Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të tregohemi gati për ditën e Jehovait

Të tregohemi gati për ditën e Jehovait

Të tregohemi gati për ditën e Jehovait

«Tregohuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.»​—MATEU 24:44.

1. Pse duhet t’i kushtojmë vëmendje ditës së Jehovait?

AJO do të jetë një ditë beteje dhe furie, angështie dhe ankthi, errësire dhe shkretimi. «Dita e madhe dhe e frikshme» e Jehovait do të vijë patjetër kundër këtij sistemi të lig, ashtu si edhe Përmbytja i dha fund botës së ligë të ditëve të Noesë. Nuk mund t’i shmangemi asaj. Megjithatë «kushdo që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë». (Joeli 2:30-32, BR; Amosi 5:18-20) Perëndia do t’i shkatërrojë armiqtë e tij dhe do të shpëtojë popullin e tij. Me një ndjenjë urgjence profeti Sofonia shpall: «Dita e Zotit është e afërt, është e afërt dhe po vjen me shpejtësi të madhe.» (Sofonia 1:14) Por, kur do të ekzekutohet ky gjykim hyjnor?

2, 3. Pse është jetësore që të përgatitemi për ditën e Jehovait?

2 Jezui tha: «Sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36) Meqë nuk e dimë saktësisht kohën kur do të vijë ajo ditë, është jetësore që t’i marrim për zemër fjalët e shkrimit të vitit për 2004-n: «Qëndroni vigjilentë . . . Tregohuni gati.»—Mateu 24:42, 44.

3 Duke treguar se sa befas do të mblidhen për t’u shpëtuar ata që janë gati, ndërsa të tjerët do të braktisen, Jezui tha: «Dy burra do të jenë në arë: njëri do të merret dhe tjetri do të braktiset; dy gra do të jenë duke bluar në mulli: njëra do të merret dhe tjetra do të braktiset.» (Mateu 24:40, 41) Cila do të jetë gjendja e secilit prej nesh në atë çast vendimtar? A do të jemi gati apo ajo ditë do të na zërë në befasi? Shumë varet nga masat që po marrim tani. Të tregohemi gati për ditën e Jehovait kërkon të shmangim një qëndrim shumë të përhapur sot, të luftojmë kundër një gjendjeje të veçantë frymore dhe të shmangim disa mënyra jetese.

Të mos jepemi pas rehative

4. Ç’qëndrim kishin njerëzit në ditët e Noesë?

4 Të shqyrtojmë ditët e Noesë. Bibla thotë: «Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij.» (Hebrenjve 11:7) Arka do të ketë qenë e pazakontë dhe do të ketë rënë shumë në sy. Për më tepër Noeja ishte «një predikues i drejtësisë». (2 Pjetrit 2:5) As arka dhe as predikimi i Noesë nuk i nxitën njerëzit e ditëve të tij që të vepronin. Pse? Sepse ata «hanin e pinin, burrat martoheshin e gratë jepeshin në martesë». Njerëzit të cilëve u predikoi Noeja ishin kaq të zhytur pas punëve të tyre dhe kënaqësive, saqë «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë».—Mateu 24:38, 39.

5. Ç’qëndrim kishin banorët e Sodomës në ditët e Lotit?

5 Po njësoj ishte edhe në ditët e Lotit. Shkrimet thonë: «Ata hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin, ndërtonin. Por ditën që Loti doli nga Sodoma, nga qielli ra shi zjarri dhe squfuri e i shkatërroi të gjithë.» (Luka 17:28, 29) Pasi engjëjt e paralajmëruan Lotin për shkatërrimin që kanosej, ai u foli dhëndurëve për atë që do të ndodhte. Por ata «patën përshtypjen se ai po bënte shaka».—Zanafilla 19:14.

6. Ç’qëndrim duhet të shmangim?

