetëdhënësit tonë, sidomos kur mendojmë për disa prej dhuratave bujare që na ka dhënë. (Jakovit 1:17) Çdo ditë e falënderojmë Jehovain që jemi gjallë. (Psalmi 36:9) Përreth nesh shohim dëshmi të bollshme të veprave të Jehovait, siç janë dielli, hëna dhe yjet. Rezervat e pasura me minerale shumë të rëndësishme për jetën, përzierja në përpjesëtim të shkëlqyer e gazeve jetësore në atmosferë dhe ciklet e ndërlikuara të natyrës, të gjitha këto dëshmojnë se i jemi borxhlinj Atit tonë të dashur qiellor. Mbreti David këndoi: «O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.»—Psalmi 40:5.

4. Pse duhet ta falënderojmë Jehovain për shoqërinë e gëzuar që kemi në kongregacionet tona?

4 Edhe pse nuk jetojnë në një parajsë fizike, shërbëtorët e Jehovait sot gëzojnë një parajsë frymore. Në Sallat e Mbretërisë dhe në kongreset e asambletë shohim se si vepron fryti i frymës së Perëndisë te bashkëbesimtarët tanë. Kur u predikojnë njerëzve që kanë pak ose aspak njohuri për fenë, disa Dëshmitarë përmendin atë që përshkroi Pavli në letrën drejtuar galatasve. Dëshmitarët u tregojnë në fillim se cilat janë «veprat e mishit» dhe pastaj i pyesin ata se çfarë kanë vënë re në lidhje me këto vepra. (Galatasve 5:19-23) Shumica e pranojnë menjëherë se këto vepra janë të zakonshme në shoqërinë e sotme. Kur Dëshmitarët u tregojnë atyre se cili është fryti i frymës së Perëndisë dhe pasi i kanë ftuar në Sallën e Mbretërisë që t’i shohin me sytë e tyre këto prova, shumë veta thonë menjëherë: «Perëndia është vërtet mes jush.» (1 Korintasve 14:25) Dhe kjo nuk vihet re vetëm në Sallën e Mbretërisë. Kudo që të udhëtoni, po të takoni cilindo prej më tepër se gjashtë milionë Dëshmitarëve të Jehovait, do të shihni se kanë të njëjtën frymë gëzimi dhe lumturie. Patjetër që kjo shoqëri inkurajuese është një arsye për të falënderuar Jehovain. Ai e bën të mundur këtë gjë me frymën e tij.—Sofonia 3:9; Efesianëve 3:20, 21.

5, 6. Si mund të tregohemi mirënjohës për dhuratën më të madhe të Perëndisë, pra për shpërblesën?

5 Dhurata më e madhe dhe më e përsosur që na ka dhënë Jehovai është Biri i tij, Jezui. Nëpërmjet tij u sigurua flijimi shpërblerës. Apostulli Gjon shkroi: «Nëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne vetë jemi nën detyrimin për ta dashur njëri-tjetrin.» (1 Gjoni 4:11) Tregohemi mirënjohës për shpërblesën, jo vetëm duke shfaqur dashuri dhe mirënjohje ndaj Jehovait, por edhe duke jetuar në një mënyrë që tregon se kemi dashuri për të tjerët.—Mateu 22:37-39.

6 Mund të mësojmë më shumë se si të tregojmë mirënjohje duke menduar se si veproi Jehovai me Izraelin e lashtë. Me anë të Ligjit, të cilin ia dha kombit nëpërmjet Moisiut, Jehovai i mësoi popullit shumë gjëra. Nëpërmjet ‘trajtës së njohurisë e të së vërtetës në Ligj’ mund të mësojmë shumë gjëra që do të na ndihmojnë të ndjekim këshillën e Pavlit: «Tregohuni mirënjohës.»—Romakëve 2:20; Kolosianëve 3:15.

Tri mësime nga Ligji i Moisiut

7. Përse e dhjeta u jepte mundësi izraelitëve që të tregonin mirënjohjen ndaj Jehovait?

7 Në Ligjin e Moisiut Jehovai tregonte tri mënyra nëpërmjet të cilave izraelitët mund të tregonin mirënjohje nga zemra për mirësinë e Tij. Së pari ishte e dhjeta. Një e dhjeta e prodhimit të tokës, bashkë me një «të dhjetën e bagëtive të trasha dhe të imta», i duheshin ‘shenjtëruar Zotit’. (Levitiku 27:30-32) Kur izraelitët i bindeshin kësaj kërkese, Jehovai i bekonte me bollëk. Te libri i Malakisë thuhet: «‘Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë’, thotë Zoti i ushtrive, ‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini’.»—Malakia 3:10.

