Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

Sa kapituj ka libri i Mikeas? Kur u shkrua dhe si ishte gjendja në atë kohë?

Libri i Mikeas ka shtatë kapituj. Profeti Mikea e shkroi librin në shekullin e tetë p.e.s. Në atë kohë populli me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje ishte ndarë në dy kombe: Izraeli dhe Juda.—15/8, faqja 9.

Çfarë kërkon Perëndia prej nesh, sipas Mikeas 6:8?

Duhet ‘të tregojmë drejtësi’. Norma për drejtësinë është mënyra se si i bën Perëndia gjërat. Kështu na duhet që t’i mbështetim parimet e tij të ndershmërisë dhe të besnikërisë. Ai na thotë që ‘të duam mirëdashjen’. Të krishterët kanë treguar dashamirësi kur u janë përgjigjur nevojave të të tjerëve si për shembull në raste katastrofash. Gjithashtu, që ‘të jemi modestë në ecjen me’ Jehovain, duhet të pranojmë kufizimet tona dhe të varemi nga ai.—15/8, faqet 20-22.

Çfarë do të ishte mirë të bënte një i krishterë kur humb punën?

Do të ishte e mençur të rishqyrtonte mënyrën e tij të jetesës. Ndoshta mund të thjeshtonte jetën duke u transferuar në një shtëpi më të vogël ose duke i hequr ato zotërime materiale që janë të panevojshme. Pa dyshim, është e rëndësishme që të mos jetë më në ankth për gjërat që i nevojiten çdo ditë, por të ketë besim se Perëndia do t’ia sigurojë në ndonjë mënyrë nevojat bazë të jetesës. (Mateu 6:33, 34)—1/9, faqet 14, 15.

Çfarë duhet të mbajmë në mendje kur japim ose marrim dhurata martese?

As nuk nevojiten dhe as nuk duhet të presim dhurata të shtrenjta. Ajo që çmohet më shumë është qëndrimi i zemrës së dhënësit të dhuratës. (Luka 21:1-4) Nuk është një gjë e dashur të bëhet i njohur para të gjithëve emri i dhënësit të dhuratës. Një gjë e tillë mund të vinte ndonjë në siklet. (Mateu 6:3)—1/9, faqja 29.

Përse duhet të lutemi pa pushim?

Kur lutemi rregullisht forcojmë marrëdhënien me Perëndinë dhe stërvitemi për t’u bërë ballë sprovave të ashpra. Lutjet mund të jenë të gjata ose të shkurtra e kjo varet nga nevoja që ndiejmë, si dhe nga rrethanat. Lutja na ndërton besimin e na ndihmon t’u bëjmë ballë problemeve.—15/9, faqet 15-18.

Si duhet ta kuptojmë 1 Korintasve 15:29 që në disa versione është përkthyer «pagëzohen për të vdekurit»?

Apostulli Pavël donte të thoshte se të krishterët e mirosur pagëzohen, ose zhyten, në një mënyrë jetese që do të çojë në një vdekje në besnikëri, ashtu si edhe vdekja e Krishtit. Pas kësaj ringjallen në jetën frymore siç u ringjall edhe Krishti.—1/10, faqja 29.

Si e dimë që të bëhesh një i krishterë përfshin më shumë se të mos bësh gjërat e gabuara që përmenden te 1 Korintasve 6: 9-11?

Apostulli Pavël, pasi tha se një i krishterë duhet të shmangë gjëra të tilla si kurvërinë, idhujtarinë dhe dehjen, tregoi se mund të ishin të nevojshme ndryshime të mëtejshme. Kështu, në vargun vijues ai thotë: «Gjithçka është e ligjshme për mua, por jo gjithçka është dobiprurëse.»—15/10, faqet 18, 19.

Cilat ishin disa gra në kohët e lashta që ia gëzuan zemrën Perëndisë?

Ndër to janë mamitë Shifra dhe Puaha, të cilat nuk iu bindën faraonit për të vrarë meshkujt izraelitë të sapolindur. (Dalja 1:15-20) Rahaba, prostituta kananite, që mbrojti dy zbuluesit izraelitë. (Josiu 2:1-13; 6:22, 23) Duke shfaqur gjykim të shëndoshë, Abigaila ndihmoi që të shpëtoheshin jetë njerëzish dhe nuk e la Davidin të bëhej fajtor gjaku. (1 Samueli 25:2-35) Këto gra janë shembuj për gratë në kohët e sotme.—1/11, faqet 8-11.

Në ç’kuptim kundër Siserës ‘luftuan yjet nga qielli’, siç thuhet te Gjykatësve 5:20?

Disa mendojnë se kjo i referohet një ndihme hyjnore. Të tjerë thonë se i referohet ndihmës së engjëjve, shirave të meteorëve ose faktit që Sisera i varte shpresat te parashikimet astrologjike. Meqë Bibla nuk na jep hollësira rreth kësaj ngjarjeje, mund ta shohim këtë pohim si diçka që tregon ndonjë formë të ndërhyrjes hyjnore në dobi të ushtrisë së Izraelit.—15/11, faqja 30.

Përse shumë njerëz ende pohojnë se besojnë te Perëndia megjithëse po rritet kudo apatia dhe mosinteresimi për fenë?

Disa shkojnë në kishë për të gjetur paqe mendore. Disa të tjerë shpresojnë për një jetë të përhershme pas vdekjes. Të tjerë akoma shpresojnë të kenë shëndet, pasuri dhe sukses. Në disa vende njerëzit kërkojnë të mbushin atë boshllëk shpirtëror që erdhi kur aspiratat e kapitalizmit i zunë vendin ideologjisë komuniste. Duke i pasur në mendje arsye të tilla një i krishterë mund të nisë biseda dobiprurëse me pronarin e shtëpisë.—1/12, faqja 3.