6 Siç tha Jezui, ashtu si ishte në ditët e Noesë dhe të Lotit, «kështu do të jetë prania e Birit të njeriut». (Mateu 24:39; Luka 17:30) Vërtet, qëndrimi që kanë shumica e njerëzve sot është që të jepen pas rehative. Duhet të ruhemi për të mos u ndikuar nga ky qëndrim. Nuk ka asgjë të keqe të hash ushqime të mira dhe të pish me karar. Gjithashtu martesën e ka themeluar vetë Perëndia. Por nëse këto na janë bërë gjërat më të rëndësishme në jetë dhe interesat frymore janë lënë pas dore, a po tregojmë se jemi gati për ditën e frikshme të Jehovait?

7. Ç‘pyetje të domosdoshme duhet të bëjmë përpara se të kryejmë çfarëdolloj gjëje? Pse?

7 Apostulli Pavël tha: «Koha që mbetet është shkurtuar. Që sot e tutje, ata që kanë gra, të jenë sikur nuk kanë.» (1 Korintasve 7:29-31) Mbetet vetëm një kohë e kufizuar që të përfundojmë veprën e predikimit të Mbretërisë të cilën na e ka caktuar Perëndia. (Mateu 24:14) Pavli i këshilloi edhe të martuarit që të mos jepen kaq shumë pas njëri-tjetrit, saqë t’i lënë në vend të dytë në jetë interesat e Mbretërisë. Qartë, prirja mendore që Pavli po këshillonte të kemi është e kundërta e rehatidashjes. Jezui tha: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë [e Perëndisë].» (Mateu 6:33) Kur marrim çfarëdolloj vendimi ose përpara se të kryejmë çfarëdolloj gjëje, pyetja e domosdoshme që duhet të bëjmë është: ‘Si do të ndikojë kjo te synimi im që të mbaj interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetë?’

8. Çfarë duhet të bëjmë në rast se gjërat e zakonshme të jetës kanë zënë vendin e parë në jetën tonë?

8 Çfarë të bëjmë në qoftë se kuptojmë se tashmë jemi përfshirë kaq shumë pas gjërave të zakonshme të jetës, saqë nuk po u lëmë vend interesave frymore? A është i vogël dallimi ndërmjet mënyrës sonë të jetesës dhe asaj të fqinjëve tanë që nuk kanë njohuri të saktë të Shkrimeve dhe nuk janë lajmëtarë të Mbretërisë? Nëse është kështu, atëherë duhet të lutemi për këtë gjë. Jehovai mund të na ndihmojë të kemi qëndrimin e duhur mendor. (Romakëve 15:5; Filipianëve 3:15) Ai mund të na ndihmojë që të mbajmë në vend të parë interesat e Mbretërisë, të bëjmë atë që është e drejtë dhe të përmbushim detyrimin tonë ndaj tij.—Romakëve 12:2; 2 Korintasve 13:7.

Të luftojmë kundër përgjumjes frymore

9. Sipas Zbulesës 16:14-16, pse është e rëndësishme të luftojmë kundër përgjumjes frymore?

9 Po ajo profeci që flet për ‘luftën e afërt të ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm’ në Harmagedon, paralajmëron se disa mund të mos qëndrojnë zgjuar. Zotëria Jezu Krisht thotë: «Ja, unë po vij si një hajdut. Lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e tij, që të mos ecë lakuriq dhe njerëzit të shohin turpin e tij!» (Zbulesa 16:14-16) Rrobat e përmendura këtu bëjnë fjalë për atë që na identifikon si Dëshmitarë të krishterë të Jehovait. Kjo përfshin veprën si lajmëtarë të Mbretërisë dhe sjelljen tonë të krishterë. Nëse shkasim në një gjendje joaktive si në gjumë, mund të zhvishemi nga identiteti i krishterë. Kjo është e turpshme dhe e rrezikshme. Duhet të luftojmë kundër përgjumjes ose plogështisë frymore. Si të luftojmë që të mos biem në këtë gjendje?