8. Nga se dalloheshin kontributet vullnetare nga e dhjeta?

8 Së dyti, përveç së dhjetës, Jehovai u kishte dhënë mundësi izraelitëve të jepnin kontribute vullnetare. Ai e urdhëroi Moisiun t’u thoshte izraelitëve: «Kur të hyni në vendin ku po ju çoj, dhe të hani nga buka e vendit, duhet të jepni një kontribut për Jehovain.» Gjatë gjithë brezave të tyre, duhej të jepnin si «kontribut për Jehovain» disa nga frytet e para të «miellit të ashpër si kuleçë në formë unaze». Vërejmë se nuk kërkohej një sasi e caktuar e këtyre fryteve të para. (Numrat 15:18-21, BR) Por kur izraelitët jepnin një kontribut në shenjë falënderimi, ata i siguronin vetes bekimin e Jehovait. E njëjta gjë vihet re edhe në tempullin e vegimit të Ezekielit. Në lidhje me të lexojmë: «Pjesa më e mirë e të gjitha prodhimeve të hershme dhe të gjitha kontributet e çdo lloji do të jenë për priftërinjtë. Duhet t’i jepni priftit prodhimin e parë të miellit të ashpër, me qëllim që mbi shtëpinë tuaj të prehet bekimi.»—Ezekieli 44:30, BR.

9. Për çfarë i mësoi Jehovai izraelitët kur i udhëzoi që të mos mblidhnin frytet që kishin mbetur pas vjeljes?

9 Së treti, Jehovai i udhëzoi izraelitët që të mos mblidhnin frytet që kishin mbetur pas vjeljes. Perëndia tha: «Kur do të korrni tokat tuaja, nuk do të korrësh deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mbledhësh kallinjtë që kanë mbetur pas korrjes sate; dhe në vreshtin tënd nuk do të kthehesh prapë, as do të mbledhësh bistakët e mbetur nga vreshti yt; do t’i lësh për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.» (Levitiku 19:9, 10) Përsëri nuk kërkohej një sasi e caktuar. Çdo izraelit mund të vendoste vetë se sa të linte për nevojtarët. Mbreti i mençur Solomon tha këto fjalë me vend: «Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.» (Fjalët e urta [Proverbat] 19:17) Kështu Jehovai i mësoi izraelitët që të tregonin dhembshuri dhe kujdes për nevojtarët.

10. Cilat qenë pasojat për popullin e Izraelit kur nuk u tregua mirënjohës?

10 Jehovai i bekoi izraelitët kur ata, duke treguar bindje, sillnin të dhjetat, jepnin kontribute vullnetare dhe kujdeseshin për të varfërit. Por, kur populli i Izraelit nuk u tregua mirënjohës, humbi miratimin e Jehovait. Kjo gjë çoi në katastrofë dhe së fundi në mërgim. (2 Kronikave 36:17-21) Atëherë, çfarë mësimesh nxjerrim ne?

Mënyra se si e shprehim mirënjohjen

11. Cila është mënyra kryesore se si mund ta shprehim mirënjohjen ndaj Jehovait?

11 Mënyra kryesore se si mund t’i japim lavdi Jehovait dhe t’i shprehim mirënjohjen tonë përfshin po ashtu një «ofertë» ose të ofrojmë diçka. Vërtet që si të krishterë nuk jemi më nën Ligjin e Moisiut, pra nuk jemi të detyruar të ofrojmë si flijime kafshë ose të vjela. (Kolosianëve 2:14) Megjithatë apostulli Pavël i nxiti të krishterët hebrenj: «Le t’i ofrojmë gjithnjë Perëndisë një sakrificë lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që deklarojnë publikisht emrin e tij.» (Hebrenjve 13:15) Duke përdorur aftësitë dhe të ardhurat tona për t’i ofruar Jehovait një sakrificë lëvdimi, qoftë në shërbimin publik, qoftë «mes turmave të mbledhura» me të bashkëkrishterët, mund t’i shprehim falënderimet tona të përzemërta Atit tonë të dashur qiellor, Perëndisë Jehova. (Psalmi 26:12, BR) Ndërsa veprojmë kështu, çfarë mund të mësojmë nga mënyrat se si izraelitët duhej ta shprehnin mirënjohjen ndaj Jehovait?

