Pjesëtarët e familjes së Jezuit: Kush ishin ata?
Pjesëtarët e familjes së Jezuit: Kush ishin ata?
GJATË muajit dhjetor në shumë vende të botës mund të shihen shpesh skena që paraqesin lindjen e Jezuit. Në këto skena ai tregohet me nënën e vet, Marinë, e cila përkujdeset me dashuri për të, dhe me babain që e birësoi, Jozefin. Skena e një ambienti të tillë familjar mund të bëjë për vete edhe ata që pohojnë se nuk janë të krishterë. Meqenëse Jezui është personazhi kryesor në këto skena, çfarë na tregojnë Shkrimet për familjen njerëzore të Jezuit?
Jezui vinte nga një familje shumë interesante. Lindi nga një virgjëreshë me emrin Marie, duke u bërë kështu pjesë e familjes njerëzore. Sipas Biblës, jeta e tij u çua nga qielli në barkun e Marisë me anë të frymës së shenjtë. (Luka 1:30-35) Para se t’i bëhej e ditur ngjizja e mrekullueshme e Jezuit, Maria ishte fejuar me një burrë me emrin Jozef, i cili do të bëhej më pas babai birësues i Jezuit.
Pas lindjes së Jezuit, Jozefi dhe Maria patën edhe fëmijë të tjerë, pra Jezui pati vëllezër dhe motra nga nëna. Kjo kuptohet qartë nga pyetja që banorët e Nazaretit bënë pas disa vitesh për Jezuin: «A s’është ky biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet nëna e tij Marie dhe vëllezërit e tij, Jakov, Jozef, Simon dhe Judë? Po motrat e tij, a nuk janë të gjitha me ne?» (Mateu 1:25; 13:55, 56; Marku 6:3) Pra, familja e Jezuit përbëhej nga prindërit e tij, katër vëllezër dhe të paktën nga dy motra.
Por, disa sot nuk besojnë se vëllezërit dhe motrat e Jezuit ishin fëmijët e Jozefit dhe Marisë. Pse? Një enciklopedi, New Catholic Encyclopedia, thotë: «Kisha, që nga ditët e saj të hershme, mësoi se Maria mbeti gjithnjë virgjëreshë. Duke pasur parasysh këtë, atëherë del që Maria nuk pati fëmijë të tjerë përveç Jezuit.» E njëjta vepër referimi pohon se fjalët «vëlla» dhe «motër» mund t’i referohen «një individi a individëve që kanë një lidhje fetare ose ndonjë lidhjeje tjetër të zakonshme» ose të afërmve, ndoshta kushërinjve.
A është vërtet kështu? Edhe disa teologë katolikë, që nuk e pranojnë doktrinën tradicionale, përkrahin pikëpamjen që Jezui kishte vëllezër e motra në kuptimin e vërtetë të fjalës. Xhon P. Majër, ish-president i shoqatës Catholic Bible Association of America, shkroi: «Në B[esëlidhjen] e R[e] adelphos [fjala greke për vëlla], kur nuk përdoret në kuptimin e figurshëm ose metaforik, por për të përcaktuar ndonjë lloj lidhjeje fizike ose ligjore, nënkupton vetëm fjalën vëlla nga një ose të dy prindërit dhe nuk ka asnjë kuptim tjetër.» * Pa asnjë fije dyshimi, Shkrimet tregojnë se Jezui kishte vëllezër dhe motra që i lindën Jozefit dhe Marisë.
Ungjijtë përmendin edhe të afërm të tjerë të Jezuit, por le të përqendrohemi tani në familjen e tij dhe të shohim se çfarë mund të mësojmë prej tyre.
[Shënimi]
^ par. 6 «The Brothers and Sisters of Jesus in Ecumenical Perspective», nga Xh. P. Majër, revista The Catholic Biblical Quarterly, janar 1992, faqja 21.