10. Pse leximi i përditshëm i Biblës na ndihmon të qëndrojmë syçelë frymësisht?

10 Bibla e thekson vazhdimisht nevojën për të ndenjur zgjuar dhe për të ruajtur gjykimin. Për shembull, tregimet e ungjijve na paralajmërojnë: «Qëndroni vigjilentë» (Mateu 24:42; 25:13; Marku 13:35, 37); «tregohuni gati» (Mateu 24:44); «vazhdoni të shikoni, rrini zgjuar» (Marku 13:33); «rrini gati» (Luka 12:40). Pasi thotë se dita e Jehovait do të vijë papritur mbi këtë botë, apostulli Pavël i nxit bashkëbesimtarët: «Le të mos flemë siç bëjnë të tjerët, por të qëndrojmë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.» (1 Selanikasve 5:6) Në librin e fundit të Biblës, Krishti Jezu i ngritur në lavdi e thekson befasinë e ardhjes së tij me fjalët: «Po vij me të shpejtë.» (Zbulesa 3:11; 22:7, 12, 20) Edhe shumë prej profetëve hebrenj përshkruan dhe paralajmëruan për ditën e madhe të gjykimit të Jehovait. (Isaia 2:12, 17; Jeremia 30:7; Joeli 2:11; Sofonia 3:8) Leximi i Fjalës së Perëndisë, Biblës, çdo ditë dhe meditimi për atë që lexojmë, janë një ndihmë e shkëlqyer për të qëndruar syçelë frymësisht.

11. Pse studimi personal i Biblës është i domosdoshëm për të ndenjur zgjuar frymësisht?

11 Studimi personal i zellshëm i Shkrimeve duke përdorur botimet e bazuara në Bibël, të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», është një shtysë e fuqishme për të qëndruar zgjuar frymësisht. (Mateu 24:45-47) Megjithatë, që të sjellë dobi, studimi personal duhet të vijë duke u thelluar dhe duhet të jetë i rregullt. (Hebrenjve 5:14–6:3) Duhet të marrim rregullisht ushqim të fortë frymor. Në ditët e sotme është e vështirë të gjejmë kohë për këtë qëllim. (Efesianëve 5:15, 16) Nuk mjafton të lexojmë Biblën dhe botimet biblike vetëm kur të jetë e volitshme për ne. Nëse duam të qëndrojmë «të shëndoshë në besim» e të rrimë zgjuar duhet patjetër që të bëjmë një studim personal të rregullt.—Titit 1:13.

12. Si na ndihmojnë të luftojmë përgjumjen frymore mbledhjet, asambletë dhe kongreset e krishtere?

12 Edhe mbledhjet, asambletë dhe kongreset e krishtere na ndihmojnë të luftojmë përgjumjen frymore. Si? Nëpërmjet mësimeve që marrim aty. A nuk na jepen vazhdimisht përkujtues në këto mbledhje se dita e Jehovait është afër? Gjithashtu mbledhjet e krishtere çdo javë na japin mundësi që ‘të nxitim njëri-tjetrin për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’. Kjo nxitje e ndihmon një individ që të qëndrojë zgjuar frymësisht. Nuk habitemi që na urdhërohet të mblidhemi rregullisht ndërsa ‘e shikojmë që dita po afrohet’.—Hebrenjve 10:24, 25.

13. Si na ndihmon shërbimi i krishterë që të mbahemi zgjuar frymësisht?

13 Po ashtu na ndihmon të qëndrojmë zgjuar pjesëmarrja me gjithë zemër në shërbimin e krishterë. A ka mënyrë më të mirë për të mbajtur të freskët në mendje shenjat e kohëve dhe domethënien e tyre, sesa t’u flasim të tjerëve për to? E kur shohim ata me të cilët studiojmë Biblën të bëjnë përparim dhe të fillojnë të veprojnë sipas asaj që po mësojnë, ndjenja jonë e urgjencës rritet. Apostulli Pjetër tha: «Mblidhni forcat mendore për aktivitet, ruani plotësisht gjykimin.» (1 Pjetrit 1:13) Një ilaç i shkëlqyer kundër përgjumjes frymore është që ‘të kemi gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’.—1 Korintasve 15:58.