12. Çfarë mund të mësojmë nga kërkesa e së dhjetës në lidhje me përgjegjësinë që kemi si të krishterë?

12 Para së gjithash, siç e kemi parë, e dhjeta ishte një kërkesë. Çdo izraelit duhej ta jepte atë. Si të krishterë kemi përgjegjësinë që të marrim pjesë në shërbim dhe të ndjekim mbledhjet e krishtere. Këto veprimtari janë një kërkesë. Në profecinë e tij madhështore në lidhje me kohën se kur do të vinte fundi, Jezui e tha qartë: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14; 28:19, 20) Ndërsa për mbledhjet e krishtere apostulli Pavël u frymëzua të shkruante: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) E tregojmë mirënjohjen ndaj Jehovait kur pranojmë me gëzim përgjegjësinë për të predikuar e për të mësuar të tjerët, si edhe për t’u shoqëruar rregullisht me vëllezërit tanë në mbledhjet e kongregacionit. Këto gjëra i shohim si një privilegj dhe nder.

13. Ç’mësim nxjerrim nga kërkesat për kontributet vullnetare dhe për frytet që kishin mbetur pas vjeljes?

13 Gjithashtu mund të kemi dobi po të shqyrtojmë edhe dy mënyrat nëpërmjet të cilave izraelitët mund të tregonin mirënjohjen e tyre, pra kontributet vullnetare dhe lënia e fryteve që kishin mbetur pas vjeljes. Ndryshe nga e dhjeta, e cila ishte një kërkesë ku përcaktohej qartë sasia që duhej dhënë, kur bëhej fjalë për kontributet vullnetare dhe për frytet që kishin mbetur pas vjeljes, nuk caktohej një sasi. Përkundrazi, ato i jepnin mundësi një shërbëtori të Jehovait që të vepronte i nxitur nga mirënjohja e tij e thellë. Po kështu, megjithëse e kuptojmë se pjesëmarrja në shërbim dhe në mbledhjet e krishtere është një përgjegjësi kryesore për çdo shërbëtor të Jehovait, a marrim pjesë në to me gjithë zemër dhe me gatishmëri? A i shohim si një rast për të shprehur mirënjohjen tonë nga zemra për gjithçka që ka bërë Jehovai për ne? A marrim pjesë bujarisht në këto veprimtari, për aq sa na e lejojnë rrethanat? Apo i shohim vetëm si një detyrë që duhet kryer? Patjetër që këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjemi individualisht. Apostulli Pavël e shprehu këtë kështu: «Secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.»—Galatasve 6:4.

14. Çfarë pret Jehovai nga ne në lidhje me shërbimin që i bëjmë?

14 Perëndia Jehova i njeh mirë rrethanat tona. Ai i di kufizimet që kemi. I vlerëson sakrificat që bëjnë me gatishmëri shërbëtorët e tij, qofshin këto të mëdha ose të vogla. Nuk pret që të japim të gjithë të njëjtën sasi, dhe as që mund ta bëjmë këtë. Kur po fliste për dhënien e gjërave materiale, apostulli Pavël u tha të krishterëve korintas: «Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme sipas asaj që një njeri ka, jo sipas asaj që nuk ka.» (2 Korintasve 8:12) Ky parim zbatohet po njësoj edhe për shërbimin që i bëjmë Perëndisë. Ajo që e bën të pranueshëm shërbimin tonë para Jehovait nuk varet nga sasia që bëjmë, por nga mënyra se si e bëjmë, pra me gëzim dhe me gjithë zemër.—Psalmi 100:1-5; Kolosianëve 3:23.

Të kultivojmë dhe të ruajmë frymën e pionierit

15, 16. (a) Ç’lidhje ka mes shërbimit të pionierit dhe mirënjohjes? (b) Si mund ta shfaqin frymën e pionierit ata që nuk janë në gjendje të shërbejnë si pionierë?

15 Një mënyrë shpërblyese për të treguar mirënjohjen ndaj Jehovait është që të fillojmë shërbimin në kohë të plotë. Të nxitur nga dashuria për Jehovain dhe nga mirënjohja për dashamirësinë e tij të pamerituar, shumë shërbëtorë të kushtuar kanë bërë ndryshime të mëdha në jetë që të kenë më tepër kohë për t’i shërbyer Perëndisë. Disa janë në gjendje të shërbejnë si pionierë të rregullt. Ata harxhojnë mesatarisht 70 orë në muaj duke predikuar lajmin e mirë dhe duke u mësuar njerëzve të vërtetën. Të tjerë, që për shkak të rrethanave të ndryshme nuk mund të bëjnë shumë, herë pas here vendosin të bëjnë 50 orë në muaj duke shërbyer si pionierë ndihmës.

16 Por, ç’të themi për shumë shërbëtorë të Jehovait që nuk mund të shërbejnë as si pionierë të rregullt dhe as si pionierë ndihmës? Ata mund ta tregojnë mirënjohjen duke kultivuar dhe duke ruajtur frymën e pionierit. Si? Duke nxitur të tjerët që mund të shërbejnë si pionierë, duke u ngulitur fëmijëve të tyre dëshirën për të synuar shërbimin në kohë të plotë dhe duke marrë pjesë me zell në predikim sipas rrethanave. Ajo që japim në shërbim varet shumë nga sa mirënjohje kemi në zemër për gjithçka që Jehovai ka bërë, po bën dhe do të bëjë ende.

Të tregojmë mirënjohje me «pasurinë» tonë

17, 18. (a) Si mund të tregojmë mirënjohje me «pasurinë» tonë? (b) Çfarë tha Jezui për kontributin e vejushës? Pse?

17 Te Fjalët e urta 3:9 thuhet: «Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke.» Shërbëtorët e Jehovait nuk duhet të japin më të dhjetën. Përkundrazi apostulli Pavël i shkroi kongregacionit të Korintit: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet, jo me pahir ose me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Duke dhënë kontribute vullnetare për të mbështetur veprën mbarëbotërore të predikimit të Mbretërisë, tregojmë gjithashtu mirënjohjen tonë. Mirënjohja nga zemra na nxit që ta bëjmë këtë rregullisht, ndoshta duke lënë mënjanë diçka çdo javë, siç bënin të krishterët e hershëm.—1 Korintasve 16:1, 2.

18 Ajo që tregon mirënjohjen tonë ndaj Jehovait nuk është sasia e kontributit që japim, por fryma me të cilën e japim. Pikërisht këtë vuri re Jezui kur po shihte njerëzit që hidhnin dhuratat e tyre në arkat e thesarit në tempull. Kur pa që një vejushë nevojtare hodhi «dy monedha të vogla me shumë pak vlerë», ai tha: «Me të vërtetë po ju them: Kjo vejushë, edhe pse e varfër, hodhi më shumë se të gjithë ata. Sepse të gjithë këta hodhën dhurata nga teprica e tyre, kurse kjo, nga skamja e saj, hodhi të gjitha mjetet e jetesës që kishte.»—Luka 21:1-4.

19. Pse është mirë të rishqyrtojmë mënyrat se si e tregojmë mirënjohjen tonë?

19 Le të na nxitë ky studim se si të tregohemi mirënjohës që të rishqyrtojmë mënyrat si ta tregojmë mirënjohjen tonë. A mund ta shtojmë sakrificën e lëvdimit ndaj Jehovait? Gjithashtu, a mund ta mbështetim edhe më shumë nga ana materiale veprën mbarëbotërore? Po të veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se Ati ynë i dashur dhe bujar, Jehovai, do të jetë shumë i kënaqur që tregohemi mirënjohës.

A ju kujtohet?

• Për çfarë arsyesh duhet t’i jemi mirënjohës Jehovait?

• Çfarë mësimesh nxjerrim nga e dhjeta? Nga kontributet vullnetare? Nga lënia e fryteve që kishin mbetur pas vjeljes?

• Si e kultivojmë frymën e pionierit?

• Si mund t’i përdorim «pasuritë» tona për të falënderuar Jehovain?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 15]

«Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet është nga lart»

[Figurat në faqen 16]

Cilat janë tri mësimet nga Ligji që tregohen këtu?

[Figurat në faqen 18]

Çfarë sakrificash mund të bëjmë?