Të shmangim mënyrat e jetesës që janë të dëmshme frymësisht

14. Kundër cilave mënyra jetese na paralajmëron Jezui, siç përshkruhet te Luka 21:34-36?

14 Në profecinë madhështore për shenjën e pranisë së tij Jezui dha edhe një paralajmërim tjetër. Ai tha: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga e ngrëna e tepërt, nga e pira e tepërt e nga ankthet e jetës dhe befas ajo ditë të bjerë në çast mbi ju si një lak. Sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në faqen e mbarë tokës. Rrini zgjuar, pra, duke bërë përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që kanë për të ndodhur dhe në qëndrimin përpara Birit të njeriut.» (Luka 21:34-36) Jezui përshkroi me saktësi mënyrat e jetesës që ndjekin njerëzit në përgjithësi: teprime në të ngrënë e në të pirë dhe një mënyrë jetese që shkakton ankthe.

15. Pse duhet të shmangim teprimet në të ngrënë e në të pirë?

15 E ngrëna dhe e pira e tepërt nuk përputhen me parimet biblike dhe duhen shmangur. Bibla thotë: «Mos rri mes atyre që pijnë verë me tepri, mes atyre që janë hamës të pangopur mishi.» (Proverbat [Fjalët e urta] 23:20, BR) Por që e ngrëna dhe e pira të jenë të rrezikshme, nuk duhet medoemos të arrijnë deri në këtë masë. Ato mund ta bëjnë të përgjumur dhe dembel dikë shumë më përpara. Një proverb biblik thotë: «Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë.» (Fjalët e urta 13:4) Një individ i tillë mund të dojë të bëjë vullnetin e Perëndisë, por duke qenë i shkujdesur nuk e plotëson dot këtë dëshirë.

16. Si t’ia bëjmë që ankthet në lidhje me familjen të mos na rëndojnë?

16 Për cilat ankthe të jetës na paralajmëroi Jezui? Ato përfshijnë shqetësimet personale, sigurimin e gjërave të nevojshme për familjen dhe gjëra të ngjashme. Sa e pamençur do të ishte që t’i lejonim këto gjëra të na rëndonin! «Kush prej jush, duke qenë në ankth, mund t’i shtojë jetëgjatësisë së vet një kut?»—pyeti Jezui. Ai u dha këtë këshillë dëgjuesve të tij: «Kurrë të mos jeni në ankth e të thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Me se do të vishemi?’ Sepse të gjitha këto janë gjërat që kombet i kërkojnë me etje. Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.» Në qoftë se vëmë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë dhe kemi sigurinë se Jehovai do të kujdeset për nevojat tona, do t’i mbajmë nën kontroll ankthet tona dhe do të rrimë zgjuar.—Mateu 6:25-34.

17. Si mund të shkaktojnë ankth synimet materialiste?

17 Ankthet mund të shkaktohen edhe nga synimet materialiste. Për shembull, disa e ndërlikojnë jetën duke blerë gjëra përtej mundësive të tyre. Disa janë joshur nga planet për t’u pasuruar shpejt dhe nga investimet financiare të rrezikshme. Për të tjerë bëhet një grackë arsimimi në botë si mjet për të arritur suksesin nga ana financiare. Patjetër, njëfarë shkollimi mund të jetë i dobishëm për të gjetur punë. Megjithatë, e vërteta është se duke ndjekur një arsimim më të lartë, i cili të harxhon shumë kohë, disa janë dëmtuar frymësisht. Sa gjendje e rrezikshme do të ishte kjo ndërsa dita e Jehovait afrohet! Bibla paralajmëron: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.»—1 Timoteut 6:9.

18. Çfarë aftësie duhet të kultivojmë për të mos u tërhequr drejt një mënyrë jetese materialiste?

18 Që të mos tërhiqemi drejt një mënyrë jetese materialiste është e domosdoshme të kultivojmë aftësinë për të dalluar të drejtën nga e gabuara kur duhet të marrim vendime. Kjo aftësi zhvillohet duke u ushqyer rregullisht me ‘ushqimin e fortë që u përket njerëzve të pjekur’ dhe ‘duke stërvitur aftësitë perceptuese nëpërmjet përdorimit’. (Hebrenjve 5:13, 14) Gjithashtu, duke u siguruar «për gjërat më të rëndësishme» ndërsa vendosim përparësitë tona në jetë, mbrojmë veten që të mos bëjmë zgjedhje të gabuara.—Filipianëve 1:10.

19. Çfarë duhet të bëjmë nëse kuptojmë se kemi shumë pak kohë për gjërat frymore?

19 Mënyra materialiste e jetesës mund të na verbojë, duke na lënë pak ose aspak kohë për gjërat frymore. Si mund ta shqyrtojmë veten dhe të mos biem në grackën e një mënyrë të tillë jetese? Duhet të shqyrtojmë në lutje se si dhe deri në ç’masë mund ta thjeshtojmë jetën tonë. Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë tha: «I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flerë.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 5:12) A harxhojmë shumë kohë dhe energji duke u kujdesur për gjërat e panevojshme që zotërojmë? Sa më shumë gjëra të kemi, aq më shumë gjëra duhet të mirëmbajmë, të sigurojmë dhe të mbrojmë. A do të ishte në të mirën tonë të thjeshtonim jetën duke i hequr disa gjëra që zotërojmë?

Të tregohemi me çdo kusht gati

20, 21. (a) Çfarë sigurie na jep apostulli Pjetër për ditën e Jehovait? (b) Çfarë veprash dhe veprimesh duhet të vazhdojmë të kryejmë ndërsa tregohemi gati për ditën e Jehovait?

20 Kohës së caktuar për botën e ditëve të Noesë i erdhi fundi dhe po kështu do t’i vijë fundi edhe kohës së sistemit të tanishëm. Apostulli Pjetër na siguron: «Dita e Jehovait do të vijë si një hajdut, në të cilën qiejt do të kalojnë me një zhurmë vërshëllyese, por elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shpërbëhen dhe toka e veprat në të do të zbulohen.» As qiejtë simbolikë, pra qeveritë e liga, dhe as toka simbolike, pra njerëzimi i larguar nga Perëndia, nuk do të mbijetojnë nga zemërimi i zjarrtë i Perëndisë. Duke shpjeguar se si të tregohemi gati për atë ditë, Pjetri bën thirrje: «Pasi kështu kanë për t’u shpërbërë të gjitha këto gjëra, ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!»—2 Pjetrit 3:10-12.

21 Në këto vepra dhe veprime të përkushtimit hyjnor përfshihen ndjekja e rregullt e mbledhjeve të krishtere dhe pjesëmarrja në predikimin e lajmit të mirë. Le t’i kryejmë ato me përkushtim me gjithë zemër ndaj Perëndisë, ndërsa presim me durim ditën e madhe të Jehovait. Le ‘të bëjmë çmos që së fundi të gjendemi prej Perëndisë të panjollë, të patëmetë dhe në paqe’!—2 Pjetrit 3:14.

A ju kujtohet?

• Pse duhet të tregohemi gati për ditën e Jehovait?

• Çfarë duhet të bëjmë në rast se gjërat e zakonshme të jetës kanë zënë vendin e parë në jetën tonë?

• Çfarë do të na ndihmojë për të luftuar kundër përgjumjes frymore?

• Çfarë mënyrash jetese të dëmshme duhet të shmangim? Si ta bëjmë këtë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqet 20, 21]

Njerëzit në ditët e Noesë nuk i kushtuan vëmendje gjykimit që u kanosej. Po ti?

[Figura në faqen 23]

A mund ta thjeshtosh jetën që të kesh më shumë kohë për gjërat frymore?